Më 19 shtator 1929, botohet në Tiranë gazeta “Arbënia”.
Ky organ shtypi u shqua për oponencën ndaj administratës së vjetër të trashëguar nga Perandoria Osmane. Këta funksionarë qenë objekt i penës shpotitëse të së përditshmes, në faqet e të cilës, ata cilësoheshin si “analfabetë” dhe “anadollakë”.
Sipas gazetës, përmes këtyre individëve kishte depërtuar në makinën shtetërore korrupsioni galopant dhe stanjacioni intelektual, duke e katandisur administratën, sipas fjalëve të Mehmet Konicës (gazeta “Arbënia” , dt. 08.05.1930) “…në një makinë të bërë me vegla të ndryshme, të shtrembra dhe këtu-atje ndonjë vegël e re”.
Për nga ndikimi në opinionin shoqëror dhe nga fryma antiqeveritare që përçonte, gazeta u ndalua nga ministri i Brendshem i kohës, Musa Juka. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto nga korrespondenca mes Legatës Italiane dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, mbi ndalimin e botimeve të gazetës “Arbënia”./atsh/KultPlus.com
Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
“Ndodhi një revolucion i vërtetë.
Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane.
Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.
Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore.
Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.”/ KultPlus.com
Ky artikull i gazetës amerikane “The Seattle Star”, i datës 29 prill 1904, botuar nga gazeta DITA është përkthyer nga studiuesi Armand Plaka dhe ka titullin domethënës: “Shqiptarët, një racë e rrallë; miq dhe armiq të turqve!” ( origj: Albanians, strange race; friend and foe of the turks).
Artikulli flet me nota vërtetë pozitive e objektive për shqiptarët, duke i vlerësuar atyre më së shumti virtytet, për të cilat ata në fakt do të dëshironin gjithnjë t’u njiheshin dhe u kundërvihet artikulimeve se ata qenkëshin “të egër”.
Por sigurisht se artikulli në fjalë na rrëfen më shumë se kaq. Ai, me termat e sotëm, do të përbënte një reklamë të mirë për një komb që sapo kishte nisur luftën për të rigjetur vetveten, në një rrugë që do zgjaste shumë e që vazhdon të hasë në shumë pengesa e sakrifica – shkruan Plaka në DITA.
Klerik mysliman në Shkodër në fillimvitet 1900
16 prill 1904, Manastir – Nga vendasit quhet Shqipëri ndërsa nga turqit njihet me emrin Arnautlluk. Për këta të fundit, shpesh ajo ka qenë një hallë në sy, ose një kërbaç në duart e tyre. Shqipëria shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Turqisë europiane në koordinatat 39 dhe 43 gradë në veri dhe laget në perëndim nga detërat Adriatik dhe Jon.
Ka një gjatësi prej 290 miljesh dhe gjerësi që shkon nga 40-90 milje. Terreni është malor me 9 varg-male me shtrije veri-jug. Maja më e lartë kap nivelin 8000 këmbë. Një tipar interesant që vihet re në këtë vend janë lumenjtë nëntokësorë si dhe liqenjtë e mrekullueshëm. Eksportet konsistojnë në pambuk, kuaj, dru dhe misër. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve antikë dhe epirotasve. Gjuha e tyre përmban disa dialekte me diferenca të theksuara. Popullsia vlerësohet se kap shifrat e 1 milion e gjysëm.
Shqipëria që shtrihet në brigjet e Adriatikut është vendi më i ashpër dhe më i paeksploruar i Europës, ashtu siç është edhe Tibeti në Azi. Ajo çka pjesa e mbetur e kontinentit nuk di rreth këtij vendi, do të përbënte material për botimin e një libri të madh. Ajo çfarë di, zor se do të mbushte dot një fletushkë. “Fuqitë e Mëdha” në të shkuarën i kanë kërkuar sulltanit ta rregullojë problemin shqiptar. Sulltani duket se nuk e pëlqente këtë ide, e vetmja mënyrë që ai ta rregullonte këtë punë, ishte nëpërmjet religjionit ….
Është tmerrësisht joshëse për një europian të shkelë në këto vise. Është po ashtu po aq e rrezikshme për një shqiptar për ta lënë shtëpinë e tij, qoftë edhe për një distancë të vogël pa u shoqëruar nga një eskortë e madhe, pasi gjakmarrja korsikane s‘ka qenë kurrë më krenare sesa ajo e shqiptarëve. Dikush mund të mendojë se shqiptarët janë të egër, por në anën tjetër, ata janë kaukazianë të gjakut më të pastër dhe renditen si populli më fisnik brenda Perandorisë osmane.
Crispi, kryeministri i famshëm Italian, ishte një shqiptar dhe postet në ushtrinë turke dhe administratën civile që kërkojnë zotësi të madhe, kanë qenë vazhdimisht monopol i shqiptarëve. Një oficer ushtrie me origjinë shqiptare, mund të dallohet fare lehtë, pasi ai nuk e ka kokën e ulur dhe vështrimin tinëzar të një turku, por mbart një vështrim të hapur me sy të shndritshëm dhe qëndrimin e një atleti.
Karakteristika të rralla e shënjojnë këtë racë. Ata janë këmbëngulës në qëllime, por me të cilët, brenda rrethanave normale, mund të merresh vesh. Fillimisht ata ishin të gjithë kristiane, por kur u pushtuan nga turqit, u asimiluan në besimin e turqve, duke u bërë kështu i vetmi popull, i cili e ndryshoi besimin në masë.
Ndjenjat e shqiptarit për turkun janë të dyzuara. Ashtu sikurse të gjitha racat e zonave të Maqedonisë, ai (shqiptari) e dëshiron pavarësinë e vet dhe e do këtë para se të vdesë Abdyl Hamiti. Ai do të luftojë për sulltanin duke u vënë në krah të tij e penguar atë për t’i dhënë pavarësinë racave të tjera.
Duke trajtuar religjionin si një levë, zyrtarëve të sulltanit u duket më e lehtë të merren vesh me shqiptarët, sesa me bullgarët, ndërkohë që këta të parët mbrojnë fuqinë e “të sëmurit të Europës”, klerikët e tyre të lartë u thonë atyre se: rebelimi nuk është dëshira e Muhametit.
Shqiptarët kanë një gjuhë. Alfabeti i tyre konsiston në 30 germa, një miksturë e rrallë greko-latine. Pushteti turk, gjithsesi, ua ndalon atyre mësimdhënien në shkolla në gjuhën e vet. Italianët dhe francezët kanë kryer një propagandë kristiane në veri dhe në jug, por kanë arritur të konvertojnë vetëm nja dhjetë mijë vetë në të gjithë vendin.
Malësor shqiptarë në fillimvitet 1900
Vetë në Turqi, diçka e tillë do të thoshte vdekje me torturë, pra që një musliman te bëhej kristian, por shqiptarët kristanë dhe muhamedanë jetojnë sëbashku pranë njëri-tjetrit. Shqiptarët janë pra, miq dhe armiq të turkut. Ata kanë luftuar kundër tij si tigra dhe po në të njëjtën mënyrë, edhe përkrah tij. Në këtë moment, ata duken se duan ta bëjnë sërish këtë gjë. Ata janë ofruar për të luftuar kundër fuqive të mëdha për sulltanin dhe para pak kohësh, e mundën atë kur ai dërgoi një ushtri për t’i shtypur.
