Akademia e Studimeve Albanologjike si dhe Parku Arkeologjik Kombëtar Apolonia, njoftuan se përgjatë një muaji do të realizohen kërkime arkeologjike në Apoloninë e Ilirisë.
Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me École Normale Supérieure Paris/Francë, Shkollën Franceze të Athinës (EfA) dhe Shkollën Franceze të Romës (EfR) do të zhvillojnë kërkimet arkeologjike në Apoloni.
Krahas gërmimeve në zonën e portës veri-lindore, projekti synon vijim e studimit të linjës së fortifikimeve, nëpërmjet realizimit të survejimit topografik dhe fotogramtetrik.
Ky projekt bashkëdrejtohet nga Belisa Muka dhe Stephane Verger, me pjesëmarrjen e arkeologëve dhe studiuesve nga institucionet bashkëpunuese dhe të studentëve nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës.
Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.
Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë patur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin.
Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon./ atsh / KultPlus.com
Pas më shumë se 30 vitesh, në Belsh po zhvillohet një ekspeditë gërmimesh arkeologjike për zbulimin e strukturave të një terme të periudhës romake nga specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Fakultetin e Histori-Filologjisë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale foto nga kjo ekspeditë arkeologjike, duke sjellë kështu “copëza historie nga nëntoka”.
Rama u shpreh se sipas hulumtimeve paraprake, objekti i zbuluar mendohet të jetë pjesë e një kompleksi rural i tipit “Villa Rustica”, e datuar mes shek. III-IV pas Krishtit.
“Ky monument përbën një aset kulturor të çmuar për zonën e Belshit dhe për trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Njëkohësisht me gërmimin arkeologjik, restauratorët e Instituit po punojnë për projektin e konservimit dhe restaurimit të monumentit, me qëllim kthimin e tij të vizitueshëm”, shkruan kryeministri.
Ky zbulim i veçantë do të jetë një vlerë e shtuar për zonën e Belshit, duke sjellë njohuri më të thelluara të shtresave të historisë, e gjithashtu, duke e pasuruar zonën me një vendbanim të ri arkeologjik.
Vetëm 3 km larg qytetit të Belshit në fshatin Rrasë ky vendbanim në të cilin veç rrënojave të një ndërtese romake termë e shekullit të dytë ka dhe praninë e eshtrave të lashta. Këto eshtra faktojnë se në këtë zonë ka pasur jetesë të hershme dhe qytetërim.
Terma e shekullit të dytë, është një vendpushim e banim i karvaneve të kohës dhe të tilla deri më tani në Shqipëri janë identifikuar në Butrint dhe Dyrrah, Durrësin e sotëm. /KultlPlus.com
Ministrja e Kulturës Elva Margariti njoftoi mbrëmë se në nëntokën e Durrësit është zbuluar një perëndeshë.
“Nëntoka e Durrësit vazhdon të nxjerrë në dritë historinë e saj. Mes të tjerash zbulime doli në dritë edhe një perëndeshë”, theksoi Margariti në një postim në rrjetet sociale.
“Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal nga Universiteti Lyon 2 janë drejt përfundit të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë”, u shpreh Margariti.
“Nga gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake, ku u gërmua një banesë e shek. II e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Sipas arkeologëve shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Mes objekteve të ndryshme, zbuluar këtë vit, bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Teksa pritet të pastrohet e konservohet, arkeogu Shehi thotë se mund të kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (ndoshta Artemis ose Lar/Lares), pjesë e faltores së banesës”, nënvizoi Margariti./ KultPlus.com
Tre site të rëndësishme arkeologjike në Luginën e Drinos në Gjirokastër, Qyteti antik i Antigonesë, Teatri romak i Sofratikës dhe Kalaja e Palokastrës janë përfshirë nga gërmimet arkeologjike. Gjetje të reja po hedhin dritë për disa periudha historike duke e kthyer Luginën në një destinacion të rëndësishëm turistik.
Një mision kompleks arkeologjik në tre site në Lugën e Drinos në Gjirokastër po sfidon vështirësitë e pandemisë së koronavirusit. Qyteti antik i Antigonesë, i ndërtuar nga mbreti Pirro në vitin 295 pk, Kalaja e Palokastrës dhe Teatri romak i Sofratikës i periudhës së Hadrianit janë përfshirë nga gërmimet dhe kërkimet e arkeologëve dhe studentëve shqiptarë dhe italianë.
“Misioni rikthehet pas një viti ndërprerje për shkak të pandemisë”, thotë për Zërin e Amerikës arkeologu Melsi Labi.
