“REPORTING HOUSE” ekspozita që shpërfaqë luftën e Kosovës nëpërmjet raportimeve të gazetarëve  

Ekspozita REPORTING HOUSE i e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery do të prezantohet më 10 qershor në ora 18:00 në ish-Shtëpinë e Mallrave ‘Gërmia’ në Prishtinë (ish zyra e Administratës Tatimore të Kosovës/ATK) në afërsi të përmendores së Skënderbeut dhe zyrës së BE-së, dhe është ekspozitë që prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Organizatorët kanë bërë të ditur se ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga  BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Flaka Surroi, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarëve ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.

Reporting House do të hapet në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në  Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Shtëpia e Gazetarëve synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.

Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999./ KultPlus.com

CHwB: Projekti për sallë koncertale t’i qëndrojë besnik parimeve bazë të ruajtjes dhe adaptimit të monumenteve

Në ndërtesën e vjetër të komunës së Prishtinës pasditen e së premtes është mbajtur konferencë për media ku u prezantuan projektet ideore të konkursit për projektimin e sallës koncertale. Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ndër të tjera në konferencë ka folur rreth diskutimit të tij me arkitektët sa i përket projektit për objektin ish “Gërmia” duke potencuar se “ideja ka qenë që të ruhet sa më shumë identiteti dhe memoria sikurse në shumë qytete të Evropës, të ruhet trashëgimia kulturore, por që të mund të përdoret për kohët moderne”.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa kufij  (CHwB Kosova) e cila është e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të prekur nga konfliktet, neglizhenca apo fatkeqësitë natyrore ku ndër të tjera ka theksuar rolin e objektit të ish “Gërmisë” si një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore. Njëherësh ata kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që i përzgjedhuri i konkursit për projektimin dhe adaptimin e kompleksit ish “Gërmia” për sallë koncertale t’i qëndrojë besnik parimeve bazë të ruajtjes dhe adaptimit të monumenteve.

KultPlus ju sjell statusin e plotë të CHwB Kosova

Reagim i CHwB Kosova mbi Konkursin e Sallës Koncertale – ish ndërtesa e Gërmisë. Duke i përcjellë zhvillimet e fundit rreth konkursit të organizuar nga Komuna e Prishtinës për projektimin dhe adaptimin e kompleksit ish Gërmia për sallë koncertale, e sheh të arsyeshme që me opinionin publik ti ndajë disa pikëpamje me rëndësi. Ashtu si edhe është cekur në letrën e ICOMOS, përkatësisht Komiteti Shkencor Ndërkombëtar për Trashëgiminë Kulturore të Shekullit 20 (ISC20C), drejtuar Kryetarit të Prishtinës Z. Shpend Ahmeti me datë 10 Mars 2019, Gërmia përfaqëson një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës së ndërtuar gjatë viteve të pasluftës së Dytë Botërore. Është një nga shembujt e paktë të trashëgimisë moderne të qytetit por mjaft domethënës për vlerat e saja arkitektonike dhe shoqërore, prandaj edhe duhet të ruhet si e tillë. Megjithëse ka pësuar disa ndryshime fatkeqe në të kaluarën, këto lehtë mund të përmirësohen dhe integriteti i saj arkitektonik të rikthehet. Praktika aktuale e qëndrueshme gjithmonë përpiqet të ruajë, rehabilitojë dhe ripërdorë në mënyrë adaptive strukturat e rëndësishme historike në vend që t’i shkatërrojë dhe zëvendësojë ato. Gërmia lehtë mund të rizhvillohet si një aset kulturor për qytetin dhe të paraqesë këtë periudhë të rëndësishme të historisë së Prishtinës dhe Kosovës për brezat e ardhshëm. Në anën tjetër, vlerësojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të duhej të ishte më proaktive në rolin e saj si institucion kompetent në administrimin e aseteve të trashëgimisë kulturore. Këtë e bazojmë në faktin se, ndërtesa e ish Gërmisë është e përfshirë në Listën e Përkohshme të Mbrojtjes së Monumenteve tash e tre vite. Gjatë kësaj kohe ky aset nuk është futë në Listën e Përhershme të Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, e që është detyrim ligjorë të bëhet në periudhë njëvjeçare pas përfshirjes në listë. Kësisoj do të përcaktoheshin vlerat e ndërtesës si dhe parimet bazë mbi të cilat monumenti do duhej të restaurohej dhe adaptohej, dhe se të gjitha aspektet me vlerë, që do të mund të ishin përtej fasadës dhe ruajtjes së saj, do të inkorporoheshin në detyrën projektuese të konkursit të organizuar nga Komuna e Prishtinës. Në këtë mënyrë qeverisja lokale do ta kishte edhe më të lehtë trajtimin e këtij monumenti. Andaj kërkojmë nga Komuna e Prishtinës në përzgjedhjen e fituesit të konkursit për projektimin dhe adaptimin e kompleksit ish Germia për sallë koncertale, ti qëndrojnë besnik parimeve bazë të ruajtjes dhe adaptimit të monumenteve. / KultPlus.com

