Me rastin e 14 vjetorit të Ditës së Pavarësisë, sot në Bulevardin “Nënë Tereza” dhe Sheshin “Zahir Pajaziti”, kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me ato të Policisë së Kosovës, parakaluan para qytetarëve.
Ceremonia e parakalimit, u realizua me urdhrin e Komandantit Suprem të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentes së Republikës Vjosa Osmani, dhe të drejtuar nga Zv. Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi.
Siç njofton komunikata dërguar mediave, aktivitetet festive sot kanë filluar që nga mëngjesi me ngritjen ceremoniale të Flamurit Shtetëror pranë institucioneve qendrore të vendit, duke vazhduar me homazhe dhe nderime në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe Komplesin e Varrezave në Velani të Prishtinës, ku u nderuan Komandanti legjendar Adem jashari dhe Familja Jashari, Presidenti Historik, Ibrahim Rugova dhe Simboli i Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçi. / KultPlus.com
I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka nënshkruar sot vendimin që i liron nga pagesa e udhëtimit pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Kështu është bërë e ditur nga njoftimi për media, ku thuhet se ky vendim vlen vetëm për personat që udhëtojnë me uniformën e FSK-së.
“Me qëllim të mbështetjes së ushtarakëve të FSK-së dhe lehtësimit në funksionalitetin institucional të FSK-së, kryetari Rama nënshkroi sot vendimin për lirimin nga pagesa e ushtarakëve të FSK-së nga pagesa e udhëtimit me sistemin e transportit urban që menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Ky vendim specifikon se, lirimi nga pagesa vlenë vetëm për pjesëtarët që udhëtojnë me uniformën e FSK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj ka pritur në takim kryetarin Përparim Rama. /KultPlus.com
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ekipi britanik ka stërvitur ushtarët e Kosovës për kërkim-shpëtim dhe reagim ndaj fatkeqësive, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Mehaj ka bërë të ditur se ekipi për kërkim-shpëtim i Mbretërisë së Bashkuar, i cili vlerësohet si njëri nga më të mirët në botë, ka stërvitur ushtarët e FSK-së.
“Ekipi nga Kërkimi dhe Shpëtimi Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (UKISAR) realizoi trajnime në mot të ftohtë dhe reagim ndaj fatkeqësive së bashku me stafin e Qendrës Trajnuese Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së në Pomozatin (SARTC – QNTKSH).Ata simuluan shumë skenarë të reagimit ndaj fatkeqësive. Këto përfshinin përdorimin e objekteve stërvitore në SARTC – QNTKSH për të kryer kërkime në rrënoja pas një tërmeti, trajtimin e viktimave dhe evakuimin pas një përplasjeje të madhe të trafikut rrugor dhe në terren”, shkroi Mehaj.
Ai ka njoftuar se udhëheqësit e ekipit britanik e vlerësuan Qendrën e Kosovës në Pomozatin si qendër trajnimi e klasit botëror. /KultPlus.com
Ka vdekur nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Besim Bajraktari.
Ministria ka njoftuar se homazhet nga njësitë e FSK-së, do të mbahen në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me datë 20.01.2022 në ora 10:00, ndërsa ceremonia e varrimi do të bëhet në ora 14:00 në varrezat e fshatit Batllavë, në Podujevë.
Njoftimi i plotë:
Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se nga një sëmundje e rëndë ka ndërruar jetë nënoficeri i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rreshterë i parë Besim Bajraktari. Homazhet nga njësitë e FSK-së, do të mbahen në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me datë 20.01.2022 në ora 10:00, ndërsa ceremonia e varrimi do të bëhet në ora 14:00 në varrezat e fshatit Batllavë, Komuna e Podujevës. Homazhet në Kazermë nuk janë të hapura për publikun.
Besim Bajraktari ka lindur më 23 Janar 1973 në fshatin Batllavë , Komuna e Podujevës. Ka qenë pjesëtar i UÇK-së, në Komandën e Zonës Operative të Llapit, pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, dhe që nga themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka kryer detyra dhe pozita të larta të nënoficerit: Në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe vdekja e ndau në pozitën e nënoficerit të lartë në Departamentin e Operacioneve dhe Trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së. Pas vetës la bashkëshorten dhe tre vajza. / KultPlus.com
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka njoftuar se sot, në emër të Mbretëreshës, u ka ndarë medalje dy kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që kanë diplomuar në Akademinë Mbretërore të Forcave Ajrore, Cranwell.
