Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahet Gala koncerti- Gratë Artiste për komunitetin.
Kjo ngjarje artistike bashkë organizohet me gazetaren dhe aktivisten në fushën e filantropisë, Kristalé Ivezaj Rama dhe Asociacionin Kosovar Chopin, për një kauzë të rëndësishme me fokus në gruan.
Të hyrat nga biletat për koncertin e artisteve nga Kosova dhe Shqipëria do të dhurohen për Qendrën për mbrojtjen e viktimave te #trafikimit si nisme simbolike e donacioneve për këtë qëllim.
Ngjarja shërben edhe për të ngritur vëmendjen mbi këtë fenomen të dhimbshëm dhe për të avokuar për parandalim dhe luftim të tij.
Koncerti mbahet sonte, më 22 mars, në ora 21.00 në Klan Arena. / KultPlus.com
Për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, RTK ka organizuar një Gala Koncert, të titulluar “Rrno për me tregue”, thënie kjo e njohur dhe e marrë nga libri i At Zef Pllumit.
Ky koncert do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, e ku përgatitjet për mbajtjen e tij ka kohë që kanë filluar.
Ideatori dhe udhëheqësi i këtij organizimi, Festim Kabashi nga RTK, deklaroi se kjo punë është përpjekje dhe angazhim i të gjithëve, pasi Transmetuesi Publik, siç tha ai, ka brenda vetës mjaftueshëm staf profesional e njerëz të shquar.
“Tash e sa ditë vetëm në këtë sallë, është duke u punuar vazhdimisht”, tha Kabashi, duke shtuar se koncerti “Rrno për me tregue” është ide e mbështetur menjëherë nga Komisioni Ndërshtetëror i Republikës së Kosovës.
“Pra është organizim i përbashkët i RTK-së dhe këtij Komisioni”, tha ai, duke shtuar se ideja bazohet në historinë e madhe dhe vuajtjet, dhimbjet e mëdha të vendit tonë, por edhe për faktin se vazhdimisht është kënduar.
“Të gjitha këto bashkë kemi menduar t’i sjellim në këtë koncert” tha Kabashi.
Duke treguar arsyen përse koncerti është titulluar “Rrno për me tregue” ai tha se kjo është e përbashkëta e të gjithëve, e ku ato janë vuajtjet e shqiptarëve, pavarësisht sistemeve e regjimeve të ndryshme në Shqipëri e në Kosovë.
Kabashi më tej theksoi se koncerti do të mbahet më 17 shkurt në orën 20:00, dhe do të jetë i hapur për publikun, duke shtuar se do të ketë edhe të ftuar specialë.
Ai deklaroi se emrat që do të këndojnë janë Elsa Lila, Gjon’s tears, Jericho, Rona Nishliu, Florent Abrashi, pastaj kori Siperantum e shumë të tjerë.
Kurse dirigjenti i këtij koncerti, Valton Beqiri, deklaroi se organizime të tilla të mëdha janë sfidë dhe përgjegjësi.
Megjithatë, ai tha se këtë herë është një ekip më i madh i artistëve që janë ftuar.
“Por kapacitetet tona janë duke u fuqizuar për të mbërritur në një nivel më të lartë”, tha ai.
Sipas tij, përveç festimit të 15 vjetorit të pavarësisë, ky koncert do të jetë edhe si një lloj prove gjenerale e kapaciteteve të Kosovës para organizimit të festivalit të Këngës, që për herë të parë pritet të mbahet këtë vit. / KultPlus.com
Trupa Artistike Regjionale në Ferizaj do të organizoj një koncert kushtuar personalitetit të papërsëritshëm, artistit Qazim Dushku, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një njoftimi në Facebook, nga organizatorët e këtij festivali, ku ndër të tjera është theksuar se Dukshu kishte një jetë sa tragjike, po aq edhe artistike.
“Qazim Dushku ishte një artist shumëdimensional me një jetë sa tragjike aq edhe artistike. Trupa Artistike Regjionale- Ferizaj, organizon gala koncert kushtuar këtij kolosi”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Koncerti do të mbahet këtë të diele me datën 20 qershor, me fillim nga ora 20:00, në Palestren e Sporteve ‘Bill Clinton’ në Ferizaj.
Në këtë gala koncert do të këndojnë artistë të njohur, që kanë sjellë këngë që ende dëgjohen e mbahen mend nga adhuruesit e muzikës së tyre.
Veli Sahiti, Osman Shehu, Elizabeta Krasniqi, Visar Peja, Fadil Keca, Visar Çarkaxhiu, Adhurim Grezda, Vjollca Selimi, Valon Bytyqi, Mentor Haziri, Liridon Sadriu, Naim Bunjaku -Xuxi dhe Bardhyl Abazi. Kurse dirigjent i këtij koncerti do të jetë Valton Beqiri./ KultPlus.com