Pamje mahnitëse të hënës së plotë duke ndriçuar Parkun e Gërmisë (FOTO)

Meteorologu Mendim Rugova, përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook ka shpërndarë disa fotografi mahnitëse të hënës së plotë duke ndriçuar parkun e Gërmisë.

Rugova i ka përshkruar fotografitë e hënës “Lindja e Hënës së plotë prapa Gërmisë së mbuluar me dëborë. Sonte në Prishtinë”.

Fotografia është shkrepur sot gjatë fillimit të mbrëmjes, në ora 16:45.

Më poshtë shihni fotografitë mahnitëse që ka shkrepur Rugova:

Pishina e Gërmisë mbetet e mbyllur

Më 1 korrik, ishte planifikuar që pishina e Gërmisë t’i hapë dyert për vizitorët. Mirëpo kjo nuk u bë e mundur, për shkak që Ministria e Shëndetësisë, ka kërkuar mirëkuptim për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, i cili e menaxhon këtë pishinë, Liridon Llapashtica, thotë për KosovaPress se i kanë bërë të gjitha përgatitjet që të fillojnë sot, mirëpo këto të fundit u anuluan pasi që Ministria e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptim karshi pandemisë.

“Jemi përgatitur, karshi rekomandimeve dhe respektimit të masave 100%, mbajtja e maskave, distanca mandej pastrimi i duarve këto të cila po kërkohen nën stop. Pse nuk u hap, thjesht unë e mirëkuptova në këtë rast që ke një deklaratë diku pas orës 3-4 pasdite prej Ministrisë së Shëndetësisë, që kërkojë prapë mirëkuptim po e quaj kështu, që të kemi mirëkuptim karshi pandemisë. Në shenj mirëkuptimi ne sot edhe pse kemi qenë gati dhe kanë ardhur mbi 40 veta staf, punonjës në pishinë që të startojnë sot. Jemi futur edhe në obligime, kjo më shumë se sa nuk po hapët pishina, muaj me thënë se është një thyerje për të gjithë ata që u dashtë me i informua punonjësit, që ne nuk mund të startojmë, për të mirëkuptuar prapë Qeverinë”, thotë ai.

Llapashtica, bëri të ditur se do t’i respektojnë rekomandimet e Qeverisë, derisa kërkoi nga këta të fundit që më së largu deri në vikend të hapet pishina e Gërmisë.

“Disa institucione tjera, në kuptimin sa i përket pishinave private, e kemi parë që nuk e kanë respektuar vendimin e qeverisë që u tha nga 1 korriku. Prej momentit që është nxehur moti një pjesë e madhe e pishinave janë t’u operua, mandej dy liqenet akumuluese të ujit Batllava dhe Badoci që gjatë vikendit kanë qenë të frekuentuara nga qytetarët. Nuk e di pse gjithmonë te pishina e Gërmisë publike, hasim në kuptimin që mos u hapni, mirëkuptoni. Jemi të disiplinuar do t’i respektojmë të gjitha rekomandimet, mirëpo edhe ne po kërkojmë nga Qeveria që të na lejohet më së largu që deri në vikend të operojmë, sepse jemi futur në obligime”, vlerëson ai.

Ai i bëri ftesë Ministrisë së Shëndetësisë për të bërë të ditur detajet se kur do të startojë pishina e Gërmisë. Derisa thotë se klori i cili përdorët për pastrim i ujit, është vrasës për çdo virus dhe bakter.

