Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë (FELT) vazhdoi mbrëmë në sallën franceze të Bibliotekës Kombëtare “Sotir Kolea”, duke sjellë biseda frymëzuese dhe lexime nga dy autorë evropianë të radhës.
Autorja polake Margo Rejmer, e cila erdhi në FELT me mbështetjen e Ambasadës polake, ndau lidhjen e saj të thellë me Shqipërinë përmes veprës së saj.
Duke reflektuar mbi librin “Balta më e ëmbël se mjalti: Zëra nga Shqipëria komuniste”, ajo tregoi sesi përpiqej të zhytej në jetët e atyre që vuajtën, rebeluan dhe mbijetuan gjatë diktaturës.
Përmes historive të gjalla dhe të papërpunuara që mblodhi, Margo përshkroi se si pa dhimbjen dhe qëndresën e tyre përmes syve të saj.
Autorja franceze Dominique Barbéris, e cila erdhi në FELT me mbështetjen e ambasadës së Francës, solli një reflektim thellësisht introspektiv mbi romanin e saj të vlerësuar “Une façon d’aimer”, fitues i Grand Prix du Roman de l’Académie Française 2023.
Përmes jetës së heshtur dhe melankolike të Madeleine, historia na çon në Francën e pasluftës dhe Kamerunin që po dekolonizohej, duke kapur emocionet e pashprehura të një gruaje që kërkon diçka të papërcaktuar.
FELT vazhdon sot me autorin kroat Miro Gavran dhe autorin italian Paolo Giordano, ndjekur nga një koncert unik i Musica Nova./atsh/ KultPlus.com
Legjenda e kinematografisë franceze Alain Delon ka ndërrua jetë në moshën 88-vjeçare. Producenti dhe aktori francez Alain Delon ndërroi jetë pas problemeve shëndetësore, ndërsa lajmi u konfirmua nga tre fëmijët e tij.
“Alain Fabien, Anouchka, Anthony, si dhe (qeni i tij) Loubo, janë thellësisht të pikëlluar për të njoftuar ndarjen nga jeta të babait të tyre. Ai ndërroi jetë i qetë në shtëpinë e tij në Douchy, i rrethuar nga tre fëmijët dhe familja e tij”, thuhet në deklaratën e fëmijëve të tij.
Alain Delon lindi më 8 nëntor 1935, Sceaux të Francë, cilësohej dhe si mashkulli më i bukur i kinematografisë në vitet ‘60-70’, ndërsa për francezët Delon ishte “bisha e madhe” e kinematografisë.
Gjatë festivalit të filmit në Kanë të vitit 1957 ai tërhoqi vëmendjen e një zbuluesi talentesh për producentin amerikan David O. Selznick . Delon iu ofrua një kontratë nëse mësonte të fliste anglisht, por regjisor francez Yves Allégret e bindi atë që në vend të kësaj të ndiqte një karrierë në Francë .
Paraqitja e parë në film e Delon ishte si një gangster i ri në 1957 “Send a Woman When the Devil Fails” dhe pati rolin e tij të parë kryesor në romancën Christine (1958), përballë Romy Schneider. Delon luajti në hitet e viteve 1960, duke përfshirë The Leopard dhe Rocco and his Brothers. Që nga vitet 1990, paraqitjet e tij në film u bënë të rralla, por ai mbeti një personazh në rubrikat e të famshmëve.
Në total, ai u shfaq në më shumë se 90 filma gjatë karrierës së tij.
Ai u shfaq edhe në filma të ndryshëm në gjuhën angleze si The Yellow Rolls- Royce (1964), Teksasi përtej lumit (1966) dhe Dielli i Kuq (1971). Ai nuk arriti të kapte audiencën amerikane, pavarësisht nga rëndësia e tij në Evropë dhe Japoni.
Delon u nderua me titullin oficer në Legjionin e Nderit Francez në 2005 për kontributin e tij në kinema./ rtsh/ KultPlus.com
Jeni të lodhur nga të njëjtat destinacione të vjetra turistike të pushtuara nga turizmi masiv? Gjatë tre viteve të fundit, është regjistruar një rritje prej 19% e turizmit drejt vendeve më pak të njohura, shkruan Antoine Lourta në një artikull të botuar në revistën franceze “Buzzly”.
Cilat janë këto xhevahire të fshehura që meritojnë vëmendjen tonë në 2024? Ne ju sugjerojmë të eksploroni pesë destinacione të reja me histori dhe kulturë të pasur dhe peizazhe që të lëne pa frymë.
