Deklarata e presidentit Bush për Pavarësinë e Kosovës vendoset në Tiranë

Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarata e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet.

“Enough is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej presidentit George W. Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë. Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë.

Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.

Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë. Në këtë kondvështrim, “Enough is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim.

“Enough is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, “Enough is Enough” nuk vjen vetëm si përgjigjja që presidenti amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.

Më 15 Mars 1991 Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”. /atsh/ KultPlus.com

​George Bush pikturon portrete të migrantëve dhe shkruan një libër për ta

George W. Bush mund të jetë një ish-guvernator dhe president, por siç rezulton, ai është gjithashtu një piktor, dhe çfarë është më e mira, ai është me të vërtetë shumë i mirë në këtë drejtim.

Ish-presidenti së fundmi ndau një sekret të vogël në Instagram se si e kalon kohën e tij – si në karantinë, ashtu edhe më parë.

“Për 18 muajt e fundit kam pikturuar portrete dhe shkruaj histori për 43 migrantë që kam takuar. Unë jam i kënaqur të botoj një libër dhe ekspozitë të re në [The Bush Center] për nder të amerikanëve të rinj që kanë kontribuar në pasurinë kulturore, gjallërinë ekonomike, frymën e ndërmarrësisë dhe patriotizmin e përtërirë të vendit tonë. Siç thashë nga Zyra Ovale në vitin 2006: ‘Amerika mund të jetë një shoqëri legjitime dhe një shoqëri që pranon’”, shkroi ai poshtë fotografisë së tij në të cilën pikturon në studion e tij.

Libri i tij do të jetë në dispozicion nga data 2 mars e vitit të ardhshëm.

“Shpresoj se shumë do të ndihmojnë në përqendrimin e vëmendjes sonë të përbashkët në efektet pozitive që migrantët kanë në vendin tonë,” shkruan George W. Bush. / KultPlus.com

Miku i madh i shqiptarëve George Bush feston 74-vjetorin e lindjes

George Bush lindi më 6 korrik të vitit 1946 në New Haven, Connecticut. Bush ishte presidenti i 43-të i vendit. Është djali më i madhi i ish presidentit amerikan George H. W. Bush. Para se te zgjidhej si president ka qenë governatori i 46-shtë i Teksasit qe prej 1995. Bush u rizgjodh president në vitin 2004.

Ndërmjet viteve 1968 dhe 1973, Bush shërbeu si pilot për Rojen Kombëtare Ajrore të Teksasit. Më 1975 ai filloi karrierën profesionale të tij në biznesin e naftës dhe gazit, të cilën e la më 1986. Më 1988 ai u përfshi aktivisht në fushatën e suksesshme të babait të tij për presidencën dhe më 1989, së bashku me një grup investitorësh, bleu ekipin profesionist të bejsbollit Texas Rangers, për të shërbyer si partneri administrues i përgjithshëm i tij deri në nëntor 1994, kur u zgjodh guvernator i Teksasit. Më 1998 Bush krijoi një precedent duke u rizgjedhur për një mandat të dytë katër-vjeçar si guvernator i Teksasit.

Në vitin 2006, Kongresi u rimor nga Partia Demokratike dhe u vështirësua vendimmarrja gjatë 2 vjecarit të fundit. Në Dhjetor 2007 u shfaqën dhe shenjat e para të recensionit dhe krizës ekonomike botërore, gjë që do e kthente George Bush në një nga presidentët më pak të pëlqyer në historinë modern të ShBA-ve. Në kuadër të luftës së tij kundër terrorizmit, Bush i kushtoi rëndësi të madhe dhe aleancave ushtarake, si NATO dhe luajti një rol të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve të NATO dhe në muajt e fundit të mandatit të tij të dytë, firmosi dhe për zgjerimin e aleancës me Kroacinë dhe Shqipërinë. Rol të rëndësishëm luajti dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e saj nga shtetet perëndimore. Pavarësisht pëlqimit të ulët nga populli amerikan, së bashku me Bill Clinton, George Bush mbetet një nga presidentët e figurat më të dashura për popullin shqiptar. /KultPlus.com

13 vjet nga vizita e presidentit Bush në Shqipëri

Presidenti Xhorxh W. Bush është bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që viziton Shqipërinë.

Ai 13 vjet më parë, pikërisht më 10 qershor të vitit 2007 dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha dhe nga deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.

Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Presidenti shqiptar Moisiu i dha presidentit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit”, për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.

U.S. President George Bush greets crowds of Albanians in Fushe Kruje, Albania, Sunday, June 10, 2007. (AP Photo/Gerald Herbert)

Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.

Presidenti po ashtu tha, se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, për pavarësi të mbikëqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën.

Ai tha se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.

Bush tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.

“Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire,” tha presidenti amerikan.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush ka folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.