“Sot në emër të Lartmadhërisë së saj Mbretëreshës, ua dhurova dy medalje të diplomuarve nga Kosova në Akademinë Mbretërore të Forcave Ajrore, Cranwell. Gjithashtu pata kënaqësinë që pata rastin t’i takoj dy oficerët e diplomuar në fillim të vitit”, shkruan ambasadori Abbott në Twitter.
Ambasadori britanik ka publikuar edhe fotografi nga ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe duke pirë çaj bashkë me mysafirët./ KultPlus.com
Me 68 vota pro Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, tha se si parti do ta mbështesin këtë projektligj, por që ka pasur një kërkesë që të gjithë të jenë të matur sa i përket deklaratave për përfshirjen e FSK-së në operacione të ndryshme ndërkombëtare.
“Duhet të jemi të matur sa i përket deklaratave për përfshije të Forcës në operacione të ndryshme ndërkombëtare bazuar në kapacitetet operacionale që kemi. Mendoj që ky ligj meriton të kalohet për shkakun se e intensifikon rolin e ushtrisë në politikën e jashtme të vendit, një rol që do të bëjë që Kosova të rreshtohet krahë shteteve që e mbështetin paqen në botë, por asnjëherë duke dalë përtej kapaciteteve tona operacionale që kemi për të mbështetur këtë paqe”, tha Berisha.
Edhe shefi i Grupit Parlamentari AAK-së, Besnik Tahiri, referuar një deklarate të kryeministrit të Kosovës rreth dërgimit të FSK-së në rast të shpërthimit të konflikti në Ukrainë, tha se duhet të kenë kujdes me deklarata publike.
“Ai e ka thënë saktë, ka thënë ‘çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm’, mirëpo ajo që ne si Grup Parlamentar dëshirojmë ta ngremë në këtë temë është se para se të shohim se çka parasheh NATO për FSK-në ne duhet ta bëjmë ushtrinë tonë NATO, t’i krijojmë kushtet e ushtrisë tonë për NATO”, tha ai.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe për hyrje të FSK-së në NATO.
Sa i përket anëtarësimit të FSK-së në NATO, Mehaj tha se janë duke i përmbushur të gjitha kapacitetet.
“Sa i përket pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, kjo ka domethënie të madhe edhe për hyrjen në NATO, se kjo është një pikë që shumë shtete të tjera para neve i kanë kaluar këto faza dhe kanë marrë pjesë në operacione ndërkombëtare. Diplomacia ushtarake ka ndikim shumë të madh jo vetëm në ngritjen e Forcës, ngritjen e kapaciteteve, po edhe ndërlidhjen e partneritetit me shtetet e NATO-s dhe shtetet partnere, se këtu lidhet partneriteti ushtarak përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare. Sa i përket rrugëtimit drejtë NATO-s ne jemi në proces e sipër, të gjitha kapacitetet jemi duke i përmbushur, e kemi një plan të tranzicionit dhe atë jemi duke e përmbushur në bashkëpunim me partnerët tanë, por këtu edhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe në ndikimin e Kosovës ne diplomaci ushtarake po edhe në pjesëmarrjen e paqes jashtë vendit, se më nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë po edhe eksportojmë siguri jashtë vendi”, tha ai./kp / KultPlus.com
Ministria e Mbrojtjes ka pranuar sot donacion me vlerë prej një milion eurosh për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, transmeton Gazeta Express, ministry Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it.
Tutje, njoftohet se Mehaj ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për qeverinë gjermane.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:
Gjermania vazhdon mbështetjen konkrete për modernizimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it. Vlera e donacionit është 1 milion euro.
Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu falënderim dhe mirënjohje shumë të madhe për qeverinë gjermane e cila, sikur më parë, vazhdon mbështetjen e madhe në të gjitha aspektet, në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së./ KultPlus.com
Ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se instruktorët amerikanë kanë stërvitur pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për reagim dhe shkathtësi për ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Express.
Ai ka publikuar edhe disa fotografi gjatë stërvitjes së pjesëtarëve të FSK’së
Mehaj ka thënë se do të vazhdojnë me ngritjen e aftësive profesionale bashkë me partnerët amerikan.