Këto destinacione ofrojnë një mundësi të pakrahasueshme për të bërë një zbulim të vërtetë turistik në vitin 2024.
Shqipëria, Letonia, Butani, Madagaskari apo Bolivia, ofrojnë mrekulli natyrore, aventura të paharrueshme dhe “një zhytje të thellë” në kulturat e tyre unike.
Historia e Shqipërisë
Shqipëria ka një histori çuditërisht të pasur që daton që nga kohërat parahistorike.
Duke qenë nën sundimin osman për disa shekuj, ajo fitoi pavarësinë në vitin 1912.
Pavarësisht nga një e kaluar e trazuar e shënuar nga një diktaturë e ashpër nën sundimin komunist, Shqipëria është sot një komb që kërkon të ripërcaktojë veten.
Vendi mesdhetar shquhet për ndërthurjen e kulturave, të ndikuar nga ilirët, romakët, bizantinët dhe osmanët.
Potenciali turistik i Shqipërisë
Pavarësisht potencialit të saj të madh turistik, prej disa vitesh Shqipëria ka qënë një nga destinacionet më pak të njohura.
Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së publicitetit dhe ndërgjegjësimit për pasurinë e saj kulturore, historike dhe natyrore.
Shumë udhëtarë priren të shkojnë drejt destinacioneve të famshme evropiane, por Shqipëria është një vend magjepsës që ka shumë për të ofruar!
Disa nga atraksionet kryesore turistike në Shqipëri
Shqipëria ka shumë vende me interes si Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, një zonë e mbrojtur që ofron pamje mahnitëse të Tiranës, kryeqytetit të vendit.
Qyteti historik i Gjirokastrës është një tjetër destinacion që duhet vizituar në këtë destinacion atipik.
I listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për qendrën e tij të ruajtur mirë osmane, ai shpesh quhet “Qyteti i Gurtë”.
Mos humbisni plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare, siç është Dhërmiu, i cili ofron plazhe të mrekullueshme dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.
Destinacioni i ri për t’u vizituar në 2024
Shqipëria ofron një ndërthurje unike të kulturës, peizazheve dhe historisë që e bën atë intriguese për udhëtarët aventurierë.
Çfarë e bën këtë destinacion tërheqës për vitin 2024?
Në vitin 2024, ky destinacion do të tërheqë vëmendjen e vizitorëve falë veçantisë, autenticitetit dhe evolucionit të tij në infrastrukturën turistike.
Për më tepër, turistët po kërkojnë destinacione më pak të mbushura me njerëz për të shmangur turmat dhe për të përjetuar një përvojë të re. /atsh/ KultPlus.com
Për herë të parë në Tiranë do të zhvillohet Java Kulturore e Francës. Nga data 13 deri më 19 maj, do të ketë aktivitete të larmishme si koncerte, ekspozita, shfaqje, kulinari, lojëra apo shfaqje cirku.
E veçanta e Javës Kulturore të Francës është patjetër edhe shfaqja ujore dhe piroteknike “Fous de Bassin” e cila vjen në datat 15 dhe 16 maj nga Ilotopie, trupa e mirënjohur e teatrit bashkëkohor në Francë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj fton qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj shfaqje magjike, ku 15 artistë do të performojnë në ujë, në Liqenin Artificial të Tiranës dhe gjithçka do të jetë falas për publikun.
Shfaqja nis në orën 20:00 dhe për 50 minuta, qytetarët do të ketë mundësinë të shijojnë muzikë origjinale, kostume dhe dekorime mbresëlënëse, të pa realizuar ndonjëherë në vendin tonë.
“Fous de Bassin” e cila organizohet nga kompania teatrore Ilotopie, më herët është shfaqur në të gjithë botën, nga Londra, Çikago, Sidnei, Buenos Aires, Singapor, Marseja, Lioni, Portugalia, Kolumbia, Venezuela, Maroku, Belgjika, Venecia apo Roma./topchanel/ KultPlus.com
Shqipëria është plot me mrekulli natyrore. Udhëtoni drejt këtij vendi të vogël në Evropën Juglindore, përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, sipas të përditshmes franceze “Télé 7 Jours”.
Shqipëria njihet për Alpet e saj të mbushura me lumenj dhe liqene, por edhe për Rivierën e saj të mahnitshme.
Lugina e Valbonës, një zonë ish-kufitare, përbën një zonë të mbrojtur për kafshët e egra si shqiponja e artë, emblema e vendit.
