Gashi beson se do të arrijë majat e botës, rrëfen të kaluarën: Kam qenë emigrant shqiptar dhe i pastrehë

Reperi i njohur shqiptar, Gashi, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndarë një histori me të gjithë adhuruesit e tij, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, Gashi tregon jetën e tij dhe sfidat që ka kaluar, për të arritur majat e botës.

“Unë linda në Afrikë. E di se çfarë do të thotë? Jam emigrant. Jam shqiptar dhe pjesën më të madhe të jetës kam qenë i pastrehë. Fakti që ti më njeh tani tregon se nëse unë vijoj rrugën time, ti kurrë nuk do ta dish se ku mund të shkoi. Muzika më shpëtoi jetën”, ka thënë Gashi në video.

Ndërkaq, ai ka pasur edhe një përshkrim mbi këtë video, duke thënë se me muzikë merret nga viti 2009, derisa do të bëjë edhe publikimin e dy albumeve të tjera në 2022-tën.

“Unë akoma zgjohem duke besuar se një ditë do të bëhem një nga artistët më të mëdhenj ndonjëherë, dhe do ta arrij këtë gjë”, shkroi tutje Gashi.

Një nga këngët më të njohura të artistit është “Creep on Me”, në bashkëpunim me French Montana dhe DJ Snake. /KultPlus.com