Poezi e shkruar nga Gazmend Bytyçi.
(Gruas gjakovare, që humbi burrin dhe tre djemtë në luftë)
Të lustruara
Rrinë pa bëzajtur
Në kohë
Katër palë këpucë
Këmbë nuk provuan kaherë
Me shkëlqimin e ngjyrës së zezë
Të thekshme
Mallkojnë historinë
Këpucë të ngjashme ecin çdo ditë
Rrugëve të çarshisë
E Ato presin qetësisht
Kujtojnë trokëllimën e takave të tyre
Kur kalldrëmeve të çarshisë
U mëshonin burrnisht
Dhjetëra herë erdhi pranvera
Që kur këmbët e tyre u morën
Nga çizmet me bojë të zezë
Katran si vdekja
Për karrem peshku
Në ujërat që fshehin historinë
E këpucët muze
Ende lyhen me lotët valë