Rrëfimet për kthimin e eshtrave të Vaso Pashës në Shkodër dhe aventura shqiptare e një gazetari nga Libani

Nga Avni Dani

Ai kishte jetuar si një Pasha e qeveritar osman i fesë katolike. Kishte ndërruar jetë shumë larg vendit që e deshi aq shumë, e për të cilin pati shkruar një nga poezitë aq të bukura, saqë nuk kishte asnjë bashkëkombas që të mos e dinte. Fati i kishte rezervuar Vaso Pashës, 86 vjet pas vdekjes që të kthehej në vendlindje në një “varr pa kryq”. Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit regjimi i kohës, pas shumë përpjekjesh e peripecishë, do ta kthente “atin e shqiptarizmës” në Shkodër, aty ku kishte lindur, duke e rivarrosur sipas mënyrës së vet.

Në dy rrëfimet e mëposhtme tregohet aventuar e kthimit të eshtrave të Vaso Pashës në Atdhe, në vitin e largët 1978. Protagonistët e rrefimeve janë një diplomat shqiptar dhe një gazetar nga Libani. Dalan Buxheli e ka treguar ngjarjen në një intervistë të dhënë shumë vite më vonë për një gazetë shqiptare. Ndërsa Melhem Mubarak, e ka shkruar vetë historinë e kthimit të eshtrave në Buletini Katolik Shqiptar, që botohej në SHBA në vitet 80-90. 

1. RRËFIMI I PARË

Dalan Buxheli, ish-diplomat shqiptar në Egjipt

“Rikthimi i eshtrave të Pashko Vasës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1978 që përkonte me 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Asokohe kam qenë pjesë e misionit diplomatik të Shqipërisë në Egjipt, që mbulonte njëherazi Libanin, Arabinë Saudite, Algjerinë dhe një pjesë të vendeve të Afrikës. Operacioni për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, në të cilin bëja pjesë edhe unë, iu besua një grupi diplomatësh shqiptarë, që operonin në atë zonë të kontinentit të largët në pranverën e vitit 1978.

Shumë herë kishim qenë disa herë te vendvarrimi i Pashko Vasës, në varrezat osmane Hazmieh të Bejrutit. Vaso Pasha pushonte në një varr të përbashkët me të shoqen, Katerina Khanum. Vend varrimi i tyre në krye të varrezave dallohej që nga larg. Vendësit kishin ngritur mbi të një ndërtesë karakteristike dhe në çdo kohë çonin aty lule dhe qiri. Nderimet për Pashko Vasën prej tyre kishte të bënte me kontributet e tij për mëvetësinë dhe prosperitetin e Libanit. Në enciklopedinë libaneze njihet si figurë me kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Në Bejrut, në pjesën perëndimore të tij, ishte ngritur një përmendore e lartë e Pashko Vasës.

E vërteta është se nga shteti shqiptar deri në vitin 1978 nuk ishte bërë asnjë përpjekje për riatdhesimin e eshtrave të tij, edhe pse artikulohej me të madh roli i Vasos si pjesë e Rilindjes Kombëtare. Në pranverën e vitit 1978, kam qenë zyrtari i parë shqiptar që kam trokitur te institucionet libaneze. Autoritet e Bejrutit në asnjë rrethanë nuk pranonin të na jepnin lejen e zhvarrimit. Krahas të tjerave, fakti që vendvarrimi i Vasos ishte vakëf, ishte pengesa kryesore. Na u desh disa kohë të negociojmë derisa morëm miratimin e tyre. 


