“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” mbyll ‘PriFest’ – historia e vërtetë e vëllezërve përballë një diagnoze shkatërruese

Era Berisha

Një histori e veçantë, prekëse, rrallëherë e trajtuar, fenomenale, inspiruese dhe njëkohësisht e veçantë në llojin e vetë, ka zbritur mbrëmë në skenën e Kino Armatës, aty ku po mbahet edicioni i pesëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’, me rastin e premierës së filmit tashmë të suksesshëm “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” me regji dhe skenar të Gentian Koçit, shkruan KultPlus.

Fiks kur ora shënoi 19:46, nisi edhe premiera e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”. Dritat u fikën, e së bashku me të edhe shushurimat brenda hapësirës. Bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi ka ardhur si dedikim nga regjisori për babin e tij, ashtu siç u shpalos e shkruar edhe në sekondat e parë kur pamjet e para zunë vend në ekranin gjigand.

Dy vëllezër binjakë identikë e shurdhmemecë që nga lindja, Agimi dhe Gëzimi (Edgar Morais dhe Rafael Morais) zbulojnë se vuajnë nga një sëmundje gjenetike që gjithashtu do t’i bëjë ata të verbër në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme. Asnjëherë nuk kanë qenë të ndarë nga njëri-tjetri. Jetojnë e punojnë së bashku në një biznes të përpunimit të drurit. Ata ndajnë një banesë të gjerë në Tiranë së bashku me të dashurën e Gëzimit, Ana që luhet nga aktorja shqiptare Drita Kabashi e cila debutoi pikërisht me këtë film.

Por përveç hapësirës, ata janë të lidhur shpirtërisht me njëri-tjetrin. Komunikojnë me shkrime dhe lexim buzësh, por mes tyre ka evoluar një gjuhë private, e cila ka të bëjë më shumë me shkëmbimin e prekjes dhe shikimit sesa fjalët.

ADN-ja e tyre si binjakë monozigotë është ajo se çfarë kontribuon në film për të ngjallur dhembshurinë më të madhe të parashikuar brenda audiencës. Të dy vëllezërit eventualisht marrin vesh se do të humbasin përgjithmonë dhe plotësisht shikimin si dhe dëgjimin. Në anën tjetër, Ana bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre, për shkak se ajo krejt lehtësisht pranon për të marrë në dorë, marrëdhënien vëllazërore për të dy ata.

Regjisori Gentian Koçi ka bërë një punë të shkëlqyer duke sjellë në vëmendje marrëdhëniet komplekse të njerëzve. Fokusi i tij është vënë direkt mbi fuqinë që kanë mendimet e një personi, kur ai person i caktuar fundoset përbrenda errësirës së trurit të vetë.

Duhet cekur se tre aktorët kryesorë që luajnë në film kishin kaluar gjashtë muaj duke mësuar gjuhën shqipe të shenjave në Shoqatën Kombëtare Shqiptare të të Shurdhërve (ANAD), dhe kjo është dëshmi për dashurinë e madhe të realizimit të një filmi që veçse ka dëshmuar për potencialin e lartë që posedon.

Kjo dramë ekzistenciale që prek thellësisht në shpirt cilindo, ka përcjellë emocione të fuqishme përmes lojës së syve, gjuhës së trupit e gjuhës së shenjave, si dhe me vetëm pak tekst. Interpretimet nga dy aktorët portugezë kanë qenë diçka marramendëse, në esencën më të bukur të fjalës. Ndërlidhja e tyre në lojën e performancave ka shpalosur një kimi organike që është për t’u marrë lakmi. Stili që ka regjisori Koçi nuk është aspak sentimental, por zhdërvjellët nëpërmjet një ritmi të qetë e të heshtur që përkon përgjatë gjithë filmit.

