Në Galerinë e Arteve të Kosovës është mbajtur ekspozita “Open Onufri Remade” nga artistë prej të gjitha trojeve shqiptare, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë është kuruar nga Ardian Isufi dhe Elton Koritari.
Është koha për të dalë nga rreshtat, është koha për të bërë zhurmë, për të bezdisur, për të reflektuar, për të dialoguar, për të krijuar hapësirë, për të zaptuar hapësirën e munguar. Është koha për të tentuar – kjo ishte edhe një nga synimet e kësaj ekspozite.
“Ne dëshirojmë të mbajmë gjallë një aktivitet, i cili prej 20 vjetësh ishte pjesa më e rëndësishme e aktiviteteve pamore, një konkurs ndërkombëtar si “Onufri” në Shqipëri është përkrahur nga kuratorë dhe artistë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Italia”, u shpreh Ardian Isufi, kuratori i kësaj ekspozite.
Isufi tha se kjo ekspozitë është një analizë vizuale, që reflekton situatën politike, problemet shoqërore, e cila filloi njëherë në nivelin lokal por që arriti të zgjerohet nëpër botë.
Ndërkaq kuratori tjetër Elton Koritari, deklaron se qëllimi i kësaj ekspozite është të ngjallë kuriozitet te publiku.
“Është gjithçka e ndërtuar posaçërisht për Galerinë Kombëtare dhe gjëja më e rëndësishme është që të jemi kurioz dhe me mendje të hapur, arti në përgjithësi do të ngrejë pyetje”, potencoi Koritari.
Ndërkaq, edhe Drejtoresha e Galerisë së Arteve të Kosovës Arta Agani thotë që këtij bashkëpunimi nuk është nevoja t’i japim ndonjë emër sepse është i natyrshëm dhe se ata janë gjithmonë të lumtur kur bashkëpunojnë me Shqipërinë.
Veprat e “Onufri Remade” ishin nga artistë të njohur ndërkombëtarisht si: Vladimir Myrtezai (Grosha) – Ergys Krisiko – Sadik Spahija – Eliza Hoxha – Fatos Lubonja – Albes Fusha – Yllka Gjollesha – Eugenio Tibaldi (Kuruar nga Ajola Xoxa) – Harri Aleksi – Olsi Qazimi – Ervin Bërxolli – Penelop’s ëebs (Beskida Kraja / Clioevi/ Petrova Margarita / Hanioti Dimitra) – Osman Demiri – Ylli Xhaferri – Florian Haxhihyseni – Altin Lika – Rubin Kadija – Elvis Dako – Edmond Gjikopulli – (Safo Marko / Ilia Terpini / Shyqyri Sako – Kuruar nga Genti Gjikola).
Kjo ekspozitë do të zgjasë deri më 25 shkurt. /KultPlus.com