Shkrimi i tij i plotë:
Instruktorët ushtarakë amerikan stërvitin pjestarët tanë për reagim të duhur dhe me kohë, si dhe shkathtësitë për ndihmë mjekësore në fushëbetejë.
Bashkë me partnerët tanë të pazëvendësueshëm amerikan vazhdojmë suksesshëm në ngritjen e aftësive tona profesionale.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se instruktorët ushtarakë amerikanë kanë stërvitur kadetët e Akademisë së Mbrojtjes në Kampin “Bondsteel”.
Mehaj ka shkruar në Facebook se FSK stërviten sipas praktikave më të avancuara të ushtrisë amerikane.
“Instruktorët ushtarakë amerikan stërvitin kadetët e Akademisë sonë të Mbrojtjes. Në kampin “Bondsteel”, kadetët e QSU-së të Akademisë sonë të Mbrojtjes, stërviten nga instruktorë amerikan për evakuim mjekësor me helikopter (AeroMedeVac). Forca e Sigurisë së Kosovës dhe kuadrot e saj të reja të oficerëve edukohen dhe stërviten sipas praktikave më të avancuara të ushtrisë amerikane. Mirënjohje e përjetshme për ushtarakët e SHBA-së që ofrojnë eksperiencën dhe kapacitetet e tyre në zhvillimin e shkathtësive profesionale të kuadrove tona”, ka shkruar Mehaj në Facebook. / KultPlus.com
Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.
Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.
Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ka bashkëpunim të përditshëm me NATO-n dhe objektivë e Ministrisë që udhëheq ai është anëtarësimi në NATO.
Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.
Megjithatë, ka hapësirë që bashkëpunimi me NATO-n të thellohet, tha Mehaj.
“Rrugën e Kosovës dhe FSK-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e lehtëson një kornizë ligjore e koordinuar me partnerët tanë. Në këtë drejtim e veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, tha Mehaj.
Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, ka dërguar në muajin mars një kontingjent të FSK-së në Kuvajt. Ka qenë ky misioni i parë i kësaj force jashtë Kosovës.
Gjatë raportimit të martën, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, e pyeti ministrin Mehaj se cili është plani i Ministrisë së Mbrojtjes për anëtarësim në NATO, duke përmendur faktin se në bazë të rregullave dhe procedurave të NATO-s, Kosova nuk mund të anëtarësohet, pasi janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
Lidhur me këtë, Mehaj tha se Kosova e ka të domosdoshme të ketë ambasador në NATO, por shtoi se procesi i zgjedhjes së tij nuk ka nisur.
Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se mosnjohja e Kosovës nga këto katër vende është pengesë për anëtarësim në NATO.
Sipas tij, hyrja në partneritetin për paqe e jep një garanci për një kohë të caktuar që Kosova mund të futet në NATO.
“Një e arritur e FSK-së që garanton një proces të përkrahjes së atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, me mbështetje të partnerëve tanë strategjikë, [është se] ne kemi kaluar prej misionit paqësor në mision ushtarak, siç ishte ky i fundit me forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Ibishi.
Sipas tij, FSK-ja ka ngritur një organizatë profesionale me standarde të miratuara të NATO-s dhe, duke rritur kapacitetet e saj, shtoi ai, mund të shkurtohet edhe periudha e tranzicionit, që është paraparë të zgjasë 10 vjet.
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore, për të transformuar mandatin e FSK-së në ushtri.
Si bëhet anëtarësimi në NATO?
“Politika e dyerve të hapura” të NATO-s bazohet në dokumentin themelues të Aleancës, sipas të cilit, anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje t’i çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.
Sipas kësaj politike, çdo vendim për zgjerimin duhet të merret “me marrëveshje unanime”.
Për t’u anëtarësuar në Aleancë, vendet pritet t’i respektojnë vlerat e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të plotësojnë disa kritere politike, ekonomike dhe ushtarake, të përcaktuara në Studimin e Zgjerimit, të vitit 1995.
