Genc Berisha regjisor i filmave “Të Mjerët”, “Me mujt me bo e kishim bo” dhe “Zonjusha” do të filloj xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë me titull “Diamanti”, shkruan KultPlus.
Ne Gusht të këtij viti A&G Production, ka njoftuar se ka angazhuar skenaristët Besart Sllamniku dhe Lulzim Bucolli, për të shkruar skenarin për vazhdimin e pjesës së dytë të filmit “Zonjusha”, dhe në atë kohë nuk është ditur emri i filmit cili tash është vendosur “Diamanti”.
“Diamanti” ka për temë vazhdimin e jetës së personazheve kryesor të filmit Zonjusha, që do të thotë se nuk do të jetë vazhdimi i përrallës së filmit të parë. Në këtë film i cili do të korrespondoj edhe me ata që nuk e kanë pa Zonjushën, tema do të bazohet tek një rrugëtim dy ditësh të Vuces (Armend Balokut), Bullit (Besart Sllamniku) dhe Zagit (Muhamed Arifi) të cilët detyrohen të vjedhin një Diamant për të shpëtuar nga vdekja.
Producentet e filmit kanë njoftuar se kësaj here në bashkëprodhim iu janë bashkangjitur edhe IKONE Studio dhe GjirafaVideo në cilësinë e Ko-Produksioneve.
Po ashtu kastës së aktoreve kryesor iu bashkëngjiten edhe aktorët që tashmë kanë qenë pjesë e filmit Zonjusha si Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Dukagjin Podrimaj, por vlen të përmendet se “Diamanti” është pasuruar edhe me aktor si Luan Jaha, Ilir Prapashtica, Irena Cahani, Lulzim Bucolli…
Xhirimet do të fillojnë më 25 nëntor, dhe pritet të përfundojnë rreth datës 20 dhjetor ndërsa 95% e xhirimeve do të bëhen në Prishtinë, ka thënë për KultPlus, skenaristi Besart Sllamniku.
Premiera e filmit pritet të dal në verë e viti 2018./ KultPlus.com