Rolet dytësore, po ashtu janë njëlloj të çuditshëm në karakter. Përgjithësisht, janë njerëz të mirë, që ndihmojnë njerëzit përreth. Portretizohen në mënyrë brilante, të zgjuar, duke kundërshtuar çdo padrejtësi të mundshme. Jeta e tyre është e zakonshme.

Por, atë se çfarë e bën filmin të ketë një qartësi artistike të pastër si loti, është humori i thukur, përjetimi i pengesave esenciale për jetesë, ngjashmëria fizike e binjakëve, marrëdhënia intime e botës emocionale së binjakëve, dashuria pa kushte e binjakëve si dhe vizualja e skenës finale, plot shpresë tragjike.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që zhurmuan sallën në Kino Armatë. Paraprakisht, në skenë për një fjali rasti doli ekipi i filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.

Regjisori Gentian Koçi është shprehur i lumtur për premierën po e dha mbrëmë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.

“Jam shumë i gëzuar që jam këtu dhe në fakt e kam pritur këtë premierë prej kohësh. Unë po kthehem në PriFilmFest pas njëmbëdhjetë vitesh, andaj jam shumë kurioz të di mendimet e juaja. Faleminderit që keni ardhur sepse filmi është shumë special për mua. Është bërë me shumë dashuri, shumë sakrificë. I bërë bukur, më duket. Kam një kastë fantastike, andaj shpresoj të ju pëlqej.”

Ndërsa, aktorja shqiptare që debutoi në këtë film, Drita Kabashi ka thënë se premiera e filmit në PriFest, është një moment i shenjtë për të.

“Dua që vetëm të ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që filmi të ju pëlqej. Ky është një moment shumë i shenjtë për mua që po e ndaj me komunitetin tim.”

Kujtojmë se “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” pati premierën botërore në konkurrencën kryesore në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights (PÖFF), premierën nordike në Festivalin e Filmit Göteborg, premierën gjermane në CineVision Competition në 40th Filmfest München, premierën greke në Festivalin e 64-të të Filmit të Selanikut.

Filmi fitoi çmime për regjinë më të mirë në edicionin e 41-të të Filmit në Bergamo, “Dielli i Artë” për filmin më të mirë dhe çmimin e kritikëve në Programin SEE në Festivalin e Filmit ‘CineDays’.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është aplikimi zyrtar i Shqipërisë për Akademinë Çmimet – Oscars 2023.

Filmi është prodhuar nga “Artalb Film Productions” (Shqipëri), në bashkëprodhim me “Maria & Mayer” (Portugali), “Graal Films” (Greqi) dhe “Added Value Films” (Kosovë). / KultPlus.com

Regjisori Gentian Koçi jep fjalëkalimin për ta parë online filmin e tij “Dita zë fill”

Në kushtet e jashtëzakonshme të krijuara nga Coronavirusi, filmi artistik i metrazhit të gjatë, “Dita zë fill”, do të mund ta shikoni nga shtëpitë tuaja, shkruan KultPlus.com

Ky film është me regji nga Gentian Koçi, i cili edhe ka dhënë edhe linqet ku mund të shikohet filmi përkatës.

Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Qëndroni në 🏠! Shihni filma autorë! 📽😉

Në kushtet e qëndrimit të gjatë e të detyruar në shtëpi, në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë të gjithë për shkak të pandemisë globale Covid-19, po ndaj me ju linkun e mëposhtëm të qasshëm nga të gjithë, të filmit tim “DITA ZË FILL”.

Fjalëkalimi qëndron i njëjtë deri në mbarimin e karantinës.

P.S: Ju lutemi, nëse e shpërndani, bëjeni bashkë me tekstin që të lexohet fjalëkalimi.

Dita zë fill – 85 minuta – AL & GR

Link:
https://vimeo.com/202990355
Fjalëkalimi: lejourseleve2017

Faqja e filmit në IMDB:
https://www.imdb.com/title/tt7060750/

“Dita zë fill” i Gentian Koçit shpërblehet me çmimin e parë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë

Ka përfunduar edicioni i 8-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, në Pogradec. Një festival i cili zgjati plot 7 ditë me radhë ku u shfaqen mbi 70 filma të ndryshëm artistikë, dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër.