Ta konsiderosh turk një shqiptar, është një ofezë e madhe për të dhe nuk ka gjë që do ta bënte atë të luftonte më shumë sesa ta quaje atë turk.
Një gjë për të cilën shqiptari është krenar, është se fjala e tij është po aq e barasvlershme sa një marrëveshje e nënshkruar. Kjo gjë për turqit nuk merret në konsideratë.
Disa europianë dikur kaluan në Shqipëri nën mbrojtjen e një bajraktari, miqësinë e të cilit tashmë e gëzonin, dhe që u kishte dhënë fjalën e tij për qëndrim të sigurtë të tyre. Një fis që ishte në gjak me të, vrau një pjesëtar të grupit dhe qysh prej asaj kohe, këto dy fise janë në gjak me njëri-tjetrin.
Sulltani është i lodhur nga dëmshpërblimet dhe nuk do ta nxjerrë zbuluar ushtrinë e tij për momentin në vështirësi, në Shqipëri. Sulltani dhe nëpunësit e trupit diplomatik përdorin shqiptarët si truproja. Kur një shqiptari i besohet një detyrë e tillë, apo jep fjalën, ai e mbron me jetën e vet punëdhënësin e tij.
Mikpritja e shqiptarëve është një virtyt i paarritshëm i tyre. Nëse një vrasës që arratiset nga shokët e viktimës së tij, shkel pragun e një shtëpie, edhe nëse kjo shtëpi është e vëllait të viktimës së tij, ai mund të qëndrojë për tri ditë absolutisht i sigurtë, por pas mbarimit të afatit treditor, ai duhet të largohet. Ai ka në dispozicion 24 orë për t’u larguar dhe që nga ky moment, dyert e gjakmarrjes konsiderohen të hapura.
Shqiptarët i kushtojnë vëmendje veshjes. Kostumet e tyre ndryshojnë sipas zonave, por zakonisht konsistojnë në një këmishë të bardhë, të punuar me dorë, me material prej tekstili të lehtë, me xhaketë pa mëngë, e punuar bukur me shirita kuq e zi: një brez zakonisht i kuq i lidhur rreth e qark belit, me pjesën fundore që shtrihet plot elegancë poshtë.
Rreth brezit ngjeshën thika dhe pisqolla. Pantallonat janë të lehta të ngjitura pas këmbëve, duke mbuluar këmbët deri mbi këpucë, të punuara nga vithet deri tek gjunjët. Kjo veshje finalizohet me një qeleshe të këndshme dhe ju në fund keni rastin të shihni një krijesë të veçantë. **** Nga gazeta amerikane “The Seattle Star”, datë 29 prill 1904, fq. 4. Botuar për herë të pare në shqip nga DITA. Foto kryesore: Taborr turk në fillimvitet 1900, në një ceremoni festive në qytetin e Lezhës./KultPlus.com
Gazeta “Rilindja”, e cila për herë të parë ka dalë më 12 shkurt të vitit 1945 në Prizren, konsiderohet ndër pjesët më të rëndësishme të historisë sonë, si gazeta e parë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, shkruan KultPlus.
Më 7 gusht të vitit 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që atë kohë kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës.
Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60-të. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Nga 29 Nëntori 1958 “Rilindja” vazhdon rrugëtimin e saj si gazetë e përditshme.
Më 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, kurse nga viti 2009 nuk botohet më.
Ani pse gazetë e sistemit, ajo në momente të caktuara ka ditur dhe ka gjetur forcë që të gjejë hapësirë për të dhënë edhe porosi kombëtare. Ajo veçohet për disa aksione me rëndësi për Kosovën, siç ishte rasti për hapjen e Universitetit të Prishtinës e disa aksione të tjera. Veçmas rubrika e kulturës ka prirë për nga autonomia dhe të shkruarit ndryshe për rrjedhat e letërsisë, artit, shkencës, filmit, teatrit e fusha të tjera.
Mund të thuhet lirisht se “Rilindja” ka qenë edhe çerdhe e ngritjes intelektuale pasi ajo ka tubuar në gjirin e saj intelektual në zë që më pastaj kanë bërë emër në letërsinë,artin, shkencën e Kosovës dhe më gjerë.
Si e tillë kujtojmë se ajo meriton një vëmendje më të madhe dhe një iniciativë nga institucionet përkatëse të vendit që ajo sërish të dalë dhe të jetë pjesë e medieve të tjera të shkruara që botohen në Kosovë. Sepse, ajo ishte dhe mbetet pjesë e historisë së Kosovës, me gjithë të metat dhe kritikat që mund t’i bëhen asaj nga kjo distancë kohore. / KultPlus.com
“Le Moniteur Universel” ka botuar, të mërkurën e 18 qershorit 1862, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me prodhimin e mëndafshit në Shkodër.
Turqi
Prodhimi i mëndafshit
Na kanë shkruajtuar nga Shkodra e Shqipërisë më 30 prill 1862 :
Prodhimi i mëndafshit duket se do të jetë i bollshëm këtë vit. Lajmet që na vijnë nga brenda janë të favorshme dhe prodhimtarët shpresojnë të rikuperojnë humbjet që pësuan në 1861 për këtë artikull të rëndësishëm.
Krimbat e mëndafshit kanë hyrë në periudhën e tretë dhe janë në kushte më të mira. Tregtarët që vijnë çdot vit kryesisht nga Italia për të bërë blerje të konsiderueshme të krimbave të mëndafshit në Shkodër dhe në brendësi të Rumelisë, kanë filluar të mbërrijnë dhe janë nisur drejt vendeve të prodhimit.
Nga ky port u eksportua në vitin 1861 për gati 2 milionë franga dhe Franca nuk mori pjesë në blerjet.
Në Prishtinë para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991, nisi të dalë gazeta “Bujku”, gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, isha themeluesi-kryeredaktori i parë, e nxirrnim gazetarët e punëtorët e tjerë të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar nga Serbia okupatore. Në ballinë emri i gazetës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen, sfidonte ndalimin…
-“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive…/
Para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991, në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha, e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore.
Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 Korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”. Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”. Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.
Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj edhe sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…
E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup. Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 77 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive.
Në intervistë, i pyetur se si e shihte të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, Presidenti Rugova mes tjerash theksonte: Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht.
Gazeta Rilindja – botim special në ditën e 31 Dhjetorit 2002 për festën e Vitit të Ri 2003 intervistën ekskluzive me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e botoi në pesë faqe – 1,2,3,4 dhe 5, duke nisur me kryetitullin në ballinë “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”.
Derisa zhvillonim intervistën Presidenti Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”.
Ishte ajo gazeta Rilindja që në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi. /KultPlus.com
“Le Miroir des sports” ka botuar, të hënën e 6 korrikut 1942,në faqen n°6, një rrëfim të rrallë për futbollistin e talentuar shqiptar nga Mitrovica, Riza Lushtën, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
“Nëse ka një vend i cili, nga numri dhe cilësia e lojtarëve të tij, mund të pretendojë se nuk ka asgjë për të mësuar nga askush në kontinent, kjo është Italia, fituese dy herë e Kupës së Botës, në 1934 dhe 1938, dhe palmares-i ndërkombëtar i të cilës është madhështor.
