Escobar në koncertin e pianistit kosovar në Vjenë, Popaj: Të duash kur nuk ka asgjë në këmbim, tregon dashuri të vërtetë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mbrëmë ka ndjekur koncertin e pianistit kosovar, Zakir Popaj, në Vjenë, përcjell KultPlus.

Popaj ka publikuar fotografi bashkë me emisarin pas koncertit në ‘Palais Schönborn-Batthyány’ teksa për takimin me të thotë se “rasti është mbret i botës”.

‘RASTI MBRET I BOTËS’

Gabrijel Eskobar

Pas koncertit në Palais Schönborn-Batthyány në Vjenë.

Çdokush mund të ju dojë kur ka diçka për të fituar nga ju, por të duash kur nuk ka asgjë në këmbim, tregon dashuri të vërtetë dhe një zemër të pastër“, ka shkruar Popaj në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Escobar përfundon takimet me liderët e Kosovës: Na siguruan se s’duan përshkallzim

Emisari i SHBA-së Gabriel Escobar ka folur për media pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilë i takoi ndaraz bashkë me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak.

Escobar ka thënë se liderët kosovarë e kanë siguruar që nuk duan përshkallëzim të situatës më 1 shtator, ditë kjo kur fillon implementimi i masës së reciprocitetit për targa dhe dokumente të hyrje-daljeve.

“Ata na siguruan se nuk duan asnjë përshkallëzim, nuk duan dhunë në 1 shtator. Pra, tani jemi këtu sot për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe gjithë ai optimizëm të përkthehen në të mirë të vendit”, ka deklaruar Escobar.

Escobar në këto takime ishte i shoqëruar edhe nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Të dy tashmë po i takojnë liderët e partive opozitare në zyrën e BE-së në Prishtinë./Express/ KultPlus.com

Presidentja Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: Serbia bllokuese e progresit në dialog

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë  zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.

Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pret sot në takim Lajçak dhe Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta pres në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan KultPlus.

Escobar dhe Lajçak do të jenë në Kosovë për një vizitë tre ditore, derisa pritet që të takohen me të gjithë krerët e shtetit.

“Sot (31.01.2022), në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak”, thuhet në njoftimin nga presidenca.

Kosova dhe Serbia akoma nuk janë duke dialoguar pas zgjedhjes së Albin Kurtit si i pari i ekzekutivit. /KultPlus.com