Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vedat Shatri ka përfunduar me rezultate të larta Kursin Bazik për Oficer të Inxhinierisë (EBOLC), në Missouri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë sukses, Shatri u shpërblye me çmimin “Honor Graduate”, çmim i cili jepet për rezultate të larta akademike, transmeton Klankosova.tv.
“Ky kurs fokusohet në përgatitjen e oficerëve për detyrat e tyre si udhëheqës të inxhinierisë ushtarake deri në nivel kompanie, duke u ofruar atyre njohuri dhe aftësi të nevojshme për udhëheqjen, menaxhimin e operacioneve, planifikimin dhe zbatimin e projekteve inxhinierike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSK-së.
Oficeri dhe togeri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Korab Seferi, ka marrë çmimin për performancë superiore, Dexter, pas përfundimit të kursit “Signal Basic Officer Leaders Course” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Toger Korab Seferi ka përfunduar me sukses të lartë kursin ‘Signal Basic Officer Leaders Course’ në Fort Eisenhower Cyber Center of Excellence të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të arritjeve të larta akademike toger Seferi ka marr çmimin Dexter për performancë superiore akademike”, njofton FSK.
Sipas njoftimit, kursi bazik i Oficerëve për Sinjale ka për qëllim përgatitjen e oficerëve për Doktrinën e Operacioneve Ushtarake, procedurat e udhëheqjes së trupave, procesin e vendimmarrjes ushtarake, sistemeve të informimit, planifikimin, ekzekutimin dhe menaxhimin e komunikimeve dhe menaxhimin e kërkesave për komunikim në nivel Batalioni dhe Brigade.
Më 27 Nëntor shënohet “Dita e Forcës”, ku do të mbahet edhe një manifestim qendror në kazermën “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.
Duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 13:00 do të organizohet “Dita e Hapur”, ku qytetarët janë ftuar që të marrin pjesë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në këtë manifestim nga ora 11:00.
Njoftohet se deklarimi për media i personaliteteve të larta shtetërore, me rastin e kësaj dite, do të bëhet nga ora 11:50-12:10.
“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, Ministria e Mbrojtjes ka ftuar qytetarët të pasqyrojnë koncertin e bendit frymor të FSK-së dhe të Filarmonisë së Kosovës, që do të mbahet në Sallën e Kuqe – Pallati i Rinisë. /KultPlus.com
Programi “Kosova, shtet i xhudos” po realizohet me plot rezultate dhe punë konkrete. Përveç komponentës, “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, që ka për qëllim të zhvillojë masovizimin dhe integrimin e dispilinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës, çertifikimit të trajnerëve, xhudistët elitarë tash janë zyrtarisht pjesë e FSK-së.
Demonstrimin e parë si pjesë e FSK-së e realizuan në ceremoninë e fillimit të ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak, “Defender Europe ’23” që u mbajt në Prishtinë./ KultPlus.com
Katër nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës pas disa ditë ecje këtë të shtunë kanë arritur që të ngjiten në Kilimanxharo.
Pjesëtarët e FSK-së u ngjitën në një prej majave më të larta në kontinentin e Afrikës me lartësi prej 5,895 metrash.
“Pjesë e kësaj ekspedite që filloj me 16 shkurt janë katër pjesëtarë të Kërkim Shpëtimit, të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët së bashku me Klubin Alpin Prishtina arritën të realizojnë edhe këtë ngjitje mjaft sfiduese”.
“Me arritje të tilla djemtë dhe vajzat e Forcës së Sigurisë së Kosovës e dëshmojnë në vazhdimësi përgatitjen e tyre profesionale dhe fizike për të treguar rezultate të larta ku do që marrin pjesë” thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të FSK-së në Facebook./ KultPlus.com
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë kthyer të hënën në Kosovë nga Turqia, ku kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmeteve të 6 shkurtit që kanë lënë të vdekur mbi 40.000 njerëz.
Në aeroport ata janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë të kabinetit qeveritar.
Kosova, duke përfshirë vullnetarët dhe forcat e specializuara të FSK-së në dy rajonet e prekura nga tërmeti Hataj dhe Osmanije ka prezentuar me një personel prej 48 anëtarësh.
Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur që të nxjerrin të gjallë katër persona të cilët kishin qenë në rrënojat e objekteve të shkatërruar si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë.
