Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf dhe atdhetar i shquar.
U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm.
Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Ai ishte fotografi i fundit i familjes dhe vlerësohet si një nga fotografët më të shquar në Ballkanit të brezit të tij. /KultPlus.com
Më 28 maj 2024, mbushen 40 vjet nga dita kur në Shkodër u nda nga jeta fotografi i njohur, Gegë Marubi. Ai ishte i treti dhe ndoshta i fundit i yllësisë zulmëmadhe të fotografisë shqiptare me emrin MARUBI, me vlera unike dhe të pakrahasueshme në kulturën shqiptare.
Piknisja e marrëdhënies së Gegës me fotografinë është e hershme. Ajo filloi kur Rrok Kodheli, i zbritur nga fshati Kodhel i Lezhës dhe, i vendosur në Shkodër, aty nga fundi të shekullit XIX, çoi djalin e tij Mati, si çirak tek italiani Pietro Marubbi. Ky, në mesin e shekullit XIX, kishte hapur në qytet të parën studio fotografie në vend. Mati-a ndodhi i pafatë, sepse vdiq mjaft i ri, në moshën 19-vjeçare. Atëherë plaku nga Kodheli e zëvendësoi birin fatkeq me djalin tjetër të tij, Mikelin, atë kohë vetëm 15 vjeç. Këtë e përthithi shpejt magjija e fotografisë, por edhe mjeshtër Pjetri (kështu thirrej në qytet), i cili tanimë ishte shqiptarizuar mirë, e ndihmoi pa u kursyer që Kodheli i ri të zbulonte të fshehtat e profesionit. Kur vdiq mjeshtri, më 1903, Mikelit (Kelit), tashmë fotograf i përgatitur, i mbeti studjoja me emrin e njohur “Fotostudio Marubbi”, por edhe mbiemri Marubi, të cilin e trashëguan më vonë të gjithë pasardhësit e tij.
Gegë Marubi u lind në Shkodër në vitin 1907 si njeri nga dy djemtë dhe tri vajzat e fotografit Kel, tre vjet pasi ishte shuar pioneri i fotografisë shqiptare, gjyshi Pjetër. Gega, me emrin e lindjes Gregor, bashkë me të vëllan dhe motrat kryenin punë të rëndomta në atelje, por dukej se mjeshtri Kel këtij i kishte vënë syrin për t’a pasur krah në fotografi. Kështu, , Keli edhe me ndërhyrjen e vëllezërve të njohur francezë, Lymjerë, me të cilët kishte letërkëmbim, e dërgon Gegën, tani 17 vjeçar për studime në Francë. Aty, ai regjistrohet në shkollën e parë të kinematografisë dhe fotografisë në botë, “Lumiere & Joungla” të Parisit, të hapur nga Vëllezërit Lumiere. Gega ishte studenti i parë i huaj i që kryente studimet në të. Sipas studiuesit Pirro Naçe, aty ai u njoh edhe me disa fotografë të shquar parizian të kohës. Mjeshtër Keli, me dërgimin e Gegës për shkollim professional, tregoi se kuptoi shumë mirë se për të vazhdur rritjen e nivelit të punës në “Studio Marubi” lipseshin njohuri teorike dhe praktike bashkëkohore.