Këto kritere përfshijnë një sistem politik demokratik, të bazuar në një ekonomi tregu; trajtimin e drejtë të popullatës pakicë; angazhim për të zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore; aftësinë dhe vullnetin për të dhënë kontribut ushtarak në operacionet e NATO-s, si dhe përkushtim ndaj marrëdhënieve dhe institucioneve demokratike civilo-ushtarake. / KultPlus.com
Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se FSK-së i janë shtuar edhe 180 rekrutë të rinj, prej tyre edhe 12-të vajza ushtare, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka theksuar poashtu se si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndjehet jashtëzakonisht krenare që e sheh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani.
Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. 180 rekrutë të rinj të FSK-së, tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t`i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja.
Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.
Ndihem krenare, që që në mesin e rekrutëve janë edhe 12 vajza ushtare, ngase shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë sonë gjithnjë janë dëshmi e përparimit të Forcës. Numri i vajzave në FSK duhet të rritet edhe më tej.
Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, sikurse edhe të aleancës sonë me partnerët e në shërbim të paqes. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e trupave të FSK-së për të ndihmuar në situatën me zjarret për shkak se ato nuk po arrin të mbahen nën kontroll.
Ndërkaq, pak minuta më parë, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj ka publikuar disa fotografi të FSK-së, ku ka njoftuar se tashmë veçs janë nisur trupat e FSK-së në mbështetje të Shqipërisë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Mehajt.
I nisëm trupat tona të FSK-së në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë.
Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë.
Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim, ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.
Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë.
Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona! / KultPlus.com
FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë të njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës, pas reshjeve që përfshinë vendin tonë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili thotë se këtë ja ka bërë të ditur edhe Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Qytetarë të dashur të vendit tim, Situata meteorologjike që nga dita e djeshme është në monitorim dhe vlerësim permanent të plotë të autoriteteve profesionale të FSK-së. Sot kam kontaktuar direkt, ministrin Sveçla dhe i kam komunikuar se me direktivën time, FSK ka ngritur gjendjen e gatishmërisë së njësive të saj të para reaguese, në rast të nevojës”, ka thënë ai, përcjell KultPlus.
Ai thotë tutje se FSK është e gatshme që të kryejë detyrat e mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe lokale për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.
“Bazuar në Sistemin e Menaxhimit të Integruar të Emergjencave dhe Planit të Reagimit Kombëtar, FSK është e gatshme të realizoj misionin kushtetues dhe detyrat e saj ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile qendrore dhe lokale. Gjithashtu, jemi në gatishmëri të plotë që me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion të ofrojmë shërbimin vetëmohues për ndihmë qytetarëve tanë”, ka shtuar ai. / KultPlus.com
Dy oficerë të FSK-së diplomojnë me sukses të lartë në Kolegjin e Shtabit dhe Komandës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara
Major Vegim Krelani dhe Major Jaser Mulla, diplomuan në Kolegjin e Shtabit dhe Komandës së Ushtrisë së SHBA-ve. Edhe pse ky vit ishte sfidues ku shumica e shkollimit u karakterizua nga mësimi virtual dhe mësimi në distancë, diplomimi me sukses i tyre nënkupton njohuri dhe profesionalizëm shtesë për të ardhmen e FSK-së, shkruan KultPlus.
Nënkolonel Christopher Mackin, Shef i Edukimit në Detaçmentin e 7-të të Kolegjit të vendosur në Evropë është shpreh që pjesëmarrja e Kosovës në degën evropiane të Kolegjit të Shtabit dhe Komandës së SHBA-ve bazuar në Grafenwoeher, Gjermani është historike. Oficerët e saj ishin pjesë e grupit të parë ndërkombëtar prej katër studentëve të huaj që morën pjesë në këtë shkollim në Evropë. Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë mirëpret pjesëmarrjen e ardhshme të kosovarëve në këtë shkollë. Ata mund të falënderojnë Majorin Mulla dhe Majorin Krelani pasi kanë caktuar një standard të lartë të përsosmërisë akademike dhe të pjesëmarrjes së fuqishme aktive në klasë”.
Kolegji i Shtabit dhe Komandës i Ushtrisë së SHBA-ve është kolegj ushtarak post-diplomik një-vjeçar dhe shkollon oficerë ushtarakë amerikanë dhe të huaj. Ky shkollim në aspektin e edukimit profesional ushtarak konsiderohet si i domosdoshëm për ofiercerët e nivelit të mesëm për zhvillim të mëtutjeshëm në karrierë. Fokusi i shkollimit është në udhëheqje, histori ushtarake, planifikim ushtarak, procese të vendim-marrjes ndërsa rëndësi e veçantë i jepet mendimit kritik./ KultPlus.com
Sot ka nisur ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësor jashtë vendit.