Ekipet e shpëtimit nga shumë vende të botës po vazhdojnë kërkimin nën rrënojat e ndërtesave që u shkatërruan pas dy tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën, përcjell KultPlus.
Këtij kërkimi iu bashkuan edhe pjesëtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Sot, përmes një postimi në Facebook, FSK ka njoftuar se pjesëtarët e tyre kanë shpëtuar edhe dy persona që kishin mbetur për 160 orë nën rrënoja.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Edhe dy jetë të shpëtuara në Turqi
Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal, të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, sot pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 45 vjeçare, dhe pas 162 orëve është nxjerr edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar.
Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti./ KultPlus.com
Pas dekretimit të beretave nga Presidentja e Republikës së Kosovës, sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në prani të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari si dhe oficerëve të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ceremoni solemne u bë shpërndarja e tyre.
Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i FSK-së uruan pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për beretat e reja, që do hynë në përdorim që nga sot dhe do kenë ngjyra të ndryshme që simbolizojnë njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Vendosja e beretave të njësive të FSK-së vjen krahas avancimit profesional dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ndihmë Republikës së Turqisë në tejkalimin e pasojave të tërmeteve të sotme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme.
Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm, i cili e goditi sot Turqinë.
“Bashkëndjej me të gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe i uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Solidaritet i plotë me popullin e Turqisë. Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet FSK-së”, ka shkruar Presidentja Osmani. / KultPlus.com
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se vitin 2022 Kosova po e mbyllë me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84 për qind më shumë investime në pajisje ushtarake dhe me mbi dy mijë e 500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm këtë vit, shkruan KultPlus.
Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se e ardhmja e FSK-së është në NATO.
Postimi i plotë i Mehajt:
“Viti 2022, vit suksesesh për Forcën e Republikës sonë!
Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti.
Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut.
E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.
Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit.
Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq.
Ju jeni krenaria jonë më e madhe!”, ka shkruar Mehaj. /KultPlus.com
Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, katër vjet më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.
Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi që ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”./ KultPlus.com
Sot në kazermën “Adem Jashari” janë betuar 311 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku edhe morën titullin Ushtar i Kosovës, shkruan KultPlus.
Për këtë reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ushtria është detyrë e projekt madhor i tyre.
Postimi i plotë:
“Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor
Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës.
Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.
Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin. U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Sot në Prishtinë, në kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” është mbajtur ceremonia e betimit të kadetëve të rinj të FSK-së, shkruan KultPlus.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se për katër vitet e ardhshme kadetët do të shkollohen, shkollohen dhe trajnohen “Të jenë drejtues me karakter të lartë, drejt vlerave, detyrës, nderit dhe atdheut”.
Ai tha gjithashtu se kërkon që çdo ditë të studiojnë dhe të formësojnë historinë e popullit.
“Jemi sot këtu së bashku për të uruar ditën e betimit të kadetëve… Për katër vitet e ardhshme do të përgatiteni me karrierë profesionale, në shërbim të atdheut si oficerë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Kërkoj nga ju që çdo ditë të studioni e të formoni me ushtri historinë e popullit tonë, kjo histori që përmban edhe luftën tonë për liri, drejtësi, barazi”, tha ai.
Mehaj tha se pa heronjtë e Kosovës, vendi nuk do të kishte të kaluar të lavdishme dhe as të ardhme të ndritur.
“Pa heronjtë tanë nuk do të kishim as të kaluar të lavdishme dhe as të ardhme të ndritur. Për liri jetojmë, për liri vdesim, pa liri nuk ekzistojmë”, ka thënë Mehaj.
Mehaj iu drejtua edhe të rinjve, duke treguar pritshmëritë e tij përgjatë katër viteve të ardhshme.
“Nga ju pres që për katër vitet e ardhshme që të arrini zhvillimin e juaj ushtarak. Nga ju pres për katër vitet e ardhshme që të arrini zhvillimin e duhur ushtarak, fizik dhe moral. të formoni t’i bashkoheni me stërvitje dhe operacione ndërkombëtare në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal por dhe më gjerë. Krah për krah ndaj njëri –tjetrit. Kam besim të plotë në ju”, tha tutje Mehaj.
Ndërkaq, sa i përket prindërve të kadetëve, Mehaj tregoi se do të jetë së bashku me ta nëpër brenda dhe shqetësime.
