Sot shënohet 720 vjetori i vdekjes së poetit të njohur italian, Francesko Petrarkës, shkruan KultPlus.
Petrarka, njihej si një latinist i mrekullueshëm, autor librash, traktatesh e vëllimesh të çmuara për kohën, e njëherazi edhe si dijetari më i madh i kohës në të cilën jetonte.
Krijimtaria e përsosur e tij është punuar nga ai me mjeshtërinë më të madhe në atë kohë, kështu, duke bërë të mundur që veprat e tij të vazhdojnë kultivimin edhe sot, 700 vjet pas.
Francesko Petrarka u lind me 20 korrik të vitit 1304 në Arezzo të Italisë, në një ndër vendet më të bukura të kohës së sotme.
Petrarka njihet për shkrimet e tij në poezi dedikuar Laurës, gruas që ai dashuronte. Përpos dashurisë së tepërt ndaj Laurës dhe shkrimeve dedikuar saj, Petrarka njihet edhe si babai i sonetit dhe njëkohësisht si autori i ‘Secretum meum’, një teksti gjysmëautobiografik për gjetjen e Zotit në mes të jetës laike.
Me të mbushur 26 vjet, Petrarka udhëtoi për në Francë, duke jetuar atje për 7 vite radhazi.
Kjo periudhë ishte ndër më të rëndësishmet për Petrarkën, për shkak që në ato vite ai zhvilloi gjithë ato krijimtari, studioi aq zellshëm dhe posedoi ambicie aq të forta sa që sot gjenden rrallë.
Franca për Petrarkën ishte vendi ideal për të zhvilluar krijimtarinë e tij e për të njohur më mirë botën letrare, falë së cilës ai takoi njerëzit më të ditur, duke qenë në kërkim të bibliotekave monastike për dorëshkrime klasike “të humbura”. Kërkimet nuk i shkuan huq, pasi që në to kishte zbuluar kopje të dy fjalimeve të Ciceronit.
Ndërkaq, në Paris atij iu dha edhe një kopje e Rrëfimeve të Shën Agustinit nga një mik i besuar shpirtëror, murgu Augustinian Dionigi nga Sansepolcro.
Petrarkës nuk i mungoi as diçka, fokusi në besimin fetar. Shpirti i tij ishte i mbushur me një besim aq të thellë fetar, përmes së cilës kërkonte paqen e mbjellte veç dashuri.
Edhe pse gjatë tërë jetës së tij udhëtoi në përmasa ndërkombëtare, prapë se prapë, frymarrjen e fundit e dha në vendin ku bëri hapat e parë, në Itali.
‘Libër këngësh’, ‘Sekretum’, ‘’De Viris Illustribus’ (Burrat), Remediis Utriusque Fortunae (Mjetet shëruese për ekstreme të fatit), Posteriati dhe koleksionet epistoliare, janë disa ndër veprat madhështore të këtij autori të madh. /KultPlus.com