Me këtë rast, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, zbarkimin e ushtarëve të FSK-së në mision paqeruajtës në Kuvajt e ka krahasuar me hapin e astronautit Neil Amstrong në Hënë.
“Ky hap mund të duket i vogël për ushtarin në këtë mision historik ashtu sikur hapi i astronautit Neil Armstrong në Hënë. Hapa të tillë të vegjël janë hedhur disa herë ashtu siç i kanë hedhur ushtarët e FSK-së në trajnimet, përgatitjet, shkollimet dhe ushtrimet e tyre të pareshtura për të arritur deri në pikën kur bëhemi faktor i rëndësishëm i mbrojtjes dhe sigurisë për paqen botërore. Ne sot kemi të drejtë të jemi krenar sepse flamuri ynë po lartësohet përkrah flamujve të ushtrive më të fuqishme”, ka shtuar ai. / Gazeta express / KultPlus.com
Në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është mbajtur ceremonia për zbarkimin e kontingjentit të FSK-së për misionin e parë paqeruajtës në botë ku do të jenë në krah të ushtrisë amerikane në Kuvajt.
Në fjalë rasti, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se dita e sotme është historike.
“Sot është ditë historike për Kosovën. Sot Kosova zyrtarisht po bëhet kontribuuese e misionit të paqes përkrah partnerëve dhe miqve tanë. Kjo e arritur është falë pjesëtarëve të FSK-së , jam krenar që jam komandant i Forcës”, tha ai.
Komandanti i FSK-së, tha se po zbarkojnë në një mision fisnik.
“Të dashur ushtarë të FSK-së, ju jeni duke zbatuar një mision fisnik në mbështetje të paqes, do të jeni krenar pasi që në këtë mision jetësoni një synim tonin për të cilën shumë gjenerata sakrifikuan. Jam i bindur që do të shërbeni me profesionalizëm dhe do të përfaqësoni Kosovën me dinjitet”, tha gjeneral Rama.
Një kontingjent i Forcës do të qëndrojë së paku gjashtë muaj në Kuvajt me Gardën Kombëtare të Iowa-s për mision paqeruajtës në shtetin e Kuvajtit. / Gazeta Express/ KultPlus.com
Pamja e një ushtarit derisa po ua kalon rrugën nga përmbytjet dy fëmijëve është bërë virale në rrjetet sociale. Shihet se ai bartë në krahë, dy fëmijë, djalë e vajzë, gjest ky që është çmuar shumë nga qytetarët.
Raportohet se fotografia është shkrepur në zonën e Gjilanit, komunë kjo që nuk ka kaluar lehtë nga përmbytjet që u shkaktuan nga reshjet e shumta të shiut.
Vendi ynë është përballur me reshje të shumta të shiut ditëve të fundit, për shkak të kësaj situate në teren kanë vepruar edhe ekipet e FSK-së. / express/ KultPlus.com
Forca e Sigurisë së Kosovës, pritet që në mars 2021, të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018.
Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka zbuluar më 6 janar se në shqyrtim janë dy vende.
“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, ka deklaruar Rama.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë shtetërorë se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.
Këto detaje janë zbuluar një ditë pasi Kuvendi i Kosovës me 92 vota për dhe asnjë votë kundër, miratoi vendimin e 31 dhjetorit 2020 të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Çfarë njësish do të marrin pjesë?
Zyrtarisht ende nuk dihet se sa do të jetë numri i kontingjentit të Kosovës në këtë mision, edhe pse përgatitjet për të ka shumë kohë që kanë nisur. Besa Kabashi -Ramaj, eksperte në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, tha Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja pritet të jetë simbolike, por e një rëndësie të veçantë.
“Është konfirmuar se njësitë që kanë për të shërbyer bashkë me Forcat e Ushtrisë së SHBA-së, do të jenë nga Mirëmbajtja dhe Logjistika, pra këto janë dy fushat në të cilat FSK-ja do të ndihmojë në kuadër të misionit të përbashkët me SHBA-në”, tha Kabashi-Ramaj.
