Të hënën me 26 shtator, në orën 19.00, në hotel Sirius, do të promovohet libri-portret: “Rugovën, si e kam njohur” i Gani Mehmetajt. Librin e ka botuar shtëpia botuese Uetpress nga Tirana, ndërsa e mbështeti Santefarm nga Prishtina.
Për librin “Rugovën, si e kam njohur” do të flasin Avni Spahiu, Henri Çili dhe Melihate Termkolli.
Do të këtë edhe disa pika artistike, pika muzikore dhe poezi që autorë të ndryshëm ia kanë kushtuar presidentit Rugova.
Gani Mehmetaj është gazetar, shkrimtar, kineast, publicist dhe dramaturg, autor i 30 vepra letrare, publicistike, kinematografike dhe publicistike. /KultPlus.com
Në edicionin e 22-të të Panairit të Librit në Prishtinë, shtëpia botuese UET PRESS vendosi t’i paraqitet lexuesit me dy fituesit e Çmimit Letrar Kadare. Më 9 qershor, Gani Mehmetaj dhe Vera Bekteshi promovuan librat e tyre ‘Zogjtë e qyqes’ dhe ‘Pusulla të verdha’ në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku mes tjerash pati shumë emocione dhe fjalë të mira për librin, shkruan KultPlus.
Gani Mehmetaj nga Kosova i cili u nderua në vitin 2021 dhe Vera Bekteshi, e para grua fituese e këtij çmimi këtë vit, pas tri pjesëmarrjesh. Dy autorë si shembulli më përfaqësues i filozofisë së këtij çmimi me një traditë 7 vjeçare, i cili akordohet nga Instituti Europian Pashko, për një gjithëpërfshirje të konkurrentëve nga e gjithë bota shqipfolëse.
Përtej të qenit laureatë të Çmimit Kadare, një nga më prestigjiozët e letrave shqipe, dy shkrimtarët i bashkonte edhe historia e trojeve përtej kufijve.
Autorja Vera Bekteshi ndau me të pranishmit në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës prejardhjen e saj nga Plava dhe Gucia.
Ajo tha se i ati, gjenerali Sadik Bekteshi, kishte shërbyer si komandant i Forcave të Veriut, pat luftuar në Kosovë dhe ishte një prej nënshkruesve të Konferencës së Bujanit.
Ajo kujtoi se mes dy momenteve më të lumtura të të atit, gjeneralit që u dënua nga partia që themeloi dhe diktatori, përveç rënies së komunizmit ishte çlirimi i Kosovës. Para se të vdiste, ndau mes emocionesh autorja, Sadik Bekteshi ishte pjesë e delegacionit të atyre që patën luftuar në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore…
“Jam i lumtur që po dëgjoj rreth këtyre dy shkrimtarëve. Njërin që e kam lexuar dhe tjetrën që do ta lexoj”, u shpreh një nga të pranishmit në këtë takim të UET PRESS me lexuesin e Prishtinës. Letërsia bëhet pikërisht ai dimension që rrëzon të gjitha barrierat kufitare, ndërsa botuesit e shohin komunitetin e lexuesve shqipfolës si një, të pandarë.
Këtë e ka treguar edhe pjesëmarrja e konkurrentëve në Çmimin Kadare, që kanë qenë jo vetëm nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, por edhe nga diaspora përtej Ballkanit. E përbashkëta tjetër mes dy autorëve, Gani Mehmetaj dhe Vera Bekteshi, është edhe realiteti i përcjellë me sytë e tjetrit.
Në romanin “Zogjtë e Qyqes”, Gani Mehmetaj i rrëfen ngjarjet e Luftës në Kosovë përmes syrit të një koloni serb. Vera Bekteshi, në “Pusulla të Verdha” ka për hero një djalosh me aftësi ndryshe.
Gani Mehmetaj pranoi se lexues të shumtë i kishin rrëfyer se e kishin nisur me paragjykim leximin e romanit. “Çfarë do të thotë një kolon serb për marrëdhëniet shqiptaro-serbe? Si do ta shohë ai botën? Pastaj, e kanë pëlqyer”,u shpreh autori, i cili në këtë panair promovoi edhe librin e tij më të ri, “Rugovën, si e kam njohur”. Një libër që përmbledh ngjarje, takime e kujtime rreth një figure emblematike si ajo e Ibrahim Rugovēs, i cilësuar ndër burrështetasit më dinjitarë të shqiptarëve, pak i zbuluar deri më tash. Gani Mehmetaj, një ndër themeluesit e LDK- së dhe gazetar aktiv i kohës, sjell kronikën e një kohe historike qe nga vitet e para të rezistencës rugoviane e deri ditën kur Rogova mbylli sytë në 2006, për të mbetur amanet frymëzues për klasën e re politike të Kosovës.
Duke iu rikthyer “Zogjve të qyqes”, autori Mehmetaj tha se kishte nisur ta shkruante nga perspektiva e një shqiptari, por euforia rrezikonte ta dëmtonte librin. Ai e cilëson narrativën me sytë e kolonit serb si një qasje e matur.
“Disa më kanë kritikuar se kam ngrohtësi ndaj serbëve, cinik ndaj shqiptarëve, ose i ashpër…sepse serbi është shumë kritik, “Kemi vrarë në Kosovë, jemi sjellë vrazhdë, ata na kanë trajtuar si katundarë, por e meritonim se ishim primitivë””, zbulon më tej Mehmetaj, që e cilëson këtë roman si një sprovë.Ngasjen për të shkruar romanin me të cilin konkurroi dhe fitoi Çmimin Letrar Kadare për vitin 2021, e mori nga mjedisi ku u rrit. Një mjedis i përzier, tha Mehmetaj, me shqiptarë vendas dhe kolonë serbë. “Ishte marrëdhënie e komplikuar. Kishim rezerva, por edhe afri, edhe martesa të përziera. Jam përqendruar në këto raporte dhe kam menduar se është forma më e mirë të paraqes marrëdhëniet serbo-shqiptare nga prizmi i kolonit serb, i cili jeton këtu, zhgënjehet, kthehet në vendin e të parëve dhe as atje nuk pritet mirë”, shtoi më tej autori.
Kjo qasje e ndryshme e bën këtë roman një risi të letrave shqipe, cilësoi kryeredaktorja e UET PRESS, Suela Mino. Ajo shtoi se shtëpia botuese paraqitet në këtë panair edhe me një tjetër autor nga Kosova, ish-ministrin e Jashtëm dhe nënkryetarin e Kuvendit Enver Hoxhaj. ““Përplasja e Madhe” e zotit Hoxhaj, është një fashë tjetër shkrimtarie; gjeopolitikë dhe leximi i kohës në nivel global, me fokus Kosovën dhe Ballkanin”, shtoi zonja Mino.
Ballsor Hoxha është një tjetër autor i Uetpress nga Kosova, që vjen me esenë studimore “Lexime të pafundme të Kadaresë” ndërsa ka në proces botimi një tjetër studim me naturë filozofike.
Autorja Vera Bekteshi, pas disa librave me natyrë biografike, nga ata që cilësohen si libra të kujtesës, me “Vila me Dy Porta”, “Ora me Rërë” dhe versioni i ripunuar “Vila me Tre Porta”, sjell një rrafsh tjetër rrëfimor, me romanin e ri “Pusulla të Verdha”.
“Një përballje tjetër e saj si shkrimtare me lexuesin, në një territor shumë më të ngjeshur letrar dhe ku kapërcen klishetë, sepse Vera Bekteshi ka zërin e një personazhi mashkull, një djalosh ndryshe nga të tjerët…”, zbuloi më tej për lexuesin e Kosovës, kryeredaktorja e shtëpisë botuese.
Me këtë libër, Bekteshi sjell një kumt për lexuesin dhe botën, për të tërhequr vëmendjen ndaj atij që është i ndryshëm dhe që ka nevojë për dashuri, institucione të forta dhe shoqëri që ta mbështesë.
Autorja Vera Bekteshi tha se kishte shkruar dy libra nga perspektiva mashkullore. I pari i kushtuar të atit, ndërsa i fundit ka personazh Marinin, personazhi me aftësi ndryshe, rrugëtimin e tij të vështirë në ruajtjen e ekuilibrave të shëndetit mendor dhe komunikimi me të ëmën, përmes pusullave të verdha, nga ku mori titullin edhe libri. Një roman që na kujton “sa të brishtë jemi” citon një varg të këngëtarit Sting, zonja Bekteshi.
Këta dy libra, që e bashkojnë lexuesin shqiptar nga të dy anët e kufirit, janë sipas kryeredaktores së UET PRESS, kumte që emancipojnë dhe trazojnë ujërat, duke dalë nga klishetë letrare. Duke iu bashkuar edhe motos së edicionit të këtij viti të Panairit të Prishtinës, se libri mbron mendjen. “Libri më mbrojti nga internimi dhe jeta e vështire në bllok, ku shihesha me përçmim se isha nga veriu”, siç kujtoi Vera Bekteshi, një shembull i gjallë i fuqisë së leximit. /KultPlus.com
Promovohet libri “Rugovën, si e kam njohur” nga Gani Mehmetaj Me parathënie të Henri Çilit, botim i UETPRRESS-it Tiranë “Ibrahim Rugova nuk ishte figurë rastësore.
