Instituti Yunus Emre nis fushatën “Art për Shpresë” për të prekurit nga tërmeti në Turqi

Qendra Kulturore Turke Instituti Yunus Emre e cila vepron në 3 qytete të Kosovës ka nisur një fushatë me temën “Art për Shprese”.

Në një komunikatë për media publikuar në faqen zyrtare të institutit thonë se nëpërmjet kësaj fushate donacionesh të quajtur “Art për Shpresë” Instituti me ndihmën e artdashësve humanitar planifikon të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve të jetesës së qytetarëve të prekura nga tërmetet në Kahramanmaraş, të cilat cilësohen si “Fatkeqësitë e Shekullit”.

Në një intervistë për mediat, Koordinatori i Instituteve Yunus Emre në Kosovë, Ramazan Yılmaz tha se “Ne e dimë se ka shumë artistë kosovarë që duan të ndihmojnë sadopak viktimat e tërmetit nëpërmjet një fushate të besueshme dhe dinamike. Për këtë arsye, ne përmes kësaj fushate kërkojmë nga artistët tanë të na dhurojnë nga një (1) vepër të cilat do ta punojnë me temën “Art për Shpresë”. Punimet e dhuruara duam t’ua prezantojmë biznesmenëve filantropikë që punojnë në Kosovë dhe t’i realizojmë shitjet e tyre. Ne synojmë që të ardhurat që do të fitohen pas shitjes t’ua shpërndajmë atyre në nevojë përmes institucioneve kompetente të Turqisë si ajo AFAD ose Gjysmëhënës së Kuqe Turke.”

Çfarë duhet të bëni për të marrë pjesë në këtë fushatë?

Ju do të jeni regjistruar paraprakisht për fushatën duke plotësuar informacionet e kërkuara më poshtë, dhe më pas personeli përkatës nga instituti ynë do t’ju kontaktojë dhe do t’ju japë informacion të detajuar për hapat e ardhshëm. Formularin që duhet të plotësoni për të marrë pjesë në fushatë mund të kyçeni nga ky link: https://bit.ly/3EA1TO1

Si do të shiten punimet e dhuruara?

Punimet që ju dhuroni do të shiten përmes institutit tonë dhe institucioneve me të cilat bashkëpunojmë. Shitjet do të verifikohen me faturë zyrtare. Të ardhurat do t’u shpërndahen atyre në nevojë përmes institucioneve relevante si AFAD dhe Kızılay.

Kriteret e fushatës:

Ju mund të merrni pjesë në fushatë vetëm me 1 punim.

Piktura duhet të punohet në kuadër të sloganit “Shpresa”.

Vepra juaj e artit duhet të punohet me bojë vaji, laps grafiti ose me bojë akrilike.

Madhësia e pikturës duhet të jetë së paku 50cm x 70cm.

Ku duhet të dorëzohen veprat e artit?

Punimet që dëshironi të dhuroni duhet t’i dorëzoni Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Prizren ose Pejë. Pikturat e dhuruara nuk do të kthehen dhe të drejtat e përdorimit do të kalojnë te Instituti ynë përmes një deklarate të nënshkruar nga vet artisti/ja gjatë pranim dorëzimit.  Data e fundit e dorëzimit të punimeve është: 02.03.2023 – E Premte, ora 16.00. / KultPlus.com

Pas skandalit të fushatës që “seksualizojnë fëmijët”, Balenciaga fshin fushatën dhe kërkon falje

Në fillim të këtij muaji, Balenciaga hoqi fushatën e saj reklamuese të festave, pas kritikave të mëdha që mori për shfaqjen e fëmijëve që mbanin çanta në formë arushi prej pelushi (me detaje të ngjashme të S&M, sadizëm dhe mazokizëm që lidhen me praktikën e dhunës gjatë seksit).

Reagimi ndaj imazheve ka qenë i shpejtë, me hashtag #cancelBalenciaga që u bë trend në Twitter dhe TikTok dhe shumë që akuzojnë markën dhe drejtoreshën e saj krijuese, Demna.

Në një deklaratë të postuar në Instagram Stories, Balenciaga kërkoi falje për reklamat që shfaqnin fëmijë të vegjël që mbanin çantat, të cilat shumë i quajtën “të neveritshme” dhe që “seksualizojnë fëmijët”, duke thënë: “Ne sinqerisht kërkojmë falje për çdo ofendim që mund të ketë shkaktuar fushata. Çantat tona nuk duhet të ishin paraqitur me fëmijë në këtë fushatë. Ne e kemi hequr menjëherë fushatën nga të gjitha platformat.”

