Nga Arbër Ymeri
Shpesh kemi rastisur t’i dëgjojmë shprehjet: punë intelektuale apo qëndrim intelektual. Por në fakt a e dimë se cili është thelbi dhe kuptimi i këtyre shprehjeve? Intelektuali në shoqërinë të cilën ne jetojmë, por pothuajse edhe në shoqëritë më të gjera kuptohet si një individ që është i arsimuar dhe që qëndron në nivelin e atij që merret me teori, shkencë, kulturë, filozofi, letërsi etj. Por konteksti filozofik i shpjegimit të këtij nocioni por edhe i funksionit të tij është shumë më i gjerë dhe më i ndërlikuar.
Evropa mesjetare njihte më tepër klerikë se sa intelektual. Dihet që politika, institucionet e shoqërisë arti dhe letërsia morën vulën e teologjisë. Njerëzit e arsimuar në shumicën e tyre lidheshin me institucionet kishtare midis të cilave ishin edhe universitetet. Edhe kur ishin laik profesorët e universiteteve nuk përplaseshin me shërbyesit e pushtetit shpirtëror të njohur dhe të ngulitur. Por, ata të cilën u përplasen pësuan nga inkuizicioni. Kategoritë e ndryshme të inteligjencës bashkëkohore u krijuan dhe u reformuan me kohë. Gjykatësit dhe funksionaret vareshin nga monarkia, ndërsa dijetaret ishin të detyruar të luftonin kundër dijes që kishte konotacion dogmatik dhe në kundërshtim me këtë të mbronin të drejtën për studime dhe kërkime të lira.
Pas periudhës së mesjetës dhe këtij zhvillimi të hovshëm të inteligjencës vjen koha edhe e iluminizmit si lëvizje shoqërore dhe kulturore, që kishte për qëllim fundin e rendit feudal dhe zvogëlimin e influencës së religjionit ku në kundërshtim me këtë të mbizotëronte dija racionale dhe arsyeja të bëhej si gjykatësi kryesor i çdo gjëje. Pra afërsisht shekulli XVIII ishte koha kur termi intelektual u shfaq dhe pothuajse u bë pjesë e literaturës filozofike dhe shkencore. Kuptimi i këtij termi ka pak a shumë konotacion edhe historik. Kjo nuk nënkupton se nuk ka pasur intelektual edhe më herët, duke e analizuar kontekstin kësaj problematike ne mund të shkojmë qysh në antike dhe të gjejmë intelektualin e parë që është pikërisht Sokrati, që sot flitet jashtëzakonisht shumë për promovimin e filozofisë së tij.
Por në fakt kush është intelektual dhe cila është detyra e tij? Ky nocion sikurse edhe shumë nocione të tjera ka kuptime të ndryshme nga filozofë dhe mendimtarë të ndryshëm. Raymond Aron në veprën e tij “Opiumi i intelektualeve” theksonte se aftësimi që kërkohet për të marrë titullin intelektual rritet me shtimin e numrit të punonjëseve që nuk punojnë me krahë, pra rritet dora-dorës me zhvillimin e ekonomisë. Por në vendet e pazhvilluara çdo njëri i diplomuar quhet intelektual. Dhe në këtë rast përdorimi i këtij emri ka brenda një të vërtetë. Aron, merr një shembull këtu: Një djalë i ri i ardhur në Francë nga një vend arab dhe që kryen studimet e larta në shkollat franceze, për vendin e tij merr disa qëndrime dhe sjellje që janë tipike për njerëzit e arsimuar dhe të kulturuar. Kësisoj “fshatari” i diplomuar duket atje si një shkrimtar nga Perëndimi.
Aron thekson se marrëdhëniet e intelektualeve me klasat drejtuese varen njëherazi si nga të parët po ashtu edhe nga të dytët. Sa ma tepër duket se të parët qëndrojnë larg nga shqetësimet e atyre që qeverisin, administrojnë krijojnë pasuri, aq më tepër profesionistët e parasë shprehin përbuzje ndaj profesionistëve të fjalës. Sa më tepër duket se të privilegjuarit ngrenë krye ndaj kërkesave të ideve bashkëkohore dhe nuk janë të aftë të sigurojnë pushtetin e shoqërisë, ose përparimin ekonomik aq më tepër intelektualet janë të prirur ndaj kundërshtisë. Nderimi dhe emri i mirë që shoqëria ju krijon njerëzve të mendimit ndikon edhe mbi gjykimin që japin këta të fundit mbi njerëzit e praktikës.
Jean – Paul Sartre, një filozof tjetër gjithashtu francez, me prirje ekzistencialiste dhe refuzues i çmimit nobel, është i pakontestueshëm dhe shumë referencial në pikëpamjen e tij mbi funksionin e intelektualit. Sartre në veprën e tij “Situatat” në vitin 1965, duke e përkufizuar intelektualin në ekzistencën e tij shkruante: “tërësia e intelektualeve si një llojshmëri e njerëzve që kanë marrë famë në sajë të punimeve që mbështetën në inteligjencë, dhe që e keqpërdorin këtë famë për të dal jashtë fushës dhe për t’i kritikuar shoqëritë dhe strukturat sunduese”. Ai thekson se nuk mund të quhen intelektual shkencëtarët që punojnë në fisionin e atomit për t’i perfeksionuar armët bërthamore, ata janë vetëm shkencëtarë. Por, nëse po këta shkencëtarë, të frikësuar nga fuqia shkatërruese e armëve që i kanë zbuluar vetë, tubohen dhe e nënshkruajnë një manifest për të nxitur opinionin që t’i kundërvihet përdorimit të bombës atomike, atëherë bëhen intelektual. Pra intelektuali për Sartre-in është shkencëtari dhe dijetari që e kapërcen profesionin dhe e keqpërdor famën e tij për t’i kontribuar shoqërisë.
Nga këto dy pikëvështrime besoj se u pa qartë se çfarë është intelektuali dhe cili duhet të jetë funksioni i tij. Të dalim pak nga rrafshi filozofik ne atë praktik për të dhënë një mendim lidhur me atë se a kemi ne intelektual në shoqërinë tonë dhe a kanë ndonjë rolë ata? Pa dyshim se e kaluara jonë, ka qenë e udhëhequr nga personalitete shumë emblematike me një bagazh jashtëzakonisht të gjerë të dijes dhe shkencës, ku kontributi i tyre ishte pothuajse vendimtar në lirimin dhe pavarësimin e vendit, mjafton këtu të përmenden ndër shumë të tjerë vetëm dy emra Fehmi Agani dhe Ukshin Hoti. Ku ky i dyti u kthye nga universiteti i Harvard – it në Krush për të dhënë kontributin e tij.
Arbër Ymeri – Ligjërues i filozofisë / KultPlus.com