Ambasada e Francës në Kosovë, ka njoftuar se Muzeu i Luvrit vazhdon të jetë muzeu më i vizituar në botë, me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023.
Përmes një njoftimi në Facebook, Ambasada e Francës thotë se shpreson se muzetë e Francës këtë vit do të vizitohen nga një numër edhe më i madh i vizitorëve.
“Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë! Me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023, +14% më shumë krahasuar me vitin 2022. Muzetë tjerë francezë nuk janë lënë anash, pasiqë Musée d’Orsay theu një rekord historik me 5.1 milionë vizitorë më 2023. Shpresojmë të shohim një numër më të madh vizitorësh në muzetë e Francës këtë vit!”, njofton Ambasada e Francës në Kosovë./KultPlus.com
Për të dytin vit radhazi, kinematografia klasike shqiptare prezantohet para publikut europian në Festivalin prestigjioz ndërkombëtar të filmit FESTIVAL LUMIÈRE, në Lion, Francë, në qytetin ku lindi vetë kinematografia në fund të viteve 1800 nga Vëllezërit Lumière.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën të ditur se pas prezantimit të filmit të restauruar “Tana” në edicionin e vitit 2022, në Festivalin e sivjetshëm kuratorët kanë përzgjedhur filmin “Përrallë nga e kaluara” të regjisorit Dhimitër Anagnosti (1987) për t’u shfaqur në versionin e tij të restauruar në seksionin Thesare dhe Kuriozitete (Treasures & Curiosities).
Programi Thesare & Kuriozitete sjell 14 filma pak të njohur ose të harruar nga 13 vende të ndryshme të botës si: SHBA, Franca, Italia, Polonia, Shqipëria, Korea e Jugut, Madagaskari, Portugalia, Zvicra, etj., duke i dhënë audiencës një shans për t’u njohur me vepra të rëndësishme kinematografike ose për të (ri)zbuluar momente të historisë së filmave. Festivali i filmit Lumière vlerëson arkivat e filmit anembanë botës për punën e tyre restauruese, e cila sjell në jetë kinemanë klasike. Të gjithë filmat e këtij seksioni mbajnë etiketën Lumière Classics.
Filmi “Përrallë nga e kaluara” do të ketë 2 shfaqje: Të premten, 20 tetor, ora 11.30 në Institutin Lumiere (Villa) dhe të shtunën, 21 tetor, ora 16:45 në Kinema Opera.
Restaurimi i këtij filmi u krye në vitin 2015 në studiot e Hungarian FilmLab në Budapest, financuar nga Ministria e Kulturës, një projekt i mbikqyrur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
Restaurimi i filmave dhe subtitrimi i tyre në gjuhë të huaja janë në fokus të punës së AQSHF-së prej disa vitesh tashmë, me qëllim prezantimin e kinematografisë klasike shqiptare në botë, njohjen dhe studimin e trashëgimisë kombëtare filmike./atsh/KultPlus.com
Programi i reformës së Presidentit Macron po përballet me një moment të ri, pasi sindikatat franceze kanë organizuar një ditë grevash dhe protestash masive të enjten kundër planeve të tij për të shtyrë moshën e pensionit, transmeton KultPlus.
Një projekt-ligj i ri që do të kalojë në parlament do të rrisë moshën zyrtare në të cilën njerëzit mund të ndalojnë punën, duke e shtyrë kështu për dy vite moshën që njerëzit dalin në pension, nga 62 në 64.
Shumë shkolla dhe shërbime të tjera publike do të mbyllen. Në aeroportin Orly në Paris, një në pesë fluturime është anuluar.
Në metronë e Parisit vetëm dy linjat pa shofer do të funksionojnë normalisht.
Demonstrata të mëdha me dhjetëra mijëra priten në Paris dhe qytete të tjera, ku policia do të jetë në fuqi në rast të dhunës nga të infiltruarit ultra të majtë të “bllokut të zi”.
Sipas propozimeve të përshkruara në fillim të këtij muaji nga kryeministrja Élisabeth Borne, nga viti 2027, njerëzit do të duhet të punojnë 43 vjet për t’u kualifikuar për një pension të plotë, në krahasim me 42 vjet tani.
E përshëndetur nga qeveria si një masë jetike për të mbrojtur sistemin e pensioneve të ndarjes së Francës, reforma po rezulton thellësisht jopopullore në publik – me 68% që thonë se janë kundër, sipas një sondazhi të IFOP këtë javë.
Të gjitha sindikatat e vendit – duke përfshirë të ashtuquajturat sindikata “reformiste” që qeveria kishte shpresuar t’i fitonte në anën e saj – e kanë dënuar masën, ashtu si edhe opozita e majtë dhe e djathtë në Asamblenë Kombëtare.
“Të enjten muret e pallatit Élysée duhet të dridhen,” tha të martën lideri i Partisë Komuniste Fabien Roussel.
Për shkak se partia e tij e Rilindjes nuk ka shumicën në Kuvend, presidenti francez Emmanuel Macron do të detyrohet të mbështetet në rreth 60 deputetë të partisë konservatore republikane. Edhe pse ata janë në parim pro reformës së pensioneve, disa prej tyre kanë paralajmëruar se mund të votojnë kundër.
Me procesin parlamentar që pritet të zgjasë disa javë, Macron përballet me një fushatë të vazhdueshme opozitare, me ditë të tjera veprimi të mundshme në ditët në vijim. Rezultati më i keq për qeverinë do të ishte greva e vazhdueshme në transport, spitale dhe depo karburanti – duke e sjellë në mënyrë efektive vendin në një bllokim.
Kryeministri u thirr në parimin e “solidaritetit ndër breza” për të justifikuar vendimin për t’i bërë njerëzit të punojnë më gjatë. Sipas sistemit francez, shumë pak njerëz kanë plane pensioni personale të lidhura me investimet kapitale.
Në vend të kësaj, pensionet e atyre që janë në pension paguhen nga i njëjti fond i përbashkët në të cilin kontribuojnë çdo muaj ata që janë në punë. Punëtorët e dinë se do të përfitojnë nga i njëjti trajtim kur të dalin në pension. /KultPlus.com
Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002” me regjisore Trëndelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, do të shfaq premierën në festivalin e filmit të shkurtër Clermont-Ferrand në Francë, njërin prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë i kategorisë A, dhe i dyti në Francë pas festivalit të Kanës sa i përket audiencës.
“Prishtinë 2002” do të shfaqet në ekranet franceze në kuadër të edicionit të 45-të të festivalit, i cili do të mbahet përgjatë datave 27 janar – 4 shkurt 2023.
Filmi rrëfen historinë e nje adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Ndërkohë që gjatë tërë këtij rrugëtimi, personazhi kryesor ndeshet me të papriturën.
Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit Kandërr. / KultPlus.com