Gruaja e cila ka kthyer sytë e botës nga Kosova, Ryvije Elshani ndërroj jetë dje. Fotografia e saj e kapur nga aparati i Georges Mérillon në 29 janarin e vitit 1990 përgjatë funeralit të vëllait të Ryvijes, Nasim Elshanit pati marrë vëmendjen e botës, kështu duke u kthyer kjo fotografi edhe në skulpturë nga artisti francez Pascal Convert, shkruan KultPlus.
Në atë kohë, vështirë se dikush interesohej për Jugosllavinë, aq më pak për Kosovën. Deri në eksodin e kosovarëve dhe ndërhyrjen e NATO-s në 1999, kjo fotografi u konsiderua si një ngjarje fotografike estetike, si një “imazh i bukur” dhe jo si një dëshmi.
Ndërkaq vrasja e katër të rinjve, një ndër ta edhe Nasim Elshani, të cilët protestuan për të drejtat themelore kundër pushtetit jugosllav në një demonstratë në Rahovec ishte versioni real dhe dëshmia historike e saj.
Në fotografinë që futi Kosovën në hallkat e vëmendjes botërore duket nëna Sabrie pranë kokës së djalit të saj të vrarë, në të djathtë motra e vogël, Afërdita 16 vjeçare. Dhe ajo, përmes së cilës kjo fotografi bëri bujë, Ryvije Elshani në qendër, e tronditur nga pikëllimi i ndarjes nga vëllai.
Ndërkaq fotografi Georges Mérillon ishte kujdesur që përveç pamjeve, t’i dëshmonte ngjarjet edhe me fjalë, kështu duke shkruar në bllokun e shënimeve të tij.
“Mbërrij në shtëpinë e familjes Elshani. Jam bërë gati për të hyrë në dhomë të parë. Të gjithë burrat në familje janë ulur në dysheme, të rrethuar nga fqinjët dhe miqtë. Pastaj hyj në një dhomë të dytë. Trupi i Nasimi Elshanit i shtrirë në tokë. Përreth ka vetëm gra. Dëgjoj vetëm vajtime. Kameramani hyri me mua dhe ndezi pishtarin e kamerës. Projektori më në fund fiket dhe unë vazhdoj të fotografoj. Drita është e dobët dhe hyn në dhomë përmes një dritareje të vetme. Një mjegull e trashë është formuar në dritare dhe shpërndan një dritë të çuditshme me kapuç. Bëj fotografitë për një minutë dhe pastaj dal. Më vonë unë isha në gjendje të vendosja emra në fytyrat e këtyre grave. Rreth trupit të Nasimit ndodhet Sabrié, nëna e tij që qëndron afër kokës së tij dhe Afërdita në të majtë motra e tij e re 16-vjeçare. Në qendër me lot, motra tjetër Ryvije”, kishte shkruar fotografi Mérillon.
Vigjilja e varrimit në Kosovë, e quajtur shpesh “Pietà e Kosovës”, fitoi Çmimin Botëror të Shtypit në 1991. Mirëpo, dhimbja që shihej nuk kishte se si të mbetej vetëm në korniza të një fotografie. Kështu, artisti frances Pascal Convert e ktheu atë në skulpturë, duke e shndërruar në një imazh në zhivë të lëngshme./KultPlus.com