Arbër Selmani
E tërë hapësira ekspozuese e galerisë është e mbushur me piktura të ndryshme. Formatet janë të ndryshme, ngjyrat janë trullosur prej tërmetit që ka shkaktuar lëvizjen e vijave brenda cdo pikture. Disa janë më abstrakte, disa më të errëta e herë më të dritësuara. Ka edhe vajza me kokën e ngjyrosur në ngjyrë rozë.
Genta Gola shëtitet nëpër Monet – Art & Books, ndërsa është në emocione sepse ka vendosur ta blejë njërën prej pikturave. Sonte në këtë galeri në Prishtinë po mbahet një ekspozitë shitëse. Emra artistësh si Rron Qena, Eshref Qahili, Zake Prelvukaj, Shqipe Kamberi, Adriana Puleshi, Arlinda Hajrullahu e artistë tjerë kanë sjellë pikturat që ato të shiten. Asnjëra nuk kushton 100 euro, disa prej tyre janë 99 euro dhe çmimet tjera veç sa shkojnë drejt numrave më të vegjël.
Genta e zgjodhi pikturën e saj, ndërsa aty për aty bëri edhe pagesën.
“Pikturat që mua më pëlqejnë janë zakonisht të shtrenjta, prandaj sonte ishte mundësia me ardhë dhe me marrë pikturë me çmim të volitshëm. Aktivitete si kjo i duhen kryeqytetit dhe publikut, me e pasuru shtëpinë me art cilësor të këtyre artistëve” tregon Genta.
“Pata problem për pikturën, sepse u konsultova edhe me një shoqe me të cilën e kemi shijen e njëjtë, ajo është vetë piktore, prandaj u nguta dhe e bleva pikturën. Por jam e lumtur që e bleva” tregon Genta.
Pikturat gjithandej dukej sikur rrinin të gatshme ti dorëzoheshin secilit që do të paguante për to. Shijet e ndryshme puthen me stilin e ndryshëm të artistëve.
Rron Qena, punët e tij i pati te ekspozuara në hyrje të MONET, derisa pak më larg vetë Blerta Surroi pati punimet e saj. Nën tingujt e muzikës, ngjyrat e Afrora Ukës dhe fotografia e Burim Myftiut poashtu patën çmimin e lirë për tu shitur. Mjellma Goranci solli vajzat e bukura të pikturuara tanimë në një stil që e veçon atë. Dikush edhe e bëri për vete njërën nga pikturat e saj, të vogla por simpatike.
Mjellma tregon se me dëshirën më të madhe bëhet pjesë e nismave të tilla ku pikturat vijnë me çmime më ultë se zakonisht.
“Unë për vete jam mirë me shitjet e veprave të mia artistike, por iniciativat e tilla janë tepër të nevojshme për artistin dhe për publikun në Kosovë. Në këtë mënyrë njerëzit kanë qasje tek veprat e artistëve dhe janë më afër tyre. Një artist e përcakton vlerën e artit të vet, dhe ky aktivitet i sotëm më pëlqeu shumë” tregon piktorja Mjellma Goranci.
Blerta Surroi, vetë artiste dhe pjesë e Monet – Art & Books, tregon se një ide e tillë dëshiron ta thyejë distancën e krijuar në mes të artistit dhe blerësit.
“Kjo është e para ekspozitë e këtij lloji në Monet, ndërsa është menduar ta afrojë këtë distancën e krijuar në mes të veprave artistike dhe qytetarëve. Neve na gëzon fakti që ende pa u hapë ekspozita ka filluar shitja e punimeve” tregon Blerta Surroi për KultPlus.
20 për qind e shitjes shkon për vetë Galerinë ndërsa pjesa tjetër shkon për artistin, si formë stimulimi për vazhdimin e krijimit të punëve artistike.
“Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në mesin e janarit, prandaj njerëzit kanë mundësi të vijnë dhe të blejnë veprat që ata duan. Ideja është që diçka e tillë të organizohet më së paku tre herë gjatë vitit, herën tjetër besoj me karakter bamirës, gjithmonë me synimin kryesor që blerësin dhe veprën e artit ta sjellim më afër njëri tjetrit. Ka humbur tradita e blerjes së punëve artistike, askënd nuk e sheh duke e blerë një vepër arti” tregon Blerta Surroi. / KultPlus.com