Luiza Gega: Edhe pa shumë stërvitje kap rezultate të mira

Të ftuar në episodin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin kanë qenë Taulant Stërmasi, Luiza Gega dhe Relaksa Dauti për të diskutuar rreth atletikës në Shqipëri.

Taulant Stërmasi është presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe i pyetur se cilat janë vështirësitë që ai has për të motivuar kampionët shqiptar për të ecur gjithmonë para, ai u përgjigj: “Në fakt, sfidat janë shumë komplekse kur flasim për sportistë, kur flasim për sportistë elitarë, kur flasim për sportistë që kanë disa objektiva që janë vërtetë shumë të vështira për t’u konceptuar në ditët e sotme. Se ne duhet të jemi shumë koherentë me atë që shoqëria po kalon sot. Të arrish të kesh objektiva, të kesh stërvitje, të cilat parimisht të flasësh në Shqipëri për sport të duket sikur njerëzit dalin të vrapojnë për qejf. Ndërkohë kjo është një punë dhe ta edukosh këtë punë tek brezi i ri, apo qoftë tek grupi që stërvitet tek unë, fillimet janë pak të vështira t’i shpjegosh që ti duhet të arrish disa objektiva. Nuk është qejf. Sporti është një punë. Është një profesion.”

Për t’u ndalur tek Luiza Gega. Trup i vogël, shpejtësi e madhe për kalimin e pengesave që ndonjëherë të duket e pamundur se ajo mund t’i kalojë. Si ja del që t’i bëjë ballë këtyre sfidave?

“Unë kam filluar jo me pengesa fillimisht. 2016 ka qenë viti kur unë kalova për ta provuar si disiplinë, sepse trajneri mendonte që unë mund të jepja më shumë. Se fiziku im jep shumë më tepër kryesisht në metra të lartë, që do të thotë jam rezistente. Kam një kapacitet të mirë aerobik, që më vjen natyrshëm dhe pa shumë stërvitje kap rezultate shumë të mira në metra lart, e quajmë 3 mijë metra, 5 mijë, 10 mijë”, u shpreh Gega./ Top Channel/ KultPlus.com

Reagon Luiza Gega: Ky eliminim dhemb shumë

Atletja shqiptare Luiza Gega përmes rrjete sociale, ka folur pas eliminimit nga Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’.

Gega garoi në baterinë e dytë, por nuk arriti që të japë më të mirën e saj dhe nuk ka mundur që të kualifikohet për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra.

Atletja kuqezi mbylli garën me kohën 9.27.41 dhe u rendit në vendin e 9-të në baterinë e dytë.

Ajo thotë se është vështirë të flasësh kur ndihesh e dështuar. Ajo thotë se ky eliminim dhemb shumë.

“Është kaq vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem”, tha Gega.

“E di që do kaloj, çdo gjë kalon më kohën por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtet jam munduar dhe ëndërruar që do ja dal pavarësisht se gjerat që në muajin prill nuk shkuan mirë”.

 “Gjithsesi përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesitë jo të mira të trupit tim përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të niveli por në fakt nuk ndodhi kështu”, ka pohuar ajo.

Gega i ka kërkuar falje çdo fansi që ka besuar tek ajo.

“Dua vërtet t’i kërkoj falje kujtdo që besoi të unë dhe e zhgënjeva dhe falënderoj të gjithë ata që më mbështesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira. Ëndrra e Parisit mbyllet sot”, ka shkruar atletja shqiptare.

‘Paris 2024’, Luiza Gega nuk kualifikohet në finalen e garës 3000 metra me pengesa

Atletja shqiptare Luiza Gega nuk ka arrtiur të kualifikohet në finalen e garës 3000 metra me pengesa në Lojërat Olimpike, “Paris 2024”.

Gega zbriti sot në pistë, në ‘Stade de France’ duke debutuar në Lojërat Olimpike, “Paris 2024” në baterinë e dytë, por nuk arriti që të japë më të mirën e saj dhe nuk ka mundur që të kualifikohet për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra.

Atletja kuqezi mbylli garën me kohën 9.27.41 dhe u rendit në vendin e 9-të në baterinë e dytë.

5 atletet e para të baterisë u kualifikuan në finalen e kësaj gare. Përfundon këtu aventura e Luiza Gegës në Lojërat Olimpike, “Paris 2024”./ATSH/ KultPlus.com

Luiza Gega nuk ndalet, sërish kampione në Kampionatin Ballkanik

Atletja shqiptare, Luiza Gega është shpallur sërish kampione Ballkani për të dytën ditë radhazi. Ajo ka triumfuar në garën e 5000m. Nga ana tjetër, David Nikolli është pozicionuar në vendin e dytë për meshkuj në garën e 3000m.