Me çmim të parë u nderua filmi “Dita zë fill” i Gentian Koçit , ndërsa çmimet e tjera shkuan për Bullgarinë, Slloveninë, Maqedoninë, Greqinë etj. Për organizatorin e këtij festivali Eno Milkani edhe ky vit ishte një sukses, ndërsa ka ende disa sfida për tu përmirësuar në festivalin e ardhshëm.

Ndërsa për Presidentin e Nderit të këtij festivali Viktor Zhusti ky edicion ka qenë një sukses i vërtetë, kombinimi e krijimtarisë me natyrën dhe turizmin kanë krijuar një atmosferë mjaft interesante dhe frymëzuese në Pogradec për këta krijues.

Pjesë e festivalit edhe këtë vit ishte Mish –Mash Production ku të rinj nga gjithë Ballkani prodhuan mini reportazhe për çështje të ndryshme sociale si dhuna ndaj fëmijëve apo edhe paqja .Çmimi i parë ka shkuar për “Let me Hug You” ,një mini reportazh i krijuar nga fëmijë nga Kosova e Serbia të cilët përcollën kështu mesazhin e paqes dhe dashurisë.

“Dita Zë Fill” pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Santa Barbara

Filmi me regji të Gentian Koçit “Dita Zë Fill”, do të ketë premierën amerikanë në edicionin e 33-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Santa Barbara në Kaliforni, shkruan KultPlus.

Ky film është një dramë sociale që flet për një nënë që bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar. Ngjarja e këtij filmi zhvillohet në lojën e këtyre aktorëve: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Hermes Kasimati dhe Adele Gjoka.

Filmi “Dita zë fill”, tashmë është edhe film i çmimeve, pasi që, aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film./KultPlus.com

“Dita zë fill” e Gentian Koçit u prezantua në Trieste Film Festival (FOTO)

Filmi “Dita zë fill”, me regji të Gentian Kocit është pjesë e edicionit të 29-të në festivalin “Trieste Film Festival”, ku konkurron për çmimin në kompeticionin kryesor (Main Competition), ndërsa mbrëmë atje është shfaqur premiera italiane e këtij filmi, shkruan KultPlus.

Ky film është një dramë sociale që flet për një nënë që bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar. Ngjarja e këtij filmi zhvillohet në lojën e këtyre aktorëve: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Hermes Kasimati dhe Adele Gjoka.

Filmi “Dita zë fill”, tashmë është edhe film i çmimeve, pasi që, aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film./KultPlus.com

Drama sociale “Dita zë fill”, mbrëmë erdhi premierë në Prishtinë (VIDEO)

Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

Gili Hoxhaj

Filmi shqiptar i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Kocit, erdhi mbrëmë premierë në ekranin e Kinemasë ABC, në Prishtinë, shkruan KultPlus. Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

E gjitha ngjarja e këtij filmi zhvillohet nga loja e aktorëve: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Hermes Kasimati, e Adela Gjoka. Violeta Kurti, është subjekti kryesor rreth së cilës përqendrohet gjithë historia e filmit. Një grua, e ndodhur në një situatë të vështirë financiare, nxirret jashtë apartamentit të saj pasi që qiraja e saj nuk është paguar për muaj.

