Nesër, më datë 1 shkurt 2022, është bërë e ditur se në krah të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, do të përurohet shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë.
Bulevardi qendror i Tiranës, i përzgjedhur si vendqendrim për përmendoren e ngritur në nder të konteshës nga Hungaria, mban emrin e të shoqit, Mbretit Zogu I. Kjo përkujtesë e Geraldinës, Mbretëreshës së shqiptarëve, vjen në 20-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta.
Kontesha u lind në Budapest më 6 gusht 1915, kohë kur kish nisur shkërmoqja e Perandorisë Austro-Hungareze. Ndoqi shkollën angleze në Menton të Francës dhe më pas kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum-it, në Austri, ku kreu edhe fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Më 27 prill të vitit 1938, ajo vuri kurorë me Mbretin Zog I, por do të largohej nga Shqipëria si Mbretëreshë vetëm një vit më pas, tek nisi pushtimi italian i vendit.
Fotoja bashkëlidhur, së bashku me një sërë portretesh të Mbretëreshës dhe imazhesh nga celebrimi i martesës së saj me Mbretin Ahmet Zogu, gjenden në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH). / KultPlus.com