“I bëjë ftesë ose kërkesë edhe Ministrisë që të na presin në takim dhe të diskutojmë në detaje se kur mundemi me startua karshi rekomandimeve…Klori është një element kimik i cili në ujë përdorët për pastrim, mirëpo është vrasës për çdo virus por edhe bakterie, kjo do të thotë që në ujë nuk ka rrezik të përhapjes, është vrastarë. Jashtë ujit kemi marrë masa të mbahet distanca, qadrat i kemi vendosur në distancë 2 metra”, deklaroi ai.

Ministria e Shëndetësisë, kishte vendosur që më 1 Korrik të fillojë operimi i pishinave.

Pamje magjike: Gërmia e mbuluar me borë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka publikuar fotografi nga parku i kryeqytetit, Gërmia.

Mbrëmjen e së martës në Prishtinë kanë filluar reshjet e mëdha të borës, pas ditëve me temperatura të larta.

Bora ka mbuluar gjithë qytetin, e Ahmeti ka publikuar në Twitter disa fotografi nga parku i Gërmisë. “Parku i Germisë këtë mëngjes. Mushkëritë e Prishtinës”, ka shkruar kryetari.

Fotografitë janë realizuar nga Blend Zymi. /KultPlus.com


Qeveria tërhiqet nga ruajtja e ish-objektit të “Gërmisë” në kryeqytet

Qeveria e Kosovës vazhdon që t’i japë vetes të drejtë që të vendosë edhe për ndërhyrjet në monumente. Në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore, në tetor të vitit të kaluar, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë” kishte vendosur që t’i ruhet pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohet në sallë koncertale.

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018.

Të martën e ka ndryshuar vendimin. E ka hequr pikën tre. Pos kësaj, me ndryshimin e vendimit të katër muajve më parë, tash ka marrë përsipër të paguajë mbi 1.5 milion euro për shpronësim për të cilën shumë në vendimin e kaluar ngarkohej Komuna e Prishtinës.

Edhe kur kishte vendosur që monumentit t’i ruhet pamja e jashtme edhe tash që është tërhequr prej saj, Qeveria kishte marrë përsipër që të luajë rolin e Komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, i cili vendos për ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore që mbrohen nga shteti. 

Shoshi: Ish-“Gërmia” përfaqëson arkitekturën moderniste të Prishtinës, duhet të ruhet

Propozimi për ndërtimin e sallës koncertale në ish-objektin e shtëpisë së mallrave “Gërmia”, në sheshin e kryeqytetit zgjoi pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve dhe organizatave të ndryshme, që nisën një peticion për ta ndaluar këtë veprim.

Ani pse ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e vendosi këtë objekt në listën e Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme, para disa ditësh, Qeveria vendosi ta shpronësojë Administratën Tatimore nga ky objekt, për ta liruar për ndërtimin e sallës koncertale.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se e morën këtë vendim meqenëse Bashkimi Evropian investoi një shumë të madhe aty.

“Vendosëm pra ta shpronësojmë, ta bëjmë gati një pronë të Kosovës, pra Administratën Tatimore prej atij objekti dhe ai objekt është sallë koncertale, po pse është me rëndësi kjo, sepse kanë qenë 15 milionë euro të BE-së që hynë në Kosovë”, deklaron ai.

Ndërsa organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) shndërrimin e këtij objekti në një sallë koncertale nuk po e sheh si zgjidhje të duhur.

Drejtori i kësaj organizate, Sali Shoshi, deklaron për KosovaPress se ky objekt do të ishte më i përshtatshëm për një muze bashkëkohor.

“Ish-shtëpia e mallrave Gërmia është një prej ikonave të qytetit të Prishtinës, e përfaqëson arkitekturën moderniste të Prishtinës, e ndërtuar në vitet e 70-ta, dhe ne mendojmë që ajo duhet të ruhet. Edhe sigurisht që ajo duhet të përshtatet edhe me nevojat që ka sot komuniteti, mirëpo, mendojmë që integriteti i saj fizik arkitektural, nuk lejon që ajo të përshtatet për sallë koncertale sepse pllakat të cilat janë aty, ato nuk mund të rrënohen e të përshtaten për sallë. Pra ajo mund të përshtatet për ndonjë funksion tjetër, ne mendojmë që propozimi për muze të artit bashkëkohor është propozim i përshtatshëm, por jo për sallë koncertale për shkak të integritetit të saj fizik edhe arkitektural që e ka”, thotë Shoshi.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe arkitekti Ilir Gjinolli.

