Gazmend Bërlajolli, sot mblodhi shumë dashamirës të artit dhe letërsisë, në promovimin e librit “Fëllanzat”,që u mbajt sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BË-së në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
“Fërfëlloi fëllanza n’ujë, fërfëlloi fëllanza n’ujë, fëllanza moj” me këtë pjesë që të rrëmben në një melodi të lehtë, fillon edhe përcillet çdo rrëfim i librit “Fëllanzat”. Ky libër në të cilën autori sjellë edhe një lojë me strukturën, të rrëmben me rrëfimet e grave të mbijetuara prej torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë. Rrëfimet e tyre vijnë në dy gjuhë, në pjesën e parë, libri është i shkruar në gjuhën shqipe, ndërsa në pjesën e dytë në gjuhën angleze. Pothuajse i tërë libri është tregim i bazuar në dëshmi faktike nga libri “Unë dua të dëgjohem”.
Sot në ceremoninë promovuese të këtij libri, Korab Krasniqi tregoi se ky libër është induar dhe mbështetur nga organizata lokale në Prishtinë “Integra” dhe forumZFD, që së bashku kanë udhëhequr projektin “Unë dua të dëgjohem”. Ai tregoi se ideja e këtij libri e ka zanafillën në vitin 2015.
“Në këtë vit, ne si organizatorë kemi pasur mjaft dilema dhe sfida nëse në të vërtetë mundemi të punojmë në një temë mjaft komplekse dhe mjaft delikate që ka të bëjë me grumbullimin e kujtimeve individuale të grave të mbijetuara të dhunës seksuale në luftë”, tregoi Krasniqi sot gjatë përurimit të librit.
Kurse publicisti Shkëlzen Gashi foli më shumë mbi fenomenin e dhunimit gjatë luftës, në vitin ’98-të dhe ’99-të, lidhur me këtë ai shpalosi një detaj nga ligjërata me profesorin Žarko Puhovski, ku ai kishte ngritur një hipotezë për numrin e madh të grave të dhunuara në Bosnjë dhe në Kosovë.
“Ai tha se unë e kam një hipotezë, hipoteza ime është religjioni. Forcat serbe kur e kanë kryer dhunimin e grave si në Bosnjë, si ë Kosovë e kanë ditur që gratë myslimane lëndohen shumë më shumë”, tregoi Gashi.
Ai po ashtu për të pranishmit shkëputi një detaj nga raporti “Plagë që të djegin shpirtin”, i publikuar nga organizata ndërkombëtare Amnesty International, ai tregoi se si një grua e dhunuar ia hap temën e dhunimit burrit të saj, i cili i kundërpërgjigjet se “dhunimi ju ndodh vetëm grave të pamoralshme”. Po ashtu Gashi tregoi edhe një rast tjetër të kundërt se kur një gruaje gjakovare, i tregon burrit të saj që është dhunuar, burri i saj e kishte pranuar duke i hedhur fajin vetës që nuk ka pasur mundësi ta mbronte.
Libri “Fëllanzat”, që u promovua sot që nga titulli tregon për lidhjen e autorit me fuqinë për t’u shprehur në gegnisht, dhe duke vazhduar me këtë gjuhë në gjithë librin, ai sikur nxjerrë zërin e çdo personazhi që ka zënë vend në librin e tij. Emocionet që e kishin pushtuar atë gjatë krijimit të këtij libri, ai duket se nuk i ka tejkaluar as sot kur libri shkon në duart e lexuesve.
Gazmend Bërlajolli, sot gjatë këtij promovimi tregoi se ky libër i kishte marr më shumë kohë se që kishte parashikuar. Ai i ndodhur pranë këtyre dëshmive tregon edhe për traumën që kishte përjetuar kur shpesh i ishte dashur që të shkëputej për tri ditë për ta harruar atë që kishte lexuar.
“Një javë kam qarë duke e shkruar”, thotë mes emocionesh autori Bërlajolli.
Ai më pas vazhdon “Gëzimin kur e ndan shumëfishohet, e hidhërimin kur e ndan përgjysmohet”, duke e theksuar këtë thënie ai u drejtua të pranishmeve me të cilin edhe ndau këtë libër sot.
Ai thotë se në librin e tij ka mbledhur momentet që i kishin bërë më së shumti përshtypje dhe arsyeja përse ka ftuar njerëz të komunitetit të artistëve është se edhe ata mund të përdorin detaje nga libri, për t’i shkrirë në forma të ndryshme të artit.
“Kam dashur të ftoj njerëz të komunitetit të regjisorëve, dramaturgëve sepse ka këtu ka material, që kur e trajtoni këtë temë, artin e juaj mund ta begatoni me elemente më realiste”, u shpreh autori sot në ceremoninë përuruese të librit të tij. Krejt ky organizim është mbështetur nga Integra, forumZFD, MOTT, RBF, BMZ. /KultPlus.com