Ajo nuk ngec në përpjekjet e saj për t’iu kundërvënë situatës në të cilën ndodhet, derisa me foshnjën e saj një vjeçare braktis apartamentin dhe zhvendoset në një strehë të re, ku kujdeset për gruan e moshuar, Sofian. Jeta e saj sillet në kujdesin e dy gjeneratave, e një fëmije i cili ka jo shumë kohë që ka ardhur në jetë dhe një gruaje të moshuar e cila çdo ditë e më shumë prek fundin e jetës së saj.
Leta, e ndodhur në një apartament në Tiranë, ajo paguhet nga e bija e gruas së moshuar për kujdesin ndaj gruas e cila qëndron e shtrirë pas shtratit. Ajo për të siguruar mbijetesën e saj, duhet ta mbaj Sofien në jetë me çdo kusht. Regjisori Koci, e ka vendosur personazhin e gruas së re brenda zgjidhjeve ekstreme. Ajo me shikimin e saj të ftohtë, ecën mes rrugëve të Tiranës , e kthehet tek apartamenti i saj ku mes lodhjeve dhe përpjekjeve të pareshtura mban Sofien në jetë. Jeta e saj bredh nga një ditë në tjetrën, shpesh me vështrimin e saj drejt qiellit bluan mendimet për ditët e saj. Është i vetmi personazhi i postierit, ai i cili sjellë pak gjallëri në fytyrën e ngrysur të Letës.

Ajo derisa luftën kryesore e ka për mbijetesë, lufton edhe për të mbajtur frymën e të tjerëve në jetë, e ndodhur në dhimbjet e rënkimet e tyre, ajo ndodhet në një situatë ku mban në duar timonin e jetës së tyre. Pikërisht para këtij vendimi, kjo dramë ndërlidh edhe një element, jo shumë të prekur në kontekstin social të shqiptarëve, që është eutanazia.

Ky film do të qëndrojë për një javë në reportorin e Kino ABC dhe në DokuKino. Orari i rregullt i filmit është ora 20:00 ABC, në Prishtinë dhe duke filluar nga ora 19:30 në DokuKino, në qytetin e Prizrenit. /KultPlus.com

Filmi “Dita zë fill” filmi më i mirë në Cinedays Festival of European Film (VIDEO)

Filmi me regji të Gentian Kocit është shpërblyer me çmimin “Golden Sun”, çmim i cili jepet për filmin më të mirë në Cinedays Festival of European Film, shkruan KultPlus.

Ky film flet për një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg.

Në film luajnë: Ornela Kapetani: Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Propozimi i Shqipërisë për Oscars, zyrtarisht pjesë e festivalit ‘Warsaw International Film Festival’

Pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ku fitoi edhe “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste, filmi “Dita zë fill” i propozuar tashmë nga Shqipëria për Oscars, është zgjedhur zyrtarisht në një tjetër festival shumë të rëndësishëm, përcjellë KultPlus.

Bëhet fjalë për festivalin “Warsaw Film Festival” i cili do të mbahet nga data 13 deri 22 tetor.

Për këtë lajm ka njoftuar regjisori i filmit Gentian Koçi, i cili është shprehur shumë i lumtur që filmi tashmë po vazhdon suksesshëm rrugëtimin e tij.

“After the world premiere held at Sarajevo Film Festival, we are more than happy to announce that our film, DAYBREAK / DITA ZË FILL, has been officially selected in Competition 1-2, at another very important festival: Warsaw International Film Festival, a full A-category one – next to Cannes, Venice, Berlin, Locarno, San Sebastian, etc. This is another good opportunity to thank all our crew and cast members for their excellent job and professional dedication”, ka shkruan Koçi. / KultPlus.com

Edhe dy ditë “Dita zë fill” me Gentian Koçin

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit do të prezantohet në kinemanë Cineplexx në Tiranë, pas premierës botërore në Festivalin e Sarajevës, ku prej atje solli edhe “Zemrën e Sarajevës”, për rolin më të mirë të aktores Ornela Kapetani, shkruan KultPlus.

Filmi do të shfaqet nga 14 shtatori në Tiranë, dhe kjo paraqitje mund të nënkuptojë që ky film mund edhe të propozohet nga Shqipëria për çmimin prestigjioz Oscar, në kategorinë e filmit të huaj.