Ai thotë për KosovaPress se salla koncertale duhet të ndërtohet diku tjetër.

Sipas tij, nëse do të bëhet sallë koncertale, do të nevojiteshin shumë intervenime në këtë objekt.

“Ndërtesa nuk është e rëndësishme vetëm në aspektin arkitektonik. Ndërtesa e shtëpisë së mallrave është e rëndësishme edhe në lidhje me ruajtjen e një trashëgimie urbane….Unë mendoj që duhet me qenë racional, ta kërkojmë një lokacion tjetër edhe të krijohet një arkitekturë e cila i ka hije sallës së koncerteve. Nuk mund të krijojmë këtu një sallë të koncerteve e cila mund të shkrihet brenda këtij vëllimi, të mbulohet me këtë fasadë edhe të themi se gjithçka është në rregull me sallën. Po e thjeshtësoj, mendoj që në një lokacion tjetër arkitekti do të kishte liri ta shprehë imagjinatën edhe t’i ndjekë të gjitha rregullat teknike edhe funksionale për një sallë të koncerteve bashkohore”, ka thënë Gjinolli.

Si lokacion të përshtatshëm për sallën koncertale, ndër të tjerash, ai propozon hapësirën mes Pallatit të shtypit.

Ndërkaq, drejtori i Kulturës për komunën e Prishtinës, Yll Rugova thotë se komuna e ka të qartë porosinë e qytetarëve, andaj janë duke kërkuar për një zgjidhje të përbashkët.

“Bashkimi Evropian i cili është duke e mbështetur këtë projekt, e kanë pëlqyer lokacionin e ish-Gërmisë, por kanë kërkuar nga ne që të japim edhe një alternativë tjetër, që në rast se nuk mund të realizohet aty, të realizohet në një vend tjetër. Ne e kemi ofruar këtë lokacion, është përballë katedrales në Prishtinë, është ajo pjesa ku janë disa Baraka afër Radio Prishtinës edhe tash mbetet të shohim po ashtu në ditët në vijim, në bashkëpunim edhe me ta, por edhe në diskutim me qytetarët, ta përcaktojmë se cili është lokacioni më i përshtatshëm për të gjithë”, ka thënë Rugova.

Përndryshe, ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”, e ndërtuar në vitet e 70-ta, ndodhet në qendër të qytetit dhe konsiderohet si një ndër ndërtesat më ikonike të modernizmit në Prishtinë./KultPlus.com

“Gërmia” tashmë çështje e Ministrisë së Kulturës

Gili Hoxhaj

Dje ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, ka njoftuar se tashmë ka nënshkruar vendimin për aprovimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 asete, të cilat do t’i nënshtrohen masave dhe regjimit mbrojtës sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Ndër këto asete është edhe Qendra Tregtare – Gërmia në Prishtinë, e cila së fundmi ka krijuar shumë ‘telashe’ mes komunitetit artistik, shkruan KultPlus.

Gërmia, ishte lokacioni ku u vendos të bëhet Salla Koncertale e Kosovës, por që rrënimi i saj i mundshëm krijoj panik dhe përçarje të komunitetit.

Kësisoj, dje pas vendimit të ministrit krejt kjo u hodh në ujë, pasi që, për momentin nuk do të ketë rrënim të këtij objekti që është nën mbrojtje të Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore, por që ekziston mundësia e ndërhyrjes në të.

Kështu tha për KultPlus, sot drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu. Ajo theksoi se për çdo ndërhyrje në këtë objekt, duhet të kërkohet leje paraprake nga institucionet kompetente dhe vendimi arrihet pas një procesi hulumtues.

“Bazuar në dispozitat ligjore, saktësisht dispozita e nenit 4 (paragrafi i 14) ndalon shprehimisht punët apo veprimtaritë që mund të dëmtojnë vlerat e objektit, pa lejen paraprake të institucionit kompetent, e cila jepet pas një procesi hulumtues”, ka thënë Aliu për KultPlus.