Nuk ishte as meteor, që ndriçon me farfuri e shuhet në heshtje. Personaliteti i tij u krijua në një kohë të gjatë. Student i Prishtinës, specializant i Parisit, shkolla franceze e shquante me risitë e qasjes letrare, me frymën perëndimore, e kundërta e shkollës jugosllave që ishte një përzierje mes zhdanovizmit sovjetik dhe diktaturës së socializmit “vetëqeverisës”- socializëm tinëzar që të shtypte në heshtje.
Ishte i pazakontë interesimi i Rugovës për Pjetër Bogdanin, kolosin e letërsisë shqipe dhe prijës i kryengritjes më të madhe shqiptare kundër Perandorisë Osmane, pas Gjergj Kastriotit”, shkruan Gani Mehmetaj në fillim të librit- portret për këtë burrë shteti me parathënie të Henri Çilit, drejtor i shtëpisë botuese UETPRESS . Promovimi i librit do ta bëhet në orën 17.00 në Panairin e Librit, kurse do të flasin Henri Çili dhe kryeredaktorja e botimeve, Suela Mino./ KultPlus.com
“Zogjtë e qyqes” nga Gani Mehmetaj dhe “Pusulla të verdha” nga Vera Bekteshi, promovohen në Prishtinë.
Shtëpia botuese UETPRESS nga Tirana organizon promovimin e fituesve të çmimit “Kadare” 2021, 2022: “Zogjtë e qyqes” nga Gani Mehmetaj dhe “Pusulla të verdha” nga Vera Bekteshi.
Promovimi do të bëhet në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”‘ në Prishtinë, me 9 qershor, në orën 14.00 në amfiteatër./ KultPlus.com
Romani “Zogjtë e qyqes” nga shkrimtari Gani Mehmetaj është përkthyer edhe në gjuhën frënge, dhe i njëjti tashmë edhe është botuar, shkruan KultPlus.
Romani është përkthyer nga Abidin Krasniqi, brenda shtëpisë botuese në Paris “Fauves Editions”, kurse të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë librin këtu.
Para 70 e ca vjetësh Ernest Koliqi i madh, hapi shkollat shqipe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër. Dardania përjetoi lulëzim e arsimim më shumë se kurrë më parë gjatë historisë kombëtare. Fotografitë e kohës janë emocionuese: qindra nxënës shqiptarë me qeleshe në kokë e rroba të pastra kombëtare rrinë gatitu para flamurit kombëtar, ose mësojnë me përkushtim në klasat e tyre. Askush nuk ia ngriti një përmendore dhe nuk e kujtoi për këtë vepër madhore, askush nuk e thotë se punën e tij nuk e vazhduan, përkundrazi… e rrënuam!
‘’U hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta, ndërsa në vitin shkollor 1943-1944 ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës’’.
Koliqi solli nga Shqipëria londineze qindra mësues. Ishte kjo një punë kolosale që nuk e bëri askush para tij dhe pas tij.
Brezi i vjetër i kujtonte me mall kur isha i ri shkollat e Koliqit, ashtu sikurse e kujtonin Shqipërinë Etnike. ‘’Ma të forta ishin shkollat fillore të Shqipnisë Etnike se sa shkollat e mesme sot’’, ta thoshte i sigurt secili që kishte mësuar në ato shkolla. Këtë ma thoshte gati çdo ditë babai im admirues i madh i Koliqit.
Vullnetarët e Rrafshit të Dukagjinit e të Malësisë e mbrojtën me gjak Shqipërinë Etnike e shkollat shqipe, duke iu kundërvënë forcave çetnike që bënë masakra të frikshme. Rrëfimet e babait tim, vullnetar Dukagjini, që sa nuk e la kokën në kufijtë e atdheut diku mbi Peshterë i kujtoj me emocione. Popullatën e pambrojtur shqiptare e shpëtuan nga gjenocidi forcat nacionaliste-balliste, por kur u futën brigadat partizane serbo-malazeze, të ndihmuara nga partizanët shqiptarë, mori fund Shqipëria Etnike, nisi gjenocidi. Ushtria serbo-malazeze vrau si kurrë më parë shqiptarë etnikë; mbyllën të gjitha shkollat shqipe nga Rozhaja deri në Pazar të Ri, dëbuan më shumë se gjysmën e popullatës, ndërsa ata që mbetën i detyruan të regjistroheshin boshnjak deh të mësonin serbisht. Kurrë më nuk u hapën shkolla shqipe. Heshtja e shqiptarëve të nëpërkëmbur vazhdoi mbi 60 vjet.
Për meritat e jashtëzakonshme përmendore Ernest Koliqit kanë kërkuar t’i ngrihen në Maqedoninë shqiptare, në Mal të Zi dhe në Dardaninë e çliruar. Mirëpo si një mallkim, ende bëjnë pengesa për ta përjetësuar në shtatore shqiptarin më të madh të arsimit dhe njërin ndër shqiptarët më të mëdhenj të rizgjimit kombëtar. / KultPlus.com
Të martën, u mbajt në Prishtinë, në hotel Sirius mbrëmje letrare-artistike që iu kushtua krijimtarisë e veprimtarisë së shkrimtarit, dramaturgut, skenaristit e publicistit Gani Mehmetaj.
Me interpretimin emocionues të aktores Sheqerie Buçaj nga monodrama e autorit “Kohë cubash, miku ime”, u çel mbrëmja. Ajo i dha emocione të veçanta publikut.
Në vazhdim gazetari dhe ish spikeri i njohur i Radiotelevizionit të Kosovës, Shaban Arifaj, shkrimtar, lexoi recensionin për romanin “Zogjtë e qyqes”, që mori çmimin Kadare.
“Krijimtaria letrare e mikut dhe shokut tim Gani Mehmetajt si dhe shtytësit kryesor për krijimtarinë time letrare, ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të magjeps me rrjedhshmërinë, aq të futë në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pashkëputshme. Së fundmi me romanin “Zogjtë e Qyqes”, Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të paraqes një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë të veçantë.
Mehmetaj ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij, e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadareanë të shkrimit prozaik”, shkruan ndër të tjerat Arifaj.
Arbërie Krasniqi-Kondirolli këndoi dy këngë “Moj e bukura More” dhe “Shpirti im i këndon Perëndisë”, interpretime që e pasuruan mbrëmjen.
Në vazhdim poetja Naime Beqiraj me emocione artistike deklamoi fragmentin nga romani “Zhvarrimi” që u prit mirë nga artdashësit.
Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kishës katolike në fjalën e rastit u përqendrua në veprimtarinë dhe krijimtarinë e Mehmetajt.
Ndërkaq, don Lush Gjergji vuri në pah disa momente kyçe të krijimtarisë, duke e shquar mprehtësinë dhe guximin e autorit.
Në mungesë të dr. Blerim Latifit, anëtar jurie i çmimit “Kadare”, Saranda Salihu lexoi shkrimin “Mbi romanin fitues “Zogjtë e qyqes” të shkrimtarit Gani Mehmetaj”
“Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Ai përpiqet të bëhet objektiv, megjithëse ndonjëherë druan se është subjektiv, apo sikurse thotë vet, mos po mendoj si serb.
Ndërthurjet dhe konfliktet pastaj e zgjerojnë narracionin, e pasurojnë intrigën, e bëjnë dramën me dinamike, e ngrenë tensionin, i bëjnë të larmishme situatat. Ngjyrimet lokale janë të dukshme, koha është korniza që ia shton sharmin, e pasuron strukturën e brendshme të romanit. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, komuniteti egjiptian. Ka edhe familje hebraike, ashtu sikurse është një familje e çuditshme hungareze, me vajzën e bukur, në të cilën janë dashuruar të gjithë djemtë e lagjes. Në këtë mozaik është intrigues bjellogardisti i ardhur pas Luftës së Parë nga tundrat e Siberisë me laboratorin eksperimental”, shkruan ndër të tjerar profesori i filozofisë Dr Blerim Latifi.
Ndërkaq, i riu Mevlyd Rrahimaj këndoi me mjeshtri “Vajta kalova” dhe “O, moj e bukura Arbëri”.
Dr. Femi Cakolli, pastor dhe studiues i letërsisë, u përqendrua në disa segmente të shkrimtarit, meqë është ndër të pakët që e ka përcjell krijimtarinë e Gani Mehmetajt nga fillimi me shkrime recensionale e studimore. Dr. Cakolli u përqendrua në autorin apologjet, misionar dhe bartës i misionarit të kombëtares para presionit të madfh të shkombëtarizimit. Gani Mehmetaj mori çmimin “Kadare” 2021 për dorëshkrimin e romanit “Zogjtë e qyqes”, nga Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fondacioni “Gramoz Pashko”, ndërsa e botoi UETPRES, Tiranë. Është autor i 26 veprave letrare, kinematografike, publicistike dhe skenarëve të filmit.
Gani Mehmetajt, që iu kushtua kjo mbrëmje letrare-artistike të rinjtë e “Shtëpisë së Shpresës” i dhanë një mirënjohje të veçantë “Pena e shpresës”.
