“PranverArt” ekspozon punët e 51 artistëve në GAT

Galeria e Artit Tiranë (GAT) çeli mbrëmë edicionin e 15-të të ekspozitës “PranverArt” nga një grup i njohur artistësh.

“PranverArt” është një grupim artistik i themeluar në pranverën e vitit 2010. Ideja e këtij emërtimi lidhet me një kujtesë të hershme, të ekspozitës “Pranvera”, që në vitin 1972 tentoi të bëjë diçka ndryshe nga standardet e ngurta e të rrepta të asaj kohe, regjimi i së cilës edhe e dënoi këtë lëvizje.

Këtë vit, edicioni i 15-të i “PranverArt” realizohet nën organizimin e piktorit Llazar Taçi dhe skulptorit Maksim Bushi.

PranverArt është mirëpritur nga GAT me një numër më të madh pjesëmarrësish si dhe me qëllimin e vazhdueshëm të galerisë për të promovuar emra të rinj në artin shqiptar.

Ky edicion i “PranverArt”, i çelur më 14 nëntor, do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 30 nëntor dhe do të ekspozojë veprat e 51 artistëve./atsh/KultPlus.com

Arti i kukullave, së shpejti në galerinë GAT, në Tiranë

Galeria e Artit Tiranë do të sjellë së shpejti ekspozitën e veçantë të artistes e kuratores Merita Selimi, titulluar “Na ishte një herë”.

Ekspozita do të vijë në bashkëpunim me Ambasadën Japoneze, e cila duke marrë rolin e ndërmjetësuesit kulturor, do të promovojë kulturën e lashtë dhe të largët japoneze, të ekspozitave të kukullave, të cilat tashmë do të mirëpriten në kulturën dhe publikun vendas dhe e vënë në dialog me historinë , traditën dhe interpretimin bashkëkohor të kukullave shqiptare.

Me këtë qasje, GAT ftoi artisten dhe kuratoren Merita Selimi për të ndërtuar një ndërthurje artistike bashkë me një program edukativ shoqërues mbi Historinë e Kukullës Shqiptare.

Merita Selimi përveçse një artiste bashkëkohore e afirmuar, pedagoge pranë Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Tiranës, ka punuar prej 18 vitesh pranë Teatrit Kombëtar për Fëmijë, që nga skenografia, kostumografia dhe deri tek krijimi i kukullave dhe personazheve shumë te njohur dhe të dashur për publikun tonë./atsh/KultPlus.com

Festivali “Frida”, GAT ndan çmimet për artistet pjesëmarrëse

Galeria e Artit Tiranë (GAT) zhvilloi mbrëmë aktivitetin përmbyllës të Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Grave “Frida”. Ky festival i cili tërhoqi vëmendjen edhe të artisteve ndërkombëtare, frymëzohej nga piktorja simbol i feminizmit, Frida Kahlo.

Thirrja për pjesëmarrje u drejtohej vetëm artisteve gra të cilat duhet të paraqisnin vetëm 1 punë të tyre.

Juria e festivalit ka vlerësuar me çmimin e parë artisten Irena Paskali e cila vinte nga Gjermania. Me çmim të dytë u vlerësua vepra e Nimfa Pema nga Italia, me çmim të tretë, Dorota Bujak nga Polonia dhe çmimin “Artistja më e mirë shqiptare” u shpall artistja e re, Ema Bregu.

“Frida” erdhi me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Tiranë. Gjatë ceremonisë së çmimeve, krahas drejtoreshës së re të GAT, Edit Pula, ishte i pranishëm edhe drejtori i mëparshëm, piktori Abaz Hado.

Fotografitë nga Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Hapet ekspozita me dokumente origjinale për Kongresin e Lushnjës

“Kongresi i Lushnjës”, titullohet ekspozita me dokumente origjinale e hapur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Galerinë e Artit Tiranë (GAT), me rastin e 102-vjetorit të organizimit të këtij kongresi.

Ekspozita u hap në mjediset e Galerisë së Artit Tiranë dhe në të janë ekspozuar procesverbalet e secilës mbledhje të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me vendimet përkatëse, fotografitë e delegatëve të kohës, akti i caktimit të Tiranës si kryeqytet i përkohshëm, themelimi i Regjencës, si edhe fotografitë e personaliteteve kryesore që e përbënin atë.

Në një dalje të përbashkët për mediat, drejtori i DPA-së, prof.asoc.dr.Ardit Bido dhe drejtori i GAT-it, Abaz Hado, u shprehën se ekspozita “Kongresi i Lushnjës”, vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vijueshëm, me qëllimin e paraqitjes së dokumenteve dhe fotografive origjinale të ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare.

“Është kënaqësi të prezantojmë një ekspozitë me dokumente origjinale për këdo që është i interesuar, në lidhje me një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë, Kongresin e Lushnjës, që ndikoi në themelimin e shtetit modern shqiptar. Ne zhvillojmë ekspozita të tilla me dokumente origjinale, të cilat janë të pazëvendësueshme, pasi nëpërmjet tyre jo vetëm krijojmë idenë për veprimtarinë dhe ngjarjen e kohës, por edhe ‘shijen’ që përcillet përmes letrës apo fotografive, të cilat ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Prandaj ne u themi nxënësve, studentëve, të apasionuarëve pas historisë, si edhe njerëzve të zakonshëm, që duan të njohin të shkuarën përmes dokumentit apo fotografisë origjinale, të vijnë në një mjedis publik siç është Galeria e Artit e Tiranës, që ndodhet në një nga rrugët më qendrore të kryeqytetit”, tha Bido.

Në fjalën e tij, Hado bëri me dije se në kuadër të bashkëpunimit me DPA-në, parashihet nënshkrimi i një memorandumi dhe realizimi i ekspozitave të një trajte tjetër.

“Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Arkivin e Shtetit, sepse kemi një synim të qartë. Sallat e AKT nuk ekspozojnë vetëm artin pamor, por edhe dokumente. Kemi rënë dakord që së shpejti të bëjmë një memorandum bashkëpunimi, kemi plane të tjera përveç ekspozitave të këtij karakteri. Do bëjmë ekspozita edhe me fondin e pikturave që ka Arkiva e Shtetit. Ne jemi duke diskutuar. Janë vepra shumë të rëndësishme, të panjohura për publikun, dhe do kenë fatin të ekspozohen për herë të parë në Galerinë e Tiranës”, tha Hado.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 shkurt 2022 në Galerinë e Artit Tiranë. / KultPlus.com