Megjithatë…
Megjithatë, trajneri i A. S. Romës, kampion i Italisë në 1912, është një hungarez, Alfred Schaffer. Asnjëherë A. S. Roma, që prej vitit 1898 që kampionati italian ekziston, nuk e kishte fituar titullin. Klubi ka arritur këtë sukses, këtë vit, me një ekip që nuk ka në radhët e tij asnjë lojtar titullar në “njëmbëdhjetëshen” e një kombëtarje. Merita e Shaffer-it është akoma dhe më e madhe.
Megjithatë përsëri Juventusi i Torinos, fitues i Kupës së Italisë në 1942, ia detyron suksesin e tij qendërsulmuesit shqiptar Lushta, i cili shënoi kundër Milanit dy herë radhasi, ndërsa ekipi Lombard, i udhëhequr nga 2 -1, dukej se do të barazonte. Nga 2-1, Piemontezët rritën diferencën në 4-1; Ishte shumë për ekipin e ri të Milanos…
Duket kështu që, edhe brenda një elite, njerëz të jashtëzakonshëm, “fate të veçanta” si Schaffer dhe Lushta arrijnë të imponohen. Sidoqoftë për Schaffer-in, kishim dëgjuar për reputacionin evropian të krijuar për shumë vite, si lojtar dhe më pas si trajner.
Por Lushta ?
Ky Lushta, aktualisht futbollisti më i njohur në Piemont, nuk ka asgjë të përbashkët me Lushtën, të quajtur Riza, i lindur më 21 janar 1916, në Nierogiza (Mitrovicë, Shqipëri), dhe i cili luajti për S. O. Montpellier gjatë sezonit 1939-1940 ?
Nëse është kështu, si mund ta shpjegojmë që nuk u fol për këtë lojtar në Francë? A nuk pati njeri për të dalluar klasin e jashtëzakonshme të një lojtari që arriti të imponohej në mesin e lojtarëve më të mirë italianë dhe që, të dielën e kaluar, shënoi dy gola vendimtarë si në paradë, pas një serie fintesh dhe driblimesh që shmangën mbrojtësit kundërshtarë nga rruga e tij, aq sa ai pati kohë për të bllokuar me qetësi topin për të shënuar në mënyrë të pandalshme?” / KultPlus.com
Ishte data 5 dhjetor e vitit 1916 kur Gjergj Fishta botoi gazetën “Posta e Shqypniës”.
Gazeta e cila do të publikohej deri në nëntor 1918. Ishte një botim i përbashkët i Kuvendit të Françeskanëve dhe Komandës së Trupave Austriake të vendosura në Shkodër gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në numrin e parë të të kësaj gazete shënohej: “Fletorja del për gjith t’mërrkurrë e t’shtundë. Drejtimi, mbarështimi e shtypshkrimi: Shkodër, Kuvendi i Françiskajve”. Ky organ shtypi pati një rëndësi të madhe në formimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në të krahas trajtesave politike të lajmeve të kohës u trajtuan dhe mjaft probleme gjuhësore, folklorike, historike etj. Në këtë gazetë artikuj të trajtuar në dy gjuhë mbanin firmat e filologëve të shquar të kohës, austriakë dhe shqiptarë. /dp/ KultPlus.com
Periodikët në gjuhën shqipe në Itali janë njëzet e pesë dhe në pjesën më të madhe, dalin edhe në gjuhën italiane.
Në Romë, Palermo, Bari e Corigliano Calabro, periodikët në gjuhën shqipe kanë pasur një jetë më të gjatë dhe kanë qenë më të shumta në numër, të shtyra nga aktiviteti i italo-shqiptarëve, të frymëzuara nga fjalët patriotike të Jeronim De Radës e Zef Skiroit, që me të drejtë, mund të cilësohen si bartësit direktë të idesë nacionale shqiptare.
Kështu shkruante më 1 shtator 1939, suplementi kulturor mujor “La Lettura”, i gazetës italiane “Corriere della Sera”, në faqen 71 të tij, në një artikull të G. Silvano Spinetti, nën titullin ”I giornali di lingua albanese stampati in Italia”. Artikulli, siç dëshmohet edhe nga vetë data e botimit, fliste nën dritën e entuziazmit fillestar të pushtimit italian të Shqipërisë, duke i bërë jehonë me këtë rast edhe propagandës fashiste, kështu që qysh në krye të herës, fjalët “kombi mik” apo “falë dëshirës së Mussolinit” janë pjesë përbërëse e tij. Por artikulli ka një vlerë të veçantë informative, pasi rendit me statistika të plota e të qarta, të gjithë historikun e periodikëve shqiptarë në Itali, duke ia nisur që nga mesi i shekullit të 19-të, kur ato nisën me “Shqiptari i Italisë” të Jeronim De Radës, e deri tek ato çka kishin mbetur, apo ishin sjellë përgjatë viteve e dekadave si prurje të reja nga komunitetet lokale apo sociale, shkencore, intelektuale e studentore shqiptare në Itali.
Në artikull veçohet fakti se kundrejt kontributeve të komuniteteve të tjera patriotike shqiptare në Stamboll, Bukuresht, Sofie e Egjipt, ai i komunitetit shqiptar në Itali kishte qenë më domethënësi dhe vinte në dukje edhe ndihmën që shteti italian i kishte vënë në dispozicion këtij të fundit për të arritur qëllimet e veta. Sigurisht, se në këtë kontekst, për ta nxjerrë edhe më në pah kontributin italian, roli negativ i osmanëve, serbëve e grekëve për ta bllokuar përhapjen e gjuhës shqipe e botimeve që do të duhej të pasonin në dekadat e fundit të pushtimit osman, barazohet edhe me atë të austro-hungarezëve, çka nuk është se përkon me të vërtetë, ose të paktën jo tërësisht.
Botimet shqip, nga Napoli në Trieste
Thelbin e artikullit e përbën lista e periodikëve në gjuhën shqipe, të botuar deri në atë kohë në Itali, të cilëve u bashkangjiteshin emrat e themeluesve, apo të drejtuesve të tyre dhe lokaliteteve ku ishin nxjerrë për botim. Kështu, sipas autorit italian, ato ishin:
Në Napoli: “Shqiptari i Italisë” (“L’Albanese d’Italia”), 1848, drejtuar nga Jeronim De Rada.
“Shqipëria e Re” (“La Nuova Albania”), 1898-1904, drejtuar nga Gennaro Lusi.
“Flamuri i Shqipëris (“La Bandiera Albanese”), 1904, drejtuar nga Zef Skiroi.
Në Corigliano Calabro: “Fiamuri Arbrit” (La Bandieras d’Albania), 1883-1887, drejtuar nga Jeronim De Rada. Revista që u publikua pas saj, doli në Cosenza.
“Illi i Arbëreshëvet”; 1896, drejtuar nga arkipeshk Antonio Argondizza.
“L’Albania letteraria”, 1897, drejtuar nga Cosmo Serembe.
“La Nazione Albanese”, 1987-1924, drejtuar nga Anselmo Loreçhio.