“U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë,” tha Bush. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.

“Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike,” tha ai.

Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, Bush doli, jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë. Presidenti amerikan George Bush ka mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri. /Periskopi/ KultPlus.com

George Bush vlerëson shqiptarin e parë që hap shkollë të muzikës në Amerikë

Jeta Zymberi

Emri i Gezim Gashit po lartësohet çdo ditë e më shumë. Kjo falë punës së tij të madhe e cila po sjell çdo ditë e më shumë sukses, shkruan KultPlus.

Një ndër artistët më të njohur në Suedi, ai tashmë ka arritur që të jetë shumë i suksesshëm edhe në Amerikë. Gashi dy vitet e fundit ka zhvilluar edhe markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë të titulluat ‘By Gezim Gashi’ duke bashkëpunuar me shkollat më me nam në Amerikë dhe jo vetëm.

Gezim Gashi u bë shqiptari i parë që hap shkollë të muzikës në Los Angeles dhe Atlanta, por ai nuk e ka ndërmend të ndalet.

Mbrëmë në Los Angelos, është organizuar një event nga Oaks Christian School dhe Gezim Gashi  të cilët bashkë po e hapin shkollën Institute of Arts and Innovation në gusht të këtij viti. Ky event kishte një qëllim krejt të veçantë, krijimin e një fondi për të ju dal në ndihmë të gjithë atyre talenteve që nuk kanë mundësi të shkollohen. Gashi ka treguar për KultPlus se shuma e grumbulluar në këtë mbrëmje ishte 1 milion dollarë dhe ai u shpreh tejet i lumtur që këto mjete do të ju ndahen talentëve të rinj për shkollim.

Në këtë event ishin të pranishëm shumë artistë, biznesmen e figura të njohura të cilët dhanë kontributin e tyre për këta të rinj.

Ndër të pranishmit ishte edhe ish – Presidenti i SHBA-së George w. Bush dhe Laura Bush, ndër përkrahësit më të mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës.

Gezim Gashi është vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga George W. Bush, i cili e ka vlerësuar punën e tij që po e bënë me talentët e rinj.

Gjatë takimit të tyre, Bush dhe Gashi, ndër të tjera ata kanë folur edhe për Kosovën.

“Në momentin që i kam treguar George W. Bushit që unë vij nga Kosova dhe gjithë rrugëtimin tim dhe largimin nga lufta, ai ka reaguar me një ëoë dhe u shpreh shumë  i lumtur që kam arritur këtu ku jam. Më ka vlerësuar shumë për punën që po bëj, ndërsa për mua ka qenë një ndjenjë si në ëndërr momenti kur ai më ka dhënë dorën dhe vlerësimet që i kam dëgjuar nga ai, ishte një moment shumë domethënës për mua”, ka thënë Gashi për KultPlus.

https://www.instagram.com/p/Bv9My-lgqdw/?fbclid=IwAR3GFEkx49CzKx21eYmt2gLQPHFj5RaDnahZzorySVyDDjtR0g1J12_QaT8

Ai gjithashtu tregoi së sa falënderues i është shprehur ish-presidentit të SHBA-së për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës.

“Bush ishte një njeri i mrekullueshëm, në momentin që e falënderova për ndihmën që i ka dhënë shtetit tonë ai u ndje shumë i mirë”, tregoi krejt për fund Gashi.

Gashi, është një sipërmarrës i përhershëm dhe student i Harvard Business, ka zhvilluar markë për shkollat ​​muzikore që po udhëheqin dhe për kompanitë e tjera në Suedi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Puna e tij inovative është njohur nga revista Forbes dhe Huffington Post. /KultPlus.com

Letra e Ismail Kadaresë për presidentin amerikan George Bush


“Zoti President,

Dy vjet më parë, më 1989, kur jo vetëm në vendin tim por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit Nobel të paqes, Elia Weisel, ju kam dërguar një letër.

Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’ju drejtohesha juve, presídentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar, për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA.

Ju shkruaja, midis të tjerash, në atë letër se populli shqiptar, në kundërshtim me sunduesit komuııistë, kishte ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA dhe ju lutesha Juve, që pa ia vënë veshin fyerjeve të Tiranës të vazhdonit të ndihmonit këtë popull martir, si atë që vuante brenda kufijve të shtetit, si gysmën tjetër të tij, që vuante në Jugosllavi.

Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në marrëdhëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesueshmja. Kur Sekretari i Shtetıt, Baker, u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin fjalët që ju kisha shkruar më 1989, që në atë kohë mund të tingëllonin si fantazi shkrimtari, se SHBA do të ketë te populli shqiptar, një mik të zjarrtë e të përhershëm. Nga ana e tyre, shqiptarët të zhgënjyer nga ato lidhje të mbrapshta në të cílat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.