Njoftimi i plotë

Të nderuar miq të medias, vijmë sërish te ju me dy lajme të mira. Në ditën e dytë të kampionatit të 77-të ballkanik të atletikës që po mbahet në datat 25-26 maj në Izmir të Turqisë, atletja e mirënjohur shqiptare Luiza Gega, pasi u shpall kampione Ballkani ditën e parë në garën 3000m me pengesa me kohën 9’26.40, sot, në ditë e dytë, fitoi një tjetër medalje ari në garën e 5000m. Duhet theksuar se nëse në garën e djeshme Luiza përfundoi 20 sekonda më shpejt se vendi i dytë, gara e sotme pati një finish të fortë. Konkurrentja direkte e Gegës ishte Yasemin Can, një keniane e natyralizuar turke, kampione në fuqi e Europës për 10000m.

Gara ishte shumë taktike dhe kampionia jonë e bëri diferencën në 400m e fundit, duke e mbyllur garën e 5000m me kohën 15’38.52. Kujtojmë që Luiza Gega është e vetmja atlete shqiptare pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të Parisit si e kualifikuar. Por përpara Olimpiadës, Gega do të marrë pjesë në kampionatin europian të Romës në qershor, ku do të tentojë të ruajë titullin kampione e Europës në 3000m me pengesa.

Lajmi i dytë i mirë vjen nga atleti shqiptar David Nikolli, i cili e mbylli garën e 3000m me kohën 8’07.37, duke u renditur i dyti pas atletit austriak Sebastian Frey.
Në këtë kampionat ballkanik, që ballkanik vetëm emrin ka, sepse pjesëmarrja e ekipeve shkon në 21, duke tejkaluar ndjeshëm rajonin dhe duke përfshirë edhe shtete të tjera si Austria, Izraeli, Qipro, Gjeorgjia, etj., ekipi shqiptar u përfaqësua me 8 atletë, 2 trajnerë, 1 fizioterapist dhe presidentin e federatës shqiptare të atletikës./ abcnews.al/ KultPlus.com

Gega kampione Ballkani, atletja e madhe shqiptare fiton dy të arta në Stamboll

Pretendimet ishin pikërisht të tilla. Luiza Gega nuk e vuri në diskutim famën, si atletja “numër 1” e Evropës në disiplinën e saj të preferuar, duke fituar dy medalje të arta në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Salla të Mbyllura.

Turneu u mbajt në Stamboll, dhe kampionia në fuqi e Europës, triumfoi në 1500 metra dhe në 3 000 metra.

“Veterania” 34-vjeçare nuk i vuri aspak në diskutim fitoret e saj, ndërsa në këtë Ballkaniadë mori pjesë vetëm për të shtuar numrin e medaljeve, për të marrë më shumë përfitime financiare, dhe për të testuar veten në prag të sezonit veror që do të jetë shumë I rëndësishëm.

Në të dyja garat, taktika e Gegës ishte për të sulmuar në xhirot e fundit, diçka që dha rezultat sidomos në 3 000 metra.

Edhe pse ishin 3-4 atlete pretendente deri dy xhiro para mbërritjes, atletja e kombëtares shqiptare bëri një shkëputje spektakolare duke e lënë vendin e dytë shumë sekonda prapa. Tashmë, Gega do të synojë të përgatitet për konkurrimet e verës.

Në qershor do të jetë kampionati europian, ku ajo do të mbrojë titullin kontinental në 3000 metra me pengesa, dhe në korrik e gusht mbahen Lojrat Olimpike në Paris, ku Luiza synon të jetë në 5 të parat po në 3 000 metra me pengesa. /abcnews.al/KultPlus.com

Luiza Gega merr medaljen e artë në Lojërat Evropiane

Luiza Gega mori medaljen e artë të fituar në Lojërat Europiane. Atletja shqiptare triumfoi në garën e 3 mijë metrave me pengesa në aktivitetin e mbajtur në Poloni, por priti edhe rezultatet e divizioneve të tjerë, pasi Shqipëria ishte pjesë e të tretit.

Gjithsesi koha e Gegës ishte më e mira. Medalja iu dorëzua në një ceremoni të organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar të martën në Tiranë.

Aty u vlerësuan edhe sportistë të tjerë përfshi karateistin Alvin Karaqi, i cili fitoi të artën po në Lojërat Europiane./tvklan/KultPlus.com