Konferencierin e mbrëmjes Artur Krasniqin e karakterizoi elokuenca, shkathtësia dhe mjeshtëria si rrallë ndonjë udhëheqës të mbrëmjeve artistike. Ishte model edhe për televizionet tona./ KultPlus.com
Këtë të martë do të mbahet mbrëmja letrare-artistike që do ti kushtohet veprimtarisë së shkrimtarit dhe publicistit, Gani Mehmetaj, shkruan KultPlus.
Mbrëmja letrare-artistike me Gani Mehmetajn, do të mbahet më 29 qershor, në hotel Sirius në Prishtinë me fillim nga ora 19:00.
Në mbrëmjen artistike ku do të ketë pika muzikore, të ekzekutuara me piano, kanë paralajmëruar ardhjen shkrimtarë, artistë dhe publicistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndër të cilët Preç Zogaj, Henri Çili dhe Loer Kume, që mori çmimin “Kadare” për vitin 2019.
Me piano ekzekuton dhe këndon Arbërie Krasniqi.
Gani Mehmetaj mori çmimin “Kadare” 2021 për dorëshkrimin e romanit “Zogjtë e qyqes”, nga Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fondacioni “Gramoz Pashko”, ndërsa e botoi UETPRES, Tiranë. Është autor i 26 veprave letrare, kinematografike, publicistike dhe skenarëve të filmit./ KultPlus.com
Në Tiranë u promovua romani “Zogjtë e qyqes” i autorit nga Kosova, Gani Mehmetaj, fitues i edicionit të gjashtë të çmimit “Kadare”, i cili sheh dritën e botimit për lexuesit. Çmimin me emrin e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, autorit Mehmetaj ia dorëzoi kryetari i jurisë, Preç Zogaj.
“Është një ndjenjë e veçantë për mua, ndryshe nga herët e tjera, se ky çmim mban emrin e një shkrimtari të madh siç është Ismail Kadare”, rrëfen Mehmetaj, para se t’i dorëzohej çmimi.
Redaktorja e librit, Suela Bala, kryetari i jurisë Preç Zogaj dhe studiuesja Belina Budini, e cilësojnë këtë çmim më të rëndësishmin sa u përket letrave shqipe, për përzgjedhjen e pavarur që është bëra nga juria, por edhe për vlerat artistike që përcjell tek lexuesi. Romani “Zogjtë e qyqes” i vlerësuar për rrekjen letrare, që u bën kolonëve të huaja në Kosovë, si rrallëherë ka si narrator një serb, që rrëfen dashurinë, raportin, marrëdhëniet e vështira midis tyre edhe shqiptarëve.
“Një kolon serb rrëfen jetën e tij në Kosovë që nga fëmijëria, raportet me shqiptarët, dashurinë edhe pengesat me një vajzë. Është një narrator objektiv, pa ngarkesa. Jam përpjekur që përmes tij të sjell ngjarjen në mënyrë objektive”, thotë Mehmetaj.
Vetë autori, i cili ka kontribuuar për 17 vite në kinematografi, si drejtues i “Kosovafilmit” rrëfen dhe trajtimin që i është bërë luftës së Kosovës nga kineastët, duke mos përjashtuar mundësinë që ky libër në të ardhmen të jetë bosht qendror në skenarin e një filmi.
“Në kinematografi kjo çështje është trajtuar në mënyrë fragmentare, sikundër edhe në letërsi. Por ky roman mund të shërbejë për një subjekt filmi”.Përmes romanit trajtohet mënyra se si serbët kanë bashkëjetuar në një vend me shqiptarët, autori thotë se, kjo çështje nuk i përket vetëm së shkuarës, pasi përmes klasës intelektuale edhe politike serbe urrejtja kundër shqiptarëve ende vijon që të trumbetohet. Megjithatë, libri sipas tij duhet që të botohet edhe në serbisht.
“Edhe nëse njihet pavarësia e Kosovës, ata sërish do të kenë qëndrim ndaj Kosovës, se kanë ushqyer veten dhe pushtetin me urrejtje të tillë, një shtresë e caktuar intelektuale edhe politike nuk mund të jetojë pa këtë”, thotë autori i romanit “Zogjtë e Qyqes”.
Shkrimtari Gani Mehmetaj është autor i rreth 25 veprave letrare, eseistike dhe publicistike.
Të pranishëm gjatë promovimit të romanit “Zogjtë e qyqes” të autorit Gani Mehmetaj ishin dashamirë të letërsisë dhe të artit. /shqiptarja/ KultPlus.com
Romani “Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj shpallet fituesi i Çmimit letrar “Kadare” 2021, ndërsa 5 finalistët e kësaj gare me dorëshkrime në prozë ishin autorët Behar Jacaj, Ballsor Hoxha, Arbër Ahmetaj dhe Marcel Hila.
Gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast, Gani Mehmetaj, (1955), ka lindur në Pejë, ndërsa është autor i një numri veprash.
“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme, si edhe shpërfaqja e tyre dinamike.
Romani “Zogjtë e qyqes” trajton me vlera të spikatura letrare artistike, urrejtjen në mes të serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjellta, dashurinë e pa realizuar që e intrigon lexuesin, ndërsa pasuron letrat shqipe.
Në edicionin e gjashtë të këtij konkursi, nismë e Institutit Pashko, morën pjesë me veprat e tyre në dorëshkrim në gjininë e prozës 30 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, duke shenjuar një produkt të lavdërueshëm në shkrimtarinë shqip. Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, kishte në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarin Loer Kume, shkrimtarin Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi.
Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj bën me dije se “veprat e paraqitura pohojnë fort dhe bindshëm një numër përfaqësues shkrimtarësh shqiptarë përtej kufijve gjeografikë, të cilët gjakojnë letërsinë e mirë dhe premtojnë një nivel dinjitoz të letrave shqipe në hapësirën e përbotshme komunikuese të letërsisë.”
Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.
Romani “Zogjtë e qyqes” do të vijë së shpejti në duart e lexuesit nga shtëpia botuese UETPREES. Ndërsa për shkak të kushteve të pandemisë, ceremonia e dorëzimit të këtij Çmimi do të organizohet në një moment më të përshtatshëm ku të jetë e mundur prania e autorëve finalistë, disa prej të cilëve jetojnē jashtë Shqipërisë./shqiptarja/ KultPlus.com
Si ka nis të shpërfytyrohet qyteti mesjetar i Pjetër Spanit dhe Vicianumi i dikurshem?
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, në kohën e pandemisë u drejtohet qytetarëve përmes ezanit të xhamisë, mu si në mesjetën e hershme shkretinore. Kurrë nuk ka ndodh në territoret shqiptare që zyrtari i shtetit t’u drejtohet qytetarëve përmes ezanit e xhamisë.
Nuk e di ai ç’është radioja e televizioni, nuk e di as ç’është komunikata zyrtare.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë e financon Bashkësinë Islame të qytetit duke ia paguar çdo varrim dhe ritualet fetare me para të shtetit. Kryetari i Komunës së Vushtrrisë është angazhuar për ndërtimin e Qendrës Islamike, duke e shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pati shumë reagime të qytetarëve ndaj këtij angazhimi islamik, sepse Vushtrria ka aq shumë prioritete të tjera, ka papunësi të madhe, varfëri të skajshme, mjerim të pafund sa të ndërtosh qendër islamike për të rinj, në kohën kur të rinjtë po ikin në Perëndim.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka bërë vepër penale, ka shkelur kushtetutën e Kosovës dhe ligjet për neutralitetin e shtetit ndaj feve. Prandaj me të drejtë pritet reagimi i shtetit të Dardanisë dhe reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse ai ishte kandidat i kësaj partie. / KultPlus.com
Jemi të fundit në Evropë me shkolla fillore, të mesme e çerdhe fëmijësh për kokë të banorit. Jemi të fundit në Evropë me spitale dhe ambulanca. Jemi të fundit në Evropë me objekte universitare e shkollim pasuniversitarë. Jemi të fundit në Evropë me arsimim fillor, të mesëm e universitar. Jemi të fundit në Evropë me teatro, kinosalla dhe terrene sportive.
Por, jemi të parët në Evropë me numrin e xhamive, mejtepeve e shoqatave islamike. Jemi të parët në Evropë me numrin e islamikëve që i dërguan hoxhallarët tanë në formacionet e ISIS-it.
Me numrin e xhamive për kokë të banorëve Dardania ua kalon Turqisë (madje edhe Stambollit) , Sirisë, Egjiptit, Jordanisë, Libisë dhe shumë shtete arabe.
Dardania shteti më i varfër i Evropës ndërton xhaminë prej 40 milion eurosh, me urdhër të prerë të Turqisë, në tokën më të shtrenjtë në Gadishullin Ilirik, që ia fali komuna, aty ku duhej të ndërtohej Teatri Kombëtar, apo Muze i Holokaustit shqiptar.
Ne e përjetësojmë pushtimin e krimin turk me xhaminë më të madhe në gadishull, ne e përjetësojmë pushtimin e krimin serbë me kishën në qendrën universitare, ne nuk e kujtojmë holokaustin shqiptar, të shkaktuar nga Serbia e Turqia. Aty ku do të ndërtohet xhamia, nëse e lejojmë, do të duhej të ndërtohej më e pakta Muzeu i Holokaustit shqiptar. Jemi në librin e Ginisit për marrëzi e servilizëm. /KultPlus.com
Shkrimtari dhe publicisti i njohur Gani Mehmetaj promovoi sot librin e tij më të ri me titull “Qytetet e Ilirisë”, shkruan KultPlus.
Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” u mblodhën profesorë, studiues, gazetarë e adhurues të fjalës së shkruar për ta promovuar librin më të ri të Mehmetajt.
Ish-redaktori Shaban Arifaj, njëherit redaktor i librit, hapi ngjarjen duke e cilësuar librin e Mehmetajt si të rëndësishëm për publicistikën shqiptare. “Përmbajtja dhe shtjellimi i veprës si dhe përshkrimet, Ganiu i bën me një kapërcim të fuqishëm historik duke u thelluar në përshkrimin e qyteteve dhe ngjarjeve që lidhen me periudhën e lavdishme të Ilirisë, poashtu duke i përshkruar në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, tha redaktori Arifaj.
“Mehmetaj shquhet me stilin e tij të veçantë, ai trajton tema dhe probleme që janë të nxehta për opinionin. Mehmetaj shquhet për një qasje ndryshe, i tillë është ky libër që është i veçantë në publicistikën shqiptare”, potencoi Arifaj. Ai e vëri theksin tek pjesa e librit ku flitet për perandorin Justinian nga koha antike, i cili ndërtoi qytete të reja dhe meremetoi edhe shumë të tjera. Studiuesi dhe pastori Femi Cakolli që ishte në panel, prezantoi para të pranishmëve një analizë të thukët për librin “Qytetet e Ilirisë”. “Libri më i ri i Mehmetajt i takon zhanrit udhëpërshkrues, aty përshkruhen 23 qytete shqiptare, duke nisur nga Gjakova, Nishi, Pazari i Ri, Artana, Ulpiana, Prizreni, Shkupi e Shkodra, Plava e Gucia, Kruja, Lezha, Korça e Gjirokastra”, nisi ai.
“Autori këtë herë e lë fiksionin dhe bëhet një vizitator, një arkeolog ose ciceron për gjetjet më të fundit nëpër këto qytete ilire si pjesë e ekspeditave që i ka bërë”. “Mund të konstatoj se nga aspekti tematik, kjo vepër nuk ka ndonjë risi strukturore, veçantia e këtij teksti është arkeologjia e këtyre qyteteve dhe ideja për të përçuar një mesazh dhe kundërshtesë për këtë civilizim tonin”. “Autori zgjedh të kaluarën e largët, antikitetin ilir, të kaluarën e mesme, Mesjetën, të kaluarën e afërt, Rilindjen kombëtare, dhe të sotmen. Skema është thjeshtë, dje dhe sot. Në qendër të këtyre qyteteve gjendet perandori Justinian, i cili ndërton qytete, kala, foritifikata, etj. Perandori Justinian është ndërtuar si ide letrare në këtë vepër”, thotë ai.
Tutje, Cakolli shton se në të kaluarën kemi pasur skulptura e skulptor, piktura e piktorë, tempuj e kisha, vepra e shkrimtarë, për të cilat shkruan Mehmetaj dhe dëshiron që t’i përçojë tek lexuesi. “Autori porosit se ka një vazhdimësi dardane nëpër këto qytete, andaj ne duhet të shfaqim më shumë dashuri për historinë e vendit”, potencoi Cakolli.
Autori Mehmetaj tha se është i lumtur teksa sheh interesimin e lexuesve, ai premtoi se në të ardhmen do të sjellë edhe krijime të reja, qoftë nga letërsia apo publicistika. Në fund Mehmetaj diskutoi me të pranishmit rreth librit dhe interesimeve që ata shfaqën për veprën e tij.
“Qytetet e Ilirisë” është libër i tipit udhëpërshkrues, pasiqë autori ka shtegtuar nëpër këto qytete dhe krahina ka bërë edhe ilustrime të cilat janë brenda librit, poashtu ka rrëfime të vendasve e kronika të ndryshme.
Nga tani libri gjendet nëpër libraritë e kryeqytetit, në “Dukagjini”, “Artini”, “Buzuku” si dhe në kioskat e Sheshit “Nënë Tereza”. /KultPlus.com
Nesër me 30 janar 2020, në orën 12.00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, do të promovohet libri “Qytetet e Ilirisë” i Gani Mehmetajt. Për librin do të flasin Shaban Arifaj, ish- redaktor i njohur RTK-së, i cili do të jetë udhëheqës i promovimit dhe Dr. Femi Cakolli, studius letrar e pastor, shkruan KultPlus.com
“Qytetet e Ilirisë” prezanton 23 qytete shqiptare me një të kaluar të lavdishme nga Nishi, Shkupi, Prizreni, Ulpiana, Artana, Gjakova. Shkodra, Ulqini, Lezha, Kruja, Preza, Kanina, Gjirokastra, Pogradeci deri në Korçë.
Shumica e këtyre qyteteve kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme, disa të tjera pas periudhave të lavdishme në parahistori e në antikë u shuan në mesjetë. Qytete ilire shquheshin për organizim shtetëror, për objektet monumentale, kështjellat e sigurta, amfiteatrot, faltoret pagane, kishat paleokristiane etj.
Autori qytetet e Ilirisë i sheh nga prizmi i sotëm, e shpalon të kaluarën, duke bërë njëkohësisht edhe krahasimet në mes të asaj që ishin dikur, peshën që e kishin për ilirët e Ilirinë, peshën që e kishin për arbërorët dhe rëndësinë që e kanë sot për shqiptarët.
Libri i tipit të udhë përshkrimit, meqë autori ka shtegtuar gjatë nëpër këto qytete e krahina ka ilustrime me fotografi, rrëfime të vendasve, kronika të para dymijë vjetësh etj. ër disa nga këto vende e kështjella është ditur pak ose aspak: Kështjella e Jerinës,
Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit, Suka e Cermjanit, që ishin fortifikata malore me garnizone ushtarake dardane. Libri “Qytetet e Ilirisë” e botoi shtëpia botuese “Titanic”, ilustrimet janë me ngjyra, ndërsa mund ta gjeni në libraritë e qytetit “Dukagjini”, “Artini” “Buzuku dhe në kioskat e Sheshit “Nëna Terezë”. /KultPlus.com
Gani Mehmetaj, shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar, është kërcënuar me armë zjarri në shtëpinë e tij, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur vetë shkrimtari përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka shprehur shqetësimin e tij rreth këtij kërcënimi.
Mehmetaj ndër të tjerash është shprehur i pakënaqur edhe me policinë, pasiqë këta të fundit kanë qenë vetëm një herë në shtëpinë e Mehmetajt për hetime dhe më nuk kanë reaguar rreth kësaj çështjeje.
”Paralajmërimin (kërcënues) e mora!
Miq e dashamirë. Javën e kaluar me gjuajtën me armë zjarri në shtëpinë time, në dhomën e fjetjes. Predha e theu qelqin e parë, por u ndal në parvazin e dritares, në pjesën e aluminit, që ia ndryshoi drejtimin. Erdhi policia, erdhën edhe hetuesit, maten e çmatën dhe shkuan. E morën predhën e armës që ta analizojnë në laborator. Policia shikimin e bënë të shtunën, por që nga ajo ditë nuk u dukën më. Paralajmërimin kërcënues e mora, por tekstet që u nuk i pëlqeu dikush nuk i tërheq dot, sepse i pushtuan portalet shqipe si asnjëherë më parë. Përmes miqve e lajmërova Ambasadën amerikane. Miqtë tjerë më lajmëruan me telefon se e kanë takuar e lajmëruar edhe OSBE e institucionet e Kosovës. ”, thuhet në postimin e Mehmetajt. / KultPlus.com
Sikurse shumica e evropianëve edhe unë në shtegtimin tim nga Prishtina në Australi u ndala në Singapor. Këtë rrugëtim e kanë bërë ndër shekuj udhëtarë e tregtarë, shtegtarë e aventuristë. Singapori ishte caku i parë edhe për shumë shqiptarë që u nisën drejtë kontinentit të ri-Australisë, duke shpresuar për jetë të re e punë. Vendi i ishujve nuk i ndali asnjërin, por Singaporin e kam dëgjuar në rrëfimet e peripecitë e tyre. Aeroporti pas njëmbëdhjetë orë fluturimi mu duk oazë e qetë e gjumëndjellëse. Zyrtarja e aeroportit me priste me emrin tim e të gruas, të shkruar në një copë letre të bardhë. Kinezja simpatike mezi dëgjohej derisa fliste me zë të ulët. Aeroporti ishte një ambient i veçantë, me restorante të dizajnuara mirë, me gjelbërim e kopshte botanike, me kaktuse e bimë tropikale të mbjella brenda, sepse edhe qyteti atë klimë e ka. Singapori ka njërin ndër aeroportet më të mëdha në Azi, të rregulluar me shije. Ambienti i brendshëm është qetësues për shtegtarin e stresuar e të pagjumë që ka kaptuar kontinente, që vjen nga njëri cep i botës në tjetrin. Shërbimi i mirë nëpër restorante është përshtypja tjetër e këndshme.