Në anën tjetër, një nga zërat më kumbues në krejt këtë proces, është ai i profesoreshës Besa Luzha. Pas këtij vendimi të Ministrisë së Kulturës, Besa Luzha, për KultPlus, tha se Lista është e përkohshme deri në vendimin përfundimtar. Sipas saj, projekti i sallës koncertale ashtu kështu ka qenë në fazën nismëtare, ku theksoi se vetëm lokacioni ishte përcaktuar.

Në lidhje me atë se a duhet të ndërhyhet apo jo, sipas Luzhës, diskutimi ende nuk ka mbërri në atë pikë.

“Kjo mund të zgjidhet pas vendimit përfundimtar. Kjo nuk ndalon që të vazhdohet me punën për sallën në atë lokacion, por duhet të eksplorohen mënyrat e ndërtimit të sallës duke ruajtur disa nga pjesët e ndërtesës që kanë vlerë. Ose nëse Komuna dhe Komisioni Evropian vendosin me gjetë lokacion tjetër vazhdohet”, ka thënë Luzha për KultPlus.

Por, në lidhje me atë që ky aset është vetëm në listën e Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore dhe që ende s’ka vendim përfundimtar, sipas Ligjit Nr.02/L-088 për Trashëgiminë Kulturore të Republikës së Kosovës, lista e përkohshme ka atribute të njëjta me trashëgiminë kulturore nën mbrojtje të përhershme, siç është përcaktuar në nenin 4, të po të njëjtit ligj.

Ministri Kujtim Gashi tha se javë më parë kanë ardhë tek vendimi për futjen në nën mbrojtje të Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore duke shqyrtuar propozimet e ekspertëve të fushës, ndërsa dhe ky objekt do të trajtohet në proporcion me legjislacionin në fuqi që e mbulon fushën e trashëgimisë kulturore. Ai tha se shpronësimi i objektit nuk e dëmton objektin i cili tanimë do të kaloj nga një pronar tek një pronar tjetër, dhe derisa do të jetë në mbrojte, ai do të trajtohet me ligjet përkatëse dhe si i tillë do të jetë i pandryshueshëm.

“Futja në ligj të mbrojtjes do ta ruaj tërësinë e objektit kurse adaptimi brenda për sallë koncertale dhe shfrytëzim për aktivitete të tjera është çështje e ekspertëve të fushës së arkitekturës të cilët duhet ta model ajojnë një zgjidhje, përndryshe unë i garantoj të gjithë qytetarët veçmas komunitetin artistik se objekti ashtu siç duket sot do të duket përgjithmonë pasi që tanimë ka marrë trajtimin ligjor nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, u shpreh Gashi për KultPlus.

Gashi tutje tha për KultPlus se objekti do të kalojë në menaxhim të Komunës së Prishtinës, por objekti do të ketë trajtim ligjor dhe do të ruhet në tërësi. “Ne do ta bëjmë mbikëqyrjen dhe trajtimin e këtij objekti sipas ligjeve në fuqi që e mbulojnë pjesën e trashëgimisë kulturore, pra do të jemi shumë konciz dhe strikt që të mos lejojmë ndërhyrjen e objektit të “Gërmisë””, u shpreh Gashi për KultPlus.

Objekti i ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”, ndërtuar nga viti 1970 -1972 bazuar në projektin e arkitektes Liljana Rashevski është qendra e parë tregtare në Prishtinë. Ajo është një nder objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe si tillë është pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të saj.

Në saje të rëndësisë, si një ekzemplare i rrallë i objektit të stilit modern dhe ndërlidhjes se objektit me arkitekten e spikatur Liljana Rashevski, objekti i ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”, është futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2018-2019, në kategorinë Trashëgimi arkitekturale, në bazë të Ligjit Nr.02/0-L88 për Trashëgiminë Kulturore të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Albert Heta: Gërmia është e mbrojtur me ligj, nuk mundet me u rrënu as me u trajtu

Dje ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, ka njoftuar se tashmë ka nënshkruar vendimin për aprovimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 asete, të cilat do t’i nënshtrohen masave dhe regjimit mbrojtës sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Ndër këto asete është edhe Qendra Tregtare – Gërmia në Prishtinë, e cila së fundmi ka krijuar shumë ‘telashe’ mes komunitetit artistik, shkruan KultPlus.