“Me këtë ekspeditë të sivjetshme ne kemi një plan shumëpalësh për të arritur. Përvec zbulimeve shkencore ku kërojmë dhe besoj do gjejmë traktet e mureve të ndërtesave që kanë qenë brenda kësaj kështjelle po pëpriqemi të gjejmë edhe rrugën hyrëse të kalasë nga pjesa perëndimore e saj dhe vazhdimin e komunikmit të këtyre ndërtesave”, thotë ai.
Ndërsa arkeologu italian Rikardo Karmenati thotë “se misioni i këtij viti është mjaft i rëndësishëm, sepse do të lejojë të konfirmohen të dhënat e siguruara nga analizat me gjeoradar dhe gjeomagnetike të kryera gjatë viteve të shkuara”.
Plotësimi i kërkimeve vijon ta bëjë Palokastrën një itinerar gjithnjë e më të vizitueshëm turistik thotë zoti Labi që vlerëson edhe përmirësimin e nyjes rrugore që lidh rrugën kombëtare me sitin arkeologjik.
“Synojmë t’i japim një zhvillim dhe ta vendosim në hartën turistike këtë sit arkeologjik. Kjo për shkak se kërkojmë të kemi dhe një zhvillim ekonomik dhe kulturor të zonës. Prefektura, Bashkia , Universitetet e Gjirokastrës dhe Maceratës kanë treguar përkushtim . Edhe përmirësimi rrugës lidhëse me këtë sit, që më parë ka qenë shuëm e dëmtuar, është një hap prë t`u vlerësuar”, thotë ai.
Në gërmimet arkeologjike krahas arkeologëve po marrin pjesë edhe studentë shqiptarë dhe italianë. Arkeologu Karmenati vlerëson bashkëpunimin mes Universitetit të Maceratës në Itali dhe Universitetit të Tiranës si dhe Universitetit të Gjirokastrës.
“Është shumë i rëndësishëm formimi i arkeologve të rinj si studentëve shqiptarë dhe italianë, për të pasur një nje metodë të përbashkët pune në një gërmim të tillë të madh dhe të rëndësishëm”, thotë zoti Karmenati.
Ndërsa Silvia Tiburci studente në Universitetin e Maceratës thotë se ndihet mirë që është përfshirë në këtë mision.
“Sigurisht është interesant kontakti me kultura të ndryshme mbi të gjitha shkëmbimi me studentët shqiptarë i përvojës në gërmime. Edhe kjo është një vlerë e shtuar e përvojës sonë këtu në Shqipëri”, thotë studentja Tiburci.
Ndërsa Gelti Kotoni student i vitit të tretë në Universitetin e Tiranës thotë se është hera e parë që merr pjesë në një gërmim arkeologjik. Pandemia e ka vështirësuar jetën e studentëve sidomos në misone të tilla arkeologjike por akoma punohet në terren, thotë studenti shqiptar.
Ndërsa studentja italiane Maria Kaponi thtoë se është e lumtur që merr pejsë në këtë gërmim që është i pari për të.
“Jam shumë entuziaste që do të mund të punoj me profesionistë nga të dy universitetet dhe studentët shqiptarë”, thotë studentja italiane.
Ndërsa në qytetin antik të Antigonesë kërkimet këtë vit krahas zbulimit të pjesëve të qytetit synojnë të shkojnë tek identifikimi i teatrit.
Lugina e Drinos përfshin një sipërfaqe prej rreth 400 kilometrash katrorë, dhe vlerësohet si një nga mrekullitë arkeologjike të Shqipërisë. Në dhjetëra site, përfshihen 5 qytete të mëdha për kohën, 15 kala dhe shumë fortifikime të periudhave të ndryshme historike.
Lugina fare pranë qyetit të Gjiroakstrës, pasuri botërore e UNESCO-s po shërben gjthnjë e më shumë si tërheqje për mijëra turistë venda dhe të huaj./KultPlus.com
Pas shumë vitesh ndërprerjeje, kanë nisur gërmimet në dy site arkeologjike të Gjirokastrës, në Antigone dhe Palokastër.
Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili ndau edhe foto nga gërmimet arkeologjike.
“Lajm shumë i mirë që rikthehet misioni i përbashkët arkeologjik italo-shqiptar mes Universitetit të Maceratas dhe Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Nën drejtimin e profesor Roberto Perna, arkeologë dhe specialistë të të dy vendeve do të punojnë për një periudhë të gjatë për të gjetur zbulime të reja”, tha Golemi.
Golemi tha se “trashëgimia kulturore materiale është një aset shumë i rëndësishëm që ne kemi, pasi jo vetëm dëshmon për përkatësinë tonë të hershme, por prej saj sot mund të gjenerojmë të ardhura përmes turizmit”. / KultPlus.com