Lumi i fundit i madh i egër në Evropë, Vjosa rrjedh nga burimi në malet e Greqisë deri në grykëderdhjen e tij në detin Adriatik.
Lufta e zhvilluar prej vitesh kundër një projekti për ndërtimin e një dige e ka bërë atë simbolin e zemrës blu të Evropës…
Ishulli i Gjarpërinjve
I vendosur në mes të liqenit të madh të Prespës, ishulli i pabanuar i Golem Gradit, në periferi të Shqipërisë, është një parajsë zvarranikësh.
Në këtë vend të shenjtë natyror prej përafërsisht 18 hektarësh, gjarpërinjtë e zhveshur, nepërkat me brirë dhe breshkat e Hermanit numërohen në mijëra.
Zona e çakejve
Sipërfaqe që mbulohen nga duna, këneta dhe pyje me pisha mbi 400-vjeçare… Në lagunën e Karavastasë, më e madhja në Shqipëri, çakalli është mbret. Kjo kafshë territoriale, e cila jeton në grup apo familje dhe gjuan natën ose herët në mëngjes, është vendosur këtu pasi laguna i ofron të gjitha ushqimet që i nevojiten.
Parku i parë lumor në botë
Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Për të ruajtur ujërat bruz, të kërcënuara veçanërisht nga digat, Shqipëria mori statusin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër. Një koncept i parë dhe i ri! /atsh/KultPlus.com
Plazhet dhe peizazhet fantastike të Shqipërisë, por edhe kultura dhe traditat vendase janë në fokus të artikullit të publikuar këtë javë në revistën e mirënjohur franceze “VSD”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e revistës “VSD”, që vjen si “një arratisje për t’u zhytur në natyrën dhe kulturën autentike shqiptare”.
“Këtë sugjeron revista e mirënjohur VSD për të gjithë lexuesit e saj francezë, duke promovuar këtë javë plazhet dhe peizazhet fantastike, por edhe kulturën dhe traditat tona që po tërheqin çdo vit e më shumë vizitorë francezë si asnjëherë më parë”, u shpreh Rama.
“Arratisje në Shqipëri: Në zemër të së panjohurës së bukur”. Kështu titullohet shkrimi i publikuar këtë javë në “VSD”, i cili eksploron “bukuritë e padyshimta të Shqipërisë, ku historia takohet me bukurinë natyrore”.
“Mirë se vini në Shqipëri, ky xhevahir mesdhetar i panjohur prej kohësh, i cili tani zbulon thesaret e tij për udhëtarët kureshtarë. Me plazhet e saj të pacënuara, malet madhështore dhe historinë e pasur, Shqipëria është një destinacion që me siguri do t’ju befasojë. Larg turmave turistike, ky vend magjepsës ofron një zhytje autentike në kulturën dhe traditat e tij”, shkruan revista franceze.
“VSD” shkruan për plazhet e Rivierës shqiptare, Thethin dhe liqenin e Komanit, por edhe traditat dhe kulturën e vendit.
“Shqipëria është një muze i gjallë ku çdo rrugë, çdo zakon tregon një histori. Traditat e saj stërgjyshore jetojnë përmes festivaleve shumëngjyrëshe dhe vallëzimeve magjepsëse. Shqiptarët janë krenarë për trashëgiminë e tyre, e reflektuar kjo në kuzhinën e tyre të shijshme”, shkruan “VSD”./atsh/KultPlus.com
Sot mbushen 219 vite nga lindja e letrares franceze George Sand, shkruan KultPlus.
George Sand (shqipërimi: Zhorzh Sand) është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin 1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare.
Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Më vonë tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuar me tema nga fshati si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849), “Fransua Shampi” (1850) etj.
Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini të tjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”, (1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII.
Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodëler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale të kohës, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, Gustav Flober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë.
Megjithëse nëpërmjet letërkëmbimit, ajo mbante lidhje të ngushta me shkrimtarin Viktor Hygo. Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti 1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndër të cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804.
Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820.
Më 4 janar 1831, Amantina largohet nga Nohant dhe shkon në Paris ku futet në një shoqëri të vogël të rinjsh të dhënë pas letërsisë romantike. Aty kalon një jetë prej bohemësh duke frekuentuar teatrot, muzetë dhe bibliotekat. Krijon lidhje me të riun Zhyl Sando dhe të dy fillojnë karrierën si gazetarë në Figaro. Shkruajnë edhe një roman së bashku që botohet me pseudonimin J. Sand. Veprën e parë të saj “Indiana”, publikuar më 19 maj 1832 dhe të gjitha veprat e saj i boton me pseudonimin Zhorzh Sand. Tre muaj pasi botoi librin “Indiana”, përfundon librin tjetër Valentina gjatë verës së vitit 1832.