Në Palermo: “Arbri i Rii”( La Giovane Albania), 1887, drejtuar nga Zef Skiroi.
“Rassegna italo-albanese”, 1919-1921 dhe 1927, drejtuar nga Rosolino Petrotta.
“Cronache italo-albanesi”, 1926, drejtuar nga Francesco Matranga.
Në Romë: “Zani Shqipënisë” ( L’Echo d’Albanie), 1899, në gjuhën shqipe e franceze, nxjerrë në botim nga një grup studiuesish.
“La Gazzetta Albanese”, 1904, drejtuar nga Terenc Toçi.
“Laimtari i Shqypenies” ( L’araldo d’Albania), 1905, drejtuar nga kont Vladani.
“La rivista dei Balcani”, 1912 – 1913, drejtuar nga Terenc Toçi.
“Kuvendi” ( Il Convegno); 1918, drejtuar nga Sotir Gjika.
“Shpresa e atdheut”, 1922, drejtuar nga studentët shqiptarë.
Në Trieste: “Dashamiri”, 1907, në dialektin gegë, drejtuar nga Mati Logoreci.
Në Piana del Greci ( Palermo): “Fiala e t’in Zoti” ( La Parola del Signore), 1912-1915, drejtuar nga Monsinjor Pal Skiroi ( Paolo Schiro).
Në Bari: “Corriere delle Puglie”, 1914-1918, me një faqe në shqip nga Sotir Gjoka.
“Zana”, 1914, drejtuar nga Lulo Malësori.
“Gazeta Shqiptare”, nga 1927, drejtuar nga Raffaele Gorjoux.
Në Reggio Calabria: “Albania”, 1920, drejtuar nga Antonio Rogneta Caffarelli.
Në Torino: “Studenti Shqiptar”, 1929, drejtuar nga Odhise Paskali.
Përveç tyre, në vitet 1905-1907, Nikolla Ivanaj, nuk e dimë mirë se në cilin qytet, publikoi periodikun “Shpresa e Shqypniis” ( La speranza dell’ Albania)
Liria e Shqipërisë, fryt edhe i Italisë
Më tej, Spinetti theksonte se: Rëndësia e periodikëve në gjuhën shqipe të shtypura në Itali është e madhe, sepse pavarësia dhe liria e popullit shqiptar janë frut, përveçse i aksionit këmbëngulës dhe bujar të Italisë, të rilindjes së ndjenjës kombëtare, bërë e mundur në pjesën më të madhe, nga aktiviteti politik inteligjent dhe operacional i patriotëve shqiptarë, rezidentë në Itali, të cilët, nën dritën e Romës, jo vetëm do të përfitonin në publikimet e studimet e tyre në gjuhën shqipe, por do u siguronin atdheut, manifestime më përfaqësuese të artit dhe të letërsisë së tyre popullore, duke kontribuar në një pjesë të madhe, në ngritjen shpirtërore të bashkëatdhetarëve të shtypur në atdhe apo të shpërndarë nëpër botë.
“Shqiptari i Italisë”, e para shqipe në botë
Përsa i përket kontributeve personale të figurave të shquara nga bota arbëreshe e shqiptare në Itali, në këtë kontekst, në artikull shkruhet se: Ia vlen të kujtojmë jo vetëm “Shqiptari i Italisë”, shtypur në Napoli në vitin 1848 nga Jeronim De Rada – që u bë kësisoj e para gazetë në botë, e publikuar në gjuhën shqipe, por se kontributi madhor në çështjen e kombit mik, u çua përpara nga gazetarë të shquar, të cilët një herë e një kohë kishin qenë edhe studiues të përkushtuar, ku përveç De Radës, ia vlen të përmendim: Skiroin, Lorekion, Beniçin, Toçin, Cosmo Serembe-n, L’Argondizza-n dhe vëllezërit Gaetano e Rosolino Petrotta.
Diferencat me kolonitë e tjera shqiptare
Përballë aktivitetit të tyre, vepra e shqiptarëve rezidentë në Stamboll, Bukuresht, Sofie, Greqi, Egjipt, Amerikë, e gjetkë, mund të thuhet se është mëse modeste, sepse gazetat dhe periodikët e nxjerrë nga shqiptarët në vitet më të vështira të jetës politike të atdheut të tyre, nuk kanë pasur influencën e atyre të publikuara në Itali, për të zgjuar ndjenjën kombëtare të shqiptarëve dhe që ta bënin kësisoj të interesohej botën e civilizuar për kauzën e tyre.
Turqit, grekët, serbët dhe austriakët penguan shqipen
Dhe kur në vitin 1909, pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re turke, në vitin 1908, e cila u jepte grupeve etnike të shtetit osman të drejtën për të shtypur e publikuar gazetat në gjuhën e tyre amë, nisën edhe në Shqipëri të lindnin gazeta e broshura të ndryshme periodike, të cilat nuk arritën dot të kishin kontributin e efektin e dëshiruar pasi u bojkotuan nga Turqia, apo u penguan të penetronin nga Austria, Greqia, Serbia, por edhe sepse pjesa më e madhe nuk kishin – ashtusikurse ato të shtypura në Itali – një program të qartë aksioni dhe penetrimi.
Publicisti shqiptar në A. Cikosi, rezident në Rumani, i cili sigurisht se nuk mund të akuzohet se ushqen ndjenja të veçanta miqësore ndaj Italisë, shkruante kështu në 1896 në “Mesagerul” të Bukureshtit: “Pikënisja e çështjes kombëtare shqiptare, ka qenë shtysa e dhënë nga Italia”…
Aktualisht ekziston një periodik i vetëm në gjuhën shqipe i shtypur në Itali, “Gazeta Shqiptare”, e përditshmja për Shqipërinë në “Gazzeta del Mezzogiorno”, drejtuar nga Raffaele Gorjoux.
“Gazeta Shqiptare”, e vetmja e mbetur
Gjithë pjesa tjetër e artikullit i kushtohet më pas thuajse tërësisht “Gazetës Shqiptare” që në atë kohë gëzonte privilegjet e të qenurit pranë pushtetit dhe përdorej kështu gjerësisht si mjet i fortë propagandistik i regjimit fashist. Sipas autorit, “Gazeta Shqiptare” nisi të publikohet në Bari më 10 korrik 1927, si një supplement i “Gazzetta di Puglia”, dhe më vonë u transformua në “Gazzetta della Mezzogirono”. Ndër bashkëpunëtorët e vet – thuhej më tej në atë material – njerëzit më të shquar me kompetencë profesionale e kulturore, përveç të ndjerit Luigj Gurakuqi, ish-Ministri shqiptar i Financave, – Sekretari i Partisë Fashiste shqiptare, Tefik Mbrorja, Senatori Mustafa Merlika Kruja, Prof. Doktor Ernest Koliqi, Ministër i Punëve Botore, Doktor Nicola Lorusso Attoma, Drejtor i Përgjithshëm i Shtypit, Propagandës dhe Turizmit pranë Mëkëmbësisë së Përgjithshme të Shqipërisë. “Gazeta Shqiptare”, që mund të definohet si shprehja më e mirë dhe më e plotë e mendimit italo-shqiptar, duke e vlerësuar nga mjetet e saj të gjëra teknike dhe nga organizimi i saj i madh gazetaresk, është sot vazhduesja më e denjë e së shkuarës së lavdishme të periodikëve të panumërt italo-shqiptare, të cilët qysh nga kohët e hershme.