“Prindër, nëna e baballarë së bashku do të udhëtojmë së bashku me brenga dhe me shqetësimin tuaj si prind për kadetë. Mirëpo ju jeni të fortë dhe keni qenë gjithmonë të fortë. Dashurin që e keni për të ju shërbyer atdheut është më e fuqishme se secila brengë tjetër. Faleminderit që Kosovës sot po ia falni më të dashurin tuaj. Përulemi gjithmonë para madhështisë tuaj”, tha ndër të tjera ministri Mehaj. /KultPlus.com
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka njoftuar se është duke ndodhur një stërvitje e përbashkët ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave Tokësore të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Në një postim në “Facebook”, Mehaj ka thënë se po vazhdohet me ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve të operacioneve luftarake.
Postimi i plotë:
“Vazhdojmë me ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve për operacione luftarake.
Përgëzime për suksesin në stërvitjen e përbashkët të efektivëve tanë me efektivët e Forcave Tokësore të Shqipërisë.
Së bashku gjithmonë më të fortë!”, shkruan Mehaj. /KultPlus.com
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar stërvitjet e Batalionit 133 të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në një noftim nga FSK, bëhet e ditur se përveç fushave tjera, kësaj radhe fokus kishte stërvitja dhe gjuajtja me mortaja nga ushtarakët e të dyja forcave, gjatë operacioneve në këtë stërvitje, ushtarakët tanë dhe partnerët u trajnuan edhe në manovrimin me autoblinda në fushëbetejë dhe gjuajtje me mitralierë 12.7mm.
“Gjeneral Jashari pa nga afër edhe gjuajtjet me mortaja të cilat janë pjesë organike e njësive të këmbësorisë dhe ofrojnë fuqi të zjarrit indirekt kundrejt caqeve të armikut”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Tutje theksohet se ushtarakët e Kosovës treguan profesionalizëm dhe rezultate të larta, për çka edhe u vlerësuan lartë nga partnerët tanë të Gardës Kombëtare të Ajovës.
“Komandanti i FSK përgëzoi ushtarakët tanë dhe ata partnerë për zellin dhe përkushtimin në aftësimin në sisteme të zjarrit indirekt”, njofton FSK.
FSK së bashku me aleatin e saj strategjik, SHBA-të, do të vazhdojnë të zhvillojnë kapacitete të tilla me synim të rritjes së gatishmërisë për reagim në çdo situatë që mund të ballafaqohen. /KultPlus.com
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari vizitoi trupat e FSK-së në ushtrimin e përbashkët me ushtarakët amerikanë në Iowa, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit, Gjeneral Jashari së bashku me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas Gjeneral Corell, kanë parë nga afër ushtarakët e FSK-së, së bashku me ushtarakët amerikanë gjatë realizimit të konceptit të ushtrimit të përbashkët.
“KOMFSK vëzhgoi nga afër planifikimin taktik në nivel të kompanisë dhe batalionit si dhe ballafaqimin me zjarrin direkt të armikut, këto stërvitje kanë për synim rritjen e përgatitjeve luftarake për fushëbetejë si dhe ndërveprueshmërinë mes dy forcave. Personeli i FSK-së dhe ai i partnerëve tanë nga SHBA po tregojnë nivel të lartë profesional dhe përkushtim maksimal në përmbushjen e objektivave të ushtrimit. #Iowanationalguard”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, sot mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së në Kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, përcjellë KultPlus.
Në këtë ceremoni, presidentja mbajti një fjalim ku u shpreh krenare që ushtria jonë po i shton radhët me vajza e djem të rinj, të cilët atdhedashurinë po e transformojnë në profesionalizëm.
KultPlus ju sjell fjalimin e plotë të presidentes Osmani në ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të FSK-së:
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj,
I nderuar zëvendëskomandant i FSK-së, gjeneral Cikaqi,
E nderuar gjeneralbrigade Irfete Spahiu,
Të nderuar rekrutë, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Ushtrisë sonë,
Shumë të nderuar familjarë të rekrutëve të cilët sot na bëjnë krenar të gjithëve,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të NALT-it dhe partnerëve tanë,
Brenda pak muajsh jam sërish në mesin tuaj për ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të rinj. Kjo më bën nder dhe më bën krenare që ushtria jonë po i shton radhët me vajza e djem të rinj, të cilët atdhedashurinë po e transfromojnë në profesionalizëm.
