Gazeta britanike “Metro” rekomandon Shqipërinë si destinacion për vitin 2023

Kryeministri Edi Rama ndau sot një shkrim të gazetës britanike “Metro”, e cila rendit Shqipërinë në krye të listës së vendeve që duhen vizituar në 2023.

“Edhe gazeta britanike “Metro”, këtë fundvit rendit sugjerimet për vendet që duhen vizituar në vitin 2023, ku natyrisht Shqipëria është pjesë e guidës së rekomanduar. Nga janari deri në nëntor të këtij viti 157 mijë vizitorë anglezë mikpritëm në Shqipëri, 93% më shumë se një vit më pare”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Shqipëria sipas “Metro”, është destinacioni i vitit 2023.

“Takoni destinacionin e vitit 2023. Brigjet e tij në ngjyrë karamel dhe ujërat që imitojnë Maldivet, përballueshmëria e këtij vendi jo të Eurozonës mund të jetë e parezistueshme pas faturave të frikshme të energjisë të dimrit”, thuhet në artikull.

“Metro” jep informacion mbi kostot për të mbërritur në bregdetin e Durrësit, përfshirë dhe fluturimin.

“Në prill, për shembull, fluturimet Londër-Tiranë kushtojnë nga 64 paund, nëpërmjet Easy Jet, taksitë për në Durrës fillojnë nga 15 paund dhe në bregdetin e resortit bregdetar, hoteli i mirënjohur “Cosmo” kushton vetëm 57 paund në natë. Kjo do të thotë se fundjavat mund të vijnë nën 200 paund për person, duke përfshirë kostot e tjera të mundshme”, thuhet në shkrim. / KultPlus.com

Prestigjiozja britanike: 7 arsye pse duhet ta vizitoni Shqipërinë

E përditshmja britanike “Metro” me tirazhin më të lartë në vend (1.47 milionë), i ka kushtuar në edicionin e mëngjesit të sotëm një artikull promovues Shqipërisë. Gazeta jep “7 arsye për të shkuar në Shqipëri”, të cilat variojnë që nga jeta e natës e deri tek kulinaria dhe natyra, duke e bërë kështu tërheqëse për shumë grupmosha të ndryshme.

“Mund të kërcesh tërë natën” është arsyeja e parë dhe jep si shembull festivalin butik “Kala”, i cili organizoet këtë vit për herë të parë në plazhin e Dhërmiut.

Arsyeja e dytë është “të qetësohesh në plazh”. Metro shkruan se vija bregdetare e Shqipërisë është e mjaftueshme e gjatë për ta eksploruar gjatë gjithë jetës. E përditshmja veçon rivierën e jugut, e cila është në një pjesë të madhe e pazbuluar dhe e pazhvilluar në një sens pozitiv. Edhe pse i mungojnë resortet luksoze, sipas Metro, vendi e kompenson këtë me plazhet e guvat e fshehura, si dhe me kampingjet e shpërndara përgjatë bregdetit.“Të zbuluarit një botë të lashtë” është arsyeja e tretë, e cila risjell në vëmendje pasuritë e shumta arkeologjike të Shqipërisë dhe pikat e mbrojtura nga Unesco.

Në të shkuarën mbështetet edhe arsyeja e katërt: “të rijetuarit trazirat e pasluftës”. Bunkerët e mëdha antiatomike dhe muzetë që tregojnë historinë e komunizmit e bëjnë sipas gazetës britanike Shqipërinë një vend plot sekrete për të zbuluar.

Koktejlet dhe kryeqyteti shumëngjyrësh janë arsyeja e pestë për të vizituar Shqipërinë. Gazeta vlerëson transformimin e Tiranës dhe baret e shumta që kanë lulëzuar në hapësirën e ish-bllokut.

Kulinaria është arsyeja e gjashtë dhe Metro shkruan se turistët mund të kënaqen duke ngrënë pjata të shijshme që variojnë që nga sufllaqet, sallatrat, mishi e deri tek ushqimi i freskët i detit.

Në fund, Metro ka rezervuar si arsye shumë të rëndësishme për të vizituar vendin tonë edhe Alpet e Shqipërisë, si dhe Liqenin e Ohrit. Këto janë vende ideale për të zbuluar më tepër mbi folklorin e vendit, jetën bujqësore të mbetur thuajse të pandryshuar për shekuj me radhë. Në lindje, shkrimi sugjeron të vizitojnë ujërat e kristalta të liqenit, por edhe qytetin e Pogradecit për të zbuluar më tepër mbi jetën e tij buzë liqenit./scan/