“Ura me Tri Harqe 2024” është projekti që bën bashkë tri shkolla të larta të artit shqiptar. Ekspozita, pjesë e projektit, u çel në Galerinë Fab, me vepra të përzgjedhura nga studentë të Fakultetit të Arteve Prishtinë, Fakultetit të Arteve Tetovë dhe Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë.
Në faqen online të galerisë FAB shkruhet se, “Ura me Tri Harqe” është aktiviteti më i rëndësishëm artistik për institucionet e larta artistike shqiptare.
Aktivitetet e parashikuara në axhendë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme me evente muzikore, koncerte, shfaqje filmash kinematografike me metrazh të shkurtër, shfaqje të artit dramatik dhe veprash arti pamor, etj.
Në mjediset e galerisë FAB janë vendosur një numër i madh veprash të cilat janë të zhanreve të ndryshme: pikturë, fotografi, skulpturë e instalacion.
Ky është një projekt i përbashkët kulturor mbarëkombëtar i lindur në vitin 2000 dhe që zhvillohet me rrotacion mes 3 vendeve. Këtë vit është edicioni XIV dhe zhvillohet në Universitetin e Arteve në Tiranë./atsh/KultPlus.com