Gazeta amerikane më 1904: Shqiptarët, një racë e rrallë, miq dhe armiq të turqve!”

Ky artikull i gazetës amerikane “The Seattle Star”, i datës 29 prill 1904, botuar nga gazeta DITA është përkthyer nga studiuesi Armand Plaka dhe ka titullin domethënës: “Shqiptarët, një racë e rrallë; miq dhe armiq të turqve!” ( origj: Albanians, strange race; friend and foe of the turks).

Artikulli flet me nota vërtetë pozitive e objektive për shqiptarët, duke i vlerësuar atyre më së shumti virtytet, për të cilat ata në fakt do të dëshironin gjithnjë t’u njiheshin dhe u kundërvihet artikulimeve se ata qenkëshin “të egër”.

Por sigurisht se artikulli në fjalë na rrëfen më shumë se kaq. Ai, me termat e sotëm, do të përbënte një reklamë të mirë për një komb që sapo kishte nisur luftën për të rigjetur vetveten, në një rrugë që do zgjaste shumë e që vazhdon të hasë në shumë pengesa e sakrifica – shkruan Plaka në DITA.
*****

Klerik mysliman në Shkodër në fillimvitet 1900

16 prill 1904, Manastir – Nga vendasit quhet Shqipëri ndërsa nga turqit njihet me emrin Arnautlluk. Për këta të fundit, shpesh ajo ka qenë një hallë në sy, ose një kërbaç në duart e tyre. Shqipëria shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Turqisë europiane në koordinatat 39 dhe 43 gradë në veri dhe laget në perëndim nga detërat Adriatik dhe Jon.

Ka një gjatësi prej 290 miljesh dhe gjerësi që shkon nga 40-90 milje. Terreni është malor me 9 varg-male me shtrije veri-jug. Maja më e lartë kap nivelin 8000 këmbë. Një tipar interesant që vihet re në këtë vend janë lumenjtë nëntokësorë si dhe liqenjtë e mrekullueshëm. Eksportet konsistojnë në pambuk, kuaj, dru dhe misër. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve antikë dhe epirotasve. Gjuha e tyre përmban disa dialekte me diferenca të theksuara. Popullsia vlerësohet se kap shifrat e 1 milion e gjysëm.

Shqipëria që shtrihet në brigjet e Adriatikut është vendi më i ashpër dhe më i paeksploruar i Europës, ashtu siç është edhe Tibeti në Azi. Ajo çka pjesa e mbetur e kontinentit nuk di rreth këtij vendi, do të përbënte material për botimin e një libri të madh. Ajo çfarë di, zor se do të mbushte dot një fletushkë. “Fuqitë e Mëdha” në të shkuarën i kanë kërkuar sulltanit ta rregullojë problemin shqiptar. Sulltani duket se nuk e pëlqente këtë ide, e vetmja mënyrë që ai ta rregullonte këtë punë, ishte nëpërmjet religjionit ….

Është tmerrësisht joshëse për një europian të shkelë në këto vise. Është po ashtu po aq e rrezikshme për një shqiptar për ta lënë shtëpinë e tij, qoftë edhe për një distancë të vogël pa u shoqëruar nga një eskortë e madhe, pasi gjakmarrja korsikane s‘ka qenë kurrë më krenare sesa ajo e shqiptarëve. Dikush mund të mendojë se shqiptarët janë të egër, por në anën tjetër, ata janë kaukazianë të gjakut më të pastër dhe renditen si populli më fisnik brenda Perandorisë osmane.

Crispi, kryeministri i famshëm Italian, ishte një shqiptar dhe postet në ushtrinë turke dhe administratën civile që kërkojnë zotësi të madhe, kanë qenë vazhdimisht monopol i shqiptarëve. Një oficer ushtrie me origjinë shqiptare, mund të dallohet fare lehtë, pasi ai nuk e ka kokën e ulur dhe vështrimin tinëzar të një turku, por mbart një vështrim të hapur me sy të shndritshëm dhe qëndrimin e një atleti.

Karakteristika të rralla e shënjojnë këtë racë. Ata janë këmbëngulës në qëllime, por me të cilët, brenda rrethanave normale, mund të merresh vesh. Fillimisht ata ishin të gjithë kristiane, por kur u pushtuan nga turqit, u asimiluan në besimin e turqve, duke u bërë kështu i vetmi popull, i cili e ndryshoi besimin në masë.

