Mbrëmë me një ceremoni solemne u hap Ekspozita Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, me kurator Muhamet Ahmeti-Metis, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku mbi 40 artistë nga 15 shtete të botës, prezantuan krijime të tyre artistike.
Me një fjalë rasti kuratori Muhamet Ahmeti-Metis, i falënderoi artistët nga vendet e largëta që konkurruan me veprat e tyre në këtë edicion. Po ashtu ai foli për rëndësinë e saj dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë dhe vendorë të cilët po krijojnë njohje dhe ura bashkëpunimi.
Ndërsa, zyrtari për kulturë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Naser Shatrolli, ceku se “Në filozofinë e kësaj ekspozite piktorët vendës dhe ata ndërkombëtarë kanë paraqitur përkatësinë e tyre krijuese, që përkon me mendësi të caktuara të shoqërive prej nga vijnë ata”.
Po ashtu gjatë kësaj ceremonie juria profesionale me kryetar Safet Spahiu nga Maqedonia e Veriut, Saimir Strati nga Shqipëria dhe Adriana Sedaj nga Kosova, ndanë edhe çmimet për veprat e këtyre artistëve:
Majlinda Kelmendit i u nda çmimi i parë “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, Çmimi Special iu nda Adem Rusionvcit dhe Fehmi Hoxhës nga Kosova, Orhan Cebrailoglun nga Turqia dhe Nehat Beqirin nga Maqedonia e Veriut.
Ekspozita Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART, është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 20 janar 2024./KultPlus.com



