Zëvendësministrja Daulina Osmani vizitoi zyret e FHK-së, ku u prit nga kryetari Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci.
Vizita u realizua në prag të organizimit të dy garave ndërkombëtare, atë të fazës kontinentale të Evropës në IHF Trophy për grupmoshat U17 dhe U19 në konkurrencën e vajzave, që do të mbahen gjatë kësaj jave në Prishtinë (11-15 tetor), si dhe në prag të ndeshjeve të kualifikimeve për Euro 2024, ku vajzat e përfaqësueses A të Kosovës do të përballen me Danimarkën.
Në IHF Trophy U17 pjesëmarrëse janë gjithsej 7 shtete (Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Shqipëria, Britania e Madhe, Azerbejxhani, Bullgaria), ndërsa në IHF Trophy U19 marrin pjesë gjithsej 4 shtete (Kosova, Bullgaria, Britania e Madhe, Malta). Të gjitha ndeshjet e këtyre garave do të zhvillohen përgjatë 5 ditëve në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Me këtë rast, kryetari i FHK-së i dhuroi mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të MKRS-së, gjersa zëvendësministrja i përgëzoi drejtuesit e FHK-së për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare duke iu uruar suksese për ekipet përfaqësuese të Kosovës në ndeshjet që do t’i zhvillojnë.
Kosova ndeshjen e parë në IHF Trophy do ta luajnë më 11 tetor përballë Azerbejxhanit në kategorinë e U17, ndërsa po të njëjtën ditë do të luajë kundër Bullgarisë në kategorinë U19. / KultPlus.com