Presidentja Osmani riafirmon përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin.

Në këtë takim sipas njoftimit, presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe ka theksuar se  Kosova aktualisht  është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ndaj pranimi me të drejta të plota në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare Frankofonisë është jo vetëm një prioritet kyç, por edhe hap thelbësor për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përbashkëta të vendeve frankofone

Ndër të tjera, e para e vendit e ka njoftuar delegacionin edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se Kosova tashmë është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global.

Në këtë frymë, presidentja ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë.

Filharmonia organizon koncert në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë

Në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizon koncert me e violonçelisten Aurélienne Brauner nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski, shkruan KultPlus.

Mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

“Nën drejtimin e dirigjentit francez Aurélien Azan Zielinski dhe me pjesëmarrjen e violonçelistes franceze Aurélienne Brauner mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

Fuqinë e violonçelos mund ta përjetoni përmes interpretimit të ‘Fantazi për violonçel’ e kompozitorit romantik francez Jules Massenet derisa mbrëmja do të përmbyllet me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Robert Schumann”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Ky koncert mundësohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Ambasada Franceze në Prishtinë, si pjesë e festës së Frankofonisë në Kosovë!

Koncerti do të mbahet më22 mars, në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com