Por kjo sipas saj, nuk e zbeh rëndësinë dhe rrezikshmërinë e misionit.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo vjen me rreziqe, por të gjithë oficerët, nënoficerët e FSK-së e kanë këtë parasysh në momentin që bëhen anëtarë të kësaj force. Kështu që ata janë shumë mirë të përgatitur që të marrin përsipër edhe rreziqe të tilla”, shtoi ajo.
Pjesëmarrje simbolike, hap historik
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se misioni mund të jetë simbolik, por i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin.
“Është lajm i mirë, historik, neve tani na mbetet të kryejmë obligimet tona në aspektin profesional. Ne qysh në start kemi punuar në bazë të standardeve të NATO-s, dhe vetë fakti që e kemi NATO-n brenda institucionit tonë, kjo e ka rëndësinë e vet”, tha gjenerallejtënant Rama duke rikujtuar se NATO-ja ka qenë pjesë aktive e zhvillimit të FSK-së që nga viti 2009.
Për Besa Kabashi-Ramajn, vendimi për dërgimin e FSK-së në misione jashtë vendit, që është marrë me partnerin kryesor strategjik, dëshmon se “Kosova ka ndërtuar një forcë që e ka standardin dhe besueshmërinë paralel me ushtarët e Ushtrisë më të fuqishme në botë”.
“FSK-ja ka filluar transformimin si rezultat i Rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë në vitet 2012-2014, dhe aty ka filluar edhe qëllimi FSK-së për zbarkimin jashtë vendit si shenjë e profesionalizmit, por edhe dëshirës së Kosovës për të dhënë për të tjerët, atë që partnerët e Kosovës e kanë dhënë në vitin 1999 e tutje. Kështu që ky është kontributi i Kosovës për botën dhe për partnerët e saj strategjik”, tha ajo.
Vendimi ka hyrë në fuqi
Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës.
Ajo i ka uruar paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.
“Si presidente në detyrë dhe Komandante Supreme e FSK-së, i uroj paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët bënë historinë dhe do të jenë në funksion të paqes krahas SHBA-së, aleatëve tanë strategjik”, ka thënë Osmani.
Edhe Ambasada e SHBA-së e ka mirëpritur vendimin.
“Votimi unanim i kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet me Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë” thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.
Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.
Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.
Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash.
FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet. /express/ KultPlus.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar pro kërkesës së dërgimit të trupave të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Iowa në mision paqeruajtës, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot, shkruan KultPlus.
Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Vasjfije Krasniqi Goodman e cila ka uruar për vendimin e marrë dhe ka thënë se FSK-ja do të rrisë nderin e Kosovës.
Gjithashtu ajo ka shkruar se po lutet për shërimin e qytetarëve që pësuan nga shpërthimi që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Ferizaj.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Kosova tani edhe aktivisht paqëndërtuese në botë!
Tanimë pas vendimit që mori Kuvendi i Kosovës, unë dua t’ju uroi të gjithë atyre që në të ardhmen do të angazhohen për të ofruar, siguruar apo mbrojtur paqën në botë shëndet dhe përfaqësim dinjitoz!
Ushtarë të dashur, bota ka nevoi për ushtar sikurse ju, ushtar që dhurojnë e ofrojnë paqe e dhembshuri, mos lejoni që dikush dikun të përdhunoi, të vras, e të bëj ç’farë të dëshiroj, shërbeni paqës dhe miqësisë.
Sot e përgjithmonë do të lutem për ju, sikurse që në këtë moment lutem për shërimi e qytetarëve të cilët pësuan nga shpërthimi në Ferizaj.
Kosovë tani FSK-ja do ta rris nderin tënd!/ KultPlus.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar pro kërkesës së dërgimit të trupave të Forcave të Sigursë së Kosovës në Iowa në mision paqeruajtës, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot.
Përpara kësaj, ata votuan me 82 vota për që të shmangin rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së dërgimit të kontigjentit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Iowa.