Një nënë bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg./KultPlus.com

“Dita zë fill” me Ornela Kapetanin, së shpejti në kinematë e Tiranës

Filmi shqiptar “Dita zë fill”, i cili zbardhi fytyrën e shqiptarëve në Festivalin e Filmit në Sarajevë, së shpejti vjen në kinematë e kryeqytetit shqiptar.

Me regji nga Gentian Koçi dhe me një lojë aktoriale të hatashme të Ornela Kapetanit – kjo e fundit edhe fituese e çmimit aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, filmi në fjalë vjen për publikun shqiptar pasi ka mahnitur shikuesit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Një nënë bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg. / KultPlus.com

Ornela Kapetani: Çmimi në Festivalin e Sarajevës nuk ishte një fitore personale, por një mundim kolektiv

Aktorja shqiptare Ornela Kapetani, e cila me rolin e saj në filmin “Dita zë fill” nga Gentian Koçi fitoi çmimin e aktores më të mirë në edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, një sukses ky goxha i madh për aktoren shqiptare, tregon se të marrësh një çmim të tillë në një festival me kaq garë brenda tij, është sukses i madh dhe arritje e një grupi njerëzish që synuan perfeksionin kinematografik.

Ornela, aktorja e dëshmuar tanimë me role në “Hostage”, “Correction” dhe me rolin e Letës në filmin me të cilin fitoi çmim në Sarajevë, në një intervistë për KultPlus ka shpalosur emocionet e saj nga kjo natë ku ajo doli fituese, si dhe ka zbuluar më shumë rreth projekteve që po e presin në vazhdimësi.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “Dita zë fill”, po del të jetë filmi që përmbushi një ëndërr tuajën, pasi që pikërisht për rolin e këtij filmi u shpërblyet me “Zemra e Sarajevës”, në Festivalin e Filmit në Sarajevë, për aktoren më të mirë. Të kanë lëshuar emocionet tashti, apo akoma je me këtë ndjenjë të bukur?
Ornela Kapetani:
Ndihem shumë mirë, jam ende e emocionuar por puna nuk më ka lënë shumë kohë të mendoj për Sarajevën. I jam kthyer normalitetit ditor.

SARAJEVO, Bosna i Hercegovina – 17. avgust 2017: Nagradu za najbolju glumicu 23. SFF-a dobila Ornela Kapetani iz filma “Buđenje dana”. ( Mustafa Öztürk – Anadolu Agency )

KultPlus: Lotët dhe emocionet që të solli ky çmim u panë edhe me rastin e pranimit të këtij çmimi, pse ishte kaq i rëndësishëm për ju ky çmim?
Ornela Kapetani:
Kjo nuk ishte një fitore personale por një mundim kolektiv. Vështirësitë për tu bërë ky film kanë qenë shumë të mëdha. Ky çmim ishte i rëndësishëm për të gjithë ne që punuam me përkushtim për këtë projekt. E kam të nevojshme të falënderoj të gjithë stafin grek e shqiptar për dedikimin e tyre. Sidomos drejtorin e fotografisë Ilias Adamis.

KultPlus: Festivali i Sarajevës tashmë ka krijuar një traditë dhe po konsiderohet si një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane, dhe pikërisht suksesi i këtij filmi nisi me këtë festival. Po pret një rrugëtim edhe më të suksesshëm me këtë film?
Ornela Kapetani:
Sigurisht që ‘Dita Zë Fill’ tashmë duket se do të ketë një rrugëtim të gjatë dhe interesant në festivalet evropiane dhe më tej. Sarajeva i dha shtyrjen e duhur. I uroj rrugëtime të mbara e të gjata Gentit dhe filmit!

