Gara e dytë e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (Balkan Composers Competition in Prishtina) do të mbahet prej 6 deri më 10 shtator 2021, transmeton KultPlus.
E themeluar më 2018 si platformë për promovimin e muzikës së kompozitorëve të Ballkanit, BCCP vjen si rezultat i bashkëpunimit të DAM Fest (Kosovë) dhe kolektivit “Oerknal” (Holandë). Ndryshe prej paralajmërimit, gara bienale, nga formati hibrid do të mbahet tërësisht në formatin “online” dhe pas modifikimeve të fundit jemi të lumtur ta prezantojmë programin e edicionit të dytë. Përveç garës e cila nga 6 finalistë do të nxjerrë fituesin e çmimit kryesor “Rrëqebulli i Argjendtë”, BCCP ka edhe programin artistik i cili këtë vit sjell katër koncerte, radio-performancë / DJ set dhe DAMcademy (Shkolla për Muzikën e Re).
Seria e ngjarjeve “online” do të nis me transmetimin e koncertit të flautistes Susanne Peters, respektivisht finalen e garës ku do të interpretohet 6 vepra të 6 kompozitorëve finalistë, garues për çmimin “Rrëqebulli i Argjendtë”. Sivjet gara ka qenë e hapur për kompozitorë të lindur pas 1 janarit të vitit 2003 dhe u është kërkuar të shkruajnë një vepër për solo-flaut prej 3 deri në 5 minuta. Të drejtë konkurrimi kanë pasur kompozitorë nga 12 shtete të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia.
Finalistët e edicionit të dytë janë: Arda Bayram (Turqi), Bardh Dubovci (Kosovë), David Mastikosa (Bosnjë-Hercegovinë), Deniz Aslan (Turqi), Petra Strahovnik (Slloveni) dhe Tomislav Oliver (Kroaci). Fituesi i garës do të bëhet i ditur më 10 shtator 2021. Po ashtu jemi jashtëzakonisht të lumtur që garës i janë bashkuar tre emra eminentë të muzikës bashkëkohore: kompozitori holandez Klaas de Vries (Kryetar i jurisë), flautistja amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitori iranian Ashkan Behzadi i cili jeton e vepron në Kanada. Përveç çmimit kryesor, “Rrëqebulli i Argjendtë”, i cili shpërblehet me 500 euro dhe një vepër të re të komisionuar për DAM Fest 2023, do të ndahet edhe çmimi i publikut i cili përcaktohet me votën “online” dhe i cili përfshin vepër të komisionuar për programin e BCCP 2023 (Gara e 3-të e Kompozitorëve të Ballkanit). Për të votuar për konkurrentin e preferuar, publiku duhet të votojë në e-mailin [email protected] me emrin e konkurrentit të preferuar.
Gara e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP), është konkurs / rezidencë për kompozitorë. Është themeluar në vitin 2018 nga Dardan Selimaj – themelues dhe drejtor artistik i Festivalit DAM – dhe Rreze Kryeziu-Breznica – drejtoreshë e përgjithshme e Festivalit DAM – me qëllim të krijimit të një programi për kompozitorë nga vendet e Ballkanit të cilët mund të punojnë me instrumentistë e ansambël të klasit botëror për muzikë bashkëkohore. Udhëhequr nga dirigjenti amerikan dhe kompozitori Gregory Charette, ky program u mundëson kompozitorëve të zgjedhur që të punojnë drejtpërdrejt me anëtarët e ansamblit “Oerknal”.
Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë është mbështetur nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Fondi Holandez i Arteve Performuese dhe KOHA ndërsa është përkrahur edhe nga partnerët e garës: Fakulteti i Arteve – Departamenti i Artit Muzikor (Universiteti i Prishtinës), “Paper Gallery”, “Paper Radio”, “Lumbardhi” dhe “Kino Armata”. / KultPlus.com