Të hënën në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita e dytë personale e piktores Jeta Kalaveshi, e cila titullohet “Velloja e Kujtimit si Dramë”, shkruan KultPlus.
Mesazhi artistik që kryesisht dominon në veprat e Jeta Kalaveshit e që do të ekspozohen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, është preokupimi i autores me rrezikun në rritje ndaj uljes së nivelit të leximit të librit tek të rinjtë në Kosovë, ndër tjera, si pasojë edhe e rritjes së përdorimit tekniko teknologjik, respektivisht elektronikës. Rezultatet në këto vepra të paraqitura na tregojnë që sipas autores shumë pasuri shpirtërore duke filluar prej bibliotekave familjare dhe publike, si duket janë bërë problem për familjet e reja “bashkëkohore” të cilat marrin rrugën e riciklimit.
Kjo ekspozitë do të hapet më 6 maj duke filluar nga ora 19:00, kurator i kësaj ekspozite është profesoresha Zake Prelvukaj.
Jeta Kalaveshi ka studiuar për Marketing në Kolegjin AAB, pastaj në Fakultetin e Arteve-drejtimi Pikturë, në Universitetin e Prishtinës. Deri më tani është pjesëmarrëse në dhjetë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë Kosovës si në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Trieste-Itali, Abidjan-Bregu i Fildishtë, etj. / KultPlus.com