Të dyja këto vepra e bëjnë të njohur. Më 1833 ndahet nga Zhyl Sando dhe lidhet me Prosper Merime për një kohë të shkurtër. Të dyja këto lidhje e zhgënjejnë. Më 10 gusht 1833, vjen libri “Lelia”, një vepër lirike, alegorike, origjinale dhe shumë e suksesshme. Gjatë vitit 1833 njihet dhe lidhet me poetin francez Alfred dë Myse. Ndahet pas një udhëtimi në Itali dhe rilidhet me të, megjithëse marrëdhënia Sand – Myse vazhdon të mbetet e trazuar derisa ndahen përfundimisht në mars të vitit 1835. Kjo lidhje shërbeu si frymëzim për “Letra të një udhëtari”, kurse për Mysenë,
Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë – bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rënien e mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt – Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe./KultPlus.com
Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
“Ndodhi një revolucion i vërtetë.
Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane.
Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.
Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore.
Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.”/ KultPlus.com
Më 30 maj të vitit 1431 një shenjtore digjet në turrën e druve. Flakët e tmerrit dogjën së gjalli 19-vjeçaren, Zhan d’Ark, duke finalizuar një gjyq fars. Një spektakël tmerri përcolli atë ditë fundmaji në vitet e largëta të mesjetës, se si trupi e një shpëtimtareje, i një vajze të përkorë, i një dëshmitareje të vullnetit qiellor, digjej e gjallë në turën e druve.
Ndëshkimi i asaj vajze të hyjshme do të ishte një tjetër padrejtësi që do të rëndonte me peshën e akuzës ndaj atyre që hynë në kujtesën e gjeneratave të damkosur nga vula e turpit. U përcoll ajo ngjarje në gjithë qytetërimin e mesjetës si një kulm i mprehtë i triumfit të një shpirti blatuar në besim. U ndjen në faj dhe pendim, u shtangën dhe u bënë me turp, gjithë ata që fabrikuan një akuzë ndaj një prej shembujve më domethënës të ngadhnjimit të besimit mbi çdo ndalim dhe shtypje. Zhan d’Ark i dha Francës disa nga fitoret më legjendare dhe mori në këmbim të drejtën për të qenë zëri dhe vullneti i një force të epërme, i një pushteti sovran, i një drejtësie që ngrihet mbi çdo poshtërsi dhe anatemë dhe merr vlerë realiteti historik.
Zhan d’Ark kishte ardhur për të përmbushur një obligim të lartë dhe e bëri këtë kundër atij pushteti dhe asaj smire, që e akuzoi dhe e ndëshkoi. Ajo u shua në turrën e druve më 30 maj të vitit 1431 dhe u shndërrua në një shenjtore që lyp përulësi dhe mirënjohje.
Shumë vite më vonë, Kisha Katolike do ta shpallte Zhan d’Arkën martire dhe shenjtore, ndërsa Shekspiri, Volteri, Michelet, Schiller, Mark Twain, Anatole France, George Bernard Shaw dhe të tjerë të shumtë për t’u përmendur demostruan heroizmat dhe fatin e saj fatal me shkrimet e tyre.
Më 30 maj kalendari kishtar përkujton Shën Zhan d’Ark, virgjër. Sapo i kishte mbushur trembëdhjetë vjet, u tha prindërve, Zhakut e Izabelës: “Dëgjoj shpesh zërat e shenjtorëve: zërin e Kryengjëllit Mikel, të Shën Katerinës së Aleksandrisë e të Shën Margeritës së Antiokisë; më bëjnë thirrje për të ecur në rrugën e përshpirtërisë!”.
Ndërsa në moshën 18 vjeçe u besoi të fshehtën e madhe: “Zërat më bëjnë thirrje të çliroj Francën!”. I ati u tërbua e ajo u detyrua të ikë nga shtëpia, ku nisën ta shikojnë si të çmendur. Por kur parafoli mundjen e Francës, e paralajmërimi i saj u vërtetua pikë për pikë, fisnikët e zonës e shoqëruan tek mbreti, që ndodhej në Kinon. Asokohe mbret ishte Karli VII, 26 vjeç, i ligsht, pa kurrfarë sigurie në vetvete, i torturuar nga mendimi se ishte bir i paligjshëm, që ia kishte ushqyer vetë e ëma.