Kur dështova disa herë me radhë në negociatat me zyrtarët vendës, vendosa t’i kërkoj ndihmë një mikut tim, gazetar i njohur jo vetëm në Liban, por edhe në Perëndim, që m’u përgjigj menjëherë dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për t’i hapur rrugë “operacionit shqiptar”, për kthimin e eshtrave të ish-guvernatorit të Libanit në Shqipëri. Ai ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e ndoqi operacionin për rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga momenti i parë e deri te ceremonia e varrimit në Shkodër. E quanin Melhem Mobarak. Disa herë kisha vizituar shtëpinë e tij në Bejrut, ku kishte një bibliotekë të veçantë me 20 mijë libra shqip. E njihte mirë historinë e vendit tonë dhe interesohej vazhdimisht mbi të rejat nga Tirana. Mobarak me ndërhyrjen time vizitoi disa herë Shqipërinë dhe botoi një sërë shkrimesh lidhur me realitetin shqiptar. Ai u bë organizatori i ceremonisë së zhvilluar në Bejrut me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Pashko Vasës. Aktiviteti filloi mëngjesin e 31 maj 1978. Eshtrat e Pashko Vasës dhe të familiarëve të tij, u vendosën në një podium të lartë, në krahët e të cilit bënin roje nderi ushtarët e gardës libaneze. Kishin ardhur me këtë rast një numër i madh qytetarësh dhe autoritetesh vendëse. Folën aty njerëz të ndryshëm. Fjalën kryesore e mbajti kreu i Komunitetit shqiptar në Bejrut, një emigrant i hershëm nga Gjirokastra me profesionin e bankierit, i cili i njihte zhvillimet në Shqipëri deri para luftës. Foli përfaqësuesi i qeverisë libaneze. Përshëndeti ambasadori i Turqisë në Bejrut. Në vazhdim e morën fjalën familjarët e Vasës dhe diplomatët tanë të rajonit. Tubimi vazhdoi rreth dy orë. Pashko Vasa rikthehej në vendlindje në Shkodër pas 86 vitesh. Në ditarin e tij Melhem Mobarak shkruan: “Fati qenka vërtet tekanjoz. Vaso Pashës që pati deklaruar se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk besoj t’i kishte shkuar ndër mend se ky slogan do të aplikohej te eshtrat e tij, pasi po merreshin nga një varrezë fetare për t’u varrosur në Shkodër te një varr pa kryq.”

2. RRËFIMI I DYTË

Kthimi i eshtrave të Pashko Vasës në Shkodër

Melhem M. Mobarak

Rruga nga Bejruti në Hazmieh kalon nëpër kodra të mbushura me limonë e portokalle dhe pemë të tjera që e mbushin peisazhin plot me ngjyra. Këtë 31 maj të vitit 1978, në varrezën e Hazmieh, e njohur edhe si varreza e Pashallarëve, zhvillohet një ceremoni zyrtare. Ambasadori shqiptar Sulejman Tomcini buzëqesh: pas 86 vitesh mërgim të imponuar, trupi i Pashko Vasa Shkodranit së bashku me atë të gruas së tij të dytë, Katerine dhe vajzës së tij Marie, së shpejti do të kthehen në vendin e tij të lindjes.

Më 1883, ky patriot i madh shqiptar, autori i poemës luftarake “Oh moj Shqypni”, u emërua guvernatori i katërt i Libanit, një post që mbahej për dhjetë vjet. Për të garantuar autonominë e Libanit dhe qytetarëve të tij të krishterë, shtatë Fuqitë e Mëdha (Perandoria Osmane, Franca, Anglia, Prusia, Austria, Rusia dhe Italia) kishin nënëshkruar një marrëveshje të posaçme që përcaktonte se guvernatori ose “mutesarifi” i Libanit duhej të ishte i krishterë katolik dhe me kombësi osmane.

Me njohuri të plota të gjuhës arabe, poeti i talentuar, intelektuali dhe poligloti Pashko Vasa, shërbeu në këtë post deri në vdekje të tij.

Edhe jeta e tij familjare gjithashtu qe e trishtuar. Pasi humbi gruan e tij të parë, pak para emërimit të tij në Liban, ai u martua me Katerine Bonatin, një grua e re greke. Kjo zonjë e përgjegjëshme u kujdes për vajzën e tij të vetme nga martesa e parë. Për fat të keq, tre ose katër vjet më vonë, Katerina vdiq nga kanceri. Ky pikëllim u pasua edhe nga tjetër humbje shumë e dhimbshme. Më 1887, vdes edhe vajza e tij e bukur, Marie.

Falë reputacionit politik të babait të saj, Maria ishte martuar me një manjat financiar armen me emrin Kupelian. Me lëvizjet e mençura të tij, si dhe metodave të paskrupullta financiare dhe ryshfeve, Kupeliani arriti të institucionalizojë mbretërinë e tij të vogël në Liban, gjatë gjithë kohës që vjehrri i tij ishte në pushtet.

Situata e shpjegueshme e dobësisë dhe vetmisë, pas vdekjes së gruas dhe vajzës së tij, bëri që Pashko Vasa ta gjente ngushëllimin te dhëndërri dhe dy vajzat e tij, duke ju dhënë atyre, natyrisht shumë dashuri prej babai e gjyshi. Duke shfrytëzuar këtë dobësi Kupelian, dhëndrri i Pashait, e shtriu mashtrimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës.