Botime edhe jashtë Italisë
Në paragrafet e fundit autori flet për kontributet që kishin sjellë në këtë drejtim shqiptarët e Italisë edhe jashtë saj, në komunitetet e Amerikës Latine e në SHBA. Kështu, aty thuhet se: Përveçse në Itali, shqiptarët e Italisë u bënë promovues të ideve kombëtare shqiptare edhe jashtë vendit të tyre, në dy Amerikat, me botimet e tyre si “La Questione albanese”, 1905 dhe “La Lega Albanese”, 1906, në Buenos Aires, drejtuar nga Orazio Iranni, lindur në Lungo, dhe “Afrimi”, 1922-1926, “Albania” në Nju Jork,drejtuar nga Pietro Scaglione. Lindur në Piana dei Greci. Periodiku “Albania”, themeluar në 1929, vijon të botohet në mënyrë të rregullt edhe sot e kësaj dite.
“Shqiptari” i De Radës
Origjinali u gjet shumë vonë një familje arbëreshe
Ndërsa artikulli origjinal i vitit 1939, shoqërohet me një faksimile të gazetës “Shqiptari i Italisë”, fati i versionit origjinal të kësaj gazete, e cila edhe sipas artikullshkruesit përmbushte dy rekorde më vete, do të mësohej shumë dekada më vonë, kur profesori i mirënjohur i katedrës së albanologjisë në Kalabri, Francesco Altimari, do të shprehej vetëm pak muaj më parë ( shih: Gazeta Shqip, Altimari: “Shqiptarin” e De Radës e gjetëm në një familje arbëreshe, 19 nëntor 2012) në një aktivitet të zhvilluar nga Instituti Italian i Kulturës gjatë ditëve të panairit të librit në Tiranë se: “Kopjet origjinale të kësaj gazete, nuk i kemi gjetur dot në asnjë bibliotekë, përveç dy numrave që ruheshin në Bibliotekën Campobasso. Ishte e mrekullueshme t’i gjenim në një familje intelektuale arbëreshe, që jetojnë në një fshat të Kalabrisë, të cilët kanë një koleksion të jashtëzakonshëm të revistave dhe ruajnë pothuajse të gjithë numrat e ‘Shqiptarit të Italisë”. Nga 29 numrat e kësaj gazette, na mungojnë vetëm dy, numri i katërt dhe i 16-të”, ka treguar Altimari, i cili kishte sjellë me vete një numër origjinal të kësaj gazete. /DITA/ KultPlus.com
Nga titujt nuk e merr asnjëherë lajmin e plotë, por ato të japin një ide. Kështu ndodh me disa mbulime të garës presidenciale në SHBA kohët e fundit.
Ja disa tituj që bëjnë përshtypje:
“Lewis thotë se liberalët e çmendur të qyteteve po i bëjnë njerëzit në Minesota të votojnë për Trumpin.”
“Bideni shkon në Miçigan, kujton votuesit për premtimet e shkelura të Trumpit”.
Titujt të tillë nuk janë shkruar as nga fushata e kandidatit Joe Biden dhe as nga ajo e rivalit të tij Donald Trump, apo nga partitë e tyre politike. Ato janë produkte të një brezi të ri faqesh interneti që e paraqesin veten si shërbime lokale lajmesh, edhe pse drejtohen nga njerëz të partive politike.
“Këto janë faqe partiake – disa të djathta, disa të majta, që hiqen si faqe lajmesh, por ajo që bëjnë është në thelb propagandë për një kandidat ose një pikëpamje politike të caktuar,” thotë William Freivogel, profesor i gazetarisë në Universitetin e Ilinoit Jugor.
Në këtë vit të polarizuar zgjedhjesh presidenciale, numri i portaleve të tilla partiake që hiqen si media lokale lajmesh është gati trefishuar, në rreth 1,200, sipas Qendrës Tow për Gazetarinë Dixhitale në Universitetin e Kolumbias. Ato drejtohen nga aktivistë ose këshilltarë politikë dhe të marrëdhënieve me publikun. Ato publikojnë dhe përshtasin materiale të ndryshme, duke u dhënë një këndvështrim të ngushtë partiak.
Zëri i Amerikës u përpoq të kontaktonte disa prej tyre për intervistë, por mori përgjigje vetëm nga një person, kryeredaktori i një faqeje të themeluar nga një strateg demokrat.
Në një kohë kur politikanë të ndryshëm, duke filluar nga Presidenti Donald Trump, i përçmojnë mediat kryesore si shërbime që përhapin “lajme të rreme”, studiuesit e medias shqetësohen se këto portale mund ta ndotin më tej mjedisin e informacionit, duke e bërë më të vështirë për votuesit të dallojnë faktet nga trillimet.
“Kemi parë në disa raste faqe lajmesh që mbijnë papritur, duke përdorur emrin e ndonjë gazete që ka falimentuar kohë më parë”, thotë Philip Napoli, profesor i Universitetit Duke, i cili ka trajtuar në shkrimet e tij faqet partiake të mediave. “Kemi patur një faqe interneti këtu në Karolinën e Veriut që ishte qartazi dezinformuese. Ajo merrte shkrime për ngjarje që kishin ndodhur vite më parë në shtete krejtësisht të ndryshme dhe i rishkruante ato sikur të kishin ndodhur këtu.”
Mbushja e zbrazëtisë
Në tregun mediatik amerikan ekziston një zbrazëti e madhe përsa i përket pasqyrimit të qeverive dhe lajmeve lokale. Në SHBA janë mbyllur më shumë se 1800 gazeta që nga viti 2004, sipas shifrave të publikuara nga Pew Charitable Trusts. Shumë gazeta të tjera janë shndërruar në hije të vetvetes së tyre të mëparshme, me më pak reporterë dhe më pak mbulim. Faqet e reja të internetit shpresojnë ta plotësojnë këtë boshllëk, por pa ekuilibrin ose paanshmërinë tradicionale.
Edhe pse prej kohësh ka pasur media me orientim ideologjik, si Mother Jones nga e majta, për shembull, apo Wall Street Journal nga e djathta, ato i bënin të qarta prirjet e tyre dhe gjithmonë duke ruajtur pavarësinë e lajmeve si dhe një farë distance nga partitë politike.
Portalet e reja jo gjithmonë i thonë hapur prirjet e tyre, madje as pronësinë e tyre të vërtetë. “Nëse ata nuk shesin lajme të bazuara në fakte, atëherë çfarë shesin?” pyet Anne Nelson, autore e librit Rrjeti Hije: Media, Paraja dhe Qendra e Fshehtë e së Fjathtës Radikale. “A përpiqen ata të pasqyrojnë edhe palën tjetër? A është ky raportim i bazuar në fakte? A e vrasin mendjen ata kur i paraqesin faktet gabim?” pyet ajo.