Ndjenjat e shqiptarit për turkun janë të dyzuara. Ashtu sikurse të gjitha racat e zonave të Maqedonisë, ai (shqiptari) e dëshiron pavarësinë e vet dhe e do këtë para se të vdesë Abdyl Hamiti. Ai do të luftojë për sulltanin duke u vënë në krah të tij e penguar atë për t’i dhënë pavarësinë racave të tjera.

Duke trajtuar religjionin si një levë, zyrtarëve të sulltanit u duket më e lehtë të merren vesh me shqiptarët, sesa me bullgarët, ndërkohë që këta të parët mbrojnë fuqinë e “të sëmurit të Europës”, klerikët e tyre të lartë u thonë atyre se: rebelimi nuk është dëshira e Muhametit.

Shqiptarët kanë një gjuhë. Alfabeti i tyre konsiston në 30 germa, një miksturë e rrallë greko-latine. Pushteti turk, gjithsesi, ua ndalon atyre mësimdhënien në shkolla në gjuhën e vet. Italianët dhe francezët kanë kryer një propagandë kristiane në veri dhe në jug, por kanë arritur të konvertojnë vetëm nja dhjetë mijë vetë në të gjithë vendin.

Malësor shqiptarë në fillimvitet 1900

Vetë në Turqi, diçka e tillë do të thoshte vdekje me torturë, pra që një musliman te bëhej kristian, por shqiptarët kristanë dhe muhamedanë jetojnë sëbashku pranë njëri-tjetrit. Shqiptarët janë pra, miq dhe armiq të turkut. Ata kanë luftuar kundër tij si tigra dhe po në të njëjtën mënyrë, edhe përkrah tij. Në këtë moment, ata duken se duan ta bëjnë sërish këtë gjë. Ata janë ofruar për të luftuar kundër fuqive të mëdha për sulltanin dhe para pak kohësh, e mundën atë kur ai dërgoi një ushtri për t’i shtypur.

Ta konsiderosh turk një shqiptar, është një ofezë e madhe për të dhe nuk ka gjë që do ta bënte atë të luftonte më shumë sesa ta quaje atë turk.

Një gjë për të cilën shqiptari është krenar, është se fjala e tij është po aq e barasvlershme sa një marrëveshje e nënshkruar. Kjo gjë për turqit nuk merret në konsideratë.

Disa europianë dikur kaluan në Shqipëri nën mbrojtjen e një bajraktari, miqësinë e të cilit tashmë e gëzonin, dhe që u kishte dhënë fjalën e tij për qëndrim të sigurtë të tyre. Një fis që ishte në gjak me të, vrau një pjesëtar të grupit dhe qysh prej asaj kohe, këto dy fise janë në gjak me njëri-tjetrin.

Sulltani është i lodhur nga dëmshpërblimet dhe nuk do ta nxjerrë zbuluar ushtrinë e tij për momentin në vështirësi, në Shqipëri. Sulltani dhe nëpunësit e trupit diplomatik përdorin shqiptarët si truproja. Kur një shqiptari i besohet një detyrë e tillë, apo jep fjalën, ai e mbron me jetën e vet punëdhënësin e tij.

Mikpritja e shqiptarëve është një virtyt i paarritshëm i tyre. Nëse një vrasës që arratiset nga shokët e viktimës së tij, shkel pragun e një shtëpie, edhe nëse kjo shtëpi është e vëllait të viktimës së tij, ai mund të qëndrojë për tri ditë absolutisht i sigurtë, por pas mbarimit të afatit treditor, ai duhet të largohet. Ai ka në dispozicion 24 orë për t’u larguar dhe që nga ky moment, dyert e gjakmarrjes konsiderohen të hapura.

Shqiptarët i kushtojnë vëmendje veshjes. Kostumet e tyre ndryshojnë sipas zonave, por zakonisht konsistojnë në një këmishë të bardhë, të punuar me dorë, me material prej tekstili të lehtë, me xhaketë pa mëngë, e punuar bukur me shirita kuq e zi: një brez zakonisht i kuq i lidhur rreth e qark belit, me pjesën fundore që shtrihet plot elegancë poshtë.

Rreth brezit ngjeshën thika dhe pisqolla. Pantallonat janë të lehta të ngjitura pas këmbëve, duke mbuluar këmbët deri mbi këpucë, të punuara nga vithet deri tek gjunjët. Kjo veshje finalizohet me një qeleshe të këndshme dhe ju në fund keni rastin të shihni një krijesë të veçantë.
****
Nga gazeta amerikane “The Seattle Star”, datë 29 prill 1904, fq. 4. Botuar për herë të pare në shqip nga DITA. Foto kryesore: Taborr turk në fillimvitet 1900, në një ceremoni festive në qytetin e Lezhës./KultPlus.com