Ju po e jetësoni çdo ditë e më tepër ëndrrën e brezave që përpos shtetit, donin ta kenë edhe ushtrinë, e cila do të jetë në funksion të mbrojtjes së vendit e në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial e çdo cepi Kosovës sonë.
Sikurse dikur djemtë e vajzat e UÇK-së që bartën mbi supe idealin e lirisë sonë, sot ju mbani mbi supet tuaja idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Për nëntë javë të trajnimit, rekrutët, të cilët po certifikohen sot kanë dëshmuar shkathtësi, përgatitje dhe profesionalizëm, të udhëhequr nga instruktorë të zot të ushtrisë sonë.
Sot FSK-së po i shtohen edhe 257 rekrutë të certifikuar, vajza e djem, me të cilët Forca jonë po rritë numrin e pjesëtarëve të saj në mbi 3000.
FSK-ja ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta, ndaj i inkurajoj vajzat e gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë sonë edhe më tutje. Suksesin e dëshmuar në shumë fusha të tjera, e kanë mundësinë ta tregojnë edhe duke e veshur uniformën e FSK-së.
Me këtë numër të rekrutëve, FSK-ja, gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive më moderne në botë. Kjo tregon se e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta, teksa FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të fazës së tranzicionit.
Në kohën kur paqja globale po sfidohet gjithnjë e më tepër dhe kur tendencat autoritariste po ngrenë krye, forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është domosdoshmëri.
Unë kam besim në profesionalizmin e ushtarëve tanë dhe jam e sigurt se këta rekrutë që kemi përpara dhe të tjerët që e kanë kaluar këtë rrugë më herët janë të gatshëm që kurdo që Republikës sonë t`i bëhen mbrojtës.
Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon gjithmonë do të gjinden forca që duan ta shkatërrojnë paqen dhe duan ta cenojnë lirinë dhe të drejtën e kombeve për të jetuar të lirë. Ne e kemi provuar të njëjtën gjë më parë, prandaj, nuk do të ndalemi asnjëherë që ushtrinë tonë ta përgatisim sa më mirë, ta rrisim sa më shumë në mënyrë që ajo të jetë e gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por edhe një partnere e ushtrive aleate në NATO, aleancë në të cilën synojmë ta anëtarësojmë Republikën e Kosovës.
Anëtarësimi në NATO është domosdoshmëri dhe i ndihmon paqes dhe stabilitetit rajonal.
FSK-ja çdo ditë e më tepër po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s, falë këmbëngulësisë së pjesëtarëve të saj dhe mbështetjes së përhershme edhe nga institucionet e vendit por edhe nga aleatët tanë perëndimorë, e para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, një falënderim i veçantë për ShBA-të dhe të gjithë aleatëve tanë të cilët po ndihmojnë në rritjen e profesionalizimin e FSK-së dhe ngritjes së kapaciteteve të saj!
Të nderuar rekrutë dhe ushtarë,
Sot karriera juaj profesionale po merr një drejtim të ri. Ju nuk jeni ata që ishit dje, por jeni bërë ata që do të duhet të jeni nesër. Të gatshëm për t`iu përgjigjur çdo situate, të motivuar dhe të përkushtuar kurdo që atdheu ka nevojë për ju.
Detyra juaj nuk është e lehtë, por është sa me peshë të madhe, po aq edhe fisnike. Nuk ka nder më të madh në jetë se sa t`i bëhesh mbrojtës atdheut. Unë kam besim të plotë në përgatitjen tuaj, sikurse besoj se angazhimi juaj në ushtri do ta ketë referencën e përhershme: atdheu mbi të gjitha!
Të nderuar rekrutë të certifikuar, me ju sot nuk e po e rrisim vetëm numrin e efektivëve të ushtrisë sonë, por edhe sigurinë dhe garancinë për një të tashme e të ardhme më të mirë.
Sytë tanë sot janë nga ju. Shpresa jonë është e varur te ju. Synimi ynë është paqja dhe nuk duhet të lejojmë që ajo të na cenohet nga askush.
Objektivi ynë është BE-ja, është NATO-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ku Kosova e meriton të jetë të cilat e forcojnë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, krahas forcimit të komponentës së mbrojtjes dhe të sigurisë.
Në cilësinë e Komandantes Supreme të kësaj ushtrie, ju falënderoj rekrutë të dashur, të gjithë instruktorët tuaj, strukturën komanduese të FSK-së si dhe familjet tuaja të cilët ju kanë nderuar edhe ju e gjithë shtetin duke ju përkrahur në çdo hap dhe ju do t’i shërbeni shtetit po ashtu në çdo hap me punën që do e bëni.