Studiuesit në Qendrën Tow zbuluan se shumica e këtyre portaleve drejtohen nga rrjete me lidhje ose prirje konservatore, por edhe e majta po hyn në lojë. Courier Newsroom, themeluar vitin e kaluar nga strategia demokrate Tara McGowan, drejton tetë portale, kryesisht në shtetet që konsiderohen si fushë beteje për zgjedhjet presidenciale.
Lindsay Schrupp, kryeredaktore e Courier Newsroom, nuk e fsheh qëllimin.
“Shumë njerëz nuk e kuptojnë plotësisht se ekziston një infrastrukturë shumë e fuqishme mediatike e krahut të djathtë që mbush boshllëkun [e lajmeve lokale] duke përdorur propagandën e djathtë”, thotë ajo. “Askush tjetër nuk po bën përpjekje të qëllimshme për të luftuar kundër dezinformimit të krahut të djathtë.”
Disa nga këto faqe kanë pak lajme origjinale. Këto janë portale të ashtuquajtura “pink-slime”, për të përdorur termin amerikan, që do të thotë se një pjesë e përmbajtjes së tyre krijohet automatikisht. Ato i ribotojnë deklaratat për shtyp drejtpërdrejt, pa sjellë gjykime editoriale për informacionin nga qeveritë lokale ose burime të tjera të interesuara.
Megjithëse faqet mbajnë emrat e qyteteve ose shteteve që thonë se mbulojnë, shumë prej tyre janë në fakt klone që publikojnë shkrime identike. Të tjera gjenerojnë përmbajtje që është origjinale, por me natyrë mjaft partiake, duke publikuar shkrime të njëanshme, duke brohoritur për njërën parti dhe sharë tjetrën.
Kur Presidenti Trump u shfaq në Miçigan kohët e fundit, një faqe konservatore e njohur si Sheshi Qendror publikoi një shkrim, ku përmendej “turma e tij e zjarrtë e mbështetësve” dhe citonte presidentin që shpallte arritjet e ve ndërsa akuzonte rivalin Biden. Mbulimi i së njëjtës ngjarje nga faqja The Gander, që i përket rrjetit Courier Newsroom në Miçigan, kritikonte Presidentin Trump për shkurtimin e fondeve për Gardën Kombëtare të shtetit, ndërsa theksonte numrin e të vdekurve nga koronavirusi dhe vinte në dukje se mbështetësit e zotit Trump ishin “kryesisht pa maska” dhe nuk praktikonin distancimin fizik.
Sheshi Qendror është një projekt i Fondacionit Franklin News. Portalet dhe rrjetet e tjera, kanë drejtues që vijnë nga grupe mendimi konservatore ose qarqe të Partisë Republikane.
Redaktorët dhe menaxherët e këtyre portaleve si dhe persona të tjerë nuk iu përgjigjën kërkesave të Zërit të Amerikës për komente ose intervista.
Tradita amerikane
Gjatë një shekulli pas themelimit të SHBA, shumica e gazetave amerikane ishin partiake, duke pranuar patronazhe që përfshinin kontrata qeveritare për shtypjen e tyre. Nganjëherë ato kishin fjalët “republikan” ose “demokrat” si pjesë e titujve të tyre.
Shtimi i gazetave që kushtonin lirë të stilit tabloid nga mesi i viteve 1800 dhe sidomos dalja e shërbimeve elektronike të lajmeve, të tilla si Associated Press, ndikoi që gazetarët të bëheshin më neutralë, sepse tani ata i shërbenin një tregu më të madh, ku nuk kishte më nevojë të ishe partiak.
Në 15 e ca viteve të fundit, aktorët partiakë janë përpjekur të ringjallin modelin e vjetër.
Gjatë mandatit të tij si guvernator i shtetit Indiana, Zëvendës Presidenti Mike Pence flirtoi me idenë për të nisur një potal shtetëror lajmesh, por u tërhoq pas kritikave. Kur republikani Bruce Rauner ishte guvernator i shtetit Ilinois, aleatët e tij drejtonin një rrjet portalesh dhe radio stacionesh që mbështesnin politikën e tij, ndërsa paraqiteshin si të pavarur. Rauner përfundimisht u nda nga ky grup.
Gjysma e të 3,143 qarqeve të vendit tani kanë vetëm nga një gazetë, sipas Fakultetit Hussman të Gazetarisë dhe Medias në Universitetin e Karolinës së Veriut ndërsa 200 qarqe nuk kanë asnjë. Kjo ka krijuar të ashtuquajturat “shkretëtira të lajmeve” dhe një ndjenjë “dëshpërimi” në biznesin e gazetarisë, thotë autori Nelson.
Faqet partiake thonë se po përpiqen të mbushin pikërisht këtë zbrazëti informacioni. Metric Media, për shembull, thotë se synon të mbushë “zbrazëtinë në rritje në lajmet lokale dhe të komunitetit pas shumë vitesh mosinvestimi në raportimin lokal”.
Zonja Nelson thotë megjithatë se portale të tilla po përpiqen më shumë për të shfrytëzuar sesa mbushur boshllëqe të tilla.
“Problemi është se njerëzit në këto qytete që mund të mos duan të paguajnë për lajme mund t’u drejtohen atyre dhe të mashtrohen nga lloji i informacionit që marrin,” thotë ai. “Nëse përdor vetëm syzet partiake, kjo nuk të jep domosdo tablonë e plotë.”