Ndërkaq veriu i Francës, me gjithë Parisin, ishte ndër duart e anglezëve e të borgonjonëve; në ushtrinë e Francës mbretëronte plogështia e shpërdorimi, Orleans-i ishte i rrethuar nga anglezët. E kjo katundare analfabete i foli mbretit për fitore, ia zbuloi mendimet e fshehta të së tashmes e të së kaluarës, i paralajmëroi ndëshkime qiellore në se nuk do ta shpëtonte Francën. Atëherë mbreti, pasi u këshillua me profesorët e gjykatësit, i la dorë të lirë.
Dikush e quante të marrë, dikush shenjte! Ndërkaq Zhana d’Ark kishte në mendje një plan krejt të qartë, që filloi me riorganizimin e ushtrisë: nënshtroi komandantët, i detyroi trupat t’i bindeshin, rivendosi disiplinën. Pa bërë asnjë mrekulli tjetër: është kjo mrekullia e saj. Fliste, qortonte, nxiste. E dinte se Francës së gjunjëzuar, i duhej një fitore e menjëhershme. Nisi, prandaj, të mendojë për trupat që duhet të çlironin Orleans-in nga rrethimi. Ushtarët, që rifituan dinjitetin e tyre, iu binden me kënaqësi Zhanës, ndonëse ajo tregohej tepër e ashpër me ata që blasfemonin.
Erdhi, pastaj, veprimi politik kryesor. Zhana e hoqi pothuajse zvarë Karlin VII në Reims, ku e kurorëzoi më 17 korrik 1429. Kështu Franca kishte një mbret të vërtetë e të padiskutueshëm, para të cilit tani qytetet e shumta armike hapnin portat. Kjo është kthesa politike dhe ushtarake që çoi drejt fitores: në vitin 1437 Karli VII hyri ngadhënjimtar në Paris. Po Zhana nuk ishte më. Pasi u plagos para Parisit (shtator 1429) ajo u kap nga borgonjonët, të cilët ia shitën anglezëve. Ata hapën menjëherë kundër saj një proces gjyqësor. U paraqit si shtriga e Ruënit para një gjykate të kryesuar nga Pierr Kushon, ipeshkëv i Bovesë, në të cilën bënin pjesë dyzet anglezë e po aq francezë anglofilë. Zhana nuk kishte mbrojtës, në një kohë kur edhe pjesëmarrja e gruas në luftë, veshur si mashkull, konsiderohej krim. Qëndroi e papërkulur para gjykatësve, ripohoi se “zërat” nuk e kishin gënjyer, kapërceu një çast ligështie, i thirri sërish “zërat”, dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi turrën e druve si shtrigë.
E dogjën, sapo i kishte mbushur 19 vjet, në mes të Sheshit të Tregut në Ruë. Nga flakët, që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë të Kryqëzuarit, të cilin rrëfyesi e mbante të ngritur lart para saj. Në vitin 1455 papa Kalisti III urdhëroi të rishikohej procesi e të rehabilitohej plotësisht Virgjëra e Orleanit. Zhanë d’Ark, për të cilën janë shkruar mijëra faqe historike e letrare, u shpall e lume nga papa Piu X në vitin 1910; shenjte – nga Benedikti XV në vitin 1920.
Sot më 28 shtator me fillim nga ora 17:30, do të bëhet inaugurimi i shkollës franceze EFIP në Prishtinë, shkruan KultPlus.
“Nëpërmjet projektit të saj, Shkolla Franceze ndërkombëtare e Prishtinës, do të propozojë rrugëtim drejt ekselencës, në mënyrë që nxënësit e saj t’i bëjnë ballë sfidave të botës sonë të globalizuar. Ajo do t’i japë kështu një vend të rëndësishëm rrugëtimit kulturor, shkencor, qytetar dhe gjuhësor të çdo nxënësi, duke i ofruar kështu që në kopsht një mësimdhënie të pasur dhe të hapur ndaj Evropës dhe botës”, thuhet në njoftim.
SCOLAE MUNDI, punon së bashku me agjencionin publik (AEFE ) në forcimin dhe zhvillimin e rrjetit të shkollave franceze jashtë vendit. Pas shkollave në Sarajevë, Odesa, Shkup dhe Tiranë, sot SCOLAE MUNDI së bashku me agjencionin publik (AEFE ), e bashkë me Ambasadën e Francës në Kosovë, bëjnë inaugurimin e shkollës së pestë në Prishtinë, rruga Arben Xheladini./ KultPlus.com