Fridrih Niçe për gjenitë e muzikës, Bethoven, Mozart, Bah, Hendel, Shubert, Mendelson dhe Robert Shuman

Nga Albert Vataj

Friedrich Nietzsche, filozofi që sfidoi konvencionalen dhe përshkroi me nuanca të thella shpirtërore dhe estetike artin dhe kulturën, i qaset muzikës me një ndjeshmëri të veçantë dhe një vështrim që kap thelbin e frymëzimit gjenial. Në veprën e tij “Udhëtari dhe hija e tij”, ai analizon mjeshtërit e mëdhenj të muzikës—Beethoven, Mozart, Bach, Händel, Schubert, Mendelssohn dhe Schumann—duke nxjerrë në pah jo vetëm stilin e tyre, por edhe burimin e brendshëm të krijimtarisë që i bëri ata të pavdekshëm.
Në qasjen e tij filozofike ndaj muzikës, Nietzsche nuk e trajton atë thjesht si një formë arti, por si një manifestim të shpirtit dhe kulturës, një reflektim i thellë i natyrës njerëzore.

– Bethoven dhe Mozart
– Muzika e Bethovenit duket shpesh si një soditje mallëngjyese, e shkaktuar nga dëgjimi i ri i papritur i një fragmenti që besohej për një kohë të gjatë si i humbur: “pafajësia në tingujt”. Ajo është një muzikë mbi muzikën. Në këngën e lypësve dhe fëmijëve të rrugës, në këngët e italianëve emigrantë, në vallëzimin e tavernës së fshatit ose në netët e karnavaleve, këtu i zbulon ai “meloditë” e veta – ai i grumbullon si një bletë, duke mbledhur aty këtu një tingull, një vijimësi të vogël tingujsh. Këta janë për të kujtime të shndërruar të një “bote më të mirë”, ngjashëm me atë që Platoni imagjinonte për sa u përket ideve.

– Mozarti ka raporte krejt të ndryshme me meloditë e tij: ai i gjen frymëzimet jo duke dëgjuar muzikë por duke parë jetën, jetëm më të lëvizshme të vendeve të jugut. Ai ëndërronte gjithnjë Italinë, kur nuk ndodhej në Itali.

– Sebastian Bah
– Kur muzikën e Bahut nuk e dëgjon si njohës i përsosur dhe i mprehtë i kontrapunktit ose i gjithë mënyrave të stilit të fugës, pra duke qenë domosdoshmërisht i privuar nga shijimi i vërtetë artistik, si dëgjues i kësaj muzike do të provosh një gjendje shpirtërore (për të futur në punë një shprehje madhështore të Gëtes) të ngjashme me atë që ka qenë i pranishëm kur Zoti krijoi botën. Ose më mirë: ndjejmë se këtu diçka e madhe është duke u bërë, muzika jonë e madhe moderne, por nuk është bërë ende. Ajo ka fituar tashmë botën, duke fituar mbi Kishën, kombësitë dhe kontrapunktin. Te Bahu ka ende tepër krishtërim të gjallë, gjermanizëm të gjallë, skolastikë të gjallë: ai qëndron në prag të muzikës evropiane (moderne), por ende i mban sytë përtej, drejt Mesjetës.

– Hendel
– Hendeli në gjetjen e muzikës së tij ishte guximtar, novator, i sinqertë, i fuqishëm, i kthyer dhe i lidhur ngushtë me heroiken që një popull është i aftë të bëjë por në përpunimin e saj u bë shpesh i ngathët dhe i ftohtë, madje i lodhur nga vetja. Atëherë ai shfrytëzonte disa metoda ekzekutimi të eksperimentuara mirë, shkruante shpejt dhe shumë dhe ishte i gëzuar që kishte përfunduar, por jo i gëzuar në atë mënyrë që ishin të gëzuar Zoti dhe krijuesit e tjerë në mbrëmjen e ditës së tyre të punës.

– Franc Shubert
– Franc Shubert, artist më i vogël se muzikantët e tjerë të mëdhenj, kishte megjithatë mes gjithë të tjerëve pasurinë trashëgimtare më të madhe të muzikës. Ai e harxhoi atë me duar plot e zemër të mirë, në mënyrë të tillë që muzikantët ende për nja dy shekuj mund të ushqehen me idetë dhe frymëzimet e tij. Në veprat e tij kemi një thesar shpikjesh të papërdorura – të tjerë do të gjejnë madhështinë e tyre duke i përdorur ato. Nëse Bethoveni do të mund të quhej dëgjuesi ideal i një menestreli, Shuberti do të kishte të drejtën të quhej vetë menestreli ideal.

