Flonja Haxhaj
Mbrëmja e së enjtes e gjeti audiencën e KultPlus-it në një ambient komik dhe nën të qeshurat e publikut të cilat vinin si pasoja të paevitueshme nga komediani Gent Shala i cili prezantoi Stand-up Comedy-në e tij ‘Fluturon’, përcjell KultPlus.
Komedia, e cila kishte për qëllim t’u ofrojë një çlirim të gjithë të pranishmëve, pati në fokus ballafaqimin përgjatë periudhës së pandemisë.

Megjithatë, regjisori Gent Shala, tha për KultPlus se ndonëse prek një temë gjithëpërfshirëse, ai e trajton këtë Stand-Up Comedy në aspektin personal.
“Është një stand up comedy pak më ndryshe mendoj. Flas vetëm për vetën time, periudhën e pandemisë se si e kam kaluar, me çka jam ballafaquar edhe sa projekte më kanë dështuar“, thotë Shala duke shtuar se gjatë këtij Stand-upi është shumë subjektiv dhe shpreh periudhën e pandemisë nën efektin e humorit.

I pyetur për zanafillën dhe kohën e dedikuar këtij projekti, Shala përmend filmin e metrazhit të shkurtër si pikënisje të këtij projekti e që më vonë u kthye rastësisht në Stand-up Comedy.
“Kam qenë duke u shkruar një skenar për një film të metrazhit të shkurtë edhe është kthyer vetë në stand-up. Kam dashur vetë ta prezantoj. Nuk njihem si komedian por Stand-upi ka lindë shumë rastësisht”, deklaron më tutje Shala.

Ndërkaq, në mbrëmjen e thirrur nga vetë regjisori Shala, publiku u argëtua edhe me performancën e pashoq të këngëtarit Endrit Rexhepi, i cili performoi para të pranishmëve këngë të njohura në shqip dhe të huaja.
Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Uji Rugove. / KultPlus.com