Kur
dola jashtë aeroportit vala e të ngrohtit tropikal me goditi befasisht, i
mësuar me freskun e pranverës në Prishtinë që më shumë ishte fund dimri.
Zyrtarët e aeroportit mezi i dëgjoje kur të flisnin me pëshpërima sikur druanin
se mos e zgjonin nga gjumi dike të padukshëm.
Singapori
është i veçantë nga vendet tjera të Azisë juglindore, e megjithatë ka diçka nga
secili prej tyre. Një miku im virtual me dëshiroi pushim të mirë duke me
sugjeruar se Singapori është një kryqëzim Kine, Malajzie, Indonezie e
Perëndimi. Singapori është sinonim i zhvillimit marramenthës, shembull i
shkrirjes së tradicionales me bashkëkohoren, zhvillimin ekonomik dhe disiplinën
e hekurt, fatin dhe kujdesin. Durimi tradicional oriental me dinamizmin euro
perëndimor, ku shprehia e punës, ngërthehet me ligjet e rrepta, bënë që ky vend
të jetë në kreun e vendeve të zhvilluara. Por edhe rreptësia me të cilën
trajtohen disa sëmundje të qytetërimit të huton. Secilit udhëtar që vjen nga
Evropa a SHBA-të ia vënë në pah qysh në aeroplan letrën me pyetësor se bartja a
tregtimi i drogës dënohet me vdekje, që e bëjnë t‘i shkojnë djersë të ftohta,
gjithnjë duke u druajtur se mund t’ia
kurdisë dikush ndonjë sasi droge të mjaftueshme sa të dënohet me vdekje. Në të
kaluarën janë dënuar disa perëndimorë, pavarësisht faktit që pati ndërhyrje nga
qarqe të larta për falje. Rasti i
australianes që është kapur me drogë, ndërsa ajo thotë se nuk është droga
e saj, por këmbëngulte që dikush ia ka
vënë në bagazh, është rrëqethës. Për
kurdisje ose fatkeqësi të tilla kam parë edhe filma artistik amerikanë.
Singapor është shembull i qytetit që u pavarësua pa
dashje. Pasi u larguan britanikët Malajzia e përjashtoi Singaporin nga shteti i
përbashkët, për ç’gjë singaporasit janë mërzitur shumë, sepse britanikët i lanë
në një shtet. Në atë kohë Malajzia ishte shumë më e zhvilluar. Emri i vjen nga
Singapura që do të thotë Qytet i Luanit.
Ndërkaq, Singapori nuk ka luaj. Sot Qyteti i Luanit është qytet-shtet si Monako
apo Vatikani. Është ndër vendet më të vizituara, shumë joshëse për shtegtarë.
Por
ajo që të bie në sy, hiq ligjin e ashpër për drogën, Singapori është shembull i
vendit të lulëzuar nën kapelën britanike, dëshmi e pushtuesit që nuk të zhvat
por të ndihmon e të qytetëron. Anglezët e themeluan këtë koloni, e zhvilluan
dhe e ngritën në qendër botërore të tregtisë, për ta vazhduar pastaj kinezët me
malajzianët. Dhe kur e sheh këtë mrekulli, se si të vjen, Singapori të gjitha
këto i bëri nën sundimit e Perandorisë britanike. Kinezët nuk donin që të iknin
britanikët, situatë absurdi po të shihet nga prizmi ynë. E qeverisën Singaporin më shumë se sa që mund
të themi se e pushtuan, i dhanë injeksione dhe e bënë qendër tregtare e
udhëkryq në mes të dy botërave, madje në mes të disa kontinenteve. Singapori e
shfrytëzoi pozitën e mirë strategjike, kjo i avancoi duke i dalluar nga shteti
amë, ku varfëria e barazisë komuniste ua hanë shpitin.
Pozita
strategjike e ndihmoi, i dha krah zhvillimit, e bëri qendër nevralgjike jo
vetëm për Azi, sepse Singapor është udhë kyçe nga Evropa në Australi. Shumë nga
shqiptarët që i kemi takuar më vonë në Australi e përmendin se si erdhën një
herë në Singapor e pastaj vazhduan tutje në qytete të ndryshme australiane.
Është fjala kryekëput për shqiptarë nga Dardania e territoret etnike. Thuhet se
edhe shumë shqiptarë pas rënies së komunizmit në Shqipëri ia mësyn Singaporit
me shpresën se do të realizohen, meqë i njihnin kinezët e Mao Ce Dunit, mirëpo
kinezët e Singaporit ishin ndryshe. Ikën shqiptarët në shtegtime drejtë
Malajzisë apo tutje në Australi.
A
ka shqiptarë të Singapor? Sigurisht ka, por është i vogël numri i tyre. Është
vështirë t’i takosh në këtë qytete shumëmilionësh.
Edhe
Shqipëria natyrale mu si Singapori pati pozitë të mirë strategjike në
Gadishullin Ilirik , por ky fakt nuk e ndihmoi, përkundrazi e dëmtoi, sepse
secili nga pushtuesit e lakmonte vendin pa vendës, ndërsa nuk kishin ide për
zhvillim e avancim.
Britanikët
me qytetërim ishim para vendësve në Singapor, ishin para të gjithë botës,
prandaj kjo gjë i dha krah zhvillimit të kinezëve. Askush nuk e do pushtuesin,
askush s’ka pse e lavdëron, mirëpo ata e zhvilluan Singaporin disa herë më
shumë se sa që ishte Kina. Derisa në mendjen time i bëja krahasimet e
pushtuesit të mirë e të keq, para kisha Singaporin e jetës dinamike e
qytetërimit euro aziatik, kryqëzimin e disa kulturave dhe kryqëzimin ekonomik
tregtarë të disa kontinenteve. Perandoria britanike ka mbet në kujtesë të mirë,
gjë që nuk mund të thuhet për ish- pushtuesit tonë.
Me pushtuesin e mirë jam ndeshur edhe më parë,
kur shëtisja në Lubjanë e Maribor
(Slloveni), apo në Zagreb e qytetet dalmatine të Kroacisë. Dhe me
dëshpërim krahasoja atë që ua la Austria
sllovenëve e kroatëve me atë që na e lanë neve turqit e serbët.
Sikur të triumfonte ideja e Haxhi Zekë Biberajt ne do ta kishim Britaninë e Madhe në vend të Turqisë e Serbisë, mbase do të bëheshim Singapor evropian. U nisa nga Singapori me një aeroplanë ndërkontinental australian “Qantas” mbi oqeanin e pafundmë, me një dozë dëshpërimi pse nuk e kapëm momentin historik. /KultPlus.com
Në valën e dëbimeve, kur refugjatët iknin maleve apo fshiheshin shpellave që të mos i rrihte era, shqota e shiu, më kujtohej legjenda për emrin e Bjeshkëve të Nemuna. Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë (burrin ia vranë hordhitë turke), mori ikën drejt Bjeshkëve të Nalta, sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijë për dore, nuk u kujtua për sende të tjera, koha nuk priste, ushtarë të armikut mund t’i kapnin. E frikësuar nga ndjekësit, e pikëlluar për vrasjen e burrit, kthente kokën prapa me dy jetimë. Në largësi shquhej shtëpia e saj që i dilte flaka. Një pikëllim i pakufishëm ia mbuloi fytyrën, ia nxiu sytë. Ec e ec e ujë askund. Sa më shumë që ngjitej, bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej t’i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç. Dhe ata shpejtonin, sa më larg ushtarëve turq.
Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë, bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej kalamajve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues. “Nanë, du ujë!” kërkonte me ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja edhe më e madhe. Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutem, ni pikë uj!” e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. S’kishte një copë reje në qiell që do ta fshihte diellin të mos përvëlonte. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin me fjalë, i madhi nuk bëzante, megjithëse shkrumbi iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.
“Tash e gjajmë ujin, drita e syve të mi, edhe pak! Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepe zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte as për ilaç, u ngjitën Malit të Thatë, vija uji askund. Kopetë e deleve me barinj si t’i kishte lëshuar toka a ngrënë ujku, kambana nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, sikurse quheshin dikur. Njeri të gjallë mbi faqe të dheut.
Fëmijët u lodhën, buzët iu ngjitën nga shkrumbi, forcat u shteruan, nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, nisën të përpëliteshin, flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit. Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët kalamajve, shihte e dëshpëruar se si po i shuheshin dy engjëjt para syve. Por më parë se t’i kapte agonia, para se t’ua bënte gjamën, ajo mallkoi në kulm të zemërimit: “Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! Ju shitoftë reja!” Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po i kalonin çastet e fundit të agonisë.
Legjenda nuk e thotë ç’u bë me nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia.
Legjenda thotë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Nama e nënës u rri kërcënueshëm edhe sot. Bjeshkët e Nemuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjelltë, duke djegur pyje të tëra. Gur mbi gur nuk mbetën. Të mbërthen angështia kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërgja që shkëlqejnë në diell. Mallkimi i ndjek këto bjeshkë: zjarret përsëriten çdo vit, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djeg filizat e bredhave e të çetinave.
