Një nga pritoritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përmirësimi i infrastrukturës fizike për të rinjtë, sportistët, artistët tanë në gjithë Kosovën. Renovim i objekteve ekzistuese dhe fillim të projekteve aty ku ka mungesë. Objekte kulturore të mirëfillta, me program e funksionale, qendra rinore që u ofrojnë të rinjve hapësira rekreative e natyrisht hapësira të dinjitetshme sportive.
Për këtë qëllim ministri Çeku po zhvillon takime me kryetarë të komunave në gjithë vendin, ku po diskutojnë për projektet që kanë vite që janë zvarritur po ashtu zhvillimin e projekteve të reja.
Të premten u takua me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Filluan me diskutim për Palestrën e Sportit në Zahaq. U dakorduan që pas tejzgjatjes, procesi aktual duhet të përmbyllet, të bëhet vlerësimi i gjendjes në terren dhe të vazhdohet me shpallje të tenderimit për operator të ri në mënyrë që projekti të përfundojë.
Një tjetër projekt që ka zgjatur me vite është ai i Palestrës së Sporteve në Loxhë, ku gjithashtu kanë stagnuar punimet. Komuna njoftoi se kanë ndërprerë kontratën dhe do të punojnë drejt vlerësimit të punëve të mbetura dhe verifikimit të pagesave të fundit, në mënyrë që të hapet mundësia e përfundimit e funksionalizimit me proces të ri.
U fol gjithashtu për stadiumin e qytetit. U pajtuam që të bëhet studim i fizibilitetit për stadium të ri dhe të shqyrtohet kapaciteti që nevojitet në aspektin teknik, ekonomik e operacional duke marrë parasysh edhe stadiumet tjera të kategorive të ndryshme në territorin e Kosovës. Të sigurohemi që të vlerësohet më pas projekti ekzistues dhe të rishikohet sipas analizave më terren në mënyrë që kur të fillojnë punimet të mos hasim në probleme, siç ka ndodhur deri tani.
Fusha ndihmëse në Raushiq është një tjetër projekt që gjithashtu u përcoll me probleme. Komuna njoftoi që shpronësimi i pronave që i kanë penguar punimet është përfunduar, tani MKRS do të vazhdojë procesin me angazhim të plotë drejt zgjidhjes më të mirë.
Ministri Çeku e njoftoi edhe me punët që janë përfunduar dhe ato që ende janë në proces në fushën e trashëgimisë kulturore.
Kanë përfunduar ndërhyrjet emergjente në shtëpinë e Qehajve ndërsa po vazhdojnë në kullën e Sheremetit dhe dyqanin e Musa Goranit.
Ministri Çeku propozoi disa projekte potenciale.
Një shtëpi të shahut. Investimin ta bëjë MKRS e Komuna të sigurojë lokacionin. Po ashtu një poligon të shigjetarisë, ku komuna u zotua ta sigurojë lokacionin sipas kritereve të nevojshme.
U diskutua gjithashtu për mbylljen e fushave të tenisit për t’u funksionalizuar gjatë dimrit, bashkë me të gjitha instalimet e duhura.
Kryetari Muhaxheri po ashtu u njoftua për dy programet nacionale që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe i sportit në shkolla, programe këto që do të zbatohen në të gjithë vendin. U shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë në zbatimin e tyre. /KultPlus.com