Fjalë rasti para votimit morën edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni. Këta të fundit e vlerësuan lart kërkesën e SHBA’së për bashkëpunim me FSK’në në misione paqëruajtëse.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore për dërgimin e FSK’së në Iowa. Qeveria e Republikës Kosovës, sipas kërkesave ligjore, vendimin e saj e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës. Sot, së bashku, iu ftoj ta pohojmë para miqve të botës se jemi në gjendje t’i bëjmë ballë përgjegjësisë që na takon. Duke e votuar këtë propozim, ju do ta shkruani një faqe të re dhe jashtzëakonisht të rëndësishme në udhën e sigurisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqëruejtëse”, deklaroi kryeministri Hoti.
Kryesuesi i dikasterit të Mbrojtjes, ka thënë se puna e FSK’së po vlerësohet edhe përtej kufinjve.
“Ministria e Mbrojtjes si dikaster përgjegjës qeveritar për mbrojtje dhe siguri, sipas kërkesës së SHBA’ve, lidhur me bashkëzbarkimin e misioneve për ofrimin e misioneve për stabilitet rajonal, ka konsideruar kërkesën dhe i është përgjigjur pozitivisht. Ministria e Mbrojtjes i ka bashkërenduar veprimet përmes rrugëve diplomatike dhe ligjore. Kosova tashmë ka një traditë bashkëpunimi me Iowa-n. Përkushtimi, integriteti dhe profesionalizmi i FSK’së, jo vetëm që po vlerësohet në normat më të larta nga qytetarët e Kosovës, por ajo po vlerësohet edhe ndërkombëtarisht”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku, ka pasur kritika për qeverinë aktuale për shkurtimet buxhetore ndaj FSK’së, të cilës iu bënë përgjatë vitit të kaluar.
“Shkurtimi i buxhetit për FSK që ka pasur pikëpyetje, si ka mundur të ndodh kjo. Vendimet që ka marrë kjo qeveri janë në shpërputhje të plotë me planin e tranzicionit të FSK’së në ushtri. Me këtë buxhet që ka paraparë kjo qeveri, nuk mund të avancohen kapacitete të reja”, ka deklaruar ajo.
Komisioni për Çështje të Sigurisë për Mbrojtje i ka rekomanduar Kuvendit që të miratohet propozimi i këtillë nga deputetët e Kuvendit.
Opozita e legjislaturës së shtatë ka akuzuar qeverinë për vonesën e parashtrimit të kërkesës së dërgimit të trupave të FSK’së jashtë vendit. Ata përkujtuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po të vinte, do ta rrëzonte qeverinë dhe do ta pamundësonte një votim të tillë.
FSK, për të satin vit radhazi, është votuar si institucioni më i besueshëm në Kosovë. /Gazeta Express/KultPlus.com
Në këto ditë festash kur të gjithë mblidhen me më të dashurit e tyre, janë mjekët e policët ata që pikërisht në këto ditë mobilizohen më shumë se kurrë për t’u vënë në dispozicion të popullit, shkruan KultPlus.
Natën e kaluar të ndërrimit të motmoteve, ishte FSK-ja ajo që i bëri vizitë Ferdonije Qerkezit.
Vetë Ferdonija ka publikuar dy fotografi me disa pjestarë të FSK-së që i kishin bërë vizitë në shtëpinë e saj. ‘Falemnderit për vizitën FSK’, kishte shkruar ajo në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
Ushtarakut i duhej një sfidë e re, e cila do ta përmbushte, por përmes së cilës do t’i ndihmonte një ndryshimi të madh.
Britaniku Ade Clewlow zgjodhi Kosovën.
Këtë ia mundësoi KFOR-it duke e caktuar si oficer ndërlidhës në mes misionit të tyre në Kosovë dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilat synonin të shndërroheshin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Clewlow veç që ndërmjetësoi, ndihmoi ish krerët e TMK-së për ta arritur qëllimin. Megjithatë sipas tij, KFOR-i nuk bëri gjithë çka mundi për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
”Dhe nuk besoj që ata donin të arrinin sukses, dhe sikur që keni mundur ta lexoni, ka pasur disa raste kur unë e kam ndjerë se KFOR-i do të mund të ishte më aktiv në proces, sepse shndërrimi i TMK-së në FSK ishte i lidhur dhe nuk bënin njëra pa tjetrën. Ata mund të bënin më shumë por për disa arsye nuk e bënë”, ka thënë Clewlow në intervistën e tij të parë ndonjëherë për televizion.