Gërmia, ishte lokacioni ku u vendos të bëhet Salla Koncertale e Kosovës, por që rrënimi i saj i mundshëm krijoj panik dhe përçarje të komunitetit.

Kësisoj, dje pas vendimit të ministrit krejt kjo u hodh në ujë, pasi që, tashmë është e pamundur të preket ky aset që është nën mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.

Po sjellim reagimin e drejtorit ekzekutiv të Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, Albert Heta i cili theksonë që tash do të ketë një fazë të re, sipas tij, do të jetë një proces transparent.

Ky është reagimi i plotë pa ndërhyrje nga redaksia e KultPlus:

Tash, kur ndertesa e Shtepise se Re te Mallrave “Germia” eshte e mbrojtur me ligj, dhe nuk mundet me u rrenu, me asnje arsyetim, as me me u trajtu si lokacion, eshte shume me rendesi me u siguru qe projekti per sallen e re koncertale me vazhdu duke kalu ne faze te re.

Per kete faze te re duhet te niset nje proces i ri transparent dhe gjitheperfishires, qe siguron qe projekti te zhvillohet me mbeshtetjen e ekspetizes se vendit, qe perfshine arkitektet, urbanistet, sociologet, antropologet, studiuesit e politikave pubiike ne art dhe kulture dhe profesinistet me te mire te skenes muzikore te vendit, qe e kane percjelle pa u ndale zhvillimin e kesaj skene.

Projekti duhet me siguru kushte te reja pune dhe zhvillim per skenen muzikore ne Prishtine dhe publikun e Prishtines dhe te Kosoves. Projekti nuk guxon me deshtu per shkak te gabimeve dhe vendimeve problemstike per projektin.

Nga traskripti i mbledhjes se organizuar nga Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK me pjesemarrjes Drejtorin e Drejtoratit te Kultures ne Komuna e Prishtinës Yll Rugova, Kryetarin e Asociacionit te Arkitekteve te Kosoves, Astrit Nixha, profesorin e Fakultetit te Ndertimtarise dhe Arkitektures Ilir Gjinolli, filozofin, publicistin dhe kritikun e artit Shkelzen Maliqin dhe perfaqesuesit e institucioneve anetare te RRIPAK, mundem me shkoqite informaten e perbledhur per nevojat aktuale te skenes, te paraqituare nga profesionistet dhe perfaqesues te institucioneve anetare.

Ne Kosove aktualisht, gjate nje viti, organizohen afer 50 koncerte te muzikes klasike. Prej 50 koncerteve te tipit te ndryshem, simfonik, vokalo-instrumental, kamertal, solistik, afer 10 koncerte organizohen nga Filharmonia e Kosoves, ne te cilat graviton nje publik prej afer 1000 personave. Koncertet e tjera kamertale, vokalo-instrumentale, solistike, qe organizohen nga institucionet e pavarura te artit dhe kultures ne Kosove, i mbledhin prej 200 deri 300 persona ne nje koncert.

Edhe prej debatit te mbajtur edhe diskutimeve publike te mbajtura ne kete kohe, si pasoje e vendimeve te gabueshme per projektin, mundemi me perfundu qe nevoja kryesore per nje salle koncerate eshte nevoja qe Filharmonia e Kosoves te kete nje salle te re, e cila asesi nuk duhet te jete me e vogel se nje salle qe mundet me i pase prej 1000 deri 1200 ulese per publikun. Prishtina eshte Kryeqytet.

Projekti i tille cfare eshte prezentu deri tash ne publik, pervec gabimeve te tjera te medha, i fokusuar ne ndertimin e nje salle koncertale me 600 ulese, numer ky i pershtatur gabimisht per nje lokacoin inekzistent, nuk kishte me zgjidhe kete problem te skenes sone.

Ky problem i preke edhe institucionet e pavarura te artit dhe kultures te cilat ne programin e tyre muzikor cdo vit e kane se paku nje bashkepunim te rendesishem me Filharmonine e Kosoves. Ky bashkepunim eshte bashkepunim model dhe me interes edhe per zhvillimin e institucioneve te pavarura te artit dhe kultures edhe per zhvillimin e Filharmonise se Kosoves.

