Frankfurt, fillon edicioni i 75-të i panairit më të madh të librit në botë, i pranishëm edhe shteti i Kosovës

Sot, ka filluar panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”, në të cilin marrin pjesë 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota, ku tradicionalisht i pranishëm është edhe shteti i Kosovës.

Edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt fokusohet në agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Hamasit në Izrael, duke artikuluar problemin e dhunës dhe agresioneve aktuale.

Nën moton “Koshere e fjalëve”, e ftuar e nderit e këtij viti, Sllovenia, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese. Përmes letërsisë, do ta zbulojmë këtë vend që nuk përfaqësohet vetëm me bukuritë natyrore të vlefshme për t’u vizituar.

Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt.

Kosova është e pranishme në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Skanderbeg Books”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.

Të shtunën, në aktivitetin gjithëditor, shënohen përvjetorët e Ernest Koliqit, Petro Markos, Jakov Xoxës e Teki Dërvishit. Promovohen autorët Ag Apolloni, Rita Petro, Loreta Schillok, Sadije Aliti, Mechthild Henneke dhe Jetlira Avdijaj, prezentë në Panairin e Librit në Frankfurt edhe fizikisht, me ç’rast takohen me lexuesit dhe të interesuarit, koordinuar nga Seveme Fetiqi e Bekim Gashi.

Të dielen, stenda e Kosovës do të shërbejë si pikëtakim për Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt dhe takimet mes autorëve e lexuesve./KultPlus.com

Ka hapur dyert sot Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesëmarrëse

Hap dyert sot panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”.

Janë mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Panairi i Librit këtë vit fokusohet në temën e përkthimit në shumë drejtime: në gjuhë të tjera, format e tjera të mediumeve dhe konteksteve – dhe nevojës për mirëkuptim dhe komunikim ndërkulturor.

Nën moton “Creatividad Desbordante”, e ftuar e nderit e këtij viti, Spanja, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese.

Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt. Duke filluar nga fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi 2021, Abdulrazak Gurnah, me fituesen e Çmimit Goncourt Leila Slimani, e shkrimtarë të tjerë si Elvira Sastre, Donna Leon, Florian Illies, Florence Shekete, Melanie Raabe, etj., do të jenë të pranishëm në ambientet e panairit.

Kosova është e pranishme në sallën 4.0 stenda C99, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj.

Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore. / KultPlus.com

Panairi i Librit në Frankfurt organizohet pa publik

Organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt ndryshuan sot një vendim të mëparshëm dhe anuluan të gjitha ngjarjet publike që do të mbaheshin këtë javë në sallën e panairit në Gjermaninë Qendrore.

Pasi morën parasysh numrat në rritje të COVID-19 në Frankfurt dhe në të gjithë Gjermaninë, organizatorët e panairit më të madh në botë të librit njoftuan se ai do të zhvillohet vetëm me moderatorët.

“Konceptet e shëndetit dhe higjienës për përdorimin e sallës së panairit të Frankfurtit u rikontrolluan disa ditë më parë nga autoritetet lokale dhe e morën miratimin, megjithatë kemi vendosur të minimizojmë rreziqet dhe të mos e hapim sallën për publikun, nga shqetësimi për shëndetin e të ftuarve tanë”, tha drejtori i panairit, Juergen Boos, transmeton KultPlus.

Vendimi do të ndikojë në ceremoninë e hapjes, të martën në mbrëmje, ku ishin ftuar 250 persona. Tani, ajo do të zhvillohet në internet.

Ngjarjet e tjera të panairit, që zgjat deri të dielën, do të transmetohen drejtpërdrejt. / KultPlus.com

Panairi më i madh në botë i librit zhvillohet në tetor

Panairi i Librit në Frankfurt, panairi më i madh në botë për libra, do të zhvillohet në tetor pavarësisht pandemisë së koronavirusit, vendosi kështu Bordi Mbikëqyrës i panairit.

“Këtë vit është më e rëndësishme se kurrë që të zhvillohet Panairi i Librit në Frankfurt”, tha drejtori, Juergen Boos.

Panairi i Librit i Frankfurtit daton që nga viti 1949.

Në vitet e mëparshme, më shumë se 300 000 vizitorë mblidheshin në Frankfurt për të parë rreth 7 500 ekspozues nga më shumë se 100 vende.

Organizatorët e panairit thanë se janë në diskutime se si do të garantohet siguria e vizitorëve, ekspozuesve dhe punonjësve. / KultPlus.com