Uranik Emini
Ne nuk duhet të lejojmë që një pjesë e ekzistencës sonë të jetë përcaktues i vetëm i asaj se kush në të vërtetë ne jemi. Identiteti nuk përcaktohet nga një aftësi e kufizuar. Në ekspozitën “MË LËR BRENDA, MË LËR JASHTË’, shihen njerëz të cilët kanë kapërcyer çdo vështirësi në jetën e tyre, duke filluar nga përballja me veten. Çdo individ duhet të përpiqet të kapërcejë vështirësitë pa i lënë ato t’ia përcaktojnë rrugëtimin përpara. E në këtë ekspozitë shfaqet këmbëngulësia e njerëzve përballë sfidave të pakapërcyeshme për të ndjekur pasionet e tyre, shkruan KultPlus.
Mbrëmë në katin e tretë të Hotelit “Grand”, është hapur ekspozita e Arbër Selmanit, “Më lër brenda, më lër jashtë”, ku sjellë në vëmendje njerëz që guxojnë dhe tejkalojnë sfidat dhe pengesat që vijnë në rrugën e jetës. Imazhe të forta tregojnë për një realitet goditës: dikush që noton, një tjetër punon në radio, pak më larg edhe dokumente që konfirmojnë një sëmundje, një gjendje.
Të gjithë kanë një pasion ose një ëndërr. Imagjinoni të keni një ëndërr që dëshironi ta realizoni dhe të dini se, për ta bërë këtë, do t’ju duhet të bëni më shumë përpjekje se shumica e njerëzve. Shpesh herë ai “hapi i parë”, konsiderohet të jetë si pjesa më e vështirë për t’u tejkaluar, por njerëzit në këtë ekspozitë kanë bërë me mijëra kilometra për të arritur këtu ku janë, pa u ndalur përballë vështirësive.
Në një fjalë përshëndetëse dhe falënderuese, Arbër Selmani, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët që e bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite.
“Në ekspozitë janë tetë njerëz, të cilët dua t’i përmendi një nga një, duke filluar nga Medina Surdulli, Mentor Mripa, Shoqata “Autizmi” për fëmijët me autizëm, Eloida nga Ferizaj dhe Genci, e në pjesën tjetër është edhe Fjolla, e cila shkruan poezi dhe pjesa tjetër, ku është motra ime Arbenita Selmani. Në fund është edhe Elvana. Unë e di që ju keni ardhë me e pa ekspozitën e me e përjetu. Edhe rafti edhe shtrati. Unë e di që munden me u bo ma shumë ekspozita, e besoj që duhen me u bo ma shumë ekspozita. Ky ka qenë një tentim i vogël i yni që të bëjmë diçka”, thotë ai.
Tutje, Selmani shton edhe pjesën shpjeguese të ekspozitës, e gjithashtu pohon se po punon në këtë ekspozitë për një kohë të gjatë.
“Ka kohë që punoj në këtë ekspozitë, në të cilën janë 8 pjesëmarrës të cilët janë në dhoma të ndryshme. Shtrati është ajo pamja e parë që ju godet dhe se si këta njerëz janë të futun në shtrat, sepse janë të palëvizshëm”.
Më pas, kuratorja Arlinda Hajrullahu, tha se në fillim e kishte të vështirë ta pranonte ftesën pasi po punonte me persona që nuk janë artistë.
“Kjo është hera e parë që u sfidova me një ekspozitë të këtij lloji. Për herë të parë po punoja me persona që nuk janë artistë, por menjëherë e mora vetën dhe e pashë se jeta e këtyre personave është shumë më e fuqishme, me shumë më shumë dramë, ma shumë vuajtje, dashuri e urrejtje sesa çdo vepër artistike që krijohet nga artistët”.
Njëra ndër pjesëmarreset në këtë ekspozitë, Elvana Shala, tha për KultPlus se jetesa në Kosovë është shumë e vështirë edhe si një njeri normal, por në fund ajo ia ka dalur që të ketë shumë suksese.
“Në fakt e gjithë kjo ekspozitë ka marrë një dimension shumë më të bukur sesa e kam pritur. Nuk është e lehtë të jetosh në Kosovë në kushte tërësisht normale, e lërë më të kesh sfida të ndryshme shëndetësore të cilat i kam pasur unë. Por sot kur i shoh ato dy fotografi edhe objekte të cilat i kam sjell, e kuptoj një rrugëtim të vështirë, por shumë të bukur të asaj pjese të jetës”.
Objekte dhe fotografia nga e kaluara si forcë për të ardhmën
“Është setra që e kam veshur për herë të parë në përfaqësimin e Kosovës në OKB, ishte hera e parë që Kosova prezantohej si shtet në cilësinë e ambasadores e vullnetit të mirë për Kosovën, ishte hera e parë që Kosova ka një ambasadore me një aftësi të veçantë, dhe kjo ndoshta ka thyer çdo paragjykim e tabu që edhe personat me aftësi të veçanta dijnë dhe mund të ia dalin të jenë liderë e përfaqësues të shtetit. Kjo është arsyeja pse e kam zgjedhur atë setër, pasi ishte një rrugëtim drejt ëndrrës së madhe amerikane për Kosovën. E dyta ka të bëjë me fustanin që e kam veshur në fustanin e maturës, në rrethana tërësisht të vështira e të rënda në jetën time. Por mora forcën dhe tani është një mbrëmjë që do ta mbaj në mend gjatë gjithë jetës. E kam pranuar ftesën që të jem forcë e guxim për pjesën tjetër të personave që nuk janë shumë të dukshëm në opinionin publik”, përfundon Shala.