Palet e perfshira ne nismen, Komuna e Prishtinës, Kryetari Ahmeti, dhe Zyra e BE-se European Union Kosovo, qe do te duhej me u mbeshtete me fondet e IPA 2019, pervec gjetjes se lokacionit per projektin, te bazuar ne rekomandimet e profesionisteve dhe eksperteve, duhet te kordinohen me Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – MKRS, Ministrin Kujtim Gashi, mekanizmat dhe institucionet e pavarura te artit dhe kultures, mekanizmat dhe profesionistet e arkitektures dhe urbanizmit, por edhe kapacitete e tjera shoqerore dhe profesionale, qe te sigurohen qe te behet gjithcka qe eshte e mundur qe procesi i ri te reflektoje interesin e perbashket te institucioneve komunale edhe qendrore qe funksionojne ne Prishtine, dhe te mbeshtetet ne nje paradigme te re te zhvillimit per artin dhe kulturen ne Prishtine dhe Kosove si pjese e rendesihme e zhvillimit shoqeror dhe ekonomik te Prishtines dhe Kosoves. Ky investimi duhet te jete pjese e nje strategjie zhvillmi dhe te krijoje kushte per zhvillimin e hovshem te skenes se muzikes ne Kosove, artit dhe kultures dhe shoqerise kosovare.

Ne si RRIPAK, si edhe deri tani, jemi te gatshem te ofrojme mbeshtetje per nje proces te ri, qe duhet te sherbeje si model edhe per projektet e tjera qe duhet te zhvillohen njertrajtesisht, per interesin e gjithembarshem publik./ KultPlus.com

Fotoreportazh i 1973-s për “Gërminë” nga “Zëri i Rinisë” (FOTO)

Një vit pas përfundimit të ndërtimit të shtëpisë së mallrave “Gërmia”, gazetarët dhe fotoreporterët e revistës së atëhershme “Zëri i Rinisë”, shkruan një artikull për këtë ndërtesë.

Ndërtesa ishte projektuar nga arkitektja Liljana Rashevski dhe kishte dashur dy vite për ta ndërtuar, hapësirën prej 8.500 metrash në total, duke përfshirë pjesën administrative ku sot është Ministria e Infrastrukturës.

Teksi I 3 shkurtit të vitit 1973, thotë se “Gërmia” u hap më 28 dhjetor, prag të festave të fund vitit. Për ndërtimin e saj thuhej se “sipas llogarisë jodefinitive janë shpenzua afro 5 miliardë (dinarë). Nga këto 30% të mjeteve janë tonat e 70% janë kredi nga Banka e Kosovës”, thuhej në tekst, ku fliste drejtori i atëhershëm Rushit Selimi.

EDHE NJË OBJEKT I RI

Shtëpia e re e mallrave “Gërmia” u hap në një moment mjaft të volitshëm për konsumatorët – 28 dhjetor, në prag të Vitit të ri.
-Sipas llogarisë jodefinitive janë shpenzua afro 5 miliard. Nga këto 30% të mjeteve janë tonat e 70% janë kredi nga Banka e Kosovës. Në 30% një pjesë e bukur e madhe janë investimet e firmave të jashtme me renome të cilat kanë ndihmua varësisht prej interesimit dhe kapacitetit.

I tërë objekti dhe orenditë janë reprezentative jo vetëm në Kosovë por edhe në vend (Jugosllavi).
Jemi munduar që me shpenzimet e bëra të dalim për ballë konsumuesve. Asortimenti është i madh dhe mjaft kualitativ. Jemi furnizuar edhe me mallra të shtrenjta, por që janë shitur.

Fillimi, si zakonisht, ka qenë mjaft i vështirë. Në këtë organizatë të madhe punuese janë inkuadruar shumë të rinj fillestarë dhe të papërvojë. Kemi angazhuar punëtorë me kualifikime të ndryshme (normalistë, ekonomistë, gjimnazistë, etj.) dhe jemi munduar që çdo vendi t’ia përshtatim punëtorët adekuatë.