Asnjëherë nuk ma tregoi gjyshja fundin e nënës me fëmijë, legjenda nuk e thotë a shpëtuan apo vdiqën. Ata morën rrugën e përjetësisë, por sigurisht si fëmijë nuk ma thanë fundin tragjik, sepse përrallat e legjendat gjithherë duhej të përfundonin fatlumësisht.
Megjithatë në Bjeshkët e Nemuna, më thoshte gjyshja, është një muranë, shkëmb i skalitur, ku shihet nëna me dy kalamajtë, më bohçe e me pagur uji. Barinjtë kur kalojnë pranë shkëmbit, e derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët nënës e kalamajve.
Një motërzim serb shumë më i vonshëm, ka një legjendë tjetër për mallkimin e Bjeshkëve të Nemuna. Sipas kësaj legjende kur ushtria serbe pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, me të ngjitur bjeshkëve, dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht. Gushti me vapë, ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmëve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre klithi: “Qofsh e mallkuar!” (Prokleta da si) . Në gjuhën e tyre “Prokletije”, d.m.th. “Të mallkuarat”.
Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet.
Më iku nga përfytyrimi nëna me dy kalamajtë që përpëliteshin për një pikë uji, u zhduk vapa e gushtit, që nisi të më djersinte në fundmars. Pamjet e tjera e mbulonin të parën, fërfëlliza e zëvendësoi diellin saç. Turma të mëdha refugjatësh mbulonin rrugën gjarpërore nga Burimi i Drinit deri në Qafën e Malit, sipër Kullës, nëpër Bjeshkët e Nemuna. Shpërngulja e njerëzve më dukej si në ëndërr. Kllapia nuk më shqitej. Më fanitej sikur ata po ktheheshin me zhurmë. Zhurmën e dëgjoja nga furriku im. Ikën të heshtur e kokulur, ktheheshin triumfalisht. (Tregim)
Të premten më 11 janar 2019, në orën 12:00 do të bëhet promovimi i romanit të Gani Mehmetajt “Kalorësit e Dardanisë”, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Krahas leximit- fragmente
nga romani, do të intonohet himni i Niketë Dardanit “Të deum
laudamus”.
Për romanin “Kalorësit e Dardanisë ” do të flasin Femi Cakolli, studiues i letërsisë dhe Prend Buzhala, shkrimtar e kritik letrar.
“Promovimi është
i hapur, diskutimet e preferuara, ndërsa pas promovimit do të organizohet një
koktej”, shkruhet në njoftim.
Muhamet Reçica ka vlerësuar se romani më i fundit i Gani Mehmetajt, “Kalorësit e Dardanisë”, trajton tablo të gjera jetësore dhe një sfond të një realiteti nga e kaluara jonë historike, duke e përzgjedhur një temë të rëndësishme në gjithë ato përpjekje për mbijetesë etnike, gjeografike dhe identitare të paraardhësve tanë.
“Formimi, zhvillimi dhe aktivitetet e një formacioni ushtarak, i përbërë prej 300 kalorësish të përzgjedhur, të cilët janë në ballë të luftërave për mbrojtje të trojeve ilirike, si dhe në përkrahje të aleancave të ndryshme në rajone më të largëta, si në Daki, Traki, Panoni e në vise të tjera, paraqet objektin e trajtimit të kësaj proze…”, shkruan Reçica./ KultPlus.com
Filmi “Skënderbeu”, nën regji të ukrainasit Sergei Jutkeviç, bashkëprodhim sovjetik-shqiptar, është filmi i parë dhe i vetëm që i kushtohet heroit tonë Gjergj Kastrioti.
Ishte filmi më i shikuar nga shqiptarët, i vetmi ose ndër të paktët që shfaqej në çdo përvjetor të Pavarësisë e Ditës së Flamurit. Nuk e di të jetë bërë ndonjë përpjekje që të distribuohet në Evropë e në botë, pos në ish-bllokun socialist. Është i vetmi film, bashkëprodhim shqiptar, që u shfaq në Festivalin e Kanës e të Venedikut. Është i vetmi film spektakël i përmasave të Hollivudit me kostumografi, skenografi, mijëra figurantë, me galerinë e personazheve, me aktorët e ekipin e madh të kineastëve. Film të këtyre përmasave kinematografia shqiptare e ka vështirë të bëjë edhe sikur të mblidhen kineastët e Shqipërisë, Dardanisë e Iliridës, ashtu sikurse e ka vështirë të bëjë para për shpenzimet që duhen për një spektakël historik. Por nuk është e pamundur. Me gjithë vërejtjet që mund t’i bëjmë nga këndi i sotëm, “Skënderbeu” është film që ta ka ëndja ta shohësh, është film mobilizues e frymëzues, është film që të ngjallë respekt për veten e për kombin që i takon. Nga atëherë kanë kaluara mbi 65 vjet. “Skënderbeu” mbeti filmi i parë dhe i vetëm për periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Në vitin e Gjergj Kastriotit, që e shpallën të dyja shtetet shqiptare, vitin 2018, nuk u bë asnjë përpjekje për të realizuar një film artistik për luftën e mbretit të shqiptarëve kundër pushtimit osman. Madje, nuk u shtrua as si debat publik. Nuk e di të jetë bërë ndonjë përpjekje nga kinostudioja shqiptare as në kohën e diktaturës, apo nga ndonjë producent shqiptar në kohën e sotme për një projekt kinematografik që do ta rigjallëronte në ekran të madh figurën e këtij heroi. Në kohën e diktaturës më të egër në Evropë, nuk pritej t’i kushtohej ndonjë film tjetër heroit tonë kombëtar, madje as kur u festua me pompozitet 500 vjetori, sepse ishin tepër të zënë me kultin e Enver Hoxhës dhe kultin e “luftës nacionalçlirimtare ” që e vërshuan ekranin e kinemasë e të televizionit, sikur ta kishin bërë namin partizanët me katër- pesë pushkë që i shkrepën në majë të malit. Por është e habitshme dhe e çuditshme që askujt nuk iu kujtua as pas 26 vjetësh të rënies së diktaturës.
Për ta ngushëlluar veten për këtë dështim në nivel të dy shteteve dhe të përmasave kombëtare (themi se jemi shtatë milionë shqiptarë, kur duam të lavdërohemi), sepse mosbërja e filmit për Gjergj Kastriotin është dështim i kombit, edhe pse kishte përpjekje në nivel mediesh e individësh me zemër të mirë që filmi për Gjergj Kastriotin të bëhej në Hollivud, duke imagjinuar që të dilte i përmasave të filmit “Troja”, “Gladiatori”, “Aleksandri i Madh” etj. Por edhe për t’i lëvizur ingranazhet e Hollivudit duhet këllqe. Filmi i Hollivudit nuk e përjashton obligimin tonë. Ku qëndron arsyeja e mosbërjes së spektaklit historik për luftën e shtetit të Arbrit kundër turqve? Janë të pazotët kineastët, skenaristët e producentët t’i qaseshin një teme të tillë? Nuk donin të ballafaqoheshin me kundërshtime? Nuk gjetën atmosferë mbështetjeje e inkurajimi? Apo ishte një qëndrim i heshtur që për shkak të rrethanave politike , të mos acarohej aleati i tyre “strategjik”, sikurse e quajnë analfabetët tanë politikë kreun e shtetit të Turqisë. Mungesa e parave është një nga arsyet, por paraja nuk është e pakapërcyeshme. Cilido producent që do të merrte peshën mbi shpatulla për të bërë filmin për Gjergj Kastriotin, do të kërkonte mbështetjen financiare së pari nga shteti, sepse jo vetëm në Shqipëri e Dardani, po në tërë Evropën është shteti mbështetësi kryesor i kinematografisë kombëtare. Shteti shqiptar duhej ta mbështeste, sidomos në vitin e Gjergj Kastriotit. Mirëpo, shteti nuk e shpalli asnjë konkurs kombëtar, madje nuk u mor fare me këtë punë. Sikur ta kishin kombet tjera një kolos të tillë do t’i bënin dhjetëra filma, ashtu sikurse i kanë bërë për heronjtë e tyre. Ndonjëherë kam përshtypjen sikur nuk e ndiejnë dhe nuk e përjetojnë këtë temë, jemi tëhuajësuar e depersonalizuar në shkallë të tillë, saqë nuk na bëhet vonë për asgjë, as për vepra artistike të kësaj natyre. A kemi ne kronika, romane, drama e tregime për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun? Kemi, megjithëse shqiptarët kanë shkruar më pak se të huajt për heroin tonë. Dihet aq shumë për atë periudhë, e kohëve të fundit janë ndriçuar detaje të panjohura më parë, saqë nuk do të ishte vështirë të bëhet skenari a skenarët origjinalë, ose të adaptuar nga kronika e Marin Barletit, vepra e Naim Frashërit, Fan Nolit, Aurel Plasarit, Kristo Frashërit etj. M’u kujtua romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, i cili me përshtatje, mund të shndërrohet në skenar filmi dhe pastaj në film. Është vizaualisht i kapshëm, filmikisht jo i vështirë për realizim. Pastaj “Skënderbeu” i Sabri Godos është material i mirë letrar
për adaptim. Pra mungesa e romanit, por as e tekstit bazë nuk është arsye. Shkoi edhe viti i Gjergj Kastriotit, ndërsa ne nuk e bëmë asnjë film për luftën e Arbrit kundër pushtuesit, po çka është më e keqja nuk bëmë as përpjekje. Filmat me temë nga e kaluara janë thembra e Akilit për kinematografinë shqiptare, i kanë bërë dhe i bëjnë me pikatore, ndërsa na kanë vërshuar temat e kota, me marrëzira e banalitete./ KultPlus.com
1. Shtrimi i iftareve (darkave beduine) në rrugë, trotuare e në çadra është fenomen (i ri), i shëmtuar që e ka pushtuar Dardaninë. Kur i sheh të mjerët e Dardanisë se si e çapëlejnë kofshën e pulës si të mos kishin ngrënë me javë, të mbërthen sikleti. Nuk e di jemi në shkretëtirën arabe të shekullit VII, apo në Dardaninë evropiane të shekullit XXI. Si pa të keq modën beduine të iftareve në rrugë e filluan shoqatat vehabiste-terroriste, e vazhduan shoqatat tjera islamike të burimeve të dyshimta financiare, ndërsa tash në organizimin e iftareve mbizotëron KFOR-i turk e ambasada turke, që i fusin duart kudo. Të përzihet në lukth kur sheh qindra burra e fëmijë, të veshur keq si të ishin në shkretëtirën arabe, që kanë bërë rrugë tërë ditën pas deveve (gamileve). Fatkeqësisht KFOR-i turk, pos varfërisë së shqiptarëve, e shfrytëzon edhe varfërinë e skajshme të komunitetit jevgë që vijnë për bukën e gojës nga Shqipëria.
