Alberina Haxhijaj – Prizren
Mbrëmë u dha premiera kombëtare e filmit “Gardhi” me regji nga Lendita Zeqiraj, në kuadër të edicionit të 17-të të Festivalit DokuFest, shkruan KultPlus.
Genti (Arti Lokaj), është personazhi i parë që shohim në filmin e regjisores Lendita Zeqiraj, ai me një shkop në dorë i bie përqark gardhit të shtëpisë së tij. Brenda po qëndrojnë gratë e familjes ndërsa jashtë nëna e tij dhe tezja duke përgatitur fli.
Shfaqja e moshatarit të tij Xenit, të dera e shtëpisë së tij së bashku me qenin Aaj, bënë që Genti t’ia shpreh dëshirën për të pasur një qenush edhe anëtareve të familjes së tij që janë mbledhur në shtëpi. Kjo sjellë argumente në mes të të rriturve. Por, pas një mosmiratimi të shpejtë ky diskutim ndërron komplet kahje.
Ajo që shohim më pas është një përplasje në mes të gjeneratave, konflikt në mes të traditave, besimeve dhe mënyrave të reja të jetesës. Përplasje kjo e cila përmes grave që janë pjesë e filmit reflektojnë problemet në shoqëri dhe mentalitetin.
Kështu publikut në kuadër të DokuFest-it, iu shfaq edhe një film i cili e luan më së miri rolin e temës së sivjetshëm, atë të reflektimit.
“Jam shume e lumtur që për herë të parë e pash reagimin shqip-folës, dhe u kënaqa më të vërtet shumë. E falënderoj DokuFest-in për krejt punën që e bënë gati që dy dekada. Filmat çdo herë kur i kemi punuar e kemi ditur që këtu do të jetë vendi ku do bëhet premiera kombëtare”, u shpreh regjisorja Zeqiraj.
Filmi ka mjaft ngjashmëri për nga forma e realizimit me filmin e mëparshëm të regjisores, “Ballkoni”. Këtu mund të theksojmë se edhe ky film është realizuar me një kuadër. Sipas regjisores kjo vjen si arsye që ajo për filma e saj zakonisht zgjedh vetëm një moment të caktuar.
“Zakonisht zgjedh një moment të veçantë të jetës. Ai moment normal që përzgjidhet qëllimisht dhe është i imagjinuar. Pra, janë 15 minuta të jetës në një familje kosovare. Nëse ky moment zgjatë dhe është i pandërprerë atëherë pse kemi nevojë që ta ndërpresim, çdo herë nëse mundemi me e bo pa ndërprerje, në mënyrë që të jetë sa më i vërtetë”, u shpreh ajo.
Një detaj tjetër i veçantë i këtij filmi është sigurisht gardhi i shtëpisë. Një gardh i cili është i mbyllur por përsëri kalohet nga Genti. Ai i mbetur në mes të dëshirës për të adoptuar një qen, mosvëmendjes nga nëna e tij dhe një debati aspak të këndshëm në familje, kërcen gardhin dhe i bashkohet mikut të tij Xenit. Kështu Genti së bashku me Xenin dhe qenushin e tij Aaj, nisën për të kërkuar një qen edhe për Gentin.
“Gardhi sigurisht e ka një simbolikë. E dimë që gardhi është kufizues dhe nuk bon me dal përtej tij. Pra mënyra pse e kam zgjedh gardhin por edhe vet formati i filmit 4:3, që është më i ngushtë ndoshta shpreh edhe mentalitetin e ngushtë të njerëzve që nuk janë të hapur. Pra del ndoshta edhe si një lloj kritike që përfshinë edhe shumë shtresa tjera e fenomene dhe mendoj që të gjithë mund të gjejnë një mesazh aty”, sqaroi regjisorja.
Pjesë e këtij filmi janë aktorët: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina.
Për aktoren Ilire Vinca dhënia e premierës në Kosovës ishte një emocion i veçantë krahasua me parapremierën në Paris dhe premierën në kuadër të festivalit Palm Springs, ku triumfoi si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR.
“Është kënaqësi me e pa sallën plotë pasi që si artistë çdo herë kemi dëshirë me e pa reagimin e publikut. Ishte kënaqësi e rrallë sonte me i pa reagimet e juaja, me të cila mu krijua përshtypja që edhe i dhatë vulë gjithë asaj që ne jemi munduar që ta krijojmë. Prandaj, ju faleminderit shumë që i ndatë emocionet me ne”, u shpreh ajo.
‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com