“Gratë janë heroina” është projekti i cili po synon që në përmasa të mëdha të bëjë jehon në vendin tonë.
Ky projekt i cili tashmë është në fazën e parë të punës, ka hapur thirrje për gratë, burrat e të cilave u detyruan të migronin jashtë vendit nga vitet e 70-ta deri në vitet e 90-ta.
Do të intervistohen 50 gra nga vende të ndryshme të Kosovës të cilat do të tregojnë për jetën e tyre gjatë asaj periudhe. Përmes këtyre intervistave do të rrëfehet për vështirësitë që kanë hasur këto gra dhe në çfarë sfidash janë përballur ato në përkujdesjen e familjes pa prezencën e burrave.
Pasi të përfundojë intervistimi do të bëhet edhe realizimi i fotoportreteve të grave së bashku me një seri videosh të cilat do të përdoren për realizimin e një dokumentari që do të dëshmojë punën për këtë projekt.
Andaj të gjithë ju që njihni “gra heroina” që kanë kaluar këtë sfidë dhe mund të bëhen pjesë e projektit përmes rrëfimit të tyre, mund të lajmëroheni te Rina Statovci apo te Gaz Ejupi. / KultPlus.com