Sarandë Selimi
‘Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’. Krejt kjo nisi nga një fotografi e Bayazid Elmas Dodës dhe Franz Baron Nopcsës, të cilën e gjeti skenaristi dhe regjisori i këtij dokumentari – Visar Vishka. Ajo fotografi e tërhoqi jashtë mase, gjë që e shtyu të nisë hulumtimin rreth këtyre dy personazheve për të nxjerrë vetëm një skenar e më pastaj atë skenar ta bëjë film fiction. Gjërat nuk rrodhën kështu, sepse Visar Vishka, mblodhi aq shumë material saqë mesditën e së enjtës atë material – filmin dokumentar 107 minutësh e shfaqi para audiencës së Festivalit të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, pikërisht në ditën e fundit të shfaqjes së filmave të kategorisë kombëtare.
Një rrëfim që asnjëherë nuk të lejon të ikësh. Nisë duke treguar për jetën e shkencëtarit Franz Baron Nopcsa, i cili ishte i apasionuar pas kombit shqiptar, gjë që e bëri të udhëtojë e ta studiojë më shumë këtë komb dhe këtë vend. Një njeri i zgjuar si ai, takoi bashkëudhëtarin e tij, sekretarin dhe dashnorin Bayazid Elmas Dodën, të cilin e mori pas vetes edhe atëherë kur vendosi t’i jap fund jetës së tij. Aventurë pas aventure tregohet përgjatë 107 minutave nga shkencëtarë të tjerë që janë pjesë e këtij dokumentari. Një ndër ta që dinte më së shumëti për jetën e këtyre dy njerëzve ishte edhe Robert Elsie. Ky dokumentar nuk mbaroi vetëm me jetën e dy të dashuruarve që ishin qift homoseksual që nuk e lanë asnjëherë njëri tjetrin vetëm. Aty tregohej pak nga jeta e Ismail Qemailit dhe djalit të tij e pak nga shumëçka që e karakterizonte kombin shqiptarë asokohe -para një shekulli.
Për krejt këtë punë të mahnitshme, Visar Vishka ka punuar përgjatë pesë viteve, e krejt kjo për arsye të buxhetit. Por edhe kjo pritje ishte e mirë, pasi pikërisht për shkak të kësaj, Vishka u bë zbuluesi i varrezave të Dodës dhe Nopcsës.
“Kam punuar rreth pesë vite për këtë projekt. Ishte një krizë në gjithë botën dhe lëshoheshin pak para nga të gjitha fondet, pasi xhirimet ishin jashtë Maqedonisë dhe më duheshin ato. Ishte pak palidhje ta quaj ashtu të dalësh nga filmi dhe të hysh prapë por një gjë e mirë që ishte nga kjo është se zbulova varrezat e tyre. Ka pasur shumë gjëra të reja që patën dalur e edhe montazhi më mori goxha kohë për shkak të materialit, dhe duhej ta gjeja mënyrën si ta tregoj këtë rrëfim sepse duhej të kombinoja shumë gjëra”, pohoi para të pranishmëve dhe para jurisë së filmave të kategorisë kombëtare krijuesi i dokumentarit – Visar Vishka.
Aventurat e Dodës dhe Nopcsës, përfunduan atëherë kur Nopcsa, shkruan një letër ku tregon për vetëvrajsen e tij dhe vrasjen e Dodës. Nopcsa për pak edhe të bëhet Mbret i Shqipërisë, nga një person i thjeshtë vjenez.
“E bëra këtë vrasje, pasi që Doda nuk do të kishte mundur të jetojë pa mua. Do t’i dhimbte shumë”, thuhej në letrën e Nopcsës.
Nopcsa vrau fillimisht Dodën, një shqiptar të ri e të zot, teksa ishte në gjumë e më pastaj edhe veten me një plumb në gojë, plumb ky i cili përveç kafkës së tij shpoi edhe ulësen.
Por thuhej se nuk ishte arsyeja që Nopcsa vrau Dodën, pasi ky i fundit nuk mund të jetojë pa të. Në këtë dokumentar thuhet se Nopcsa vrau Dodën, pasi që Bayazid Elmas Doda e tradhtoi atë me një djalë tjetër. Ishte shkak i xhelozisë.
Jo vetëm jeta e dashurisë së tyre u tregua përmes këtij dokumentari. Edhe shumë zbulime të tyre nëpër vendet shqiptare u paraqitën përmes imazheve që kishte gjetur Vishka.
“Nuk ka qenë asnjëherë ideja që të bëj film, ideja ishte që të bëj hulumtim dhe ta krijoj një skenar për film. Mirëpo në fund kur pashë materialet dhe pashë montazhin e parë 2 orë e gjysmë kishte shumë material dhe ishte fiks për film. Kur e shfaqa premierë të mbyllur mbetën të mahnitur filmbërësit që ishin, duke thënë që ky është film në vete”, u shpreh regjisori Visar Vishka, i cili me këtë film dokumentar është në garën kombëtare të filmave në këtë edicion të DokuFest.
Me këtë film përmbyllet shfaqja e filmave të kategorisë kombëtare në Dokufest, festival ky i cili edhe këtë rrugëtim e ka drejt fundit./ KultPlus.com