Nesër në orën 19:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës hapet edicioni i Gran Fest, përcjell KultPlus.
Shumë aktivitete, e artistë të huaj i pret Prishtina, për të sjellë diçka më ndryshe në kulturën tonë!
‘GRAN Fest 2022’ me slloganin “MIXED IDENTITIES” bashkë me emrat si: Ruben Pellejero, Duchy Man Valdera, Li-Chin Lin, Baryl Baruti, Fumio Obata, Mana Neyestani, Abdel De Bruxelles, Matija Pisacic, Jan Bachmann dhe Adrian Jakupi Del moral, do të sjellë ekspozita, konferenca, botime dhe film. / KultPlus.com
Një numër tejet i madh i pikturave të vendosura përgjatë mureve disangjyrëshe të Galerisë Kombëtare të Kosovës mbrëmë kishin gjetur jetësimin e tyre dhe po frymonin në ngjyra të ndezura e në gjendje kaotike me ç’rast në secilin cep ato piktura kishin zënë rob edhe syrin e të pranishmëve që po admironte veprat unike të piktorit Gani Gashi i cili mbrëmë hapi ekspozitën e tij të titulluar “Rrethi”, ekspozitë kjo që vjen e kuruar nga Krenar Zejno, shkruan KultPlus.
Në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiu e mori fjalën fillimisht për të falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tutje ai shprehi kënaqësinë e tij që më në fund piktori Gani Gashi sivjet është pjesë e programit të Galerisë.
“Sot kemi nderin të prezantojmë artistin Gani Gashi i cili jo vetëm unë personalisht por i gjithë stafi sot ndihet mirë për shkak se e kemi një artist që me vite ka konkurruar të jetës pjesë e këtij programi të Galerisë dhe fatmirësisht sivjet është në planprogram. Falënderojmë dhe këshillin drejtues që kanë bërë këtë përzgjedhje. Njëherit sot është edhe Dita e Artit Botëror që shënohet kudo nëpër vende të ndryshme të botës. Kështu që ne e kemi zgjedh këtë artist që ta shënojmë këtë ditë”, thotë Spahiu.
Kuratori i ekspozitës, Krenar Zejno tutje tregoi se veçantia e kësaj ekspozite është se çdo tablo është e mbushur nga këndi në kënd.
“Së pari falënderoj artistin që besoi te prekja fare e vogël e imja që është krejtësisht minore dhe nuk ka të bëjë fare me një vepër të rëndësishme që okupon të dy sallat e Galerisë. Është thjesht një shkrim dhe një afërsi shpirtërore sepse ne njihemi prej vitesh. Kjo është ekspozita e tretë që bëjmë së bashku. Piktori si i tillë ka pas empatinë që t’i krijonte kushte çdo lloj hezitimi të një autori që është tek studio. Tabloja është festa e syrit. Ekspozita është ‘mesha’ apo ‘ramazani’ i syrit. Gjithandej nga bomba në luftë, e pëson syri jashtë mase. Elementi që bie shumë në sy menjëherë është puna si e tillë. Mbushja e tablosë me ornamente, detaje, praninë e qenies diku me një sy diku me një siluetë, diku me një elipsë si maskat afrikane, diku tjetër me një prani koke por ama jo vetëm tre viza, por një punë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Veçantia e kësaj ekspozite se çdo tablo është e mbushur nga këndi në kënd”, thotë Zejno.
Ndërsa, vajza e piktorit, Lira Gashi tutje me një emocion të pashoq lexoi një rrëfim të sajën dedikuar babait të saj. Me titull “Ta jetosh jetën me ngjyra”, ajo cilësoi piktorin Gashi si të vetmin piktor që ka këtë mjeshtëri teknike, metodë pune dhe që gdhend pikturën në pëlhurë me ngjyra e gërsheton elementet e grafikës në pikturë.