Dy orë më vonë, Balenciaga kërkoi sërish falje, pasi u vu në dukje se në një tavolinë ishin shfaqur dokumente gjyqësore në lidhje me një rast të diskutueshëm të lidhur me pornografinë e fëmijëve.

“Ne kërkojmë ndjesë për shfaqjen e dokumenteve shqetësuese në fushatën tonë. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht dhe po marrim masa ligjore kundër palëve përgjegjëse për krijimin e setit dhe përfshirjen e artikujve të pamiratuar për setin fotografik të fushatës Pranverë 2023.” Shumë njerëz e konsideruan qasjen e Balenciaga-s ndaj marketingut si “të neveritshme”. / KultPlus.com

KOMF hap fushatën “Komuna ime, e drejta ime sociale”

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF hap sot fushatën nacionale “Komuna ime, e drejta ime sociale”, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e mëtejshëm dhe mobilizimin e vendimmarrësve për ndërhyrje emergjente në sigurimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë, gjendja e të cilëve është rënduar edhe më tepër si pasojë e pandemisë Covid–19.

Gjatë muajit Qershor 2020, KOMF ka publikuar Raportin e Monitorimit ku ka pasqyruar gjendjen tejet të rënduar të shërbimeve sociale në vend. Në mungesë të financimit të qëndrueshëm, shumë shërbime sociale janë mbyllur tashmë apo janë në prag të mbylljes. Për pasojë shumë fëmijë dhe qytetarë të cenueshëm po mbesin pa shërbimet e domosdoshme për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Përmes kësaj fushate, KOMF synon të përçojë rekomandimet e raportit të monitorimit drejt vendimmarrësve dhe institucioneve me qëllim vendosjen prioritet dhe investimin në zhvillimin e shërbimeve sociale.

KOMF konsideron se përballja me pandeminë Covid–19 vërteton edhe më shumë nevojën për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë për shërbime sociale.

Përmes kësaj fushate, akterët kryesorë të përfshirë në sigurimin e mirëqenies së qytetarëve, do të përçojnë mesazhe rreth prioriteteve dhe punës së tyre për sigurimin e shërbimeve sociale dhe familjare. Gjithashtu, përfaqësues nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë, përmes mesazheve që kanë për qëllim mobilizimin e vendimmarrësve për investimin në shërbime sociale.

Pjesë e fushatës virtuale që do të realizohet përmes rrjeteve sociale do të jenë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryetarët e komunave, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe përfaqësues të agjencive ndërkombëtare në Kosovë.

Me qëllim të rritjes së vëmendjes së institucioneve për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në nevojë si dhe ngritjes së vetëdijes për publikun e gjerë mbi rëndësinë e mirëqenies sociale, KOMF ka vendosur përballë ndërtesës së qeverisë, një simbol që paraqet përgjegjësinë dhe detyrimin institucional për sigurim të mirëqenies sociale për të gjithë.

Poashtu, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve sociale, KOMF është duke mbështetur hartimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale. Prandaj, krahas fushatës virtuale, përgjatë gjithë kësaj jave, KOMF do mbajë konsultime me shoqërinë civile, Qendrat për Punë Sociale, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues nga komunat, etj, për t’i dhënë zë pikëpamjeve të shoqërisë civile, institucioneve dhe grupeve të interesit gjatë hartimit të Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosove dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, si dhe projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP. / KultPlus.com

“DoMore” fushata më e re kundër racizmit në Australi

Hugh Jackman dhe Margot Robbie janë në mesin e të famshmëve të shpallur ambasadorë të fushatës së re kundër racizmit, “DoMore”, e cila u lansua të mërkurën në Australi.

Sipas një komunikate për media, kampanja “DoMore” shërben si thirrje për të vepruar dhe që të gjithë australianët të jenë aleat në luftën kundër racizmit, transmeton Koha.

Videoja me titull “#DoMore to challenge rasicm” e publikuar së fundmi online, përfshinë mesazhe personale nga ambasadorët e kësaj fushate të tillë si: ylli i basketbollit Ben Simmons, aktorët Miranda Tapsell dhe Samara Weaving, ikona e tenisit Nick Kyrgios dhe të tjerë. Përmes saj, ata i adresohen në përgjithësi komunitetit australian.