Interesimi në fillim ka qenë shumë i madh. Gjatë ditës së parë dhe të dytë i tërë objekti ka qenë plot me konsumues dhe me kureshtarë që dëshironin të shikojnë mallin e ekspozuar por edhe me asish që në llogarinë rrjedhëse kanë derdhur më se 130 milionë (dinarë).
INKUADRIMI: Struktura nacionale është 35% me 65%. Nga këta 90% janë të rinj që janë inkuadruar për herë të parë. Të gjithë janë kualifikuar me kualifikime përkatëse. Kemi gjithsejt 272 punëtorë.
Qëllimi është në fak (fakt) plotësimi i kërkesave të konsumatorëve. Furnizimi u përgjigjet mjaft kërkesave të konsumatorëve, por do të kemi edhe gjëra të reja, mall të importuar nga jashtë.
Çdo mall ka çmimin e caktuar dhe të njëjtë me çmimet e mallit në shitoret tjera, na tha drejtori i shtëpisë së mallrave “Gërmia”, Rushit Selimi./ Ndertimi.info/ KultPlus.com

Studioja projektuese që refuzon konkursin për “Operën e Teatrin”, nëse duhet rrënuar objekti i “Germia”

Me një donacion 15 milionë e 400 mijë eurosh nga Bashkimi Evropian e 250 mijë nga komuna e Prishtinës, në vitin 2019 pritet të nisë projektimi e më pas realizimi për ndërtimin e sallës koncertale tek ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

Javën e kaluar veçse ka filluar të nënshkruhet peticioni për mbrojtjen e ish Shtëpisë së Mallrave Gërmia. Me iniciativë nga DoCoMoM_Kosova, peticioni kërkon të mbrohet kjo ndërtesë së cilës i kanoset rrënimi për t’i hapur rrugë sallës koncertale.

Kundër kësaj ideje ka dalë edhe studioja e projektimit Innarch e cila ka thënë se nuk do të marrë pjesë në konkursin për “Operën dhe Teatrin” në Prishtinë, nëse duhet rrënuar objekti i Shtëpisë së Mallrave në Prishtinë “Gërmia”.

“Jemi kundër rrënimit të këtij objekti”, shkruhet në reagimin e tyre në Facebook./ KultPlus.com

Festivali i muzikës elektronike ‘The Summit Fest’, vjen me edicionin e tretë

Festivali i muzikës elektronike “The Summit” i cili këtë vit vjen me edicionin e tretë me radhë, ka menduar për dy mbrëmje të mbushura me muzikë për ju, me plot 15 DJ, shkruan KultPlus.

Në datat 1 dhe 2 shtator, në parkun e Gërmisë në Prishtinë, më saktësisht në hapësirën e njohur si ‘Te koshat’, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë t’i kalojnë orët e mbrëmjes me muzikë elektronike të mirëfilltë e cila nuk do të ndalet deri në mëngjesin e ditës së nesërme.

Ekrem Tahiri, nga kompania MODUS që është krijues dhe organizatorë i këtij festivali tha: “The Summit Fest tashmë e ka krijuar imazhin e vet si një festival shumë seriozë që kultivon muzikë të mirëfilltë elektronike me efekte vizuele speciale. Sivjet do të dominojë Tekno nga Franca por edhe disa DJ shumë të mirë nga vende të tjera të Evropës dhe nga Kosova. Në bashkëpunim me Raë Agency dhe Circle, do të sjellim 15 DJ që do të performojnë për dy netë me radhë”, përfundoi Tahiri.

Line Up sivjet do të përbëhet me DJ që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës dhe Kosovës. Nga Franca do të jenë Dolby D, Process404, Airod B2B Mayeul dhe I Hate Models; nga Italia Warind, nga Gjermania Jasmine Azarian, nga Austria Jeanne si dhe nga Kosova Megan, NaniKilla, Mindbend, Ersanndhe Buda.
Jazmine Azarian që vjen nga Gjermania në faqen e saj të Facebook ka postuar se është ” Shumë e lumtur që do të performojë në TheSummit Fest 2017 në Kosovë, me disa nga favoritet e saj si: I Hate Models, WarinD, Airod dhe Procesi 404.”

‘The Sammit Fest’ do të fillojë me 1 dhe 2 shtator nga ora 19:00 dhe biletat tashmë janë në shitje në Modus dhe RaveTravel.

Për detajet rreth festivalit vizitoni faqen e ‘The Summit Fest’ në facebook, ku mund të merrni më shumë të dhëna për festival. Festivali mbështetet nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com