Po ashtu, mbesa e piktorit, Lyra Begolli lexoi një nga shumë esetë që e ka shkruar për gjyshin e saj. “Nëpër rrathët e gjyshit”, titullohej eseja e cila shtjelloi artin e piktorit, mesazhin pas pikturave, historinë e një bohemi, shpërthimin e simboleve dhe detajet nga më të ndryshmet që vinë nga thellësia e shpirtit të një artisti.
Ambasadori Avni Spahiu në hapjen e kësaj ekspozite përkujtoi edhe grupin e artistëve ‘Dardanët’ të cilët sipas tij e pasuruan tej mase artin në Kosovë.
“Është me të vërtetë kënaqësi që ta shoh mikun tim me këtë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Artit. Në të gjitha ato ekspozita që organizoheshin shumë herët në kohë, Gani Gashi ishte pjesë e rëndësishme e tyre. Më kujtohet edhe një grup artistësh që quheshin ‘Dardanët’ të cilët nuk e lanë artin në Kosovë që të vdiste, siç e dëshironte dikush. Por këta qëndruan dhe më kujtohen shumë mirë ato piktura të mrekullueshme që në njëfarë mënyre ftillonin edhe shpirtin e kombit të vetë në momente nëpër të cilat po kalonte. Prandaj kjo mbrëmje ka domethënie të madhe jo vetëm për Ganiun por edhe për të gjithë ne”, thotë Spahiu.
Sipas tij, kjo ekspozitë meriton vëmendjen e të gjithë artdashësve të Kosovës ngase piktori Gashi me bashkëpunëtorët e tij kanë shënuar një etapë të rëndësishme në historinë e artit pamor të Kosovës.
Para se edhe autori i ekspozitës të merrte fjalën, atij iu dhurua çmimi “Doktor Honoris Kauza” që vjen nga Akademia Evropiane e Arteve në bashkëpunim me Komunitetin Kombëtar Shqiptar.
Gjithashtu, piktori Gani Gashi krejt në fund i falënderoi të gjithë të pranishmit si dhe përkujtoi ekspozitën e parë të tij në korridorin e Fakultetit Filozofik.
“Ju falënderoj nga zemra që keni gjetur kohë të vini në këtë mbrëmje. Pas këtyre fjalëve të bukura që i thanë të gjithë, s’kam çfarë të them më për vete. Çfarë kam pas për të thënë, e kam thënë me veprat e mia. Ekspozitën time të parë e kam hapur në vitin 1969 në Prishtinë dhe në mungesë të galerive asaj kohe e kemi organizuar në Fakultetin Filozofik, ekspozitën time që është shumë e rëndësishme për mua sepse më hapi rrugën për vazhdimin e punës time të mëtutjeshme. Sonte këtu, kjo ekspozitë është edhe më e rëndësishme sepse në njëfarë mënyre është një rrumbullakim i gjithë krijimtarisë time prej asaj kohe e deri më sot, pas tetëdhjetë e disa viteve. Po ashtu kam një falënderim të veçantë për Naim Spahiun, drejtorin e Galerisë, i cili është angazhuar jashtë mase për organizimin e ekspozitës time”, thotë Gashi i cili pastaj e shpalli të hapur ekspozitën.
Pas këtyre fjalimeve emocionuese, të pranishmit që ishin në një numër tejet të madh me padurim po hynin brenda dalëngadalë. Me sy drejt pikturave ata u drejtuan drejt pikturave në fillim teksa disa po shkonin edhe direkt në fund. Ishin pikturat diversive ato të cilat u shpalosën në dimensione nga më të ndryshmet dhe në formën më unike që Galeria Kombëtare e Kosovës ka pasur rastin ta përjetojë. Njashtu sikurse hëna e plotë që shoqëronte të pranishmit në hapjen solemne, ashtu ishin edhe pikturat e piktorit Gashi. Të plota e të mbushura në çdo cep të mundshëm, ato vodhën vëmendjen e gjithsecilit dhe i detyruan të pranishmit të vështronin thellë përbrenda shpirtit të secilës pikturë.