Zoti President, sot kur një pjesë e botës, e sidomos ajo pjesë që posa është shkëputur nga e kaluara komuniste, po përpëlitet e s’gjen dot qetësi, njerëzimi mbarë përcjell me adhurim përpjekjet tuaja fisnike për rregullimin e saj. Në këtë kahje, jo vetëm si shkrimtar e qytetar shqiptar, por edhe si njeri që dëshiron një botë më të përkryer, ju drejtohem Juve, burrit të shtetit me të cilin e ardhmja e botës ka një lidhje të drejtpërdrejtë.

Për shumë dekada, një pjesë e botës në aksionet e saj politike e diplomatike, përballë problemeve të mëdha ka qenë shpesh herë e paralizuar prej dogmave dhe tabuve. Në emër të një stabiliteti e qetësie false, këto dogma shpalleshin të shenjta e të pandryshueshme, paçka se kombe e popuj të tërë, të rrëzuar prej fatit, njëlloj si titanët e dikurshëm, vuanin e rënkonin prej tyre.

Tani është e qartë për cilindo, se ajo qetësi dhe stabilitet, që përligjej nga formulat gjoja të shenjta, nuk ka qenë veç një harmoni e gënjeshtërt. Nuk do të zgjatem për gjëra që ju i dini më mirë se kushdo dhe, prej të cilave jeni shqetësuar si rrallë kush. Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjík, të krejt kontinentit evropian: shqiptarët.

Ky është i vetmi popull në historinë e Europës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy díktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë.

Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqíptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim.

Zoti President i SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu.

Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e  Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.

Kur ju shkruaj këto fialë, unë nuk mendoj kurrë, që paqja dhe mirëkuptimi i sotëm i arritur me aq mundime, të rrezikohen për shkak të shqiptarëve. As nuk parashtroj kërkesa për veprime të ngutshme, brutale ose sensacionale.

Ajo që dëshiroj të shtroj para jush është kërkesa për një ndryshim parimor në qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Në mbarirn të këtij shekulli, përpara shqiptarëve po ngrihet shansi historik, shansi që të korrigjohet faji që u bë ndaj tyre në fillim të shekullít.

A do të pranohet prej botës së sotme të qytetëruar e drejta e këtij populli, që të jetojë bashkë, në të njëjtën shtëpi, si të gjithë kombet apo do t’i mohohet kjo e drejtë, në emër të tabuve ose të gjumit të qetë të dikujt?

Në qoftë se në vizionin e Europës së nesërme pranohet kjo ide, mendoj se edhe mjetet demokratike për zgjedhjen e saj në mënyrë paqësore, diplomatike, njerëzore, pa dbimbje e gjak për kërrkënd, mund të gjenden.

E tmerrshrne është se gjer më sot kjo ide nuk është pranuar. Por në kohën tonë, në kohën e triumfit të të drejtave të njeríut, triumf në të cilín SHBA kanë një vend nderi, të mos pranosh një ide të tillë, do të thotë të pajtohesh me të kundërtën.

Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre.

Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime.

Duke ju falenderuar edhe një herë, ju personalisht dhe shtetin tuaj të madh, për vëmendjen ndaj popullit tim, shpresoj Zoti President, se midis punëve dhe problemeve tuaja të shumta, do të vazhdoni të interesoheni për fatin e popullit tim martir.

Pranoni, Zoti President, shprehjen e respektit tim më të thellë.
/topkadare /KultPlus.com

ISMAIL KADARE

Ish presidenti i SHBA-ve George Bush, dërgon mesazh për vajzën shqiptare Pavarësia Sopa (FOTO)

Pavarësia Sopa është vajza e cila ka lindur dy minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe pikërisht kjo vajzë para disa muajve i kishte dërguar një mesazh ish presidentit të SHBA-ve, George Bush, shkruan KultPlus.

Dhe Ambasada e Kosovës në Washington DC, ka bërë të ditur se tashmë vetë George Bush i ka kthyer mesazhin kësaj vogëlusheje kosovare.

“Dje vizituam vajzën më simpatike, Pavarësia Sopa, të cilës i dërguam një mesazh të veçantë nga një mik shumë i madh i pavarësisë së Kosovës. Muaj më parë, Pavarësia i dërgoi një kartolinë Presidentit Bush, dhe ai i ktheu mesazhin. Pavarësia na tregoi që do të bëhet aktore në Hollywood kur të rritet, dhe me aq sa pamë, do të jetë e shkëlqyer. Gjithashtu tha që emrin nuk do t’a ndërroj kurrë, siç bëjnë shumë aktorë në Hollywood, në mënyrë që t’i tregoj gjithë botës historinë e Kosovës”, kanë bërë të ditur nga Ambasada e Kosovës në Washington DC./KultPlus.com