2. Moda e darkave beduine i ka infektuar zyrtarët “evropianë” të kryeqytetit e të qyteteve provinciale mu sikur infektoheshin kur ishin fëmijë nga zhuga. I ngjitet njërit zhuga, i kalon tjetrit. Organizojnë shtetarët iftare për t’ia bërë qefin Turqisë e shteteve arabe, organizojnë iftare për të përfituar për xhepin e tyre, sepse për vota nuk e bëjnë, përkundrazi humbasin vota.
Hoqën dorë këta shkretanë nga darka tradicionale shqiptare-Darka e Lamës dhe e përqafuan darkën arabe.
3. Zhuga e darkave beduine (iftareve) i ka infektuara edhe disa kategori të intelektualeve të rrejshëm që e imitojnë beduinin e deveve si majmuni njeriun. Nuk agjërojnë, nuk e respektojnë asnjë rit myslimanë, e megjithatë janë dyfytyrësh e konformistë, thërrasin mysafirë për iftar, ose shkojnë mysafirë në iftare, mu si shkonim dikur në darkat evropiane në fundjavë me miq. Çfarë degjenerimi moral e kulturorë, çfarë turpi!
Kosova është i vetmi vend në Evropë ku varret e të krishterëve e myslimanëve janë të ndara, ku të krishterin me asnjë çmim, zyrtarët komunalë nuk lejojnë ta varrosin në varret komunale.
Bashkësia Islame e Kosovës me ndihmën e zyrtarëve komunalë ua ka ndaluar shqiptarëve katolikë e protestantë t’i varrosin të vdekurit aty ku varrosen myslimanët. Sipas arsyetimeve të zyrtarëve komunalë nuk mund të përzihen varret, sepse, thonë ata, u fyekan myslimanët!
Ndarjen e varreve të shqiptarëve sipas fesë e ka bërë pushtuesi turk, e ka thelluar pushtuesi serb dhe po e vazhdon përçarjen pushtuesi i ri- Bashkësia Islame e Kosovës që e bënë ligjin të ne, i terrorizon shqiptarët e fesë tjetër dhe ata që nuk janë besimtarë.
Zyrtarët komunalë, të ndërsyer nga BIK-u e forcat më antikombëtare i nëpërkëmbin shqiptarët e krishterë, i terrorizojnë e i fyejnë me të nisur procedurat e varrimit. Në Gjakovë kur qeveriste M. Kusari, një shqiptari ia shkulen kryqin nga varri, në Prishtinë para dhe pas luftës ua kanë përdhosur varret, në qytetet tjera, “shumica myslimane” i terrorizon shqiptarët e krishterë, por gjërat heshten për hir të “tolerancës fetare!”
Kur priftërinjtë e pastorët ankohen në instancat më të lata, zyrtarët tanë u thonë: “Nuk mund ta lejojmë varrimin e shqiptarëve të krishterë me myslimanë, sepse nuk do ta lejojnë myslimanët, nuk e lejon as Bashkësia Islame e Kosovës. Po ua dhamë lejen, natën do t’ua rrënojnë ekstremistët islamikë, ashtu sikurse po ua rrënojnë, ndërsa jemi të pafuqishëm t’u dalim në mbrojtje!” Ç’do të thotë kjo? Se myslimanët e BIK-ut e paskan të drejtën absolute të varrimit në varrezat e caktuara nga shteti? Se myslimanët u lënduakan nëse hapet një varr i të krishterëve pranë varrit të myslimanit? Se shteti qenka vetëm i myslimanëve? Apo se shteti u dorëzua para kriminelëve që përdhosin e rrënojnë varre? Ku jetojmë zotëri të nderuar deputetë e kryeministër?
Në Evropë, ku varret e të krishterëve, myslimanëve, hebrenjve e budistëve nuk ndahen, apo në shtetet islamike, ku i krishteri nuk guxon të varroset pranë myslimanit? Si është e mundur që edhe pas 18 vjet çlirimi shqiptarët e krishterë diskriminohen, kurse myslimanët privilegjohen, ashtu si i privilegjoi dikur Serbia. E lejoni ju edhe më tutje këtë diskriminim të pafalshëm e kriminal? Pajtoheni ju që shqiptarëve të krishterë t’u ndalohet varrimi në varret e komunës që pa të drejtë i ka pronësuar Bashkësia Islame? Jemi shtet laik apo islamik? Duam të vazhdojmë me modelin e Bangladeshit, Arabisë Saudite e Iranit, apo duhet të marrim modelet e shteteve evropiane, SHBA-ve e Kanadasë? Patëm mundësinë ta merrnim traditën e mirë të Shqipërisë, ku bashkëkombësit tonë (ortodoksë, katolikë, myslimanë e ungjillor) i varrosin në një vend.
Por nuk e bëmë, e morëm traditën arabe e anadollake. Ju e dini se koalicioni i krishterë euro- amerikanë e bombardoi Serbinë dhe e çliroi Kosovën.
Ju e dini se duke i diskriminuar shqiptarët e krishterë, zyrtarët tuaj po i fyejnë e diskriminojnë gjyshërit tuaj që ishin të krishterë para se t’i bënin turqit me dhunë e me përdhunime grash myslimanë. Ju e dini se BIK-u është bërë fabrikë e vdekjes, sepse për secilën kufomë myslimane që e varros marrin nga shteti mbi 250 euro, në Prishtinë tarifa e vdekjes është 290 euro. Ju e dini se Stejt Departamenti Amerikanë e akuzoi shtetin tonë se e financon BIK-un e islamizmin.
Në Kosovën tonë e tuajën janë përdhosur e dëmtuar qindra varre të shqiptarëve të krishterë, por nuk është kapur e nuk është dënuar asnjë kriminel për këto përdhosje. I shikon nëpër gishtërinj policia e prokuroria këto akte të shëmtuara të prishjes së varreve, apo solidarizohet me keqbërësit?
Është urgjente që të ndërpritet praktika e dënueshme e diskriminimit të shqiptarëve të krishterë; të përcaktohet me ligj se në varret komunale do të varrosen të vdekurit e të gjitha besimeve, ashtu si në tërë botën e qytetëruar; të zbatohet ligji e të dënohen zyrtarë që bëjnë diskriminime fetare, në emër të shtetit apo në emër të fesë tjetër; të dënohen zyrtarët që pengojnë varrimin në varre të përbashkëta. Shqiptarët katolikë janë mësuar me diskriminim e përbuzje, i diskriminoi pushtuesi mizor turk, i diskriminoi pushtuesi i egër serb, po i diskriminon shteti ynë me BIK-un që është mbi shtetin. Ata po e përballojnë në heshtje e durim diskriminimin.
Por a duhet ta durojnë shqiptarët diskriminimin e bashkëkombësve nga mendësia anadollake shkretinore në shtetin e dytë të Arbrit? Intelektualët shqiptarë, opinioni publik, i pa ndotur nga fryma shkretinore dhe i pa korruptuar e i pa fëlliqur nga Turqia, duhet të reagojnë, duke iu drejtuara instancave perëndimore e SHBA-ve për ndihmë kundër diskriminimit fetar. Ndërpriteni arrogancën e mendësinë mesjetare të diskriminimit që e la Turqia e Serbia, ndërsa vegla e tyre BIK-u po e zbaton me ndihmën e zyrtarët të korruptuar. Zbatojeni traditën e mirë të Shqipërisë, ku të krishterë e myslimanë nuk diskriminohen, por janë të barabartë në varreza./KultPlus.com
Organizata turke TIKA, që merret me rrënimin e monumenteve të kulturës materiale e shpirtërore të arbërorëve-shqiptareve, në vitin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ka paraparë ndërtimin e 18 xhamive, teqeve e objekteve islame në kështjellat e qytetet shqiptare.