Pavarësisht këtij dështimi, gjatë qeverisjes së guvernatorit Pashko Vasa, Libani gëzoi paqe, përparim ekonomik dhe zhvillim artistik. U ndërtuan disa rrjete të mëdha rrugore dhe ura. U ndërtuan shumë ndërtesa të rëndësishme qeveritare dhe spitale. Guvernatori gjithashtu ndërtoi Shtypshkronjën Shtetërore dhe inkurajoi gërmimet arkeologjike. Një herë, siç shkruan një gazetë franceze, shkoi në ceremonitë e organizuara nga studentët e kolegjit jezuit në ditën e tyre të diplomimit.

Shumë pak i njohur është fakti se Ismail Qemali, babai i pavarësisë shqiptare, u emërua Veli i Bejrutit më 1891. Pashko Vasa i kalonte dimrat e tij në atë qytet, dhe sigurisht që ata u takuan shpesh atje. Në atë kohë, me insistimin e mikut të tij Monsignor Piavi, Pashko Vasa, për të lehtësuar vetminë, ra dakord të martohej me një grua të re franceze, e cila kishte qenë kujdestarja e dy mbesave të tij. Ajo i dha atij dy djem, më i madhi prej të cilëve u quajt Mikel.

Në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa vdes, një vit përpara përfundimit të mandatit të tij dhjetëvjeçar si Guvernator i Libanit. Akush më mirë se Ismail Qemali, me një rrëfim disi të çuditshëm, nuk i ka përshkruar ditët e fundit të jetës së Pashko Vasës.

“Gjatë qëndrimit tim në Bejrut, bashkëatdhetari im, Pashko Vasa, Guvernatori i Libanit, vdiq. Ai vuante nga probleme të zemrës dhe gjendja e tij u përkeqësua shpejt, duke mos lënë hapësirë për shpresë. Meqë funksioni i Guvernatorit të Libanit ishte i rëndësishëm, dhe meqë mund të kishte shumë probleme lokale nëse ai post mbetej vakant, mendova se më së miri, pasi u këshillova më parë me mjekun, ti shkruaja rreth këtyre fakteve Portës së Lartë. Për habinë time, Veziri i Madh, në vend që ta trajtonte komunikimin tim si konfidencial, u lidh me Pashko Vasën, duke e pyetur se si ishte me shëndet, dhe pastaj më informoi se ai kishte marrë një përgjigje nga Guvernatori që i kishte thënë se po përmirësohej! Një ose dy ditë më vonë, ai vdiq. Porta më besoi qeverisjen e përkohshme të krahinës së Libanit, në drejtimin e Këshillit Administrativ. Por meqenëse Këshilli përbëhej nga presidenti dhe dhjetë anëtarë, në mesin e tyre u krijua një konflikt i cili i bllokoi efektivisht të gjitha vendimet administrative. Më kërkuan të ndërmjetësoja, dhe më pas arrita në një formulë të kënaqshme për të dyja palët”.


Funerali u bë në Kishën e Kapelës në Bejrut dhe trupi i tij u vendos në varrezat fetare në Hazmieh. Ky fshat i vogël, nën diellin mesdhetar dhe mes pemëve të ullirit dhe qiparisëve, që të kujtonte peizazhin shqiptar, qe një vend pushimi për të.

Kohët rrodhën…

Në vitin 1967, përpjekjet e para për kthimin e trupit të Pashko Vasës në Shqipëri, i ka bërë Dalan Buxheli (në atë kohë atasheu tregtar i Shqipërisë në Kajro). Në atë kohë, një urdhër administrativ, i lëshuar bazuar në rregulloren e varrezës “Vakëf” në Hazmieh, e bllokoi kërkesën e tij. Për më tepër, në atë kohë Libani nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.


Në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, qeveria shqiptare vendos t’u drejtohet autoriteteve libaneze edhe një herë, me një kërkesë për të kthyer eshtrat e Vaso Pashës në Atdheun e tij. Gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri, në mars të vitit 1978, dy profesorët, Aleks Buda dhe Vehbi Bala, më pyetën nëse unë mund të ndihmoja në këtë çështje. Pas kthimit tim në Liban, u takova me ministrin e Punëve të Jashtme, Fouad Boutros. Ai më premtoi se sapo të arrijë kërkesa zyrtare shqiptare do të merrte hapat e nevojshëm për të shkurtuar burokracitë dhe për të dhënë përgjigje pozitive për kërkesën shqiptare.

Më pas, Sulejman Tomcini paraqiti letrat e tij kredenciale në maj të vitit 1978. Unë e ndihmoja atë në të gjitha hapat që çuan në kthimin përfundimtar të eshtrave të Vaso Pashës në Shqipëri. Dhe më 31 maj ishim në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në varrezën në Hazmieh.

