Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ftoi sot të gjithë të apasionuarit pas yjeve që të marrin pjesë në Festivalin e Yjeve që do të mbahet më 31 gusht, ora 19:00, në Fushë-Studen, Parku Kombëtar i Shebenikut.
Muzhaqi shprehet se këtë vit ekipi i bashkisë Librazhd bashkë me shumë mbështetës, po organizojnë Festivalin e Yjeve, për ta ndarë eksplorimin e qiellit dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut edhe me ata që nuk janë nga andej.
“Pavarësisht ku kemi lindur, nostalgjia për prejardhjen tonë ndërkohë që rritemi bëhet gjithmonë e më e fortë. Prandaj edhe sa herë të rinjtë më pyesin i tregoj që jam me origjinë nga Polisi, një fshat i Librazhdit”, shkroi Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.
“Diçka që në Librazhd, dhe specifikisht në Parkun e Shebenikut është më bukur se kudo tjetër, është mundësia për të parë yjet, dhe jam shumë e gëzuar që këtë vit ekipi i Bashkisë Librazhd bashkë me shumë mbështetës, po organizojnë Festivalin e Yjeve, për ta ndarë eksplorimin e qiellit dhe Parkun Kombëtar Shebenik edhe me ata që nuk janë nga andej”, theksoi Muzhaqi.
“Në 31 gusht, ora 19:00, në Fushë Studen, Parku Kombëtar Shebenik, mund të bashkoheni edhe ju për të eksploruar qiellin e natës si kurrë më parë, për vrojtime me teleskop, diskutime me ekspertë astronomie, kamping nën yje, astrofotografi, muzikë live, tregime legjendash rreth zjarrit, dhe shumë të tjera”, u shpreh Muzhaqi.
Ministrja theksoi se, hyrja është falas, “kështu që bashkohuni në këtë festival që të përjetoni një eksperiencë mbresëlënëse, larg zhurmave të qytetit”.