Edhe pjesëmarrësi tjetër, Mentor Mripa, u shpreh i lumtur që mori pjesë në këtë ekspozitë, derisa tregoi se në mikrofon, ndjehet më së liri ndonjëherë.
“Arbërin e njoh më herët, posaqërisht babai im më ka njoftuar me të. Një ditë pasoi edhe një telefonatë nga ai, e unë po prisja që ai të vijë në emisionin tim, por realisht më ftoi në këtë ekspozitë, e cila më pëlqeu shumë dhe shpresoj që t’iu pëlqejë edhe njerëzve të tjerë. Çdo gjë që punohet me nder është e vështirë, por unë e dua mikrofonin dhe merrem edhe me muzikë e me art. Do të thotë njëkohësisht radion e muzikën m’i ndërlidhë mikrofoni. Kur unë jam në mikrofon, ndjehem më së liri”, tha Mripa për KultPlus.
Një nga notueset më të mira në Kosovë, Medina Surdulli, me shumë emocione tregoi për KultPlus se u ndje shumë e lumtur që fotografia e saj e madhe ishte e pranishme në këtë ekspozitë.
“E falënderoj Arbërin e ka hap ekspozitën tem. Kjo është hera e parë që po marr pjesë. Fotografia jem më ka pëlqyer më së shumti, fotografia jem më ka bo me u ndje shumë mirë dhe shumë e lumtur”.
E pyetur nga KultPlus nëse do ta lë ekipin e Kosovë në not, përgjigjja e Medinës ishte e menjëhershme, duke thënë “jo, asnjëherë”.
Mendime Kosumi nga shoqata “Autizmi”, tha për KultPlus se bashkëpunimi i tyre me Arbërin ka ardhur natyrshëm, derisa ky i fundit ka qenë një ndihmë shumë e madhe për ta.
“Unë do ta shfrytëzoj këtë rast që Arbëri ka kohë që na mbështet neve si organizatë, prej shitjes së librit me donacione të ndryshme, mjete të cilat Arbëri i ka dhuruar, ne i kemi përdorur për të mbuluar shërbimet terapeutike, për fëmijët që nuk kanë kushte sociale për ta bërë pagesën. Këto terapi janë shumë të domosdoshme për të pasur arritje më të mira dhe për të qenë më të pavarur”.
Puna e palodhur e shoqatës së bashku me fëmijët autikë, e pasqyruar mrekullueshëm në ekspozitë
“Edhe këtë herë në ekspozitë jemi munduar që t’i shfaqim disa pjesë shumë të rëndësishme që tregojnë shumë për punën tonë. Këtu është një puzzle me tri pjesë që tregon një fëmijë që është shumë bazik me aftësitë e tij, kur ka ardhur në organizatë të na ka filluar që për herë të parë të punoj me puzzle, e tani ai fëmijë është i pavarur dhe shkon në shkollë i vetëm. Dmth kjo puzzle është e lidhur me ndjenja për neve, është kuptimplotë. Në anën tjetër, e kemi edhe një kuti me forma, përmes së cilës ne kemi zhvilluar performancën vizuale të fëmijëve edhe kemi realizuar seanca. Këto dy mjete janë shumë bazike, për fëmijët që kanë qenë shumë bazik në zhvillimin e tyre dhe janë objektiva shumë të thjeshta, ku përmes tyne ne kemi dashtë të tregojmë pikësynimin e shërbimeve terapeutike”, shton ajo.
Kartolinat në ekspozitë janë në shitje, blerja e tyre do t’i ndihmonte për mbulimin e rasteve sociale
“Pastaj, në ekspozitë i kemi të paraqitura edhe disa punime të cilat janë realizuar gjatë aktiviteteve të ndryshme të shoqatës sonë me fëmijët. Gjithashtu, pjesë e ekspozitës janë edhe kartolinat. Terapistët në bashkëpunim me fëmijët i realizojnë këto kartolina dhe mjetet që grumbullohen nga shitja e tyre, shkojnë për mbulimin e rasteve sociale, ku kemi shumë kërkesa dhe kemi shumë nevojë që t’i mbështesim. Shfrytëzoj rastin që të bëj thirrje për personat që marrin pjesë në ekspozitë të blejnë një ekspozitë që të japin një mesazh duke kontribuar”, thotë në fund Kosumi.
Shoqatën ‘Autizmi’, Eloida Alijan, Elvana Shalan, Fjolla Muhaxhiri Agushollin, Arbenita Selmanim, Genc Beqirn, Mentor Mripan, Medina Surdullin dhe punimet e tyre mund t’i vizitoni në Hotel Grand në Prishtinë, në katin e tretë, çdo ditë prej orës 12:00 – 18:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur rreth 3 javë. /KultPlus.com
*Të gjitha fotografitë janë realizuar nga Nok Selmani*