Në edicionin e dhjetë jubilar, PriFest ka vendosur që fokusin ta drejtojë në kinematografinë e Kosovës. Për hapjen dhe mbylljen e festivalit, PriFest ka përzgjedhur dy filma nga Kosova, me qëllim që të vazhdojë promovimin edhe më të madh të krijimtarisë vendore.
Edicioni i dhjetë i PriFest-it, që mbahet nga 17 deri 22 korrik, do të hapet me filmin “Histori në çati” (The Rooftop Story) të regjisorit Gazmend Nela, derisa filmi përmbyllës i festivalit do të jetë “Kthimi” (The Return) i regjisorit Kastriot Abdyli. Filmi i regjisorit Abdyli është edhe koproduksioni i parë zyrtar në mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Sikur edhe çdo edicion, PriFest ka një program të veçantë Focus, ku prezanton krijimtarinë filmike të një shteti apo autori të veçantë, siç ishin në vitet e kaluara bashkëpunimet me Francën, Italinë, Japoninë, Amerikën Latine, Indinë, etj.
Këtë vit, PriFest ka në Focus: Kosovën
Janë plot 11 filma nga Kosova të përzgjedhur për t’u shfaqur gjatë ditëve të festivalit në kategori të ndryshme, më shumë se çdo herë tjetër. Të gjithë filmat, me përjashtim të filmave “Martesa” dhe “Me dasht me dasht me dasht” të cilët do të shfaqen në kategori jo-garuese, 9 filmat e tjerë do të shfaqen për herë të parë në Kosovë (disa nga ta edhe në botë) në kuadër të PriFest-it. Që të gjithë 11 filmat janë bërë nga regjisorë vendor, prej atyre me një përvojë më të madhe e deri te emrat më të rijnë, ndërkohë që shumica e këtyre filmave janë përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Por, kjo nuk është e tëra. Brenda programit special Focus: Kosova, do të bëhet promovimi i Kosovës në shumë aspekte.
Kosovo ready to roll (Kosova e gatshme për xhirim) – është moto që do të përcjell tërë platformën e zhvillimit të industrisë së filmit PriFORUM, duke i dhënë rëndësi të veçantë promovimit të vendit për mundësi të xhirimit të projekteve filmike ndërkombëtare në Kosovë.
Do të organizohen prezantime të lokacioneve për xhirim në mbarë Kosovën për kineastët ndërkombëtarë, mysafirë të festivalit, si dhe prezantimi i projekteve filmike të Kosovës që janë në fazën e post-produksionit brenda programit PriView – Works in Progress. Poashtu do të promovohen kapacitetet e kompanive të produksionit, kapacitetet njerëzore, ekipet filmike si dhe aktorët kosovarë të gatshëm për angazhim në produksione filmike të huaja (Kosovo Raising Stars).
‘Jemi shumë entuziast që në edicionin jubilar, do të kemi në fokus vendin tonë, Kosovën. Me një numër rekord filmash që do të shfaqen brenda javës së PriFest, audienca jonë do të ketë kënaqësinë e shijimit të veprave vendore kinematografike, disa prej tyre do të shfaqen madje për herë të parë te ne, pa filluar ende udhëtimin në festivalet ndërkombëtare, pra janë premiera botërore. Kjo na bën krenarë, dhe njëkohësisht e përmbush misionin tonë të festivalit, që përveç shfaqjes së kinemasë botërore në Kosovë, është edhe promovimi i kinematografisë vendore. Posaçërisht më gëzon fakti që nga 11 filmat e Kosovës, 3 janë bërë nga regjisore femra. Shpresoj që në vitet në vijim ky numër do të rritet.
Më gëzon poashtu fakti se do të prezantojmë edhe kapacitetet që ka Kosova për të mirëpritur produksionet e huaja filmike. Do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Shoqatën e Producentëve të Kosovës, Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe një përkrahje të madhe do ta kemi nga Swiss Contact, një organizatë që e promovon Kosovën si vend turistik, kësaj radhe do të jetë partner i yni për të promovuar lokacionet e xhirimit që ka Kosova duke organizuar dy ekskursione brenda festivalit për vizitë të këtyre lokacioneve. Do të ketë edhe shumë befasi të tjera që do t’i shpalosim në ditët në vijim’, theksoi Vjosa Berisha, drejtoreshë e PriFest.
Lista e plotë e filmave të Kosovës që do të shfaqen sivjet në PriFest:
1. ‘A Prishtina Story’ (Një histori Prishtine), në regji të Burbuqe Berishës,
2. ‘Rooftop story’, (Histori në çati) në regji të Gazmend Nelës,
3. ‘The Return’ (Kthimi), në regji të Kastriot Abdylit
4. ‘Klithma’, në regji të Korab Lecajt,
5. ‘Martesa’, në regji të Blerta Zeqirit,
6. ‘Bini’, në regji të Erblin Nushit,
7. ‘Forgive me’ (Më fal), në regji të Besim Ugzmajlit,
8. ‘Gjumë dhe dashuri’, në regji të Arsim Halitit,
9. ‘Me dasht’ me dasht’ me dasht’’, në regji të Ilir Hasanajt,
10. ‘The Wheel’ (Rrota), në regji të Doki Qerimit.
11. ‘Dielli’, në regji të Mjellma Istrefit.
Audienca e PriFest, mes datave 17-22 korrik do të mund t’i përcjellë filmat në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re,“Kino Armata”. Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjithë filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit (+38343714944), ndërsa biletat e filmave, të cilat kushtojnë 3 euro, mund t’i gjeni në biletarinë e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të festivalit./ KultPlus.com