KultPlus: Në anën tjetër, Gentian Koci ka debutuar me këtë film të metrazhit të gjatë, sa patët besuar atëherë në punën e këtij regjisori kur ta ka ofruar këtë rol?
Ornela Kapetani:
Skenari më tërhoqi që në fillim dhe e besova. Më intrigoi shumë Genti sepse nuk njeh shpesh meshkuj që shkruajnë për femra në këtë mënyrë intime. Nga punët e tij të mëhershme, kuptova që kisha të bëja me një njeri shumë të ndjeshëm por dhe me një vend qëndrim interesant. Na është dashur të punojmë shumë afër me Gentin për të krijuar të gjitha nuancat psikologjike të Letes. Gjithashtu ndikim pozitivë kishte dhe trupi Grek, me të cilët kisha punuar në projekte të tjera në Athinë.

KultPlus: Në bazë të trailerit, është dashur një përkushtim i madh të sillni atë karakter të përvuajtur, sa dhe si jetuat me këtë rol?
Ornela Kapetani:
Leten e njoha në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe kam jetuar me të pothuajse 12 muaj. Më është dashur të jetoj me të dhe mbasi xhirimet kishin mbaruar. E kishim të vështirë të ndaheshim nga njëra-tjetra. Në mënyrë figurative mund të themi që i dhashë jetë, ashtu siç linda dhe tim bir. Të afroja sa më afër personazhin dhe të gjeja vërtetësinë e saj, si aktore mu desh të kërkoja në thellësi të vetvetes materiale dhe ndjenja të cilat do t’i jepnin një frymë Letes. Sa më thellë zhytesha aq më shumë konfrontoja dhe po aq më shumë kërkonte personazhi. Personazhi vetë gjeti një rrugë dhe arsye të jetojë. Shpresoj mos ta kem zhgënjyer Leten.

KultPlus: Ju jetoni jashtë Shqipërisë, dhe pikërisht ky film ju riktheu aty prej ku edhe keni dalë. Sakrificë që ka vlejtë, besoj?
Ornela Kapetani:
Të gjitha sakrificat kanë vlerë. Aq më tepër ato që të sjellin më pranë njohurisë se vetvetes. Leta për mua ishte një zbulim i vërtetë. Qëndrimi im në Tiranë ishte shumë domethënës. Erdha përsëri në kontakt në pjesë të vetvetes të harruara dhe shpesh të përçmuara. Të cilat kishin nevojë, kushtrim, vëmendje dhe vlerësim.

KultPlus: Dhe për fund, keni ndonjë ofertë tjetër në Shqipëri, apo në ndonjë projekt filmik ndërkombëtar?
Ornela Kapetani:
Punoj për një film në Greqi dhe një seri komike për TV-n britanike. Oferta shqiptare nuk kam pasur. / KultPlus.com

Është lansuar traileri i filmit “Dita zë fill”, ku Ornela Kapetani fitoi Zemrën e Sarajevës (VIDEO)


“Dita zë fill” me regji të Gentian Kocit është filmi i parë i metrazhit të gjatë, por suksesi i këtij filmi duket se veç sa ka filluar, shkruan KultPlus.

Për rolin më të mirë të aktores është shpërblyer pikërisht aktorja shqiptare Ornela Kapetani, në edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit të Sarajevës që është mbajtur së fundi.

Ndërkaq, sapo është lansuar edhe traileri i këtij filmi ku shihet Ornela Kapetani, Kasem Hoxha e aktorë të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij projekti filmik, që tashmë ka marrë ftesa edhe nga shumë festivale të rëndësishme botërore.

Në film luajnë edhe Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Ogur i mirë për ekipin e filmit shqiptar “Dita zë fill”, fituesi i çmimit Oscar i shoqëron në Sarajevë

Ekipi i filmit “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit tashmë ka parakaluar në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Por jo të gjithë ekipet e filmave konkurrues kanë fatin që të shoqërohen edhe nga regjisor me çmimin Oscar, pasi që, Oliver Stone i nderuar edhe me çmimin e nderit “Zemra e Sarajevës”, ka shoqëruar këtë ekip të filmit, që po kryesohet nga regjisori Koçi.