Një trupë oficerësh bëri nderimet ushtarake para tre arkivoleve të mbuluar me copë të bardhë. Autoritete të larta vendase ishin aty të pranishëm mes të cilëve : Y. Rassy, Mohafez i Libanit, Koloneli Dargham nga Komanda e Lartë e Ushtrisë, G. Kassouf nga ministria e Punëve të Jashtme, G. Feghali, Kryetari i Hazmieh dhe O. Arghit, përfaqësuesi turk për punë të jashtme. Pjesëtarë të familjes së Pashko Vasës ishin gjithashtu pjesëmarrës në ceremoni. U mbajtën disa fjalime të rastit dhe në fund u kryen të gjithë rite e ceremonisë. Tre arkivolet u nisën në rrugë ajrore për në Shqipëri po atë ditë.

Epilogu i kësaj historie ndodhi disa ditë më vonë kur mora një telegram nga Sulejman Tomcini në Tiranë. Ai më kërkonte datat e sakta të lindjes dhe vdekjes së bashkëshortes dhe vajzës së Pashko Vasës, me qëllim që ti varrosnin në varrezat kombëtare të dëshmorëve të Shkodrës. Fati është i çuditshëm. A thua ta kishte menduar Pashko Vasa, i cili shkroi vargun e famshëm: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, se një ditë kjo do të zbatohej simbolikisht edhe me eshtrat e tij, të zhvarrosura nga një varrezë fetare në Liban dhe të vendosura në një varrezë pa kryq në Shqipëri?

3. AVENTURA SHQIPTARE E GAZETARIT NGA LIBANI

Po kush ishte gazetari që jo vetëm e kishte mundësuar kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, por edhe e kishte ndjekur atë deri në vendlindje? Informacionin e mëposhtëm e rrëfen përsëri diplomati shqiptar Dalan Buxheli:

Melhem Mobaraku ishte djali i vetëm i dy diplomatëve libanezë nga Bejruti. Pas diplomimit në gazetari, ishte bërë i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. La vendlindjen në pikun e luftës midis kristianëve dhe myslimanëve, dhe u vendos në Montreal, Kanada. Dinte shqip, i sjellshëm dhe dashamirës në komunikim. Në Bejrut kishte organizuar një komunitet të zgjeruar me emigrantë shqiptarë. Me shoqatat e tyre herë pas here zhvillonte veprimtari për promovimin e traditave të popullit tonë. Diku aty nga fundi i viteve ’60, Mobarak udhëtoi drejt Tiranës. Ishte interesuar të vizitonte vendlindjen e Pashko Vasës, madje ishte ngjitur deri në Kelmend. Kur u kthye, shkroi në shtypin vendës për mbresat nga Shqipëria. Duke sjellë mbresat nga Veriu i Shqipërisë, shprehej :

Në vendin e shqiponjave, Zoti nuk ekziston më. Në Bogë dhe në Theth vetëm dhitë gërziten akoma rreth kishave të vogla gërmadha, të rrethuara nga gardhe e varreza të braktisura, me kryqe të thyer rrëzuar përtokë”.

Për Mobarak, ateizmi shqiptar ishte diçka absurde dhe, si i tillë, ishte i pakonceptueshëm. Ai vizitoi edhe dy herë të tjera vendin tonë dhe eksploroi më tej në hapësirat shqiptare. Bëri të tjera shkrime, duke u përpjekur të shmangë disi temën e besimit fetar. Në vizitën e radhës që do bënte në Shqipëri, synonte të takohej me Enver Hoxhën. Kur erdhi në Tiranë, bëri kërkesë zyrtare, por nuk ia miratuan. Me sa duket, dikush shprehu dyshime për të si gazetar i vënë nga qarqe antishqiptare dhe nuk e lejuan të kontaktonte me Enverin. I mërzitur nga përgjigjia e autoriteteve, Mobarak provoi të futej fshehtas në Bllok, por aventura rezultoi e pasuksesshme. Madje, kjo përpjekje e marrë i kushtoi shtrenjtë. I prangosur fare pranë vilës së Enverit, përfundoi në birucat e policisë dhe aty iu nënshtrua për ditë me radhë pyetjeve pa fund, për të cilat thoshte se kishin qenë brutale dhe të pakuptimta. Në fillimin e viteve 90 erdhi sërish në Tiranë. Shkoi në Shkodër e vizitoi vendvarrimin e Pashko Vasës.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/avni-dani/o-moj-shqypni-e-mjera-shqypni-rrefimet-per-kthimin-e-eshtrave-te-vaso-pashes-ne-shkoder-dhe-aventura-shqiptare-e-nje-gazetari-nga-libani/