25 dhjetor 1914, Krishtlindje. Një nga më të paharruarat që kujton historia njerëzore. Prej pesë muajsh bota është në luftë. E ardhmja e njerëzimit është në dyshim, e zymtë, plot me të papritura. Në sytë e njerëzve lexohej vetëm urrejtje dhe hakmarrje.
Nuk ka vend për dashuri. Asgjë nuk dukej se mund të largonte errësirën që mbizotëronte gjatë Luftës së Parë Botërore. Futbolli në ato vite ishte në fillimet e saj, duke u zhvilluar si një sport popullor, që kishte fuqinë për të bashkuar njerëzit dhe idealet, për të shkuar përtej kufijve dhe dallimeve. Në luftë gjithçka tjetër kalonte në plan të dytë. Sporti nuk mund të shpëtonte jetë njerëzish, të ushqejë dhe të strehojë, të parandalojë tmerrin. Në atë Krishtlindje, megjithatë, diçka po ndryshonte.
Diçka ndoshta e papërshkrueshme me fjalë, e papërcaktuar, por që dukej se bashkonte anglezët dhe gjermanët, dy ushtri që ishin përfshirë në luftë. Në frontin perëndimor ishte një çmenduri, luftohej për të mbijetuar. Futbolli? Një mirazh, thjesht një përrallë e bukur.
Në ato ditë, megjithatë, diçka kishte ndryshuar. Ndoshta për shkak të nostalgjisë për të afërmit, për dëshirën për t’u ndjerë afër, të paktën për disa orë, duke lënë mënjanë armët, britanikët dhe gjermanët filluan në mënyrë të papritur të shkëmbejnë urime, këngë madje dhe dhurata. Kishte nga ata që kaluan llogoren nga njëra anë në tjetrën për të nderuar “armikun” me dhurata. Qirinj dhe dekorime në gurë, duke sjellë shpresë për të ardhmen.
Në vigjiljen e asaj nate, megjithatë, ushtarët guxuan më shumë. Të lodhur nga luftimet, lanë llogoret dhe u takuan në atë që quhet “tokë neutrale”. Buzëqeshje, vëllazëri. Koncepte që ishin të panjohur deri në ato momente. Dhe pastaj ishte futbolli. Ndoshta, gjëja e vetme që mund ti qetësonte. Në frontin perëndimor, atë Krishtlindje, futbolli tregoi se mund të mposhte luftën. Po zhvillohej një ndeshje futbolli, midis anglezëve dhe gjermanëve.
Dukej e paimagjinueshme, por ndodhi me të vërtetë. Disa orë, disa çaste, për tu ndier akoma burra të aftë për të buzëqeshur dhe për të jetuar, përpos mendimeve të gjeneralëve, përpos idealeve dhe konfliktit. Lotët u lanë mënjanë, dhe befas një top leckash u bë epiqendra e çdo gjëje. Në ato minuta, futbolli ishte më e fortë se gjithçka. Lufta, pavarësisht gjithçkaje, përfundoi vetëm katër vjet më vonë.
Sidoqoftë, episodet mbetën të gdhendura në gurët e asaj fushe, në zemrat e atyre njerëzve, në histori. Për të demonstruar se me një top midis këmbëve tona, ndonjëherë, ne mund të jemi të pathyeshëm. Duke mposhtur, edhe pse vetëm për disa minuta, edhe vetë luftën. /gazetasi.al/ KultPlus.com