Një pjesë të përvojës së tij gjashtëmujore në Kosovë nga gushti i 2008-ës, Clewlow e rrëfeu në Klan Kosova, derisa gjithë çfarë ngjau me shndërrimin e TMK-së në FSK britaniku e ka përmbledhur në librin e tij ”Nën një qiell me pupla”, po akoma vetëm në gjuhën angleze./klankosova/KultPlus.com
Dy vite më parë, Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore që hapën rrugën për transformimin e FSK-së në Ushtri të shtetit të Kosovës dhe themeluan Ministrinë tonë të mbrojtjes.
Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.
Djemtë e vajzat tona në FSK, po vazhdojnë të na bëjnë krenar dhe ta mbajnë Kosovën në piedestalin më të lartë duke lartësuar flamurin tonë e Ushtrinë tonë të përbashkët.
Është detyrë e jona kombëtare që të kontribuojmë në fuqizimin e mëtejmë të ushtrisë sonë, në mënyrë që në bashkëpunim me miqtë e partnerët tanë strategjik, ta shohim atë si ndër ushtritë më të sukseshshme që kontribuojnë në paqe e siguri në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë Ushtrinë e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Në akademinë ushtarake më prestigjioze në botë West Point, për herë të parë u thirr edhe emri i Kosovës. Madje, kjo ndodhi dy herë!
Kjo falë dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Yll Dalladaku e Arelena Shala, që u bënë të parët nga Kosova që përfunduan akademinë në West Point.
Diplomimin e tyre, Ylli e Arelena e bënë para presidentit amerikan, Donald Trump.
Tash e tre muaj, Ylli është kthyer dhe po shërben në Ushtrinë e Kosovës. Përvoja që e ka marrë në West Point, po del të jetë tejet e nevojshme për shërbimin e tij në FSK.
“Bashkëpunimi i FSK me ushtrinë amerikane ka qenë edhe më herët, prandaj kjo është vazhdimësi e bashkëpunimit. Patjetër që njohuritë që i kam marrë në West Point, do të më ndihmojnë shumë në FSK”, thotë Ylli për RTK.
Sfidat ishin të shumta. Por, kishte diçka që Yll Dalladakun nuk e kishte lënë asnjëherë të dorëzohet, ashtu siç ndodhi me 300 kadetë tjerë.
“Kur e kam ditur cilin shtet e përfaqësoj, të kaluarën tonë, motivi ka qenë shumë më i madh”, shprehet ai.
Në gjithë këtë histori, pati edhe momente interesante të cilat i rrëfen Ylli.
“Shoku i dhomës, ushtar amerikan, para du vitesh ka ardhur në Kosovë. Jam i lumtur që ai tash ka mendim të mirë për ne, dhe i kanë dalur të sakta fjalët që ia kam thënë për Kosovën”, shprehet Ylli.
Bashkë me Yllin ishte edhe Arelena Shala. Ajo tashmë po vazhdon studimet master në Amerikë. Por, në një rrëfim që kishte dhënë për West Point, kishte treguar shumëçka, duke nisur nga historia e Kosovës, FSK-së, arritja në akademi dhe planet e së ardhmes.
“Kur kam qenë 4 ose 5 vjeçe, lufta filloi në Kosovë, dhe ne u detyruam të ikim nga shtëpia dhe shkuam si refugjatë në Shqipëri. Në rrugë shihja zjarre të ndezura, tanke. Por jo shumë kohë më pas, gjithçka u rregullua, dhe për motrën time që ka lindur pas luftës, ajo çfarë ka ndodhur është diçcka e paimagjinueshme”, rrëfen Arelena.
“Në të ardhmen jam e interesuar të punojë për sigurinë ndërkombëtare, dhe kjo është arsyeja pse jam këtu. Sidomos në Ballkan, ku ka ende tentime për konflikt, dhe situata e sigurisë është e paqëndrueshme. Të gjitha shtetet kanë luftuar për pavarësi, kur tash po mundohen ta fuqizojnë këtë pavarësi, dhe ta rrisin sigurinë. Ky është synimi, të punojë për rritjen e sigurisë në Ballkan”, shprehet ajo.
Ylli dhe Arelena ishin të parët që shkruan këtë histori, por ata shpresojnë se këtë rrugë do ta vazhdojnë edhe shumë kadetë të FSK-së./ rtk/ KultPlus.com