– Feliks Mendelson
– Muzika e Feliks Mendelson është muzika e shijes së mirë që kënaqet me gjithë atë që është aty e mirë: ajo kthehet gjithnjë te ajo që qëndron prapa saj. Si mund të ketë ajo shumë “para vetes”, shumë të ardhme? Por, a ka dashur ai të ketë të ardhme? Ai zotëronte një virtyt që është i rrallë mes artistëve, atë të mirënjohjes, pa mendime të fshehta dhe ky virtyt kthehet gjithnjë te ajo që është pas tij.

– Robert Shuman
– “I riu”, të cilin e ëndërronin poetët lirikë romantikë të Gjermanisë dhe të Francës në një të tretën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë, ky i ri u përkthye plotësisht në këngë dhe në tinguj nga Robert Shumani, i riu i përjetshëm, deri sa ai u ndje në plotësinë e forcave të tij. Sigurisht edhe ka çaste kur muzika e tij të kujton “beqareshën plakë” të përjetshme.
Shkëputur nga “Udhëtari dhe hija e tij”/ KultPlus.com

‘Turma e kalon jetën e saj si derrat që ushqehen në gropën e epshit’

“Jo” tha Niçja,-unë thjesht e quaj me emrin e saj të vërtetë. Nuk kam kundërshtim, që një burrë të bëjë seks kur ka nevojë për të. Por unë e urrej burrin, që lutet për të, që ia jep pushtetin e tij gruas që ia ofron atë, gruas artizane, që e kthen dobësinë e saj dhe fuqinë e tij në fuqi të saj.

-Ah, si mund ta mohoni ju erotikën e vërtetë? Ju injoroni impulsin, dëshirën biologjike, që është errënjosur te ne, që na lejon të riprodhohemi! Sensualiteti është pjesë e jetës, e natyrës.

-Pjesë, por jo pjesa më e lartë! Në të vërtetë, armiku për vdekje i pjesës së lartë. Këtu, më lejoni t’ju lexoj një frazë, që e shkrova sot në mëngjes.

Niçja vuri syzet e tij të trasha, u zgjat për nga tryeza e tij, mori në dorë një bllok të vjetër dhe shfletoi faqet e mbushura me një shkrim të palexueshëm. Ai ndaloi te faqja e fundit dhe gati duke e prekur me hundë, lexoi: Sensualiteti është një bushtër, që puth thembrat tona. Dhe sa mirë, që kjo e përdalë di sesi të lypë për një copë shpirt, kur i mohohet një copë mishi.

Ai mbylli bllokun.

-Kështu që, problemi nuk është, që seksi është i pranueshëm, por që bën që diçka tjetër të zhduket, diçka më e vlefshme, pafundësisht më e çmuar! Epshi, ngacmimi, kënaqësia: këta janë skllevër! Turma e kalon jetën e saj si derrat, që ushqehen në gropën e epshit.

Gropa e epshit. Brojeri përsëriti me vete, i habitur nga intensiteti i Niçes.

-Ju keni ndjenja të forta për këtë çështje. Unë dëgjoj më shumë pasion në zërin tuaj se kurrë më parë.

-Për të mundur pasionin, kërkohet pasion i madh. Shumë njerëz janë thyer nën rrotat e një pasioni më të pakët.

-Dhe përvojat tuaja në këtë fushë?- peshkoi Brojeri. -A keni pasur ju vetë përvoja fatkeqe, që ju kanë ndihmuar t’iu jepni formë përfundimeve tuaja?

-Argumenti juaj i mëparshëm, për qëllimin primar të riprodhimit, më lejoni t’ju bëj këtë pyetje? Niçja e tundi tri herë gishtin në ajër: A nuk duhet, që ne të krijojmë, të bëhemi, përpara se të riprodhohemi?

Përgjegjësia jonë ndaj jetës është që të krijojmë më të lartën, jo të riprodhojmë më të ulëtën. Asgjë nuk duhet të ndërhyjë në zhvillimin e heroit brenda nesh. Dhe nëse epshi ka zënë rrugën, ai duhet tejkaluar gjithashtu.

(Fragment i shkëputur nga libri “Kur qau Niçja” – Irvin Yalom). / KultPlus.com