Gega u kthye në vendlindje më 1927, pasi studioi për dy vjet në Francë, më 1927, me njohuri më të plota teorike dhe praktike për fotografinë, por edhe me ëndra e projekte mbi të ardhmen e “Foto Studio Marubi”. Filloi të bëj ndryshime në ndriçimin e ateliesë dhe i përkushtohet sidomos fotoportreteve brenda saj, por edhe të dali në natyrë e të fotografoj për qejf të vet. Puna në dyqan po ecte mirë, madje prej vitit 1919, po mbahej edhe regjistri i fotove, një nga gjerat më të mençura dhe me vlera të paçmushme për fondin Marubi. Ndërkohë, materialet fotografike porositeshin tek firma e Lymjerëve, pra të cilësisë më të lartë, çka bënte që edhe fotografitë të dilinin teknikisht mjaft të pastra. Gega fillon të eksperimentojë për gjithçka kishte mësuar në shkollë. E nis me solarizimin që edhe në Francë ishte gjë e re, më pas vazhdon me fotografimet e peizazheve me filtra, ku tregohet mjeshtër i vërtetë dhe pioner në këtë lëm për fotografinë shqiptare. Natyrisht, mund të këtë pasur edhe përplasje ndërmjet të atit dhe të birit, secili me nga një armë të fortë, por të ndryshme nga e tjetrit. Plaku kishte përvojën e tij të pasur, por edhe të mjeshtër Pjetrit, ndërsa rioshi kishte shkollën e francezëve të njohur të kinematografisë, Keli vazhdonte të përdorte fotografimin me pllaka xhami, ndërsa Gega me filma celuloidi. Nga këto ndeshje, më e fituar dilte “Studio Marubi”, e cila përherë e më shumë po ngrinte nivelin e punimeve fotografike.
Në vitet ‘30, ai realizon për herë të parë foto me reliev dhe me rreze infra të kuqe. Ishte një sprovë e sikletëshme, por e kaluar me sukses nga Gega. Janë fotografi që kur shihen sot, të mbajnë gjatë para tyre duke menduar se si ka arritur fotografi të trajtojë objekte të ndryshme si të ishin të shkëputura nga e tëra, sikur gjysma e fotos të ishte pozitive dhe gjysma negative. Këto ishin lodrime të bukura artistike e plot fantazi të fotografit me gjuhën e fotografisë, përherë brenda natyrës së veçantë të këtij mediumi.
Në vitin 1936, në Bari të Italisë, ku organizohet panairi i njohur “Fiera dell Levante”, mori pjesë dhe Shqipëria me një pavion artizanati, por edhe me disa fotografi. Aty Gegë Marubi u vlerësua me “Fletë Nderi”. Ishte diçka që plaku nuk e kishte arritur e provuar, por s’kishte shumë rëndësi, atë po e gëzonte i biri. Përveç punës së përditëshme në atelje, mjeshtri i ri vazhdon të fotografojë gjithmonë e më tepër jashtë studios, peizazhe natyrore dhe urbane, portrete, pa harruar se ajo që bënte sot duhet të ishte më e mirë se e djeshmja. Më 1937, Gega bashkë me fotografët më të mirë të kohës, si Ymer Bali, Mandi Koçi, Dedë Jakova, Kol Maca, Vasil Ristani, Ali Bakiu, Shan Pici, Mihal Popi etj, u ftuan nga mbreti Zog I për të përjetësuar në letrën fotografike kremtimet e mëdha të 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Tiranë.
Në të njëtin vit, 1937, Gega hapi në Tiranë një ekspozitë vetjake me punime fotografike në shumë gjini, duke përdorur pllakat autokrome të Lymjerëve. Historikisht, kjo mbahet edhe si ekspozita e parë fotografike në Shqipëri. Ekspozita përbënte një ngjarje në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar. Në shkurt të vitit 1938 realizoi foton ikonë ”Katër shkrimtarët e mëdhenj”, ku paraqiten Fishta, Asdreni, Koliqi dhe Poradeci, njerëz të shquar të letrave shqipe. Dy shkrimtarët e jugut, Asdreni dhe Poradeci, kishin shkuar në Shkodër me ftesë të Fishtës për kremtimin e 25 vjetorit të pavarësisë, por për shkaqe të ndryshme kishin mbritur atje tre muaj më vonë. Fotografia është realizuar në studio dhe është mjaft e studiuar, si nga vendosja simbolike e personave, ashtu dhe nga konturimi grafik dhe shpërndarja tonale e bardhë e zisë. Kështu, ajo mbetet një nga fotografitë më të goditura të Gegë Marubit. Po atë vit, ai mori pjesë me fotografi në Panairin e Selanikut (Greqi), ku dhe aty puna e tij çmohet, Gega nderohet me “Medalje Ari”, vlerësim nxitës i punës së tij me passion dhe frymëzim artisti.
