Revista e njohur australiane: Shqipëria, diamanti i pazbuluar i Europës

Revista australiane që i dedikohet udhëtimeve “The Journal” i ka dedikuar një shkrim kulturës dhe natyrës së Shqipërisë.

E vendosur mes veriut të Greqisë dhe ujërave të kaltër të Italisë, Shqipëria duhet të jetë një Mekë turistike.

Me një histori të mrekullueshme, bukuri natyrore dhe kuzhinë mesdhetare Shqipëria është diamanti i pazbuluar i Europës.

Kultura
Shqipëria nuk ngjan me asnjë vend tjetër në Tokë. Pasi u sundua për 500 vite nga Perandoria Osmane, në shekullin e XX u bë një prej vendeve më të izoluar në botë, pasi diktatori komunist Enver Hoxha theu lidhjet me BRSS-në, Kinën dhe Jugosllavinë.

Historia gjeografike dhe politike e vendit, bashkë me gjuhën e saj unike, i ka mundësuar shqiptarëve të ruajnë disa veçanti të mrekullueshme kulturore. Gjëja e parë që mund të vërejë një i huaj është se shqiptarët lëvizin kokën larët e poshtë kur duan të thonë “jo” dhe e tundin kur duan të thonë “po”, duke krijuar disa çaste të këndshme deri sa arrin të thyesh barrierën e gjuhës.

Mikrobuzët, mjetet kryesore të transportit, nuk kanë tabelë oraresh, kryesisht largohen kur mbushen plotë. Por vonesat kalohen lehtësisht nga mikpritja, me kulturën shqiptare për të respektuar miqtë. Banorët përpiqen në maksimum që një vizitor në vendin e tyre të mos mërzitet. Disa qytete bllokohen krejtësisht në fillim të darkës, pasi të gjithë dalin për një “xhiro”. Një ecje tradicionale, ku do të gjeni grupe personash të veshur mirë që shëtisin deri sa të mbarojë dita në shoqërinë e miqve duke biseduar për ditën. Nëse futeni në zakonin e xhiros, jini të vëmendshëm të shihni dordolecë të vendosur nëpër shtëpi, për shkak të një supersticioni antik, kjo përdoret për të larguar zilinë.

Ushqimi
Pa dyshim që gjithë kjo ecje do ju lërë të uritur, por për fat të mirë jeni në pjesën e duhur të botës për të ngrënë. Kuzhina këtu është një përzierje e gjeografisë. Tavë kosi, mish qengji i pjekur në enë balte, vezë, kos, byrek i shijshëm i stilit ballkanik, si dhe fërgesë, një gatim me perime, gjizë dhe erëza që përkon me periudhën osmane. Por ka edhe një theks të fortë italian, kështu që një picë e mirë nuk është e vështirë që të gjendet, si dhe shumë karkaleca dhe produkte deti përgjatë brigjeve.
Zakonisht vetëm pak sekonda pasi të ulni pirunin do të njihni rakinë, një goditje e fortë për shpirtin që thuhet se ndihmon tretjen. Por nëse dëshironi diçka më të butë, terreni i larmishëm i vendit ofron një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme verash lokale që do ju duhet t’i mbani shënim, por mund të provoni edhe birrat lokale si “Korça” apo “Tirana”.

Qytetet

Tirana
Birra e shijshme quhet njësoj si kryeqyteti Tirana, një qytet i mbushur me ngjyra, hapësira të gjelbërta dhe një personalitet të fuqishëm. Mund të filloni duke eksploruar bunkeret e saj, Hoxha ishte paranojak për luftën dhe mendimet e tij janë përkthyer në 750 000 bunkeret në gjithë vendin. Mund të filloni me “Bunk’Art”, një bunker gjigant sapo del nga qyteti që është transformuar në një muze të artit bashkëkohor. Bunkere të tjerë më të vegjël janë transformuar në klube nate, muze, kafene madje edhe shtëpi!
Piramida e rrënuar dhe plotë piktura në qendër të qytetit u dizenjua nga vajza e Hoxhës si një muze në kujtimin e tij. Ajo u ndërtua në vitin 1988, por vendasit e panë të arsyeshme ta lënë atë të rrënohet për të kujtuar Hoxhën. Ndërsa të rinjtë e Tiranës kanë vajtur më larg, duke e përdorur piramidën si një rrëshqitëse gjigante. Pasi dielli perëndon, merr një xhaketë ose një karton për ta mbajtur poshtë që të rrëshqisni për të kaluar disa çaste të thjeshta argëtimi.

Kruja
Në veri të Tiranës është Kruja, vendlindja e heroit kombëtar Skënderbej. Qyteti mesjetar në buzë të Malit Kruja ka qenë dikur kryeqyteti, por sot është një qytezë e vogël e ngulitur në historinë e Shqipërisë. Merrni një dozë historie në muzeun etnografik, eksploroni fortesën, hyni në xhaminë disa shekullore të vjetër, shihni artizanë vendas që punojnë në anë të rrugës dhe kërkoni për orendi shtëpie dhe objekte antike në tregun e vjetër osman, një vend perfekt për të kaluar një ditë larg kryeqytetit.

Berati
Berati, që ndodhet në listën e UNESCO-s, që quhet “qyteti i një mbi një dritareve”, është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha osmane dhe shtigjet e pjerrëta me kalldrëm që të dërgojnë në kështjellën e shekullit të 13-të. Ndërsa në lumin Osum që rrjedh poshtë mund të zhvillohen aventura me rafting nëpërmjet kanioneve të tij, ose shëtitje të këndshme pasdite për më pak të guximshmit.

Shkodra
Kryeqyteti i veriut, Shkodra, mendohet të jetë një prej qyteteve më të vjetra në Europë dhe shpesh konsiderohet si zemra kulturore e vendit. Shihni statujën e heroinës Nënë Tereza, shëtisni në rrugët e ngushta dhe shihni urën e vjetër osmane sipër lumit Kir. Shkodra është gjithashtu porta hyrëse për disa prej zonave me bukuri natyrale të paprekur ku mund të kryhen ecje malore të mrekullueshme.

Natyra
Shqipëria ka rreth 30% të jetës bimore të Europës, ku shumica gjenden në 15 parqet kombëtare të vendit. Në veri të Shkodrës ndodhen Bjeshkët e Namuna, që nuk janë tjetër përveç se maja të mbuluara me dëborë dhe të përshtatshme për ecje malore, ose thjesht mund t’i admirosh. Në të njëjtën frymë është Liqeni i Ohrit që ndan Shqipërinë me Maqedoninë dhe me ekosistemin e tij me uji të ftohtë mendohet se është një prej liqeneve më të vjetër në botë. I mbushur me pushues vendas mund të kryeni shumë aktivitete si sportet ujore apo noti.
Bregu jugor është një prej zonave më të mrekullueshme për zhytje në Europë, ku mund të eksploroni anije të fundosura të epokës romake dhe shpella të paprekura. Madje do të keni shumë hapësirë për të kryer këtë sport, sepse zhytja ishte e ndaluar në kohën e Hoxhës për të mos lejuar njerëzit që të arratiseshin, pra ky është një aktivitet ende i ri për shqiptarët.
Ndërkohë që jeni duke udhëtuar në rrugët e fjetura pranë Liqenit të Ohrit apo rrugët plot gjallëri të Tiranës, hidhini një sy deleve, dhive apo kafshëve të tjera sepse nuk është e zakonshme të shkëmbehesh rrugës me një bari dhe bagëtinë e tij, shkruan ata./ KultPlus.com