Ndërtimet do të bëhen mbi kishat e manastiret katolike. Në dhjetëvjetëshin e fundit kjo organizatë islamike që përpiqet të ringjallë me agresion fantazmën osmane, ka ndërtuar 250 xhami, teqe e objekte islamike në kështjellat shqiptare e vendbanimet ilire-arbërore.
Në emër të kinse rinovimit ka falsifikuar e shëmtuar gjeografinë arkeologjike të Shqipërisë mesjetare më keq se çdo hordhi barbare në dymijë vjeteshin e fundit.
Me intensitetin e punimeve të TIKA-s për shlyerjen e kujtesës shqiptare për disa vjet nuk do të mbetet asnjë gjurmë e kulturës materiale e shpirtërore të mesjetës, kështjellat tona nuk do t’i ngjasojnë kështjellave të Arbrit, por kalave osmane me xhami, teqe e hamame, ashtu sikurse i shëmtoi Perandoria osmane pasi e pushtoi Shqipërinë.
Turqia me pëlqimin e qeverive shqiptare të korruptuara ka falsifikuar kulturën materiale e shpirtërore të shqiptarëve, ka fshirë mesjetën arbërore, nga evropianë e ka bërë aziatike.
Aty ku duhej të ishte shtatorja e princave të Arbrit, turqit duke i korruptuar qeveritarët shqiptarë të te gjitha niveleve kanë vënë pllaka përkujtimore për sulltanët- gjakatarë që vranë shqiptarë. Shqipëria vitin 2018 e shpalli vit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeu, ndërsa është e kundërta, viti 2018 është vit i Turqisë në Shqipëri. Gjergj Kastrioti mbreti i Arbrit i ka ditët e numëruara në shtetin e vet. Sulltanët e xhamitë do t’ia zënë vendin. Është mashtrim kur thuhet se sivjet është viti i Gjergj Kastriotit, sepse shteti shqiptar nuk ia kushtoi asnjë shtatore, kështjellë të rinovuar e monument princave të Arbrit e Gjergjit të madh.
Ndërkaq, Turqia e shënoi këtë vit në Shqipëri me qindra kushtime sulltanëve vrasës, islamit që bëri gjenocid ndaj shqiptarëve dhe osmanëve që gati na shfarosën. Nuk mund të gjendet një shtet tjetër në Evropë e në Azi mbi të cilin ushtrohet dhunë e tillë kulturore e shpirtërore sikurse mbi Shqipërinë e shqiptarët nga Turqia, me lejen e zyrtarëve vendës. Shqipëria është nën vasalitet të pështirë. Habitë reagimi i pakët i shkrimtarëve, artistëve dhe i elitës kulturore shqiptare. Sikur të reagonin me vendosmëri e me kohë sigurisht do ta pengonin vandalizmin turk. Ashtu si reaguan me vendosmëri artistët shqiptarë kundër rrënimit të Teatrit Kombëtar, duhej e duhet të reagonin edhe kundër vandalizmit të Turqisë ndaj kështjellave e monumenteve shqiptare. Heshtja i ka dy mesazhe: i kanë shushatur artistët shqiptare me fonde turke ? Apo strukturat e caktuara islamike u bëjnë presion te tmerrshëm që t’ua mbyllin gojën?
Gjendja është e njëjtë edhe në Dardani. Në katedralen e Prishtinës, aty ku u varros Pjetër Bogdani, Turqia e rindërtoi xhaminë më të madhe në kryeqytet. Janë rindërtuar nga themelet qindra xhami e teqe, që s’kanë asgjë të përbashkët me ato që ishin dikur, s’kanë asnjë vlerë trashëgimie. Mbishkrimet në xhamitë e rindërtuara e në Teqenë e re të Bektashinjve në Gjakovë, TIKA i ka vënë në gjuhën arabe, sikur të ishe në mesjetën osmane a në ndonjë shtet arab. Prishtina e Pjetër Bogdanit dhe Gjakova e Gjon Nikollë Kazazit nuk e kanë asnjë përkujtim për kolosët shqiptar, ndërsa janë ndërtuar qindra xhami turke e teqe iraniane./KultPlus.com
Në kohën e mbretit Zog shqiptarët i dërgonin fëmijët e tyre në shkollat franceze, amerikane e italiane. Nga Dardania e okupuar elita shqiptare, veçmas shqiptarët katolikë i dërgonin fëmijët në shkollim në Itali, Gjermani e Francë.
Fatkeqësisht pjesën më të madhe të asaj elite që dolën nga shkollat franceze, italiane, amerikane e gjermane Enver Hoxha i pushkatoi apo i kalbi në burgje. Të njejtën gjë e bëri edhe Jugosllavia e Josip Brozit me elitën intelektuale në Dardani e territorët tjera shqiptare.
Në shekullin XXI në Shqipëri e në Dardani një pjesë e elitës politike intelektualisht të retarduar kanë nis t’ i dërgojnë fëmijët e tyre në mejtepet turke të Gylenit e Erdoganit.
Godina e shkollës së famshme të Hari Fulcit sot është shndërruar-degraduar në Medrese turke për femrat shqiptare! Shembulli i shkollës me nam të vajzave “Nëna Mbretëreshë” të para nëntëdhjetë vjetësh në Tiranë, ka degjeneruar sot në shkollën e vajzave të mbuluara po në kryeqytetin shqiptar si në mesjetën arabe.
Është fatbardhësi që këta nxënës nuk janë shumë, ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve kryejnë shkolla të qytetëruara shqiptare, amerikane e të Evropës Perëndimore. Se ku do ta fusin kokën fëmijët shqiptarë me mejtepe turke, athua e kanë menduar prindërit mendjeshkurtër?/KultPlus.com
Perandoria turke që nga fillimi i islamizimit të dhunshëm në Gadishullin Ilirik, i shpalli luftë kombit dhe gjuhës sonë. Luftën nuk e pushoi asnjëherë. Me Shqipërinë nuk bëri armëpushim e paqe, ndërsa bëri armëpushim e lidhi marrëveshje paqe më Serbinë, Greqinë, Rumaninë e Bullgarinë. Me Shqipërinë nuk i përcaktoi as kufijtë, që do të ndalte sulmet serbe, greke e malazeze, por bëri marrëveshje të fshehtë ushtarake me armiqtë tanë, duke ua dhënë territoret shqiptare fqinjëve kriminelë, pasi ushtria turke i vrau e ua dogji shtëpitë shqiptarëve.
Turqia po ashtu lidhi një varg marrëveshjesh me Serbinë e Greqinë për zhvendosje të popullatës: dha grekë nga Anadolli e mori shqiptarë nga Selaniku, Trakia lindore e Çamëria. Turqia bleu me para shqiptarë të okupuar nga Serbia dhe i dërgoi në fund të Anadollit për t’ia ruajtur kufijtë me Kurdistanin.
Edhe gjatë okupimit turk, bullgarët, serbët, grekët e rumunët patën të drejta e privilegje, i kishin shkollat laike e predikimin në kisha në gjuhën e tyre amtare, nuk i detyronin me forcë të shkonin në luftërat e perandorisë turke, ua pranonin kombin, gjuhën e fenë.
Ndërkaq shqiptarët Porta e lartë i vriste, i ndiqte, nuk ua lejonte gjuhën shqipe në shkolla e në predikimin fetar.
Që ta përshpejtonin shkombëtarizimin, zyrtarët turq lejuan hapjen e 3000 shkollave në gjuhë greke bullgare, serbe e rumune në krahinat shqiptare, por shkolla shqipe nuk lejuan. Xhamitë i ndërtuan mbi kishat shqiptare katolike e ortodokse, ndërsa nëpër xhami urdhëruan lutjet e predikimi në arabisht e turqisht. Kishat ortodokse e katolike ua morën shqiptarëve e ua dhanë serbëve.
Deri vonë në Shqipëri (Dardania ishte një tërësi me Shqipërinë) hoxhallarët i sillnin nga Turqia, Rusia e Arabia. Dikur nisën t’i rekrutonin edhe nga territoret shqiptare, kryesisht ardhacak aziatikë të natyralizuar, por më parë ua shpërlanin trurin, i bënin antishqiptarë të tërbuar. Sot pjesa më e madhe e hoxhallarëve janë antishqiptarë sa edhe serbët.
Meqë luftën kundër shqiptarëve nuk e kanë pushuar, myslimanët nuk luten shqip. Prandaj shqiptarët që deklarohen myslimanë janë shtresa më e nëpërkëmbur dhe më e diskriminuar në dy shtetet e tyre.
Një armatë hoxhallarësh gjysmë analfabetë, i nëpërkëmbin besimtarët, ua përbuzin gjuhën, i fyejnë kombëtarisht, i trajtojnë si dele, ua heqin qeleshen dhe i detyrojnë të vënë kapele beduinësh. Edhe hoxhallarët mbajnë kapele beduini ose çallme osmane. Kjo kope besimtarësh që shkon në xhami e lutet në gjuhën që nuk e kupton s’ka si të trajtohet ndryshe./KultPlus.com