Pres nga ju përkushtim dhe angazhim maksimal në përmbushjen e përgjegjësive që burojnë nga misioni fisnik i juaji në mbrojtje të atdheut!
Kryeministri Albin Kurti është pyetur nga gazetarët për deklaratat e Vuçiqit, i cili tha se aeroplani ushatarak i Mbretërisë së Bashkuar që ateroi të premten ka sjellë armatim në Kosovë. Në një përgjigje dhënë mediave, Kurti kërkoi që deklaratat që vijnë nga Beogradi të mos merren si fakte.
Pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-komandantit të UÇK-së, Zahir Pahaziti, kryeministri Kurti tha para mediave se është shtuar shumë buxheti për mbrojtjen e Kosovës, është rritur për 52 për qind.
“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet t’i merrni si fakte…Natyrisht që ne e kemi shtuar shumë buxhetin për mbrojtjen e Kosovës, është rritur për 52 për qind buxheti në vitin 2022, krahasur me vitin 2021. Mirëpo për të gjitha hapat e mëtutjeshëm që ne ndërmarrim duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, nga Forca e Sigurisë së Kosovës, nga ministri Mehaj, nga komandati Jashari e kurrsesi nga Beogradi. Nuk ka nevojë që ata t’iu gënjejnë më shumë…”, tha Kurti para gazetarëve. / Gazeta Express / KultPlus.com
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar të gjithë ata që po dhurojnë donacione për Forcën e Sigurisë së Kosovës përmes Fondit të Sigurisë, shkruan KultPlus.
Mehaj ka shkruar në “Facebook” se janë krijuar tendenca që ky projekt të pengohet, derisa u ka rikujtuar të gjithëve që procesi i deponimit të parave të tyre në Fondin e Sigurisë është i sigurt dhe mbikëqyret nga Qeveria përmes Ministrisë së Financave.
Postimi i tij i plotë:
Qytetarë të dashur,
Bashkëkombës nga mërgata kudo që jeni,
Miq ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës,
Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandëprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë.
Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë:
Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës;
Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit;
Donacionet dhe shuma e mjeteve janë plotësisht mbi bazën e vullnetit tuaj të lirë;
Paratë depononi personalisht direkt në Fondin e Sigurisë;
Asnjë individ, grup, shoqatë apo iniciativë nuk është e autorizuar të mbledhë para në emër të Fondit të Sigurisë.
Ju e dëshmuat dhe po e dëshmoni si gjithmonë se jeni mbështetja kryesore e jona.
Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e Ushtrisë, por edhe e sigurisë, mbrojtjes, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë.
Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit.
Donacionet tuaj janë motivi dhe forca jonë e përbashkët.
Qeveria e Kosovës ka miratuar marrëveshjen teknike të Ministrisë së Mbrojtjes me qeverinë e Polonisë për zbarkimin e FSK-së në Poloni në kuadër të operacionit të NATO-s “Atlantic Resolve”.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka prezantuar marrëveshjen para kabinetit qeveritar, ku ka deklaruar se FSK do të qëndrojë përkohësisht në Poloni dhe është pjesë e bashkëzbarkimit me Gardën Kombëtare të Iowa-s.
“Shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes teknike mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Polonisë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së për të qenë forcë ndërvepruese me NATO-n si dhe vullnetin e përbashkët që FSK të jetë pjesë e aktiviteteve ushtarake krah vendeve partnere respektivisht për pjesëmarrjen në kuadër të operacionit “Atlantic Resolve” si pjesë e bashkëzbarkimit me Gardën Kombëtare të Iowa-s për qëndrimin e përkohshëm të trupave të FSK-së Poloni. Duke pasë parasysh se aprovimi do t’i hapte rrugë procedimit të mëtejmë ju ftoj ta miratoni këtë marrëveshje” ,ka thënë Mehaj./ KultPlus.com
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka falënderuar të gjitha gratë që kanë luftuar për lirinë e Kosovës dhe atyre që tani shërbejnë për ta mbajtur vendin të sigurt.
