“Kushdo që ruan aftësinë për ta parë të bukurën, nuk ka për t’u plakur kurrë”

Franc Kafka u lind në Pragë më 3 korrik 1883. Ai ishte nënshtetas austro-hungarez, me prejardhje hebraike. Rridhte nga një familje relativisht e kamur. Një penë e jashtëzakonshme dhe një personalitet, gjithashtu i jashtëzakonshëm. Njëri me një zemër që mund të trokiste vetëm në kraharorin e një shenjtori, siç ishte ai. U nda nga jeta më 3 qershor, 1924 në Vjenë, ende pa i mbushur 41 vjeç, prej një tuberkulozit, i cili e përndoqi për 7 vite radhazi, deri sa e shuajti përgjithmonë. Ai, Franc Kafka, shteri pak e nga pak, shtërzeu e hoqi prej orës në çdo ditë, u drithërua e flakëriu, driti e u përpëlit në syt e shpirtit dhe dëshirimit të drobitur, si një qiri që soset pikëllueshëm nën ëndjet e kapluara prej terri të atyre dëshirimeve që s’mundën të ishin veç vuajtje dhe trishtim.

Marrëdhëniet e tij intime dhe tekstshkruese ishin të ndërlikuara, të garrametshme, dashuroi dhe shkroi, jetoi dhe kontribuoi me zemër dhe mendime, si ai e pakkush tjetër në mënyrën e tij. Krijimtaria; tregime të shkurtra, romane që kurrë nuk i përfundoi. Shumicën e dorëshkrimeve i dogji, pjesën që mbeti e la me amanet të kishte të njëjtin fat, por jo çdo amanet meritonte të respektohej, si dhe ky. Si shumë personazhe të artit avangard, edhe për krijimtarinë e Kafkës do të zgjohej interes dhe do të korrte famë pas vdekjes. Ai u cilësua si një nga autorët më me ndikim, apo Dante i shekullit të njëzetë. Franc Kafka fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti, i gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë. Nëse nuk do ta kishim njohur si shkrimtar, pa asnjë mëdyshje do ta pranonim si shenjt. I tillë ishte ai, i devotshëm dhe shëlbyes.

Fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti e gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë  dhe papajtueshmërisë .

Franc Kafka erdhi në letërsi si një nevojë e brendshme e një individi gjithnjë i papajtueshëm me realitetin. Ndoshta jo vetëm sëmundja, prej së cilës ai ishte i dënuar me vdekje, por edhe njeriu delikat e shpirtmirë, cilësi këto të përftuara nga e ëma një grua hebre, bënë që kjo penë ta ngjynte majën në zjarrin e vetëtimave. I ndryshtë, shumëçka tjetërqysh nga të tjerët, ishte kumti që mëtoi në një vepër, e cila për pak do të shuhej bashkë me të, nëse miku i tij do të ishte aq shpirtkazëm sa të çonte në vend amanetin e tij, asgjësimin e dorëshkrimeve.

Franc Kafka është një nga shembujt emblematik i njerzinit, që hetoi mbi vehten, zbuloi vlerat dhe u cfilit me ndërgjegje për të materializuar ato në artin e krijimtarinë e tij. Ndërsa vepra e tij është një shembull brilant se çdo qenie njerzore, o rastësisht o domosdoshmërisht i jepet rasti e mundësia për tu bërë një fillim. Linda e tij, ardhja e tij në jetë duhet konsideruar si një ftesë që bashkë me konstitucionin e tij fizik të sjellë diçka të re. /KultPlus.com

Si e vlerësonte Franc Kafka aktorin me prejardhje shqiptare Aleksandër Moisiun

Sot shënohet ditëlindja e aktorit të madh botëror me prejardhje shqiptare  Aleksandër Moisiut, shkrua KultPlus.

Veprimtaria e tij ishte e fokusuar në Vjenë, për të depërtuar shpejt edhe në teatrot e tjera evropiane. Pas sukseseve të tij të njëpasnjëshme në aktrim ai u angazhua pothuajse në të gjitha vendet e Evropës e Amerikës Veriore.

Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse.

 Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it , të Wedekind-it dhe të Hofmannsthal-it .

Për këtë aktor të madh, fjalët nuk i kursyen as filozofët e shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës. Filozofi i njohur dhe një nga romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane, Franc Kafka vlerësoi se gjestet e Moisiut ishin unike dhe të pa para ndonjëherë në skenat botërore.  

“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”, janë fjalët e Kafkës për Moisiun./ KultPlus.com