Gazetarët lokalë me të cilët kontaktoi Zëri i Amerikës nuk po u kushtojnë shumë vëmendje këtyre portaleve si konkurentë seriozë. Disa redaktorë gazetash madje thanë se as që ishin në dijeni të ekzistencës së këtyre portaleve. / KultPlus.com
Ideja ishte e Asimit dhe e Demirit. “Të botojmë një revistë”. Këtë ide e pranuan edhe shumë shokë të tjerë, sidomos Skënder Rusi, Zef Mala, Vasil Shanto, Vasil Kushi, Reshat Këlliçi, të cilët më vonë u bënë edhe si kolegjium i redaksisë. Të tjerët, që pretendojnë të kenë qenë në këtë nismë dhe në këtë kolegjium (këtu nuk po përmend emra), as që e dinin se ku qe redaksia e “ABC”-së dhe as që i pamë ndonjëherë. E vërteta është se unë u kërkova të gjithëve bashkëpunim, por thirrjes sonë iu përgjigjën menjëherë vetëm Dhimitër Shuteriqi dhe Shevqet Musaraj. Të tjerët nuk na dërguan asnjë shkrim për numrin e parë. Kryeartikulli u shkrua nga të gjithë (Asim Vokshi, Vasil Shanto, Reshat Këlliçi, Vasil Kushi, Skënder Rusi), por më në fund u vendos që ta kopjonte në gjuhën e mesme Reshat Këlliçi. Artikullin programatik e shkroi Tajar Zavalani, me pseudonimin ZAKS. Artikullin për rininë e shkroi Branko Merxhani. Një artikull problematik ekonomiko-shoqëror e shkroi Bedri Pejani, me pseudonimin “Sos”. Të hollat i mblodhi Asimi, nga grupi i oficerëve që kishin rroga të mira dhe ndihmonin kurdoherë. Shtypshkronjën e gjeti Asimi. Ishte shtypshkronja e vogël “Ora”, ku botohej dhe organi i Komunitetit Mysliman. Numri i parë doli në shkurt me tirazh 10.000 copë. Ishte tirazhi më i madh që ishte parë gjer atëherë. Revista u shit menjëherë. Në Kuçovë dërguam 3000 copë dhe Rexhep Luga, që punonte aty në postë, na dërgoi të hollat dhe kërkesa për të shkruar artikuj për punëtorët e Kuçovës, që ishte qendra më e madhe e punëtorëve…
Migjeni na shkroi një letër të gjatë, ku na këshillonte që të mos nxitoheshim e të mos i binim murit me kokë. Ai do të bashkëpunonte me revistën, por ne duhej të kishim shumë kujdes e të mos linim rast për masa administrative nga ana e qeverisë. Ne ishim për zhurmën, alarmin, paçka se revista mund të mbyllej. Na kishin thënë disa herë shokët se duhej ta shfrytëzonim këtë rast të “shtypit të lirë”, që la përkohësisht qeveria liberale e Mehdi Frashërit. Mua më caktuan si drejtor politik dhe unë iu drejtova qeverisë për lejen e botimit të një reviste artistiko-kulturore…
Përveç Migjenit, edhe Branko Merxhani, me të cilin bashkëjetoja në një dhomë, nuk e pëlqeu vrullin tonë. Ai ishte i mendimit që ne të merreshim më shumë me art e kulturë për popullin, sesa me ngritje problemesh themelore për jetën dhe shoqërinë tonë. Prandaj nuk na dha ndonjë shkrim tjetër për numrin e dytë të revistës. Më kujtohen fjalët e tij: “Keni një revistë në dorë. Mbajeni që të hani bukë ti, Asimi, Demiri e te tjerë. Po me një kusht: mos shkaktoni zemërimin e qeverisë. Ju kërkuat leje për një revistë artistiko-kulturore dhe e kthyet në manifest politik revolucionar! Kush t’i lejon këto, more Petro! Ju ende nuk e keni kuptuar mirë politikën e Zogut! Ai është i mprehtë dhe kërkon të mbretërojë i qetë dhe jo me andralla. Edhe ju e pësuat si Fan Noli! Dale, more djema! Mos u nxitoni, se Zogu nuk lejon propagandimin e hapur të komunizmit dhe të revolucionit”.
Megjithatë, numri i dytë qe edhe më revolucionar. E dërguam në shtyp. Unë shkrova kryeartikullin “Urra, mbi Tiranë”, ku thosha se të gjithë duhej të vinin në Tiranë, se vetëm në Tiranë kishte bukë, kishte jetë. Kisha shkruar dhe një artikull për punëtorët e Kuçovës: “Bajrami në Kuçovë”, ku tregoja jetën e mjerë të punëtorëve të Kuçovës, që banonin në kasolle të bëra me karton dhe thasë çimentoje. Numri i dytë mbaroi së shtypuri dhe unë me Asimin po e paketonim në shtypshkronjën e vogël “Ora”, kur na erdhën dhjetë xhandarë, me në krye kapitenin Zef Prenushi, të cilin e njihte mirë Asimi. Ai na tregoi shkresën: “Drejtori i revistës, Petro Marko, të arrestohet dhe revista të digjet!”. Ai qeshte dhe, kur hapi revistën e nisi ta shfletonte, theksonte me zë: “Bobo, ç’paska këtu! More Asim (i tha me zë të ulët), merr ca kopje dhe nxirri shpejt, se do ta djegim këtu në oborr”. I ndihmuar nga një radhitës, Asimi nxori nja pesëqind kopje që qarkulluan më vonë ilegalisht. Mua më lidhën dhe më shpunë drejt e te ministri i Punëve të Brendshme, Zoti Ethem Toto. Sapo hyra i lidhur në zyrën e tij, ai u ngrit më këmbë dhe i egërsuar më thirri: – Jo ti, po 3000 Leninë të jenë në Shqipëri, nuk e bëjnë dot komunizmin! Aq sa bëhet limoni në Peshkopi, aq bëhet dhe komunizmi në Shqipëri. Unë e kam lexuar dhe e lexoj “Kapitalin” e Marksit, por komunizmi është për vendet e zhvilluara, me industri të madhe, ku ka miliona punëtorë dhe jo këtu, ku popullin jeton në mizerie. – Pastaj e uli zërin dhe, duke më shikuar në sy, më tha:
– Agjent i Moskës! Na gënjeve, prandaj ta dhamë edhe lejen e revistës. Çt’i bëj tim vëllai, që ka besim te ju! Unë iu afrova dhe e vendosa këmbën mbi tryezë. Këpuca ishte grisur, dukeshin gishtërinjtë e këmbës… – Po të isha agjent, si thoni ju, do të kisha edhe këpucë! Unë jam agjent i atyre që janë si unë, këmbëzbathur, kurse ti, që je këtu, në këtë kolltuk, je agjent i Romës. Moska nuk ka nevojë për agjentë!”. – Hiqe këmbën! më thirri.
Unë nuk e hiqja. Atëherë ai më shtyu dhe rashë në dysheme i lidhur. Në atë çast hyri brenda Ismeti, vëllai i tij dhe i bërtiti: – Ç’bën kështu, more i marrë! – dhe m’u afrua e më ngriti. – Hiqja zinxhirin nga duart! – bërtiste Ismeti, dhe më mbante pranë. Erdhi xhandari dhe më hoqi prangat… Atëherë ministri iu kthye të vëllait, Ismetit: – Pa shiko se çfarë reviste kanë nxjerrë! Revistë bolshevike! – dhe tundte numrin e dytë të “ABC”-së, që mbante në duar. – Këta na kërkuan leje për një revistë kulturore, ashtu siç më the dhe ti, por përfituan, ia bënë fora. Po lejohet kjo? I lejon Lartmadhëria e tij këto botime bolshevike?