Mbetet të shihet se si do të pritet ky film nga audienca e Sarajevës, por më e rëndësishme edhe se si po vlerësohet nga juria e këtij festivali, ku po garon edhe ky film shqiptar./KultPlus.com

Ekipi i filmit “Dita zë fill” u prezantua me konferencë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Para dhënies së premierës së filmit të metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit, premierë që do të prezantohet sonte në Festivalin e Filmit në Sarjevë, ekipi i filmit i udhëhequr nga regjisori Gentian Koçi, dhe i shoqëruar edhe nga aktorët kryesorë, janë prezantuar në një konferencë shtypi po në këtë festival, shkruan KultPlus.

Filmi “Dita zë fill”, është një nga shtatë filmat e përzgjedhur që do të garojë në festivalin e filmit më të rëndësishëm të rajonit dhe një ndër më të rëndësishmit në Europë. Ky film është një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhuar nga ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL.

Filmi “Dita zë fill”, është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Qendra Greke e Fimit, EURIMAGES, Radio Televizioni Shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës si dhe SEE Cinema Netëork.

Wide është distributori ndërkombëtar i filmit, të cilin e kanë prezantuar si “special screening” në marketet e festivalit të filmit në Berlin dhe Kane.

Filmi bën fjalë për sfidën e Letës, e cila për të mos humbur vendin e punës, Leta, nënë e një djali njëvjeçar, mban në jetë me çdo kusht Sofinë, një grua të moshuar për të cilën ka pak kohë që kujdeset./KultPlus.com

Sonte në Sarajevë, premiera e filmit shqiptar “Dita zë fill”

Gentian Koçi, duhet të jetë në ethet e premierrës, pasi që, pikërisht sonte audienca e Festivalit të Filmit në Sarajevë ka privilegjin që të shijojë rrëfimin e këtij filmi, shkruan KultPlus.

Filmi “Dita zë fill”, është filmi i vetëm shqiptar që është në garën zyrtare të këtij festivali, duke u përballë me regjisorë shumë të njohur, të cilët do të prezantohen këtë vit.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Kasem Hoxha, Hremes Kasimati, Adele Gjoka… Filmi “Dita zë fill”, do të shfaqet edhe të hënën, po në këtë festival./KultPlus.com

Sonte hapet Festivali i Filmit në Sarajevë, prezantohen edhe Ilir Tafa e Gentian Koçi

Tre mijë ulëse janë përgatitë për hapjen solemne të Festivalit të Filmit në Sarajevë, festival që do të hapet për pak minuta, shkruan KultPlus.

Në këtë festival, një ndër më të rëndësishmit në rajon do të merr pjesë edhe regjisori amerikan Joshua Oppenheimer, kurse në këtë edicion me punët e tyre artistike do të zënë vend edhe artistë shqiptarë, aktori kosovar Ilir Tafa dhe regjisori nga Shqipëria Gentian Koçi.

Tafa do të jetë këtë vit i pranishëm në Festivalin prestigjioz të Filmit në Sarajevë me lojën e tij në dy projekte. Krahas Vanesa Glodos, Tafa vjen në filmin “Invisible” me regji nga Amra Mehiq, koproduksion mes Bosnjës dhe Hungarisë. Filmi fokusohet në lojën e aktorit Tafa, i cili i dëshpëruar me jetën ndërmerr diçka që ndryshon rrjedhën e gjërave.Në anën tjetër, vetë aktori ka treguar se projekti i dytë ku ai luan e i cili do të shfaqet në Sarajevë është “Zhaba” nga regjisori Elmir Jukic, shkruan KultPlus.

Kurse Gentian Koçi është në konkurrencë zyrtare me filmin e tij “Dita zë fill”, ku ky film do të ketë edhe premierën në këtë festival tashmë tejet të njohur. /KultPlus.com