Fondacioni Jahjaga lanson sot koleksionin “One in Three and All for One”, synon fuqizimin ekonomik të grave

Fondacioni Jahjaga do të lansoj sot koleksionin e ri të veshjeve të brendit One in Three, në Vendum Lounge në Prishtinë, nisur nga ora 19:00.

Ky brend është iniciativë e Fondacionit Jahjaga që ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes punës në fushën e rrobaqepësisë. Emërtimi i brendit One in three apo Një në Tre ka qëllim të rritjes së vetëdijes për shkallën e dhunës me bazë në gjini, pasi që në nivel global një në tre gra përjeton dhunë. 

“Koleksioni që lansojmë sot quhet “One in Three and All for One” apo “Një në tre dhe të gjithë për një” në gjuhën shqipe. Këtij koleksioni i janë bashkuar figura të ndryshme publike dhe aktivistë të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejtë në fuqizim ekonomik të grave, duke ofruar dizajne të veshjeve për këtë koleksion. Më pas, këto produkte janë qepur me shumë dashuri dhe përkushtim nga gratë e angazhuara në këtë projekt”, thuhet në njoftim.

Ngjarja do të shoqërohet nga fjalime prej ish-presidentes Atifete Jahjaga (Presidente e Republikës së Kosovës 2011-2016) dhe Carolin Ziadeh, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërkaq veshjet e do t’i prezantojnë individë të njohur për publikun të cilët kanë kontribuuar në koleksion duke i dizajnuar këto veshje.

Deri më tani, Fondacioni Jahjaga ka lansuar dy koleksione –One in three: Atifete Jahjaga dhe One in Three: Hope, duke ofruar mundësi pune për disa gra, dhe duke zgjeruar punën synojmë të punojmë më tutje drejt fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë financiare të grave. / KultPlus.com