Ai këtë e tha në një tubim me pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Të gjitha grave që shërbyen për lirinë e Kosovës dhe atyre që shërbejnë në FSK, ju falënderojmë për kontributin tuaj. Sot, derisa reflektojmë për të kaluarën tonë dhe shikojmë drejt së ardhmes, ne e njohim kontributin e jashtëzakonshëm të grave në sektorin e sigurisë”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gjithandej në botë u përmendën ushtaret ukrainase për trimërinë dhe luftën e tyre në front. / KultPlus.com
Ministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë, Armend Mehaj ka kërkuar që të mbështetet “Fondi i Sigurisë” që është hapur në shërbim të institucioneve të sigurisë së vendit tonë, përcjell KultPlus.
“Është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet. Është e vështirë ta bëjmë këtë vetëm me buxhetin që e kemi. Donacioni i secilit është i çmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm”, ka shkruar Mehaj në rrjetet sociale.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Përshëndetje të gjithë shqiptarëve kudo që jetoni, veproni e punoni,
Është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet. Është e vështirë ta bëjmë këtë vetëm me buxhetin që e kemi.
Për ta bërë këtë kemi hapur ‘’Fondin e Sigurisë’’, i cili do të jetë në shërbim të institucioneve të sigurisë së vendit tonë.
Atdheu ynë ka nevojë për ne, jam i bindur që do t’i përgjigjemi pozitivisht siç kemi bërë gjithmonë.
Donacioni i secilit është i çmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm.
Vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin jetik – Ushtrinë tonë moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së.
Fondi i Sigurisë do të menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.
Fondi është hapur në Bankën Qëndrore të Republikës së Kosovës.
Emërtimi i llogarisë/Account name Fondi i Sigurisë
Nr. i llogarisë/Acc. number 1000400070008619
IBAN XK051000400070008619
SWIFT-BIC CBRKXKPRXXX
Ju falënderojë për të gjitha mesazhet që më keni dërguar, ekziston një mobilizim dhe vullnet i jashtëzakonshëm për të dhënë donacione për ushtrinë tonë.
Ushtria jonë buron nga populli.
Ajo i shërben vetëm popullit dhe paqes! / KultPlus.com
Ministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë Armend Mehaj ka riaktualizuar kërkesën që Kosova të jetë pjesë e NATOS-s, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e ministrit Mehaj.
Serbia edhe me qëndrimin e fundit pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën tregoi përcaktimin e qartë pro-rus.
Qëndrimi zyrtar i Serbisë nuk ishte befasi për askënd nga Bota demokratike perëndimore duke pasur parasysh, se Serbia ka qenë dhe është aleatë i denjë i Rusisë dhe Presidentit Putin.
Një keqardhje hipokrite dhe qëndrim kontradiktor për agresionin rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë se pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së.
Republika e Kosovës, institucionet dhe populli i saj kërkojnë nga SHBA, BE, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe gjitha vendet e rreshtuara kundër agresionit rus ndaj Ukrainës që të dënojnë qëndrimin mashtrues dhe kontradiktor të Serbisë.
Rusia përmes Serbisë, sikur në vazhdimësi edhe në të ardhmen do të vazhdoj, aktivitetet destruktive për cenimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit dhe më gjerë.
Pasojat e përpjekjeve për ta joshur Serbinë drejt Perëndimit me lëshime në dëm të konstruktivitetit maksimal politik të Republikës së Kosovës, mund të jenë të rrezikshme,duke i mundësuar Serbisë që të vazhdoj aleancën e ngushtë me Rusinë edhe në të ardhmen.
Përsërisim se është koha që nuk pret, që edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së si dhe Qipro si anëtare e BE-së, të njohin shtetin tonë.
Republika e Kosovës në secilin dimension të saj për 14 vjet të pavarësisë ka dëshmuar dhe konfirmon fuqishëm se është shtet evropian i ndërtuar dhe funksional mbi parimet dhe vlerat më të larta euroatlantike.
Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, rrahu kambanën për të gjithë, se kjo është koha që të dihet se kush është në anën e duhur e kush në atë të gabuar të historisë.
Kosova, krahas vendeve tjera demokratike doli fuqishëm në mbrojtje të vlerave të Lirisë, Paqes e Demokracisë dhe solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe popullin e saj liridashës dhe paqedashës.
Kosova ishte dhe është e vendosur fuqishëm në anën e duhur, për dallim nga Serbia që vazhdon në anën e gabuar të historisë.
Prandaj, mos hezitoni!
Është koha sot, që nuk pret nesër, për vendimin tuaj të duhur!