Gega realizoi edhe fotoportrete të figurave të njohura të jetës shpirtërore shqiptare. Veçojmë këtu portretet e Aleksandër Xhuvanit, Migjenit, Lola Aleksi, Tefta Tashko Koço, Marije Krajës, e piktorit Kol Shiroka etj. Njeri me kulturë europiane, ai, natyrisht do tërhiqej nga figura që jo vetëm e konsumonin, por edhe krijonin kulturë. Në këtë suazë, i veçantë sidomos është portreti i piktorit Kol Shiroka, ku ndonëse ai nuk paraqitet me përparsen e punës, pra nuk është në proces pikturimi, me bardhë e zinë karakteristike, jepet mirë e bukur bota e një artisti ëndërimtar e romantic. Fotoja është mbajtur pa kontraste të forta tonale, çka i shkon mjaft mirë edhe natyrës së qetë të vet piktorit.
Në vitin 1940, Kel Marubi ndahet nga jeta, gjë që hidhëroi pa masë, sepse me të kishte lidhje të dyanëshme, si prind dhe si koleg. Vazhdoi të fotografojë, por sidomos, të ruaj dhe mbaj me rreptësi regjistrin e fotografive. Pas 1944, vijoi si fotograf privat, veprimtari që zgjati deri në vitin 1949, kur me vendim qeverie u shtetëzuan të gjitha studiot fotografike private. Këtë ngjarje të dhimbshme e pasqyron edhe një fotografi e bërë nga Angjelin Nenshati, ku me një buzëqeshje të ngrirë qëndrojnë para aparatit, Gega, Shan Pici, Pjetër Raboshta, Dedë Jakova, të cilët bashkë me fotografuesin, përbëjnë ”Pesëshen” e njohur të fotografëve shkodranë të shekullit XX. Themi të ngrirë, sepse prej atij çasti ato detyroheshin të punonin me profesione të tjera artizanale që s’kishin të bënin me artin, për më tepër nën urdhëra dhe varësi nga njerëz që s’e njihnin fare fotografinë.
Më pas Gega, thuajse nuk fotografoi fare, por ruan dhe mirëmban me kujdes të veçantëfondin e madh të paraardhësve, punë e vyer që në një farë mënyre, zbuste pasojat e kolektivizimit brutal dhe i jepte atij kënaqësi krijimi. Në vitin 1970, u zhvillua farsa e faljes (dorëzimit) nga Gega organeve shtetërore të Fondit Marubi prej rreth 200.000 fotografish në letër, xhama dhe negativa (celuloid). Diçka të papëlqyeshme për diktatorin mendohej se kishte brenda tij, prandaj, ndoshta, u kërkua fondi, i cili u muarr nga përfaqësuesit e shtetit pa process-verbal dhe pa numërim. Shpejt u inskenua edhe letërkëmbimi i shtirë, i shplarë, por i detyruar i fotografit plak me diktatorin që mbushi faqet e shtypit të vetëm shtetëror.
Siç u cek edhe më sipër, 28 maji 1984, ishte dita e fundit e jetës së Gegë Marubit, ose Zotni Gegës, si thirrej përherë ai në Shkodër. Ndoshta fati e donte që ai të ndahesh nga kjo botë po atë muaj kur 77 vjet e tetë ditë më parë ishte lindur. Me shuarjen e Gegë Marubit u fik edhe zjarri i fundit i yllësisë fotografike me emër e famë botërore Marubi, por nuk u mpak vlera e fondit të pasur fotografik mbi një shekullor. Ai çdo ditë e më tepër bëhet i pranishëm dhe e dobishëm për botën kulturore dhe shkencore të shqiptarëve në të gjitha trevat ku ata banojnë. E, një pjesë e madhe e këtij fondi, është fryt i mendjes dhe dorës së Gegë Marubit, i cili hynë në elitën e fotografëve shqiptarë të të gjitha kohëve. /Exlibris/ KultPlus.com
Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf dhe atdhetar i shquar.
U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm.
Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Ai ishte fotografi i fundit i familjes dhe vlerësohet si një nga fotografët më të shquar në Ballkanit të brezit të tij. / KultPlus.com