Qëllimi i “DoMore” është që të shtohen diskutimet rreth racizmit në vend dhe ndikimin negativ që ky fenomen e sjellë në shoqëri. Po ashtu synim i tyre është inkurajimi i ndryshimeve pozitive përmes debateve dhe bashkëbisedimeve.

Video të reja do të publikohen çdo javë në uebfaqen e “DoMore”, përfshirë këtu intervista të cilët I dokumentojnë eksperiencat personale të australianëve nga prejardhje të ndryshme. Këto tregime synojnë të nxisin pjesëmarrje aktive të popullatës në emër të luftës ndaj racizmit. / KultPlus.com

“Mos harro librin e pushimeve”, fushata e radhës për nxitjen e leximit

Autoritetet shqiptare kanë lansuar fushatën e radhës për nxitjen e leximit. Kësaj radhe, në fokus janë filloristët. Nisma më e re e ndërmarrë nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, “Mos harro librin e pushimeve” po angazhon brezin e ri në leximin e librave, si dhe po e bën këtë brez më solidar, kanë raportuar të hënën mediat shqiptare. Në Bibliotekën Kombëtare gjatë fundjavës fëmijët kanë dhuruar libra për shkollën e Kasallës, një fshat jo fort larg Tiranës, që dhe këta fëmijë të kenë mundësi të lexojnë personazhet e tyre të dashur gjatë pushimeve verore.

“Kënaqësi të shohësh fëmijët të kalojnë kohën e lirë duke lexuar, por edhe më e madhe kur i sheh tek bëhen solidarë me bashkëmoshatarët e tyre, që kanë më pak mundësi se ata. Në Bibliotekën Kombëtare, me fëmijët që dhuruan libra për shkollën e Kasallës dhe për të ndarë nismën: ‘Mos harro librin e pushimeve”, citohet të ketë thëne ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Sipas saj, edhe jashtë kryeqytetit shqiptar ka lexues të apasionuar, të cilët do të bëhen lexues të përhershëm në të ardhmen. Prandaj, sipas saj, edhe kjo nismë do të bëjë të mundur pasurimin me tituj të rinj për fëmijët jashtë kryeqytetit, ku të rinjtë të kalojnë kohën e lirë në mënyrë produktive edhe gjatë pushimeve verore, shkruan sot Koha Ditore.

Nisma të shumta për nxitjen e leximit kanë ndërmarrë institucionet e Shqipërisë vetëm gjatë këtij viti. Në fillim të 2019-s nisi aktivitetin, ajo që Ministria e Kulturës e Shqipërisë e quajti, “Lëvizja Kombëtare për Lexim”. Po atë kohë u zyrtarizua Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, e themeluar prej Qeverisë së Shqipërisë. Qëllimi i këtij institucioni është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. “Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror”, shkruhet në prezantimin e këtij institucioni qeveritar. Nisma të tilla në Shqipëri kanë nisur të fuqizohen duke parë se përditë e më shumë numri i lexuesve është më i pakët. Instituti i Statistikave në Shqipëri ka dhënë shifra alarmante sa i përket leximit. Sipas INSTAT-it, 1 milion banorë nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë një viti kalendarik. Por me gjithë këto nisma, është një vendim i fundvitit të kaluar që godet librin. Bëhet fjalë për tatimin prej 6 për qind ndaj librit të miratuar në dhjetor të vitit të 2018-s.. Ka vite që botuesit në Shqipëri, ashtu sikurse edhe në Kosovë, kërkojnë heqjen TVSh-së.

“Kemi ngritur një grup pune, edhe faktikisht jemi duke filluar disa biseda të tjera me Ministrinë e Ekonomisë, e edhe të Financës, sepse përtej dëshirës dhe mundësive tona kalon në disa hallka burokratike. Është një vendimmarrje që është marrë shumë kohë para se unë të nisja këtë detyrë, prandaj edhe unë kam vështirësitë e mia për t’u rifutur në një proces të mbyllur. Megjithatë, mendoj se ka ende mundësi për rishikime”, kishte thëne ministrja Margariti, më 22 prill, një ditë para se të shënohej Dita Botërore e Librit.