Më shpunë në zyrat e policisë, andej nga Rruga e Dibrës. Më mbajtën gjithë natën. Të nesërmen në orën 10.00 më çuan në Kryeministri. Më futën në sallën e pritjes. Qëndroja më këmbë. Hyri Mehdi Frashëri, kryeministri, i cili, sapo më pa të lidhur, urdhëroi menjëherë të më hiqeshin prangat. Më tha të ulesha në një kolltuk shumë të rehatshëm. Edhe ai u ul pranë meje. Më hodhi dorën në qafë dhe pak a shumë më tha këto: – Edhe unë jam persekutuar për tridhjetë vjet e ca, por nuk jam mërzitur! – Po ju, nga kush jeni persekutuar? – i thashë. Ai qeshi me të madhe:
– Nga kush persekutohet njeriu i ndershëm, ë? Ti je i ri. Mos u mërzit, dhe pa dëgjomë pakëz! – e më shikonte në sy. Ishte një burrë simpatik, që, sipas meje, nuk i bënte keq as mizës. – Ne e dimë që jemi populli më i varfër i Evropës. Por pa më thuaj pakëz, si rrojmë? Kemi një dhi, kemi një dele, një lopë, një pulë, një copë arë, hamë ndonjë kukurec, ndonjë kokë të pjekur, bëjmë përshesh me dhallë e me kos. Diçka hamë, prandaj dhe jemi gjallë, apo jo? Po ju, me shkrimet që bëni, na nxitë fare! S’kemi e s’kemi. Po, s’kemi mend në kokë! Nuk punojmë, nuk dimë të punojmë, jemi dembelë, presim nga Perëndia. Nuk dimë, jemi një popull injorant. S’themi të mos shkruani, por shkruani që jemi dembelë, që duhet të punojmë, të shtojmë bagëtinë, të shtojmë ugaret, të shtojmë pemët, të lëvizim, ta bëjmë tokën pjellore. Kemi një tokë të mirë. Apo jo? Ja, këto shkruani, more bir! Të zgjohet fshatari! Por fshatari nuk di të lexojë fare! Ç’të shkruani! Mos e bëni edhe ju si një katundar që qahej e thoshte: “S’kam gjë prej gjëje, po më vdes fëmija për bukë!”. Por ai kishte një lopë, kishte dhjetë dhi, kishte pula, kishte me se të rronte, po ama përditë avazin e Mukës: s’kam asgjë, po vdes nga uria. Ndillte të keqen. I ngordhi lopa. I ngordhën dhitë, i ngordhën dhe pulat. Aman more djalë, mos na ndillni zi, se diçka kemi. Duhet të lëvizim e të punojmë, të çalltisim, të jemi më të gjallë dhe jo të ndjellim babëzinë. Ju, si të rinj me kulturë, që e doni popullin, mësojeni popullin të jetë më i gjallë. Ai fliste shumë dhe mendimet i ilustronte me fjalë të urta të popullit. Pastaj më mori për krahu dhe më futi në kabinetin e tij, ku ishin mbledhur gjithë ministrat, këshilli ministror. Me dorën e tij në qafën time, ai, sapo u fut, tha: – Ja ku e kemi! Shiheni! Ç’t’i bëjmë, ta varim? – dhe buzëqeshi.
Nuk i vura re fytyrat e të tjerëve. Shikoja fytyrën e Et’hem Totos. Ai u ngrit e tha: – Do ta gjykojë gjyqi politik! Ka shkelur ligjet tona. Kemi ligje në fuqi. Tani jemi mbledhur këtu t’i heqim lejen e revistës. Unë ju propozoj që lejen t’ia heqim, se ka shkelur ligjet. Ka botuar një revistë revolucionare. Ja se ku është lutja që ka bërë për lejen. (E lexoi lutjen ku kërkoja leje për një revistë artistiko-kulturore). Pra, revista që nxori ky, nuk është artistiko-kulturore, po revolucionare. Kërkoj nga ju të gjithë që t’i hiqet leja. U pranua unanimisht heqja e lejes. – Tani ne s’kemi punë më me të. Punë ka gjykata politike! – përfundoi Ethem Totoja, që ishte më këmbë. Pas një ore më çuan në gjyqin politik. Aty gjeta dhe Asimin, në bankën e të akuzuarit. Më buzëqeshi dhe me këtë deshi të thoshte: “Mos çaj kokën”. Prokurori: Kiço Bisha. Kryetari i gjyqit: Bilal Nivica… Pyetjet që më bënin, ishin që të dinin se cilët fshiheshin pas pseudonimeve. U përgjigjesha se, përderisa isha përgjegjës politik i revistës, pranoja se të gjitha shkrimet ishin të miat. Më pyetën nëse kishte shkruar Asimi. Ua përsërita: – E marr unë përgjegjësinë për të gjitha shkrimet që janë botuar pa emër ose me pseudonime! Gjyqi nuk zgjati shumë. Vendimi: Internim në Porto Palermo, gjashtë muaj. Kështu u mbyll historia e revistës sonë “ABC”. Pas Çlirimit, numrin 2, që u ndalua, ma dha Ali Bakiu, që e kishte fshehur, ose, më saktë, ma dha kur i shkova në shtëpi, ku gjeta dhe Gogo Nushin. Aliu aso kohe ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. E njihja nga Demiri dhe Asimi. Ai na ruante shume shkresa dhe shtypin ilegalqë vinte nga jashtë. Atij i dhashë dhe disa fotografi që i bëra në Korçë, gra që demonstronin para prefekturës dhe xhandarë që i shtynin me bajoneta. Ishin të mira dhe u botuan disa herë me raste përkujtimesh të demonstratave. Aliu doli në kopsht, gërmoi me kazmë dhe nxori një tub të vogël prej llamarine. E hapi dhe nxori numrin 2 të “ABC”-së. E kam ruajtur, – më tha… /KultPlus.com
Gazeta “Washington Post” numri i parë i së cilës është botuar më 6 dhjetor të vitit 1877, është njëra nga më të mëdhatë në Amerikë që vazhdon të botohet në Uashington, shkruan KultPlus.
Deri më tani “Washington Post” ka fituar 47 çmime Pulitzer, kurse gazetarët dhe reporterët e saj ndër vite kanë fituar shumë çmime të rëndësishme. Kah fillimi i viteve ’70 reporterët Bob Woodward dhe Carl Bernstein u bënë të njohur për raportimin e tyre rreth skandalit “Watergate”, ndërsa pas këtij raportimi dha dorëheqje Presidenti Richard Nixon.
Kjo gazetë konsiderohet ndër kryesoret jo vetëm në Amerikë, por edhe në mbarë botën. Ajo ka të vendosura zyra në shumë vende të botës si në Bejrut, Pekin, Bogotë, Hong-Kong, Jerusalem, Londër, Meksiko Siti, Moskë, Nju-Delhi, Paris e Tokio. “Washington Post” si gazetë është dalluar për raportimin politik dhe mbi punën e Shtëpisë së Bardhë.
Që nga maji i vitit 2013 qarkullimi mesatar i gazetës për ditë ishte 474, 767 sipas Byrosë së Auditimit të Qarkullimeve duke u bërë kështu gazeta e shtatë më e madhe në Amerikë për nga qarkullimi. /KultPlus.com
“L’Albanese d’Italia”, apo në shqip “Shqiptari i Italisë”, gazetë njihet si e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar. Numri i sajë i parë doli më 23 shkurt të vitit 1848, shkruan KultPlus.
Kjo gazetë ka qenë gazetë politike, shoqërore dhe letrare në gjuhën italiane, pjesërisht edhe arbërisht. Ajo drejtohej nga publicisti më i vjetër shqiptar, Jeronim De Rada. Ai e botoi këtë gazetë në Napoli të Italisë, duke themeluar kështu edhe hapat e parë të shtypit kombëtar. Gjithashtu më 1883, ai botoi revistën e parë në gjuhën shqipe “Flamuri i Arbërit”.
Shtypi shqiptar lindi në mesin e shek.XIX. Organet e para të tij nuk mund të botoheshin brenda vendit. Ato dolën në fillim me përpjekjet e arbëreshëve në Itali e Greqi. Nga fundi i shek.XIX nisën botimin në kolonitë shqiptare disa organe me rëndësi. Gjatë kësaj periudhe, gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe hynin fshehurazi në Shqipëri. Ato informonin për jetën brenda vendit, si dhe për veprimtarinë e shqiptarëve në kolonitë jashtë vendit dhe kryesisht demaskonin shtypjen nga qeveria e Stambollit dhe politikën e fuqive të huaja ndaj tokave shqiptare./ KultPlus.com