Mëdyshjet e audiencës për të zbërthyer emocionin, kuptimin, mesazhin apo thjesht teknikën e futur në pikturë ishin ato që bënë që kjo ekspozitë të frymojë në një enigmë e cila me një gjëegjëzë të shkëlqyer ndërvepronte me secilin njeri. Ndonëse anash pikturave nuk ishin të vendosura emrat e tyre, nuk deshi shumë kohë që secila pikturë t’i shpreh copëzat e veta. Të krijuara përgjatë viteve të ndryshme duke nis qysh nga viti 2005 e deri tek 2022, pikturat portretizonin një gjendje fort të ngatërruar në pamje e cila shprehej nëpërmjet mbizotërimit të ngjyrës së verdhë, kaltër apo të kuqe. Ngjyrat e përplasura mrekullueshëm në pikturë ngjallnin një ndjenjë e cila shfaqej vetëm në rastin kur thellësia e njeriut depërtonte brenda intensitetit të pasur pamor.
Ndërkohë ishin disa piktura të cilat ndodheshin në pozicione të posaçme, ato të cilat pikërisht komunikonin një brengë, trishtim, rebelim, gjurmë, lojë, kujtim, siluetë, portret, harmoni apo edhe një mozaik me ç’rast këto elemente frymonin në ngjyra krejtësisht gjallëruese, për të hyrë kështu në qoshet më të skajshme të mendjes së njeriut të pranishëm. Kurioziteti për të soditur këndshëm fytyrat apo gjysmë fytyrat që kishin kapluar tablotë në një mënyrë brilante ishte tejet e pranishme dhe kjo më së miri vërehej tek shprehjet e fytyrave që mundoheshin të hynin brenda një plotësie të qetë shpirtërore që pikturat posedonin në vetvete.
Tutje në vazhdim ndodheshin edhe ato piktura të cilat në detaje krejtësisht të imëta binin në ndesh me shumicën e pikturave të krijuara përgjatë viteve më të vona, që pësonin një ndryshim në gjendjen kaotike të imazheve. Përsosja e një boshllëku që në vetvete është kontrast i pandryshuar i plotësisë shfaqej në këto piktura të cilat kanë preokupuar artistin në vitet e mëhershme për të sjell një çorodi mahnitëse e të rafinuar që shpalos dukshëm teknikën mjeshtërore të tij dhe punën e tij ambicioze.
Pena e piktorit Gashi që haptazi ka prek të gjitha qoshet e tablove të prezantuara mbrëmë, njëkohësisht ka prekur edhe shikuesin e dëgjuesin e mirëfilltë të artit të tij. Në të dy katet e Galerisë, ai ka arritur të shpalos thellësinë e të qenurit një artisti i cili komunikon me veprën përballë tij, teksa ekspozimi i asaj vepre krijon një komunikim të ndërmjetshëm mes artistit, pikturës dhe artdashësve. Krejt kjo ndërlidhje dëshmon për talentin e tij të pakrahasueshëm që heshtazi hyn në psikikën e shpirtit të njeriut dhe përhapet ëmbëlsisht në bërthamën e ekzistencës njerëzore.
Ekspozita do të jetë e hapur deri me datë: 05.05.2022 / KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës së shpejti vjen ekspozita e titulluar “Rrethi” nga artisti Gani Gashi, përcjell KultPlus.
Ekspozita e cila hapet të premten është e kuruar nga Krenar Zejno. Ndërkaq, “Rrethi” do të hapet duke filluar nga ora 20:00.
“Rrethi” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5 maj.
Gani Gashi u lind më 27 shkurt 1944 në Mramur të Komunës së Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë në vitin 1963. Akademinë e Arteve Figurative (drejtimi i grafikës) si dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Prishtinë. Nga viti 1963 deri në vitin 1967 punoi në arsim, ndërsa në vitin 1968 filloi punën në redaksinë e gazetës së përditshme “Rilindja” në Prishtinë, ku punoi në vendin e redaktorit artistik, e ku herë pas herë botoi edhe shkrime autoriale nga lëmi e artit figurativ deri më 21 shkurt 2002.
Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1980. Tani jeton dhe vepron si artist i lirë në Prishtinë. / KultPlus.com